Rrëfimi i ish-oficerit madhor të Flotës Detare, Myfit Qorduka: Katër komandantët e parë të nëndetëseve shqiptare

1666
Sigal

Dosier/Flet  ish-oficeri madhor i  Flotës Detare, Myfit Qorduka:

Albert Z. ZHOLI

Katër komandantët e parë të nëndetëseve shqiptare, Dashamir Ohri, Muharrem Llullolli, Spiro Kote dhe Shyqyri Çuka

01-5 gusht 1958,  Brigada e Nëndetëseve (4 n/d) kishte përfunduar përgatitjet dhe u nis nga Kaliningradi për në Shqipëri

02-Pas 18 ditësh lundrimi, njësia mbërriti në brigjet shqiptare, ku na pritën dy katera siluruse, në bordin e njërit prej të cilëve ndodhej një Kapiten i Rangut të Parë Teme Sejko

03-17 shtatori i vitit 1958, është një nga ngjarjet më të shënuara, pasi nëndetëset, kaluan krejtësisht në drejtim të kuadrove shqiptarë

-Në Pashaliman kanë ndodhur shumë ngjarje mund të na përcillni disa prej tyre kur në Bazë ishin sovjetikët?

 

Që në vitet e para, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e deri në prag të prishjes së marrëdhënieve me Rusinë (Bashkimin Sovjetik), sipas dokumenteve zyrtare të kohës, ka qenë një periudhë e “artë“ marrëdhëniesh e bashkëpunimi midis ushtarakëve sovjetikë, që kishin ardhur për ndihmë e asistencë, dhe kuadrove tanë te detarisë, që përgatiteshin për të marrë vetë “frenat” e komandimit te anijeve e nendetëseve luftarake. Shkollat e akademitë sovjetike, ishin ndër më të njohurat e kohës, ndërsa ndihma dhe kontributi i kuadrove të flotës luftarake sovjetike për ne, e te ne, ishte i pakrahasueshëm. Por, një nga ngjarjet më të rëndësishme të Flotës sonë Luftarake e të jetës së vendit, mbetet 17 shtatori i vitit 1958, kur në një ceremoni në bazën e Pashalimanit, efektivat shqiptare morën krejtësisht në dorë drejtimin e shërbimit luftarak detar, të atyre nëndetëseve, të cilat kishin ardhur jo shumë kohë më parë nga BS.

Në fillim të gushtit, nga data 5 ose 6 e vitit 1958, pasi Brigada e Nëndetëseve (4 n/d) kishte përfunduar përgatitjet dhe ishte në gatishmëri të plotë, u nis nga Kaliningradi për në Shqipëri.

Qyteti port i Kaliningradit, një qytet i madh, i vjetër e me një histori të veçantë, i cili, para Luftës së Dytë Botërore, kishte qenë qytet autonom, por i aneksuar nga BS (që më 1946 iu ndërrua edhe emri nga Keninsberg në Kaliningrad), do përcillte 4 nëndetëse për Shqipëri.

Disa ditë para nisjes së Brigadës së Nëndetëseve, mbërriti nga Shqipëria një grup oficerësh shqiptarë, që në periudhën kalimtare do të kryenin detyrat e dublantit të kuadrove komanduese të nëndetëseve dhe Brigadës, po me të drejta të barabarta me ta derisa këto anije do të merreshin në dorëzim nga vetë ekuipazhet shqiptare. Nga këta, Xhemal Shani, me detyrën e komandantit të brigadës, ndërsa Dashamir Ohri, Muharrem Llullolli, Spiro Kote dhe Shyqyri Çuka, me detyrën e komandantit të nëndetëseve. Pra këta ishin komandatët e parë shqiptarë të nëndetëseve. Komandanti i Brigadës, Jegorov, gjatë kalimit në Kanalin e Lamanshit, mori radiogramin nga BS se parashikohej fortunal i fuqishëm dhe rekomandohej të qëndronte aty derisa të kalonte furtuna, mirëpo Jegorovi e shpërfilli dhe njësia u nis, – tregojnë Etem Shkëmbi e Qemal Hysaj, që kishin mbaruar Akadminë “Krillov” e po ktheheshin me grupin e nëndetëseve sovjetike në Shqipëri. Bashkë me ta dhe Shezai Osmani e Shefqet Pinari që kishin mbaruar Akademinë “Voroshillov”. “Pasi përshkuam kanalin, në dalje të tij na kapi fortuna, e cila vinte nga perëndimi, nga oqeani Atlantik, me dejtim gjirin e Biskajes (që detarët jo më kot e quajnë “varreza e anijeve”). Valët e oqeanit, disa metra të larta, mbulonin anijet”.

“Më kujtohet, – tregon Qemal Hysaj,- kur unë isha në urën e komandimit të anijes, aty afër ishte dhe Jegorovi. Në këtë momemt vjen një marinar dhe i drejtohet: “shoku komandant, a nuk po bëjmë ndonjë lojë me kallume përpjetë? (kallume: pjesa fundore e trupit të anijes). Komandanti buzëqeshi, po në fytyrë u pa shqetësim dhe thirri kryemekanikun të sillte diagramet e qëndrueshmërisë së anijes.

Gjatë kalimit në Gjibraltar postet sinjalo-vrojtuese angleze na bënë disa herë thirrje me prozhektor, por Jegorovi urdhëroi të mos përgjigjeshim (krenari apo fodullëku rus!?)

Kështu, pas 18 ditësh lundrimi, njësia mbërriti në brigjet shqiptare, ku na pritën dy katera siluruse, në bordin e njërit prej të cilëve ndodhej një Kapiten i Rangut të Parë, që nuk e njihnim, por na thanë  se ishte Teme Sejko-Komandanti i Flotës Shqiptare dhe këshilltari i tij sovjetik. Në bankinën e Pashalimanit u organizua një miting, ku Sadik Bektshi u uroi mirëseardhjen detarëve shqiptarë, që kryen lundrimin e parë me mijëra milje, nga Riga në Pashaliman. Efektivat e anijeve të FLD-së përshkuan një rrugë të gjatë detare, e cila do të kthehej në traditë që do të mbetet krenari për brezat e sotëm dhe ata që do vinë.

Për Flotën Luftarake Detare e veçanërisht për Brigadën e Nëndetëseve të Pashalimanit, 17 shtatori i vitit 1958, është një nga ngjarjet më të shënuara, pasi nëndetëset, kuadrot dhe efektivat e tyre, prej vitesh nën komandë e nën drejtimin e ushtarakëve sovjetikë, kaluan krejtësisht në drejtim të kuadrove shqiptarë e nën komandimin e Komandës së FLD-së Shqiptare. Petrtit Myftiu, një nga drejtuesit e Pashalimanit (komandant nëndetëseje) në atë kohë, tregon: “Përgatitjet për këtë eveniment të rëndësishëm e të shumëpritur kishin kohë që kishin filluar. E në fund kjo ditë erdhi. Në Bazën e Pashalimanit, të zbukuruar si për festë, në prani të efektivave shqiptare e  sovjetike dhe eprorëve të tyre më të lartë, ishin edhe Komandanti i Flotës Luftarake Detare, kundëradmirali Teme Sejko dhe Mininstri i Mbrojtjes që kishte ardhur nga Tirana, Beqir Balluku”. Ja disa nga shënimet e Petrit Myftiut për atë ditë: “Ishte mëngjesi 15 shtatorit 1958. Në prani të shumë autoriteteve më të larta të ushtrisë shqiptare dhe të Flotës Luftarake Detare, të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, të Komandantit të Flotës Luftarake Detare, Teme Sejko, në mënyrë ceremoniale, në Bazën Lundruese dhe në të katër nëndetëset, u ulën flamurët luftarakë të Flotës Sovjetike dhe në vend të tyre, u ngritën flamurët luftarakë të Flotës sonë Detare, gjë që shënonte edhe ligjërisht kalimin e pronësisë mbi anijet luftarake. Sigurisht në përputhje me aktmarreveshjet në kuadin e Traktatit të Varshavës.

Bashkëpunimi i frytshëm me sovjetikët shoqëron gjithë këtë periudhë. Kalimi i nëndetëseve në komandën e ushtarakëve shqiptarë, përveç ndjenjës së krenarisë, ishte dhe një përgjegjësi e madhe për kuadrot tanë të rinj, që u duhej të përballonin situata nga më të vështirat në ditët e muajt që do pasonin. Kur komandanti i Brigadës së Nëndetëseve të Pashalimanit, kapiteni i rangut të parë, rusi Jegerov dhe kolegët e vartësit e tij (emra të njohur të detarisë luftarake sovjetike në dekada, Kastromov, Karelin, Nekrasov, Ushkov, etj,) me një karrierë të gjatë dhe me një moshë 35-50-vjeçarë, ua dorëzuan detyrat kolegëve shqiptarë, të gjithë 24-26 vjeçarë, u krijuan emocione të mëdha. Sfida për detyrat që dilnin, merrnin përmasa të tjera, por edhe pas kalimit të komandës te shqiptarët, bashkëpunimi me kuadrot sovjetikë ishte tepër i frytshëm e miqësor, në funksion të realizimit sa më cilësor të detyrave, deri në momentin e ftohjes politike që solli edhe prishjen e marrëdhenieve 3-4 vite më vonë. Dokumentet tregojnë se, në çdo hallkë drejtimi të flotës, pranë komandave shqiptare, ishte dhe një konsulent sovjetik. Kështu, pranë Teme Sejkos ishte kapiteni i rangut të parë, Kulik; kurse pranë Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Balluku, ishte konsulent kundëradmirali sovjetik Zagrebin.

Gjithsesi në atë kohë, qeveria shqiptare, nisur nga rëndësia që merrte Flota Luftarake, mori një sërë masash të tjera të rëndësishme, të cilat synonin rritjen cilësore të përgatitjes speciale të efektivave. Në këtë kohë, krahas të tjerave, me vendim të qeverisë shqiptare, u bë edhe shtimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak për marinarët nga 3 në 4 vjet, gjë që e vinte në rakordim të plotë me vitet e shërbimit të flotës sovjetike. Por marrëdhëniet me ushtarakët sovjetikë, kujtojnë kuadrot tanë të detarisë luftarake, krahas efektivitetit në funksion të punës, u shtrinë edhe në sferën shoqërore, deri në marrëdhëniet e ndërsjellta të miqësive familjare.

 

Pashalimani në projektet e ushtarakëve sovjetikë

 

Baza e Pashalimanit dhe Sazani, ku ishin forcat detare shqiptare e sovjetike, një mrekulli jo vetëm e natyrës, por vlerësuar (si dje ashtu edhe sot), nga specialistë të shteteve dhe kampeve ushtarake të njohura, si pika strategjike luftarake, ishin në qendër të vëmendjes, si nga Hrushovi e ushtarakët sovjetikë, ashtu edhe nga ato të Traktatit të Varshavës, deri në prishjen përfundimtare me ish-BS, me daljen tonë nga pakti i Lindjes. Politika dhe strategjia ushtarake e shtetit sovjetik synonte hapjen e forcave ushtarako-strategjike në Detin Mesdhe, si kundërpeshë ndaj Flotës së 6-të të SHBA-së.  Ish-komandanti i nëndetëses, Petrit Myftiu, tregon:

“Jemi në vitet kur  shteti sovjetik synonte të afirmonte veten si superfuqi në pikpamjen politiko-ushtarake. Në atë kohë dëgjonim mjaft nga sovjetikët për të ardhmen e Pashalimanit, të cilët, jo pa mburrje, na thoshin që në një të ardhme jo shumë të largët, diku në gjirin e Raguzës, në rrëzë të Karaburunit, do të hapeshin tunele, të cilët do të strehonin deri 20-25 nëndetëse atomike dhe do shërbenin si rrugë kalimi të nëndetëseve, nga deti Adriatik në detin Jon.

Kështu, në atë kohë, në rrafshin e Ravenës (në Lugun e Selmanhaskojve), mbi Karaburun, filluan punimet për ndërtimin e pajisjeve të nevojshme për lëshimin e raketave tokë-ajër, të cilat do t’i siguronin bazës detare të gjirit të Vlorës një mbrojtje të sigurt. Këto plane, sipas specialistëve ushtarakë, do ta kthenin bazën e Vlorës në një bazë tepër të fuqishme e të avancuar të Traktatit të Varshavës  në Mesdhe… Por prishja e afërt me rusët, ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve…Rusët arritën deri atje sa të mohojnë dorëzimin e nëndetëseve palës shqiptare më 15.11.1960. Kur marrëdhëniet u acaruan, kundëradmirali Jegorov, duke iu drejtuar gjithë urrejtje komandantit shqiptar te nëndetëseve, i thotë: “nëndetëset nuk janë tuajat, prezenca në to e flamurit shqiptar dhe kalimi i tyre qeverisë së  RPSH-se nga ana jonë, sipas dokumenteve zyrtare në kohën e mbërritjes në bazën e Vlorës, është vetëm akt politik formal nga ana jonë”.

 

Incidenti i nëndetëses shqiptare me kryqëzorin amerikan “De Mojn“

 

Në misionin sekret të nëndetëseve shqiptarë, të cilat në vitin 1958-1959 ishin ende nën komandën e dyfishtë shqiptaro- sovjetike, një nga detyrat luftarake të kohës, ishte dhe diktimi, njohja, fotografimi dhe grumbullimi i të dhënave të anijeve, nëndetëseve, korridoreve të lundrimit si dhe zbulimi i aktivitetit të përditshëm të dy grupimeve goditëse të NATO-s që ushtronin aktivitet në Detin Mesdhe. Këtë detyrë, ashtu si dhe detyra të tjera të vështira luftarake, fillimisht i kryenim në bashkëpunim me komandat sovjetike, ndërsa më vonë këto operacione planizoheshin e drejtoheshin nga kuadrot e Flotës sonë Luftarake”,-tregon, ish-komandanti shqiptar i nëndetëses, Shyqyri Çuka, i cili, së bashku me komandantin sovjetik, Valentin Stepanoviç Kozllov, me pseudonimin “Doraci“, mori pjesë në përballjen me kryqëzorin amerikan “De Mojn“. Në një prej inkursioneve sekrete të nëndetëseve shqiptare në vitin 1959, në Kanalin  e Tunizit, regjistrohet një incident me pasoja me Flotën Luftarake Amerikane, pikërisht me grupin e anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin “De Mojn”, në të cilin po udhëtonte edhe presidenti amerikan, Ajzenhauer, i cili po kthehej nga një vizitë miqësore që kishte bërë në Athinë. Misioni sekret i nëndetëses shqiptare u përgatit e u realizua në fshehtësi të madhe. Kur kuadrot shqiptare përgatiteshin të merrnin në dorëzim komandën e nëndetëseve dhe anijeve luftarake nga sovjetikët,  zhvilloheshin stërvitje intensivë të shumta, me qëllim aftësimin e kuadrit komandues shqiptar. Ishin ditët e para të dhjetorit 1959, kur nëndetësja e katërt e bazës, e komanduar nga “Doraci“, ndër komandantët rusë më të zotë në Pashaliman, nis udhëtimin sekret njëmujor në ujërat e Mesdheut. Ajo e filloi lëvizjen në itinerarin Pashaliman-Gjibraltar-Pashaliman.Me ekuipazhin sovjetik, në këtë detyrë luftarake ishin dhe komandanti shqiptar i nëndetëses, Shyqyri Çuka, bashkë me ushtarakët e tjerë, A.Popa, G. Rryta dhe A. Katro. Udhëtimi i atij misioni po ecte sipas planit të parashikuar (ditën në thellësi të ujërave, ndërsa natën më në sipërfaqe). Temperatura nën ujë, ndonëse ishte dhjetor, nuk përbënte shqetësim për këtë detyrë të gjatë”. Sipas specialistëve, ky mision kishte si veçori e specifikë vështirësinë e lartë, pasi kalonte përgjatë korridoreve pranë bazave e poligoneve luftarake të anijeve dhe aviacionit  të NATO-s, ku mes të tjerave, në këtë rrugëkalim, kryenin aktivitet të përditshëm luftarak dy grupime goditëse atomike të NATO-s. “De-Mojn” zbuloi nëndetësen shqiptare dhe u vu në ndjekje të saj. Megjithë regjimin e rreptë të gatishmërisë në kryerjen e misionit, sipas dokumenteve të kohës dhe dëshmitarëve, nëndetësja shqiptare, pak ditë pas nisjes në këtë mision, përballet e diktohet nga vrojtues të anijeve amerikane që shoqëronin kryqëzorin”De-Mojn”. Kjo, sipas ditarit të FLD-së, ndodhi në Kanalin e Tunizit, hapësira ujore midis ishullit të Maltës dhe bregdetit tunizian, në çastin që nëndetësja e Pashalimanit po shkonte drejt Gjibraltarit. Ndërsa nëndetësja e Kozllovit, sipas shënimeve të mësipërme, tentonte t’i afrohej sa më pranë kryqezorit amerikan, me qëllim që ta fotografonte sa më mirë me aparatin e periskopit, u zbulua nga fregata amerikane, e cila dha alarmin për zbulimin e nëndetëses së huaj nën ujë, me synim neutralizimin e saj dhe evitimin e ndonjë incidenti të mundshëm,  në një kohë që në kryqëzor ishte dhe presidenti. Në çastin e diktimit, tregojnë ushtarakët shqiptarë, filloi ndjekja e nëndetëses sonë nga anijet dhe aviacioni amerikan, i destinuar për luftë kundër nëndetëseve, për ta detyruar atë të dilte në sipërfaqe e për ta bërë të parrezikshme. Në këto kushte, ushtarakët shqiptarë e sovjetikë të nëndetëses u vunë në situatë luftarake reale. Me qëllim që të ruanin fshehtësinë e veprimeve të mëtejshme luftarake, ndërprenë lidhjen me bazën dhe manovruan me shkathtësi. Në kujtesën e ish-ushtarakëve që kanë qenë në atë lundrim luftarak, mbetet i pashlyer qëndrimi profesional dhe i guximshëm i komandantit  sovjetik Kozllov. Ai me mjeshtëri e shpejtësi ndërroi kursin e lundrimit, duke e spostuar atë drejt gjirit të Sitres në Libi. Kështu evitohej efekti i anijeve dhe aeroplanëve amerikanë. Ishte një situatë dramatike dhe e vështirë që zgjati 48 orë, por që u përballua me sukses. Në fund, gjithçka shkoi mirë e të gjithë ishin të gëzuar nga ky sukses. Komandanti Kozllov mblodhi gjithë ekuipazhin, sovjetik e shqiptar dhe i përgëzoi për suksesin. Ky incident që u raportua në udhëheqjen e lartë të Moskës, deri te Hrushovi, shpejt do të futej në rrugën e analizave dhe pasojave…

 

Ndëshkimin për Kozllovin, Hrushovi e kthen në falenderim

 

Zbulimi i nëndetëses nga anijet shoqëruese të presidentit amerikan, në Moskë nuk u prit mirë,veçanërisht nga komanda e Flotës Sovjetike. Në këto kushte, kjo komandë parashikoi dhe propozoi shkarkimin e Kozllovit, një nga specialistët më të mirë të asaj flote  luftarake. Por, kur morën informacionin, se një nëndetëse sovjetike kishte mundur të depërtonte në brendësi të ordenit të lundrimit, në të cilin udhëtonte dhe Ajzenhaueri, Hrushovi kishte ndjerë kënaqësi duke u shprehur: “E marr me mend se sa duhet të jetë trembur presidenti amerikan nga prezenca e nëndetëses sonë brenda ordenit që e shoqëronte.” Në këto kushte edhe fati i Kozllovit merr tjetër kah.Pas vlerësimit të Hrushovit, komanda sovjetike, në vend që ta shkarkonte nga detyra, e ngriti në përgjegjësi, duke e emëruar zëvendëskomandant të Brigadës Sovjetike të Nëndetëseve të Pashalimanit, ku shërbeu deri në prag të ikjes përfundimtare.

 

Enver Hoxha e Hrushovi vizitojnë Bazën e Pashalimanit dhe Ksamilin

 

Hrushovi në Ksamil tha: “Me këtë bazë tonën, kemi në dorë Mesdheun!”

 

Hrushovi thirri pranë ministrin e tij të mbrojtjes, Malinovskin. Dëgjova t’i pëshpëriste: “Shiko ç’mrekulli është këtu! Mund të ndërtohet një bazë ideale për nëndetëset tona.Të gërmohen e të hidhen në det këto vjetërsira, ta shpojmë këtë mal e të dalim matanë.” Dhe, duke treguar me dorë Ksamilin vazhdoi: “Do kemi në dorë bazën me ideale e më të sigurt në Mesdhe. Që këtej mund të paralizojmë e sulmojmë gjithçka…”

Pas nja dy ditësh po të njëjtën gjë e përsëriti edhe në Vlorë: “E mrekullueshme, e mrekullueshme-thirri Hrushovi, duke u drejtuar nga Malinovski. Mendova se e kishte fjalën për peisazhin më të vërtetë mahnitës të rivierës sonë. Por mendja e tyre rrihte gjetkë: Çfarë gjiri, sigurisht rrëzë këtyre maleve-thanë-që këtej, me një flotë të fuqishme kemi në dorë krejt Mesdheun,që nga Bosfori deri në Gjibraltar.Mund të bëjmë zap këdo…” M’u drodh mishi kur i dëgjoja të flisnin kështu, si zotër të deteve, të vendeve të popujve të tjerë. Kurrë ti s’do t’i kesh të tuat për ato qëllime të zeza, as Butrintin, as Vlorën, asnjë gisht të tokës shqiptare!” Paqja fiktive me rusët, gjithnjë e më tepër po tronditej nga themelet.”

(Enver Hoxha, libri “Hrushovianët”, faqe 357).

Viti 1959, për efektivat shqiptare e ato sovjetike në bazën e njohur të Vlorës, krahas kompletimit me nëndetëse e anije luftarake bashkëkohore, sipas ish-ushtarakëve tanë të FLD-së, shënon periudhën e aftësimit të plotë të efektivave tona kuadro të shërbimit (që nga kuadrot madhore, detaret e deri te manovruesit teknikë më të thjeshtë), ndonëse anijet luftarake e nëndetëset vazhdonin të ishin ende me komanda e efektiva të dyfishta, të dubluar, sovjetike e shqiptare. “Njëkohësisht, qëndrimi i gjatë me ushtarakët sovjetikë në detyrat luftarake, krahas aftësimit të efktivave tona, solli një frymë bashkëpunimi efektiv e sinqeriteti të ndërsjelltë, shpesh të shtrirë edhe jashtë detyrave luftarake”. Në këtë vit, në bazën e Pashalimanit, atë të Sarandës e Butrintit, bëri vizitën ish-kreu i Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushovi, i shoqëruar nga Enver Hoxha e drejtues të tjerë të lartë të shtetit shqiptar të kohës.

 

 

Nesër do të lexoni:

  • qershor 1959, Enveri, Hrushovi e Grotenvold shkojnë për vizitë në Pashaliman

02- Udhëtimi nga Pashalimani në Sarandë, sipas kërkesës së Hrushovit, u bë me anije.

03- Hrushovi shtroi nevojën e fuqizimit të FLD-së, për të neutralizuar e pasur në shënjestër Flotën e 6-të Amerikane “në Mesdhe

04- Xhebro Gjika i thotë Hrushovit: Ti je tradhtar (të gjithë shtangën) se ke tardhtuar bujqësinë dhe u bëre politikan