21 vjet nga tragjedia në Kosovë

1249
Sigal

Nga Safet N. Ramolli

21 vjet nga tragjedia në Kosovë (24 mars 1999)

Më 24 mars 1999, të gjitha mediat në Tiranë pasqyronin fillimin e veprimeve ushtarake të NATO-s dhe SHBA-së kundër makinës ushtarake serbe të Milosheviçit.

Gazeta “Albania” që botohej atë mot, në kopertinë, nën okelin “LUFTË”  shfaqte shpërthimin e një predhe mbi qiejt e Serbisë. Ishte një zhvillim krejt i veçantë, por edhe një qëndrim po gjithëkaq i tillë, prandaj edhe po e risjellnë vemendjen e lexuesit, nga sa kam mundur të evidentoj afërsisht ashtu sikurse ajo ka ndodhur. Në fundvitin 1998, përmes dhembjes pata formuluar shkrimin: “Kronikë e përgjakur- Kosova një vit e masakruar”.  Shifrat e mëse 2000 jetëve të ndërprera dhe më shumë se të kaqë të gjymtuarve; rrënimi i banesave dhe shkatërrimi i mëse 4000 objekteve; dëmtimi i vlerave materiale të krijuara ndër vite, ishin mëse të mjaftueshme për të motivuar titullin e shkrimit. Por ja që masakra për bashkëkombasit tanë nuk paska të sosur. Ajo si asnjëherë tjetër më parë dhe në asnjë cep të harruar të rruzullit tokësor, u ekspozua në përmasat e një katastrofe jo vetëm rajonale por edhe mbarëkombëtare, që në muajtë e parë të vitit pasardhës.

Klika gjakatare serbe e komanduar nga ultranacionalisti S. Millosheviç, ndërmori veprime të dhunëshme ushtarake të egra dhe të pakrahasueshme me asnjë regjim tjetër, qoftë edhe më gjakatari, ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare. Kur ajo mori përmasat e një genocidi të vërtetë, përmes ndërprerjes së jetëve pa dallim moshe e seksi, por edhe të një spastrimi etnik, përmes shpërnguljes me dhunë të popullsisë shqiptare nga vatrat dhe trojet e veta autoktone në Kosovë, bota e qytetëruar demokratike, nuk mund të heshtëte. Në mbrëmjen e 24 marsit 1999, koalicioni i 19 vendeve të NATO-s në Evropë dhe SHBA-ja, ndërmori veprime serioze e këmbëngulëse luftarake kundër makinës militare ushtarake serbe. Në këtë kohë ish-presidenti amerikan Bill Klinton, përpos shumë deklarimeve të tjera, për problemin në fjalë do të shprehej edhe sa vijon: “Serbët duan pushtet të cilin ta mbështesin mbi një lloj urrejtje etnike e fetare që po trondit botën sot… Kurrë s’duhet të harrojmë holokaustin, genocidin, masakrat e shekullit të 20-të. Nuk do të dëshironim kurrë që shekulli i ri të na sjellë ëndërra të tmerrshme, por me një pamje tjetër… Më tepër se një fund lufte, ne duam një fund të fillimit të të gjitha luftrave…Tani trupat dhe policia e diktatorit serb janë sulur drejt Kosovës së brishtë e të pambrojtur duke ndarë burrat nga familjet e tyre, duke ekzekutuar shumë prej tyre me një gjakftohtësi të pashëmbullt… Kosovarët shpresojnë tek ne ndaj s’mund t’i lemë vetëm…”.

Media e shkruar dhe ajo vizive, dhembjen  e madhe të bashkëkombasve tanë në Kosovë, na e servirin me pamje rrënqethëse që mund të krahasohen vetëm me vetveten. Ultranacionalizmi serb mori një pamje krejt mesjetare, por fatkeqësisht në fundshekullin e njëzetë. Një mentalitet i çmendur për të fituar pushtet mbi atë çka mund të krijojë një urrejtje etnike dhe fetare, përfshiu skuadronet e vdekjes të Millosheviçit (i cili mandej iu nënështrua gjykimit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte, dhe vdekur gjatë procesit të gjykimit pas një ataku në zemër), Sheshelit, Arkanit (i cili më pas mbeti pa jetë pas një atentati në Beograd), dhe të skuadronit të tyre të vdekjes, duke ekzekutuar njerëz krejtësisht të pafajshëm me një gjakftohtësi të pashembullt, për “fajin” e vetëm se nuk janë serbë apo ortodoksë, por shqiptarë.

…Të moshuar, të rinj dhe fëmijë me buzët që u dridhen, duke mos patur aspak dëshirë për të treguar ç’kanë vuajtur dhe çka kanë parë, por edhe si “për të shpëtuar” nga bezdisjet e gazetarëve, shprehen shkurt: “…Jemi takuar disa herë me vdekjen… Me trupat tanë kemi mbuluar vocrrakët…”. I mbulonin që të amortizonin goditjet e pamëshirëshme të të pashpirtëve, që ato të linin më pak vragë tek trupat e njomë, për të qënë mandej ata dëshmitarë të mënxyrrës millosheviçiane në të ardhmen. Me ballë të rrudhur dhe shtat që u dridhet, me habi të pashpjegueshme e artikulojnë gjëmën përmes pyetjeve, të cilave u përgjigjen po me pyetje: “Si mund të pushkatohet njeriu kot?! Si mund të çohen në plumb njerëz të pafajëshëm? Si mund të masakrohen njerëz të pambrojtur? Si mund të priten koka fëmijësh?”, dhe mjaft pyetje të tjera, të cilat gjithësesi akuzojnë… Janë të lodhur, të rraskapitur, me fytyra të përzhitura, me sy të skuqur e të pagjumë, me flokë të shpupurisur, me veshje që me zor u ka rezistuar udhëtimeve të gjata dhe qëndrimit në mjedise natyrore… E si të mos jenë kështu ? Ata, duke u larguar nën sharjet e hidhëta dhe dhunën me çdo mjet, i mundon gjithëçka… Pas shpine kanë lënë çdo gjë: njerëz të masakruar e që kanë nevojë për ndihmë; pjesëtarë të familjes, miq e të afërm, të njohur e bashkëqytetarë të vdekur “të pakallur në dhe”; shtëpitë që ende nxjerrin tym pas flakës që i përpiu; të mbjella të rrënuara… Gjithëçka, … gjithëçka të rrënuar… Por edhe qershia që kanë lulëruar, por nuk dihet nëse do të piqen ose jo …

Rrëfimet e tyre janë rrënqethëse, tragjike, si vetë vuajtjet që kanë provuar dhe si dinjiteti i nëpërkëmbur. Janë rrëfime që nuk mund t’i durojë asnjë zemër dhe shpirt njeriu. Janë njerëz që largohen nga flakët e luftës, por që nuk e dijnë ku shkojnë! Nuk e dinë çfarë i pret! Nuk dijnë… Asgjë nuk dijnë, përveç vdekjes së tyre, së cilës i janë parapërgatitur dhe afruar disa herë. Vijnë nga Prizreni i boshatisur, nga Peja që “i ngjan një gërmadhe” apo “një qyteti fantazëm”… Nga Podujeva “në flakë”, nga Gjakova që “lahet në gjak”. Vijnë nga e gjithë Kosova, ku njerëzit “… janë më të lumtur të vdesin se sa të bjenë në duartë e bandave të Arkanit e të Sheshelit…”.  Ikin nga trojet e tyre stërgjyshore, varret e të cilëve u bëjnë apel! Ikin nga vatrat e tyre, në të cilat çdo moment kohe ka lënë një “shënim” për jetën! Ikin nga gjithëçka e shtrenjtë të detyruar nga dhuna, nga britmat, nga çirrjet histerike: “Shkoni në Shqipëri! Këtu është Serbi! Shkoni ankohuni tek Klintoni!”. Ikin nga kanosjet, por edhe nga goditjet me gjithëçka e ku të munden! U dridhet shtati! U rrudhet balli! U zvogëlohen sytë, kur tregojnë se si i nxirrnin dhunëshëm nga shtëpitë! I kërcënonin! I qëllonin! I fyenin! I poshtëronin! I detyronin të hapnin varre për të afërmit e tyre të vrarë, por nuk i lejonin t’i varrosnin! … Eh, çfarë makabriteti Janë skena, të cilat as pena e Shekspirit nuk mundt’i pasqyrojë! Janë krime që nuk i ngjajnë njëri-tjetrit!

Ehu-uuu, vëlla! Kemi parë gjëra të kobëshme! Kam parë shumë-shumë të vdekur të shpërfytyruar! Para meje janë pushkatuar njerëz! Kam parë duke i therur, duke i mbytur, duke i përdhunuar, duke… Na rreshtonin e na merrnin gjithëçka! Na godisnin me armë, me shqelma, me gjithëçka! Ehu-uuu, vëlla! Burrat shpëtonin se i vrisnin, ndërsa ne na torturonin, na kontrollonin në të gjitha pjesët e trupit!, – shprehet një grua në moshë të mesme. Një rrëfim që nuk ka nevojë për koment! Një dhembje e madhe, e ashpër, e helmët…“Burrat shpëtonin se i vrisnin!”, një pohim drithëronjës ky! Ja çfarë do të thotë të kënaqesh me vdekjen dhe jo me jetën e sakatosur, të dhunuar! A mund të ketë psikolog, sociolog, psikiatër e politikan, që të mund të zbardhë filozofinë e “vdekjes së dëshiruar”?!!

– Ahu-uuu, çfarë na kanë parë sytë?, – shprehet një plak me shikimin nga qielli, ku gjenden Perënditë, dhe me dorën shtrirë lart jo me solemnitet si për të përshëndetur, por si për të thënë: Duhet durim dhe kohë për të treguar mënxyrrën!  Më tej një grua e moshuar! E moshuar jo sa për të mos u shprehur dot për ato që ka parë, por e mbisunduar tërësisht nga streset . Don të flasë, por buzët i mpiksen . Dridhet . Rrënqethet . Vetëm koka instiktivisht i lëviz jashtë çdo kontrolli . I lëviz koka, dhe bashkë me atë e gjithë gjindja . Në grumbullin e të ardhurve, të vendosur pa asnjëfarë rregulli dhe simetrie, edhe një nënë fare e re. E re por e zbehtë në fytyrë si një ftua në fillimpjekjen e tij . Hedh shikimin rreth e qark. Nuk e ka mendjen fare tek kamerat dhe as tek gazetarët, të cilët duan “të vjelin” sa më tepër pohime . Ulur “në tokën e të gjithëve” dhe ushqen me gjirin e saj, paksa më të zbardhur se fytyra, fëmijën e saj fare të vogël . Nuk shprehet përse i rrjedhin lotët . Pika loti, që duket se janë në garë për për të kapur njëri-tjetrin . Bjenë mbi gjirin e bardhë duke u bashkuar me qumështin e gjirit, me qumështin e jetës . Eh, ky fëmijë që merr jetë me qumësht e me lotë ! Provon shijen e “ujemit”, por nuk di të shprehet! Nuk di as të ankohet përse qumështi i ëmbël, i ngrohët e jetëdhënës, i vjen me shije të kripur! Në se do t’i bjerë rasti të shohë kasetat në vidio më vonë, do ta kuptojë shijen e kripur të qumështit jetërritës. Eh, kjo nënë e re! Në prehër mban fëmijën, të cilit i dhuroi jetën me dashuri fisnike për ta parë të rritur e të shëndetshëm, të urtë në vazhdimësi të jetës shqiptare në Kosovë! Me njërën dorë, ndoshta krejt instiktivisht si nënë, ledhaton me dashuri krejt të veçantë dhe humane ballin e fëmijës, ndërsa me tjetrën, e imponuar nga detyrimi moral dhe dhembja shpirtërore, fshin ballin e djersitur nga temperatura torturuese, të nënës apo vjehrrës së vet! Shikimi i saj i butë dhe lutës, davaritja e dorës gati në përhumbje dhe, lotët që pikonin aqë humanisht, nuk tregonin në se e kishte nënë apo vjehrrë! Në moralin e shqiptarit njeriu është qënie e veçantë, e dhembëshme, që kërkon përkujdesje dhe respekt!

“Të ikurit” janë të shumtë! Janë të moshave të ndryshme. Janë edhe në grupime të njëjta gjaku, gjinie, krushqie, komshillëku, krahine! Sidoqoftë, janë në grupimin e një popullsie etnike, të lashtë, me pasuri kulturore e shpirtërore të pamatë. Janë ashtu sikurse e pohoi një politikan gjerman në një intervistë në mesin e muajit prill (1999), “…kur paraardhësit e kosovarëve para tremijë vjetëve kishin kombin dhe kulturën e tyre, ne popujt e tjerë të Evropës kacavirreshim nëpër pemë…”. Më së shumti zhvendosen se sa lëvizin në rrugën e mundimëshme për të kaluar kufijtë shtetërorë! Zhvendoseshin si të jenë çfarëdolloj malli, por jo njerëz! Ja, një plakë dhe një mesogrua. Mbështetur gati tek njëra-tjetra. Ecin në një rrugëdhish, (“dhiare”, e artikulon një ish-oficer ndërlidhës angles në një libër, S.R). Zvarriten si gjithë të tjerët! Brenga, mllefi, lodhja, rraskapitja, drobitja, tundimi për ato që kanë lënë pas krahësh dhe për ato që i presin ku do të shkojnë, ua ka kryqëzuar duartë para gjoksit. Një kryqëzim më i dhembëshëm edhe sesa ai i Krishtit. Është kryqëzim i duarve punëdashëse të grave, që nuk dinë të rreshtin së punuari.

Gjithëkund skena tragjike. Të gatëshme për montimin e filmave më të dhembshëm. Një grua që lutet përmes telefonit në një studio private televizive, nëse dikush ka dijeni për burrin! Një tjetër lutet për fëmijët Një tjetër për …

– “Pesë i kam këtu, por dy nuk i di ku janë”, – thotë një tjetër nënë! Eh, është nënë kjo, e cila lutet me shpresë për dy krijesat e saj, që i solli në jetë për t’i patur pranë gëzimit dhe tundimit të jetës familjare! Janë fjalë zemre! Fjalë zemre prej nëne!!! Një djalë 30-vjeçar, me dhembjen e pamatë, pohon se i vdiq vëllai në rrugë, por për ironi të fatit, nuk e lejuan as ta varroste! Antihumanizëm që nuk mund të matet me asgjë! Antihumanizëm deri në shpërfytyrim! Në turmat që zhvendosen, fëmijët janë më shprehësit, më elokuentët! Ecin… Ecin… Ecin, por nuk dinë asgjë! Janë krejt të pafajëshëm dhe gjithëçka e shprehin natyrëshëm, si ëngjëj fëminorë që janë! Nuk dinë se çfarë janë kamerat, as gazetarët, as regjistrimet në pikat e kalimit apo në ato të pritjes, sa për evidencë numerike apo edhe për t’u dhënë diçka për mbijetesë! E lënë çdo gjë të ecë në rrjedhën e zakonëshme, në rrjedhën e natyrës! Në shtratin natyror, edhe pse natyra nuk i ka pjesë të saj organike këto zhvillime të pazakonta! Njëri prej atyre, duke qarë, nuk e di përse, fshin sytë me kurrizin e doçkës së vogël dhe nuk i shqitet gjyshit hallemadh, halleshumë! Doçka e tij më mirë se çdo gjë tashmë ka mësuar të fshijë sytë që rrjedhin lotë! Lotë prej një buronje aqë të kthjellët! Rrjedhin edhe kur ai vetë e ndjen, por më së shumti kur shikon të tjerët, të cilët janë shumë, që përloten, që ofshajnë, që klithin! që…  Një tjetër, jo më shumë se 4-5 vjeç, i afrohet në pafajësi të tejskajëshme një bashkëshoku të tij dhe, me kërshëri fëminore dashamirëse, shikon se çfarë mban në dorë një shoku i tij! Duket sikur heton! Sikur vrojton aqë në pafajësi! Personazh i denjë për Migjenin jetëshkurtër shqiptar. Vetëm Migjeni, “uragani i letërsisë shqipe”, ndër gjithë brezat e shkuara të shqiptarëve, mund t’i skaliste këto skena kaqë tragjike. Një 3-4 vjeç, mundohet të copëtojë një krodhe bukë, ashtu sikurse një tjetër, me pafajësi engjëllore, luan me guralecë! Janë fëmijë dhe nuk e dinë çfarë po ndodh përrreth tyre! Nuk duhen ngarkuar me faj! Janë fëmijë! Ndonjëherë kënaqen kur dëgjojnë shpërthimin e predhave vrastare, apo kur armët automatike vjellin zjarr vrastar. Kënaqen sepse nuk ua dinë rrezikun që pjellin…

Ikin turma-turma. Grupe-grupe. Ikin të brengosur, të vrarë shpirtërisht, por gjithësesi me shikimin pas! Me ëndërrën e mirë, fatsjellëse, se një ditë do të kthehen në vatrat e tyre për t’i dëshmuar historisë vazhdimësinë shqiptare në trojet e tyre etnike! Për hir të së vërtetës së amëshuar, u kthyen! Fatmirësisht u kthyen pranë vatrave të tyre mijravjeçare, ku kishin embrionuar jo me klonim por krejt natyrëshëm shumë jetë! Ku kishin rritur shumë jetë! Ku kishin pritur mijëra miq! Ku kishin projektuar mijëra jetë në përjetësi të pafund… U kthyen pas 11 qershorit 1999, kur ndoshta shijuan ndonjë kokërr qershije, nga ato që u kishin rezistuar acarit natyror të mars-prillit, por edhe acarit tundues të politikës shkombëtarizuese të S. Millosheviçit, një ndër pinjollët e Hitlerit! U kthyen me shpresën e mirë për të jetuar me dinjitet njerëzor në trojet e tyre stërgjyshore, të padiskutueshme asnjëherë nga rrjedha e historisë. Sidoqoftë një kthim i përjetëshëm, i bardhë, i mbarë, i shenjtë…

Lufta në Kosovë në vitin 1999 pati çmimin e vet. Dhjetë mijë është shifra e jetëve të ndërprera; 4 mijë rezulton numri i të humburve; 800 fëmijë të therur; qindra shtëpi të djegura e të shkatërruara; mijëra bagëti të asgjësuara; prodhimet bujqësore në tërësi të shkatërruara; mjaft femra të moshave të ndryshme përjetuan dhembjen e pafund që shkakton përdhunimi në grup dhe i përçudnuar në prezencë të prindërve, motrave, vëllezërve, bashkëshortëve, fëmijëve, burrave, bashkëfshatarëve et,. etj. si këto. Në gusht 2015, z. Hashim Thaçi, ka pohuar se Milosheviçi i shkaktoi Kosovës mëse 15 mijë viktima dhe më shumë se kaqë të plagosur; militarët serbë përdhunuan 20 mijë femra, mbajnë peng në burgjet serbe më shumë se 6 mijë kosovarë etj. Këto shifra flasin për krime makabre të kryera vetëm nga nazistët gjermanë në Luftën II Botërore. Por ja që historia, për fatin e keq të popujve, përsëritet ku më shumë e ku më pak edhe në fundshekullin XX, por edhe në dy dekadat e para të shekullit XXI. Ja 2-3 shembuj sa për ilustrim. Në konfliktin civil në Siri kanë humbur jetën jo më pak se 300 mijë njerës, vetëm në një vit janë viktimizuar 627 fëmijë. Jo më pak se 6-7 milion sirianë kanë emigruar. Edhe në konfliktin në Jemen ka shifra të konsiderueshme të jetëve të pafajshme të ndërprera. Ka edhe mjaft shifra të tjera të trishtueshme në vende të ndryshme, të cilat argumentojnë faktin që në shekullin e ri po shkaktohen viktima të pafajshme, çka duhet të tërheqë vëmendjen e drejtuesve të shteteve me demokraci të qëndrueshme.