Vepror Hasani/ Peshkatarët: I kërkojmë qeverisë të na subvencionojë  

486
Sigal

Pogradec, peshkimi në krizë, nuk ka treg shitjeje

Nga Vepror Hasani

Tashmë në liqenin e Pogradecit ka filluar peshkimi, por peshkatarët po përballen me një situatë të papërjetuar më parë, pasi aktualisht nuk ka treg për tregtimin e peshkut. Restorantet prej rreth një muaji janë mbyllur, qarkullimi i automjetve është i pezulluar, udhëtimet e njerëzve gjithashtu, blerësit e peshkut janë më të pakët se çdo vit tjetër, për pasojë çmimi i shitjes së peshkut pothuajse është përgjysmuar. Nëse një vit më parë peshku (korani) shkonte deri në 1.500 lekë kg, tashmë ka zbritur në 800 lekë. Të ardhurat që sigurohen prej këtij çmimi janë të pakta, pasi peshkatarët janë të licensuar, paguajnë leje peshkimi dhe janë të pajisur me nipt. Mungesën e tregtimit të peshkut e ndjenë më së shumti peshkatarët e Udënishtit, të cilët peshkimin e kanë mjet jetese. Megjithatë, siç mësuam prej tyre, ata do të vijojnë të peshkojnë pasi nuk kanë mundësi tjetër jetëse. Ankthi i tyre është:  edhe për sa kohë do të vijojë kjo situatë? Nëse funksionimi i restorantëve do të vazhdojë të vonohet, atëherë edhe  të ardhurat e tyre do të jenë në paksim të vazhdueshëm.

Kërkojmë subvencion

Sipas peshkatarëve të Udënishtit, Pogradeci vizitohet çdo vit nga 220.000 vizitorë e pushues, nëse  këtë vit nuk do të ketë pushues, atëherë jo vetëm peshkatarët, por edhe  restorantet,  hotelet dhe çdo njësi tjetër tregtimi do të përballet me humbje të mëdha; po kështu edhe qytetarët e Pogradecit, shtëpitë e të cilëve çdo verë shndërrohen në bujtina për pritjen e të ardhurve nga rrethet e tjera dhe të huajtë. “Ndaj kemi menduar që nëpërmjet Organizatës se Menaxhim Peshkimit, – na thonë peshkatarët, – t’u kërkojmë institucioneve përgjegjëse subvencionim përsa kohë që vendi do të gjendet në të tilla kushte të tilla me rrezikun e përhapjes së koronavirusit, pasi në të kundërt  mbijetesa jonë do të bëhet e pamundur. Fatmirësisht, qyteti i Pogradecit deri më tani nuk rezulton të jetë i prekuar nga virusi corona, madje as personeli i doganës së Tushemit prej 14 vetash dhe as stafi i saj mjekësor prej 6 vetash; gjithsesj 20 persona, deri më sot nuk kanë shfaqur simptoma të prekjes nga virusi në fjalë. Edhe rastet e tjera të dyshuara deri më tani, pas kryerjes së analizave rezultuan negative. Kjo është një arsye më shumë që në qytetin e Pogradecit të çelen edhe restorantet, besojmë se kjo do të ndodhë së shpejti, pasi edhe Bashkia Pogradec është duke u përgatitur për pritjen e pushuesve.

Përgatitjet për sezonin e verës     

Ndërkohë Bashkia e Pogradecit vijon me përgatitjet për pritjen e pushuesve, aktualisht ka përfunduar pastrimi i përvitshëm i bregut liqenor nga mbetjet dhe hedhurinat që mbledh gjatë dimrit dhe algat që nxjerr në breg vetë liqeni. Pastrimi u krye në bashkëpunim me firmën e pastrimit, uji dhe rëra tashmë janë të pastra. Edhe qyteti i Pogradecit është pastruar dhe dezinfektuar në çdo kënd të tij, me qëllim ndalimin e përhapjes së virusit corona. Aktualisht nga Ndërmarrja e Punëve Publike është në përfundim të pastrimit të lumit të Starovës prej mbetjeve urbane, duke filluar nga rruga nacionale deri te bregu i liqenit. Në të njëjtën kohë u punua edhe për pastrimin e grykëderdhjes së këtij lumi. Projekti përfshin edhe pastrimin te rezdenca qeveritare dhe rehabiltimin e trotuarit në këtë zonë, e cila mëngjeseve dhe mbrëmjeve është më e poulluara. Me përfundimin e pastrimit të lumit të Starovës, do të vijohet me lumin e Vërdovës, i cili ka një rrjedhë prej 3 kilometrash.