100-vjetori i Luftës së Dibrës dhe komandant legjendar Elez Isufi

1373
Sigal

DOSIER, HISTORI / 100 -VJETORI  I  LUFTËS  SË  DIBRËS 

LUFTA  E  DIBRËS E VITIT 1920 ISHTE FINALIZMI I NJË QËNDRESE LUFTARAKE 9 VJEÇARE TË POPULLIT DIBRAN

NGA  SAKIP  CAMI

Asnjë  krahinë tjetër nuk  ka zhvilluar një qëndresë të tillë 9- vjeçare kundër serbve për mbrojtjen e territoreve shqiptare. Dibra nuk u pajtua me vendimet e Fuqive të Mëdha për copëtimin e Shqipërisë dhe të vetë Dibrës dhe u kundërpërgjigj me forcat e veta,  me armët e veta, derisa ja arriti që t’i detyronte ushtritë serbe të tërhiqeshin jashtë  kufijve të vitit 1913. Populli dibran e ka shprehur këtë qëndresë  luftarake 9 -vjeçare që  nga nëntori i  vitit 1912 deri në shtator të vitit 1920 në këngë:

Në tan’ Evropën ka shkue fjala/ Qe nandë vjet luftojmë  me krajla./ Populli

Në vitin 1920, e gjithë Shqipëria ishte në luftë. Luftonte  Vlora, Shkodra, Luma,  Dibra dhe Stebleva.  Qershori, korriku, gushti dhe shtatori  për shqiptarët ishin muaj lufte. Në Vlorë luftohej kundër italianëve, në Koplik e Shkodër luftohej kundër malazezëve, në Dibër dhe në Lumë luftohej  kundër serbë ve.

 Por Dibra nuk e pati përkrahjen qeveritare të qeverisë së Sulejman Delvinës, ashtu siç e pati Lufta e Vlorës dhe ajo e Koplikut, për vetë vështirësitë e saj dhe zhvillimin e tyre në në të njëjtën kohë. 

Për këtë, dibranët u detyruan të mbledhin Kuvendin e Arrasit. Me urgjencë nënkolonel Ramiz Dibra, senator i Dibrës, Ramiz Daci dhe Jashar Erebara vijnë nga Tirana në Dibër  për të marrë pjesë  në kuvend  në fshatin Arras, ku morën pjesë të gjithë krerët: Ramiz Dibra, Elez Isufi, Dine e Izet Maqellara, Ramiz Daci, Shaqir e Dine Dema, Dine Hoxha, Selim Noka, Murat Kaloshi, Dervish Lusha, etj., në të cilën bisedohej  çështja e një aksioni kundër  Serbisë, pa vënë në dijeni  Qeverinë.

Qëllimi i këtij aksioni, ishte të detyrohej Mbretëria Serbo – Kroato – Sllovene  të tërhiqej në kufijtë e 1913 dhe, përveç kësaj, të lirohej edhe qyteti i Dibrës, përndryshe dibranët do të luftonin deri në arritjen e objektivit të tyre.

Në Kuvendin historik të Arrasit, veç të tjerave, u vendos që të zgjidhet një komitet  luftarak drejtimi për organizimin  dhe bashkërendimin  mes fshatrave e krahinave për veprime të përbashkëta, të njëkohshme, të kryengritësve popullorë kundër garnizoneve serbe të përqendruar në tërë trevën e Dibrës.

U diskutua mbi koordinimin e forcave në një shtab të përbashkët dhe u caktua Elez Isufi si komandant i përgjithshëm. 

Elez  Isufi, komandant i përgjithshëm i kryengritjes luftarake të Dibrës.

Kuvendi bashkoi malësorët luftëtarë dhe i dërgoi mesazhin gjeneralit serb. “Do të lini kokën në trojet tona”. Furnizimi me armatim dhe municion si dhe me ushqim i forcave kryengritëse u bë nga vetë fshatrat.

U vendos data e kryengritjes dhe u caktuan sektorët e vendosjes së forcave. Dine Hoxha lajmëroi komandantin jugosllav që ta lironte Dibrën shqiptare, por ai iu përgjigj: “Kjo i është lënë Jugosllavisë dhe nuk e lirojmë. Në rast se sulmoni, dijeni mirë se do t’ju presim me armë. Ushtria ime përbëhet prej 13000 vetave”.

  • Jo 13 000 veta, por edhe 13 milionë ushtarë po të keni, ne e kemi da mendjen me ba pushkë, se me duar në brez nuk do të rrimë!”.

Përgjigjja flakë për flakë e Dine Hoxhës e hutoi për një çast komandantin jugosllav.

Fotot sipas rradhës:

  1. Ramiz Daci, senator i Senatit të Parlamentit Shqiptar nga 27 mars – 20 dhjetor 1920
  2. Dine Bej Maqellara (Nasufi) deputet i Parlamentit Shqiptar nga 27 mars – 20 dhjetor 1920
  3. Dine Dema, deputet i Parlamentit Shqiptar nga 27 mars – 20 dhjetor 1920

Por nuk vonoi shumë dhe serbët, që nga Lisi i Trenës bombarduan me top kullën e Dine Hoxhës në Muhurr dhe postën shqiptare të xhandarmërisë në Luzni. Forca ushtarake serbe kaluan Drinin dhe hynë në Luzni.

Serbët organizuan  një mësymje të madhe për të marrë nën zotërim të gjithë Dibrën deri në Mat. Dhe për këtë kishin bërë ndërhyrjen e parë. Ishin futur në thellësi të kufirit të vitit 1913 dhe ishin përhapur në formacion luftimi.

Ushtria serbe përbëhej nga gjashtë batalione që vepronin në Dibër të Poshtme, një batalion që vepronte në Grykë të Madhe dhe dy batalione që vepronin në Steblevë. Komanda madhore serbe i kishte vendosur forcat në dy skalione  dhe  një rezervë në prapavijë.

Skalioni parë ishtë përhapur nga Shkeka  e  Shumbatit në Salbastër,Ostush, Gjoricë, Smollik, Steblevë.

Skalioni dytë ishte përhapur nga Kalaja e Dodës në Kastriot, Kodër e Kabajve në Peshkopi, Kodër e Pollozhanit, Llasen, Lisi i Trenës, Kodrat e Maranicës.

Rezerva e komandës serbe ishte në Dibër të Madhe

Veleshica  oshëtiu. Korabi buçiti. Drini shtoi ujët deri në samar të kalit. Elez Isufi zbrazi pesë herë pushkën dhe dha kushtrimin. Kushtrimi i tij u pasua nga kushtrimet e të gjithë fshatrave Ujë e M’ujë, Reç e Dardhë, Kastriot, Muhurr, Luzni, Grykë e Vogël, Grykë e Madhe, Bulqizë e Gollobordë. Më pas erdhi përballja e armatosur.

Populli e ka shprehur me këngë:

Elez Isufi, arusha e malit / Fort po e vret asqerin e krajlit / Fort po i vret e po bën kërdi / o në  k’to brigjet e Drinit të Zi

Bini or trima, bini ….

Pas pushtimit të Luznisë nga serbët, luftëtarët dibranë morën detyrë pastrimi në mënyrë totale të këtij fshati nga forcat armike. Kështu, vetëm dy ditë para kryengritjes së përgjithshme, më 13 gusht 1920, u zhvilluan luftime të ashpra mes ushtrisë serbe dhe forcave vullnetare dibrane. Aksioni luftarak u zhvillua në Rrafshin e Myrtajve dhe në të gjithë teritorin e Luznisë. Për të organizuar sulmin mbi Rrafshin e Myrtajve dhe spastrimin e Luznisë nga serbët, si dhe për të shkuar në ndihmë të Postës së Xhandarmërisë, u caktua Dine Hoxha. Pasi u njoh mirë me terrenin dhe venndodhjen e forcave armike, së bashku me Liman Xhanin nga Muhurri, Hysen Manin nga Shqarthi dhe Llan Destanin (Ndregjoni) nga Lukani, major Dinja hyri fshehurazi në bisedime për sulmin e ardhshëm mbi serbët, me pjestarët e postrojes serbe që ndodhej në Majën e Arapeve, e cila përbëhej nga luznakë e katërgrykas.

Kryengritja  filloi në mëngjesin e datës 15 gusht 1920. Vetëm 24 orë përpara sulmit, shtabi kryengritës dibran, pati dërguar lajm në komandën ushtarake të forcave serbe në vendin e quajtur Llasen, ku e njoftonin atë komandë se brenda 24 orëve duhej me doemos të linte pozicionet dhe së bashku me trupat, të kalonte matanë kufijve të Shqipërisë së vitit 1913. Komanda serbe, ndonëse kishte dijeni rreth përgatitjes së një lëvizjeje popullore, nuk parashihte rreziqe, duke menduar se raporti i forcave të saj me ato shqiptare, ishte gati 4 me 1. Përballë këtij raporti, ekspertët e komandës ushtarake serbe në Llasen, parapanë si mjet më me avantazh për ta, fillimin e betejës. Nga ana e vet, komanda ushtarake e kryengritësve dibranë duke llogaritur me gjakftohtësi të gjitha rrethanat, mundi të organizojë disa luftime model ku ndërthureshin elementët e Luftës Popullore me trimërinë tradicionale dibrane. Ata në mënyrë perfekte planifikuan të parin sulm në garnizonin e Shumbatit ku ishin përqendruar forcat kryesore serbe dhe ku pozicioni gjeografik i favorizonte së tepërmi ata. Duke vendosur përballë garnizonit të Shumbatit, luftëtarët më të armatosur, të komanduar prej Sufë Xhelilit, shtabi dibran kërkonte goditjen e fuqishme dhe të menjëhershme. Në këtë mënyrë rrugëkalimet e mundshme të forcave serbe të ushtrisë së rregullt kontrolloheshin rreptësisht prej kryengritësve të tjerë. Ndër masat e marra prej kryengritësve ishte edhe largimi i banorëve të fshatrave Shumbat, Kala e Dodës, Maranicë, Llasen, të cilët përbëheshin më së shumti prej grave dhe fëmijëve që nuk mund të bënin rezistencë të armatosur.

Kur në agun e 15 gushtit u dha kushtrimi: “O burra mbi shkja!”, kryengritësit dibranë, nga 15 – 70 vjeç, u derdhën në sulm të paparë ndaj forcave pushtuese serbe. Stuhia dibrane, e mpleksur me shiun dhe mjegullën e maleve, i gjeti në befasi trupat serbe që gjithsesi nuk besonin të sulmoheshin në front dhe nga të gjitha krahët. Por mençuria e luftëtarëve dibranë kish bërë të veten. Ata ishin të bindur se vetëm kështu, në kohë të keqe, në mënyrë të beftë dhe në sulm nga të katër anët, mund të shporrnin prej trojeve të tyre, armikun shekullor. Të paepur drejt sakrificës sublime, në emër të lirisë së shenjtë të trojeve atërore. Kryengritësit e fshatit Çidhën, me të dëgjuar të shtënën e parë të pushkës  u hodhën përmes tymit dhe krismave të  armëve dhe mjegullës, nëpër valët e lumit Drin. Kjo manovër e guximshme, bëri që trupat serbe anës Drinit të Zi, të lënë menjëherë pozicionet e tyre dhe të largohen për në Fushë-Çidhën. Por edhe aty, brenda 3-4 orëve, mbërriti stuhia e kryengritësve dibranë. Nën thirrjet: ”T’i kapim me dorë shkjetë e pabesë”,  luftëtarët dibranë të fshatrave Ujë e M’ujë mundën të zbrapsin dy kompani të ushtrisë së rregullt serbe të armatosur më së miri dhe të ndihmuar edhe nga topat e artilerisë së lehtë. Më tej, këta trima vihen nën komandën e Sufë Xhelilit dhe mësyjnë pozicionet e reja të serbëve në vijën: Kodra e Ostushit – Salbastër”.

Përballë skalionit të parë serb u renditën në pozicione e shkrepa bijtë e Dardhës e të Çidhnës. Vendimtarja për fitoren ishte Qafa e Trojakut, ndaj atë e zunë me shpejtësi malsorët dibranë. Përballë tyre komandantët serbë me dylbi e revolverë. Në anën tjetër të Lumës në Qafën e Kolesjanit po përsëritej historia e vitit 1913.

-Kujdes Qafën e Trojakut, përsëriti Elez Isufi. Aty më vini një skuadër me dhjetë burra të sprovuar dhe dhjetë  arka me municion, nga një arkë për shoq.

Befas u shfaq kumandari i ushtarëve serbë  i hypur në kalë.

  • Gjuani mbi kumandarët, -urdhëroi Elez Isufi.
  • I pari gjuajti Mersim Ndreu dhe drejt e në kraharor të oficerit serb.

Kështu bënë të gjithë luftëtarët. Oficerët dhe ushtarët serbë britnin me të madhe nga krismat, plagët dhe tmerri që po shihnin me sy. Nuk e kishin menduar kurrë kështu një pritë si kjo. Dibrën do ta kalojmë lehtë se janë të papërgatitur, të rraskapitur nga uria dhe lufta e gjatë, kishin menduar ata.

Serbët u kundërpërgjigjën  me zjarr mitrolozësh. Një mitroloz po i grinte malë sorët dhe nuk po i linte me ecë përpara.  Një nënoficer serb kishte zënë një pozicion të volitshëm luftimi ku i shihte të gjithë si në pëllëmbë të dorës.

  • Muleni burra dhe  e zini atë shteg, -urdhëroi Elez Isufi.

Brahim Gjoçi  ju vërvit malit e shkambit dhe sa hap e mbyll sytë e zu pozicionin e serbit dhe ja mbylli grykën mitrolozit të tij.

Në ndihmë të Elez Isufit dhe në përgjigje të thirrjes së tij me kushtrim kishin ardhur qindra e mijëra malsorë me pushkët e veta dhe municionin e vet që e kishin ruajtur si sytë e ballit në hatullat e shtëpive.

Serbët u thyen. Lanë në fushën e luftimit qindra të vrarë e të plagosur dhe qindra robër.  Dikush nga malsorët tha që t’i vrisnin robërit se janë serbë dhe po t’i lëshojmë do të shumohen edhe më shumë.

-Jo, tha Elez Isufi. Robërit do t’i dërgojmë me rregull në Peshkopi dhe mandej do t’i nisim për në Serbi. Kështu e do rregulli i luftës.

Pjesa më e madhe e ushtrisë serbe, e cila u largua nëpërmjet Grykës së Radikës, u ndoq prej Elez Isufit me trimat e vet deri në afërsi të Mavrovës i ndihmuar në këtë rast edhe prej banorëve shqiptarë të Maqedonisë. Murat Kaloshi, një nga prijësit e kësaj lufte  u plagos në këto luftime.

Sipas burimeve serbe, numri i përgjithshëm i kryengritësve shqiptarë që kryen mësymjen mbi trupat jugosllave e mercenare më 13-15 gusht 1920, arrinte në 4000 vetë dhe ishin nën komandën e Ramiz Dacit, Elez Isufit, Dine Hoxhës dhe Dine Maqellarës, kurse fshatarët vendas, të cilët ngriheshin në kryengritje me afrimin e kolonave kryengritëse, komandoheshin nga paria e tyre: Murat Kaloshi, Selim Noka, Mustafa Kurtishi, Serdar Feta Beu, etj. Serbët dispononin 100 topa të mëdhenj e të vegjël, 7 regjimente,  përveç forcave të tjera ardhur nga Prizreni.

Në agimin e 15 gushtit, u sulmua në mënyrë të menjëhershme vendkomanda e trupave të ushtrisë serbe, në vendin e quajtur Llasen. Disa qindra kryengritës të fshatrave të Melanit, Dohoshishtit, Dovolanit, Grevës etj, iu afruan vendkomandës serbe në 200- 300 metra dhe duke përfituar nga shiu dhe terreni, mundën të organizojnë një sulm rrufe. Shtabi serb, ndonëse dispononte të gjitha armët dhe mjetet, nuk mundi t’i bëjë ballë kryengritësve dibranë. Duke patur në dispozicion trupa dhe mjete speciale në natën e 15-16 gushtit, ai mundi të organizonte një koridor tërheqjeje duke lënë mbrapa dhjetra të vrarë e të plagosur, si edhe një sasi të konsiderueshme të municionit luftarak.

Serbët bënë një raprezalje të pashembullt në Dovolan. Pushkatuan 19 vetë. I lidhën me një litar. Shpëtoi vetëm Sejfulla Qosja që kishte mbetur i plagosur. Mbetën të vdekur Bajram Nuredini, Allaman Veseli, Rakip Selmani, Mersim Qosja, Seit Uka, vëllezërit Sali e Haxhi Selmani, Sadulla Laçja, Selim Laçja, Selman Shabani, babë e bir Bajram dhe Rustem Tema, Shaban Rexha, Haxhi Koxhaxhiku, Islam Qosja, Qerim Uka, Dik Jashari. Hoxhën Haxhi Kovashica e therën me thika. Serbët dogjën edhe mbarë fshatin e Dovolanit. Serbët i mbështetnin francezët, në aspektin ndërkombëtar dhe atë ushtarak. Në kodër të Qenokut vranë Nuz Tunën, Xhafer Daten dhe Ibrahim Bushin.  Edhe varrimi i tyre u bë po aty ku u vranë, sepse ishte e pamundur që të transportoheshin kufomat pranë familjeve të tyre.

Ndërkaq, në agun e 15 gushtit 1920, kryengritësit e Bulqizës dhe ata të Steblevës, u bashkuan me rreth 250 ushtarë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare, në krye të të cilave ishin atdhetarët dibranë Shefki Shatku dhe Hysni Dema.

Vija tokësore Bulqizë-Zerqan, e cila ishte fortifikuar prej trupave serbe, në orën 8-të të mëngjesit  ishte pothuaj në duart e kryengritësve. Ata nën thirjen karakteristike “”besë a besë, ndoqën këmba-këmbës armikun duke i hequr atij mundësinë për t’u organizuar. Të nesërmen forcat serbe u detyruan të tërhiqen përtej kufirit politik të vitit 1913.

Më 16 gusht, në mëngjes, filloi kryengritja në Lugjapravë-Shumbat prej Sufë Xhelilit: tek Ura e Lushës, prej Dervish Lushës e Murat Kaloshit; në Cap të Brezhdanit, prej Dine Hoxhës; në Grykë të Vogël, prej Demajve e Dan Camit.

Në këto luftime do të shkëlqente edhe një herë trimëria dhe mençuria e gjeneralit me shajak, Elez Isufi. Ky vetë, në krye të 300 kryengritësve do të ndiqte hipur në kalë krejt luftimet. U jepte zemër luftëtarëve të lirisë, jo me fjalë por duke u dalë përpara serbëve me trupat e veta dhe duke luftuar si rrallëkush në ato vise.

Në mesnatën e datës 16-17 gusht 1920, trupat serbe ishin larguar pothuaj plotësisht prej kufijve të shtetit amë duke lënë pas disa qindra ushtarë të vrarë dhe të plagosur.

Forcat e komanduara nga Elez Isufi dhe Suf Xhelili  kapën edhe disa robër e robina serbe, por i trajtuan ata sipas ligjit të luftës. Atë që bënë serbët ndaj shqiptarëve, ato vrasje e masakra, le të jenë turpi dhe e keqja e tyre që do t’i shoqërojë ndër shekuj, ishte shprehur komandanti i përgjithshëm i kësaj lufte Elez Isuf Ndreu.

Mijëra malë sorë dibranë  dhe  qindra të tjerë dëshmorë dhe martirë me jetën e tyre mbrojtën trojet tona amtare.

LUFTA E KALASË SË DODËS

Po luftojnë motër e vëlla,

Për atdhe ato kanë ra.”

 

                 Nga një këngë popullore e zonës së Kalasë së Dodës 

 

Në shtator të vitit 1920, banorët e Kalasë Dodës sulmohen nga ushtria serbe  në zonën e bjeshkëve të Sorokolit, në Malin e Korabit. Në ndihmë të tyre erdhën edhe luftëtarët e Lumës nga fshati Çajë dhe Bushtricë.  Në krye të fshatit Ceren të Kalasë së Dodësë prin kleriku Sheh Murati. Shaban Alia së bashku me të shoqen Banien po prashitnin në arat e tyre të misrit në Dushk. Shabani ka dëgjuar krismat e pushkëve. Ka lënë shatin dhe ka rrëmbyer pushkën dhe ka shkuar në front në Sorokol. Janë nisur të gjithë burrat e Cerenit drejt frontit. Grumbullimi është bërë te Kroi i Ftohtë. Luftëtarët kanë marrë për përroi e kanë arritur te Rrasa e Mbretit. Aty ka filluar luftimi. Ka vrapuar në drejtim të frontit të luftimit edhe motra e Shaban Alisë, Naxhija, e martuar te fisi Murraku. Ka qenë nuse dhe e ka lënë me foshnjën për gjiri. Kanë luftuar krah për krah vëlla e motër derisa kanë dhënë jetën.Populli i përjetësoi në këngë:

“ Trim me fletë Shaban Alia,

Ka rrok pushkën dhe Naxhija,

Po luftojnë motër e vëlla,

Për atdhe ato kanë ra.”

 

Janë plagosur Dervish Visha, Musa Kadia, Rexhep Dauti, Hasan Ferati dhe vëllezërit Mexhit Visha dhe Garip Visha. Në vendin e quajtur “Varri i Halimit” ka rënë Halim Leska. Emri i tij mbeti në kujtesën dhe në kumtin e popullit brez pas brezi, ashtu sikurse varri i tij. Aty ra edhe Hysen Brika. Nga ana e forcave serbe pati rreth dyqind të vrarë.

Më 27 shtator 1920 është kundërpërgjigjja  e Kalasë së Dodës kundër ushtrisë serbe. Nga Radomira ka rënë dëshmor Vehap Ahmati dhe janë plagosur Shaqir Daku e Selim Selmani.

Pas kësaj lufte serbët reaguan me ashpërsi. Ata goditën me artileri dhe dogjën të gjitha shtëpitë e fshatrave të Kalasë së Dodës. Goditën edhe xhaminë e fshatit Radomirë. Këtë xhami e pati ndërtuar Riza Ahmati. Por serbët kishin marrë informacion se edhe klerikët muslimanë kishin marrë pjesë me armë në dorë në luftë kundër tyre. Gjithë banorët i kanë dëbuar nga shtëpitë e tyre. I kanë nisur dejt Tiranës. Bagëtitë u janë grabitur nga serbët. Gjatë rrugëkalimit për në Shqipërinë e mesme serbët nuk i kanë lejuar fshatrat e Matit që t’i strehojnë. Janë vrarë shumë veta: Din Xhaferi nga Bejshet, Avdi Koka nga Çaja, Arif  Leci, Hajredin Përzhilla, Rufat Zita, një tjetër nga Bejshet e tre tjerë nga Ploshtani, mes tyre edhe dy gra. Të ikurit nga forca e luftës kanë kaluar një vit fushave të Tiranës. Shumë veta kanë vdekur nga kequshqyerja e sëmundjet ngjitëse. Kanë  vdekur pleq e plaka si dhe shumë fëmijë. Pa strehë mbi kokë në dimër e shi, pa ushqim, pa ilaç e ndihmë mjeksore. I ka ndihmuar vetëm Kryqi i Kuq Amerikan.  Në Tiranë tiranasit  i kanë  mirëpritur dhe i kanë ndihmuar. .