Viktima e parë e murtajës shkon në mbi 5 mijë vite më parë

Shkencëtarët kanë identifikuar një pretendent të ri për “pacientin zero” në murtajën që shkaktoi edhe Vdekjen e Zezë. Një njeri që ka vdekur më shumë se 5,000 vjet më parë në Letoni ishte infektuar me llojin më të hershëm të njohur të kësaj sëmundjeje, sipas provave të reja.

Murtaja përfshiu Europën në vitet 1300, duke zhdukur gjysmën e popullsisë së saj. Valët e mëvonshme vazhduan të godisnin rregullisht për disa shekuj, duke shkaktuar miliona vdekje.

NOA

“Deri më tani kjo është viktima e murtajës më e vjetër e identifikuar”, tha Dr Ben Krause-Kyora i Universitetit të Kiel në Gjermani për mbetjet 5,300 vjeçare.

Burri u varros me tre të tjerë në një vendvarrim neolitik në Letoni në anë të lumit Salac, i cili derdhet në Detin Baltik.

Studiuesit sekuencuan ADN-në nga kockat dhe dhëmbët e të katër individëve dhe i testuan për baktere dhe viruse.

Ata u befasuan kur gjetën se njëri prej tyre, që mendohet se ka qenë gjuetar ishte infektuar me një lloj antik të murtajës të shkaktuar nga bakteri, Yersinia pestis.

“Më shumë gjasa ai është kafshuar nga një brejtës, mori infeksionin primar të Yersinia pestis dhe vdiq disa ditë më vonë, mbase një javë më vonë”, tha Dr Krause-Kyora.

Studiuesit sugjerojnë që lloji i lashtë u shfaq rreth 7,000 vjet më parë, kur bujqësia kishte filluar të shfaqej në Europën Qendrore.

Ata mendojnë se bakteri mund të ketë kaluar në mënyrë sporadike nga kafshët tek njerëzit pa shkaktuar shpërthime të mëdha.

Me kalimin e kohës, ai u adaptua për të infektuar njerëzit, përfundimisht duke evoluar në formën e njohur si murtaja bubonike, që përhapet nga pleshtat dhe kulmon në Mesjetë nëpër Europë duke shkaktuar miliona vdekje.

Ideja që llojet e hershme të murtajës përhapeshin ngadalë sfidon shumë teori në lidhje me zhvillimin e njerëzimit në Europë dhe Azi dhe hedh dyshime mbi hipotezën se sëmundja shkaktoi rënie të madhe të popullsisë në Europën Perëndimore në fund të epokës neolitike.

Studiues të tjerë e kanë mirëpritur studimin, por thonë se nuk përjashton mundësinë që murtaja të ishte përhapur gjerësisht në Europë në këtë kohë.

Njerëzit zakonisht preken nga murtaja pasi kafshohen nga një plesht, apo brejtës që mbart bakterin e murtajës, ose duke trajtuar një kafshë të infektuar me murtajë.

Sëmundja është ende rreth sot, por është e shërueshme me antibiotikë nëse kapet herët. Studimi është publikuar në revistën shkencore Cell Reports.