/Gazeta TELEGRAF
Beteja e Vidovdanit u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, i ka reaguar ish-emisarit special të SHBA-së për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili ua uroi serbëve Vidovdanin në Betejën e Kosovës, ku luftuan popujt e Ballkanit kundër Perandorisë Osmane. Çitaku, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka thënë se, Beteja e Kosovës nuk ishte e serbëve dhe në të mori pjesë ushtria Ballkanase kundër Perandorisë Osmane. Vlora Çitaku: “Nuk ishte betejë e serbëve; ishte ushtria e Ballkanit që luftoi kundër pushtuesit Osman. Kjo betejë u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb, që nga shekulli i 19-të duke na mbajtur të gjithëve peng”, – tha ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku. Ndërkaq Grenell përvjetorin e Betejës së Kosovës ia uroi serbëve, duke thënë se “sot përkujtohen martirët e “shenjtë serbë” dhe Shën Princ Lazari”. “Sot nderojmë heronjtë e Vidovdanit. Në këtë ditë më 1389, beteja kundër Otomanëve në Kosovë filloi. Sot është një ditë përkujtimi për Shën Princ Lazarin dhe martirët e shenjtë serbë.” Kjo përkrahje e Grenell ndaj serbëve, duke e shtrembëruar edhe historinë, dëshmon pse Grenell ishte mbështetësi kryesor i ndryshimit të kufijve Serbi-Kosovë, si edhe dhënien e territoreve të Kosovës për Malin e Zi, në të ashtuquajturën demarkacion.




















