Referendumi – Holanda, Austria e Zvicra ndalojnë tubimet turke

423
Zyrtarë në vende të caktuara europiane kanë ndaluar tubimet masive të politikanëve turq, për të tërhequr mbështetje lidhur me referendumin kushtetues që vendi do të mbajë në prill.
Serisë së anullimeve të nisura nga Gjermania, i janë bashkuar së fundmi edhe Holanda, Austria dhe Zvicra, të cilat kanë cituar shqetësimet lidhur me sigurinë si shkaqe për ndalimin e tubimeve.
Këto ngjarje kanë nxitur komente të ashpra nga pala turke, teksa presidenti Erdogan ka akuzuar Berlinin për “praktika naziste”. Sidoqoftë, nuk ka munguar as kundër-reagimi i liderëve gjermanë, me kancelaren Angela Merkel që e ka përshkruar këtë krahasim si “të papranueshëm”.
Erdogan do të kërkojë të zgjerojë fuqitë e tij presidenciale me anë të referendumit që vendi do të organizojë në prill. Ai ka targetuar miliona votues emigrantë që të marrin pjesë në këtë referendum – përfshi edhe komunitetin prej 1.4 milionë turqish që jetojnë në Gjermani.
Por shumë vende europiane kanë shprehur shqetësime lidhur me përgjigjen e Turqisë ndaj përpjekjes për grusht shteti dhe zhvendosjes drejt autoritarizmit nën presidentin Erdogan.
Turqia është një partnere kyç në marrëveshjen për frenimin e lëvizjes së emigrantëve drejt Bashkimit Europian, por vendi ka kërcënuar të hapë dyert në rast se BE tradhëton angazhimet për të dhënë ndihmë, për të lejuar udhëtimin pa viza për shtetasit e saj dhe për bisedime të përshpejtuara lidhur me anëtarësimin.
Sigal