Gjermani/ Pyjet po pakësohen nga insektet dhe thatësira

466
Sigal

Në pyjet e Gjermanisë u prenë gjatë vitin 2019 rreth 32 milion metra kub dru për shkak se qenë dëmtuar nga insektet dhe nga thatësira, njoftoi Zyra Federale e Statistikave. Kjo sasi është tri herë më e lartë se në vitin 2018, kur u prenë 11 milionë metra kub të dëmtuar dhe gati gjashtëfish më e lartë se në vitin 2017, kur u prenë rreth 6 milion metra kub.

Vitet e fundit pyjet në Gjermani kanë vuajtur edhe nga thatësira dhe periudha të nxehta,” njoftoi Zyra e Statistikave me qendër në Wiesbaden. Për këtë shkak “brumbujt që dëmtojnë lëvoren e pemëve mund të shumohen gjithnjë e më shpejt.” Pemët e infektuara nga këta brumbuj duhet të priten për të parandaluar përhapjen e dëmtuesve nëpër pemë e pyje të tjera.

Pakësim alarmant i pyjeve

Zyra e Statistikave theksoi se gjithnjë e më shumë pemë po shfaqnin shenja stresi prej thatësirës, ​​siç janë gjethet e varura dhe rrallimi i kurorës. Thatësirës dhe insekteve u shtohen edhe faktorë të tjerë kërcënues për pyjet si stuhitë, zjarret ilegale, reshjet e borës dhe infeksionet prej kërpudhave.

Vitin e kaluar, lënda drusore e dëmtuar nga insektet dhe kërcënimet e tjera përbënte dy të tretat e të gjitha prerjeve në pyjet gjermane, krahasuar me 20% në vitin 2010. Shumica e specieve të prera – 83% – ishin halorë si bredha apo pisha.

Ekspertët kanë paralajmëruar se ndryshimi i klimës dhe përhapja e insekteve si brumbulli i lëvores, kanë një ndikim katastrofik në pyjet vendase. “Ky kombinim nuk ekzistonte më parë,” tha Michael Müller, ekspert i mbrojtjes së pyjeve në Universitetin Teknik të Dresdenit. “Tani po përjetojmë dëmin më serioz të pyjeve që nga fillimi i përkujdesjes dhe menaxhimit të rregulluar dhe të qëndrueshëm të pyjeve, para më shumë se 200 vjetësh.” – tha Michael Müller.