Sakip Cami: Beteja e Drinit në Gjoricë të Dibrës, në 1844 e udhëhequr nga Hajredin Pasha

4716
Sigal

HISTORI/ 176 -vjet më parë – BETEJA E DRINIT NË GJORICË  TË DIBRËS, NË VITIN 1844

Lufta KUNDËR FORCAVE TURKE TË KOMANDUARA NGA HAJREDIN PASHA, NJË NGA BETEJAT MË TË PËRGJKASHME NË HISTORI, PAS VDEKJES SË SKËNDERBEUT

(Sipas variantit të vjetër të këngës kushtuar luftës kundër Hajredin Pashës)

Nga  Sakip  CAMI

Dihet tashmë se në vitin 1844 kur është zhvilluar beteja e famshme kundër ekspeditës turke të komanduar nga Hajredin Pasha, nuk ka patur shkrim e këndim. Kështu që kronika e luftës është bërë nëpërmjet këngës, e cila është trashëguar nga brezi në brez, nga konaku në konak. Rapsodi popullor, njëkohësisht edhe kronikan në momentin e betejës, e ka krijuar këngën që të pasqyrojë të gjithë skenarin e betejës, armikun, armatimin dhe forcat e tij, forcat tona dhe qëndresën e tyre heroike dhe masive, heronjtë, dëshmorët, terrenin, motin dhe gjithçka u bë në atë betejë, që në aspektin historik, pas vdekjes së Skënderbeut, afro 400 -vjet më vonë, është një nga betejat më të egrat, më të pabarabartat dhe më të përgjakëshme  në historinë e popullit shqiptar. Kënga është shumë e gjatë, një iliadë shqiptare me qindra vargje dhe dhjetra strofa. Rapsodi duhej ta këndonte brez pas brezi pa harruar asnjë episod, trim, apo dëshmor. Tani kënga është shkurtuar për t‘u kënduar në tre minuta dhe për tre minuta nuk del se kush janë protagonistët e kësaj lufte që ka mbetur në historinë e Dibrës dhe të Shqipërisë.  Është e nevojshme që kjo betejë të njihet mirë nga populli, nga historianët dhe studiuesit shqiptarë.

Kjo luftë nuk nisi dhe nuk u zhvillua rastësisht. Ajo u zhvillua fill pas reformave antipopullore dhe antishqiptare të Tanzimatit të Sulltan Abdyl Mexhitit, që e rënduan jetën ekonomike dhe sociale të shqiptarëve. Tanzimati apo Rregulli i ri i Perandorisë Turke, i hoqi shumë të drejta viseve shqiptare dhe ua zgjatën shërbimin ushtarak nizamëve shqiptarë deri në 7 -vjet larg, në skajet më të largëta të Perandorisë, ashtu siç thuhet edhe në këngën popullore: “Vinë pamporët përtej detit/ ku nizamët nisnin kartë (letër) që për 7 -vjet t’i presin gratë./ Dhe në mos pritshin për 7 -vjet,/ le të marrin burra pleq/ burra pleq, pleq me mjekër/ Se mos vjen ndonji devër tjetër.“

Në Selanik kishte pasur kundërshti e trazira kundër këtyre reformave, por ato ishin shtypur me forcë nga gjenerali famëkeq Hajredin Pasha. Kur Dibra ngriti krye kundër këtyre reformave, Porta e Lartë, për të shtypur këtë revoltë, nisi pikërisht gjeneralin famëkeq Hajredin Pasha në krye të një ushtrie, me 12 mijë forca dhe me armatim të rëndë e topa. Ushtria turke marshoi në itinerarin Selanik, Shkup, Gostivar, Grykë e Radikës, Gjoricë. Qëndresën e parë kundër ushtrisë turke e bënë banorët e Rekës në malet e Vllajnicës, të cilët i shkaktuan armikut 3000 të vrarë e të plagosur. Qëndresa e dytë u bë në Fushën e thatë, në Gjoricë të Dibrës, buzë Drinit të Zi më 25 korrik 1844. (Shih Hartën e luftimeve)

Harta e betejës së Gjoricës, 1844 (Muzeu Historik Dibër)

Më parë se të arrinin trupat turke në Gjoricë, krerët e „Nandë Malet e Dibrës“ kishin bërë një kuvend ku kishin vendosur që ta presin me luftë Hajredin Pashën.

Forcat turke ishin vendosur në anën e djathtë të rrjedhës së lumit të Drinit të Zi me shtrirje nga Porgorca deri në Kojnarë. Përballë tyre ishin vendosur forcat dibrane me shtrirje nga Gjorica e Poshtme e deri në Viçisht. Taktika e luftimeve të Hajredin Pashës kishte për bazë goditjen me artileri, me topa të kalibrave të mëdhenj, që të shkaktonte panik dhe të bënte djegie të vendit.

Forcat turke kishin marrë me vehte në këtë betejë edhe Cen Lekën, gjeneral nga fshati Zogje, sjellur nga Turqia për këtë betejë për t‘u përdorur nga turqit në dëm të bashkëfshatarëve të tij, por ai  nuk pranoi. „Qëlloni mua të parin dhe më pas bjeruni qafirave, -u thirri Ceni bashkëfshatarëve të tij.“

Rreth 6000 forca, mal ësorë nga Gryka e Vogël, Gryka e Madhe dhe nga Malet e tjera të Dibrës, morën pjesë në betejën kundër Hajredin Pashës në Fushën e Gjoricës, me pushkë karafile, maxhare dhe kush nuk kishte pushkë, me sopata, kosore dhe cfurqe.

Kjo betejë u udhëhoq nga figura të njohura si Ilias Pashë Dibra,  Sheh Mustafa Zerqani, Mustafa Ago Ostreni, Cen Leka, Rizvan Alla, Mane Cami, Salë Markja, Faslli Malja, Hazis Dema, Nel Hoxha, Llan Kaloshi, Shaqir Daci, Abdi Sturçja, Shaqir Jegeni etj.

Iljas Pashë Dibra, organizator kryesor i betejës së Drinit

Organizimi i kundërofensivës ndaj ushtrisë së Hajredin Pashës ishte në bazë të një plani të mirëfilltë ushtarak dhe konkretisht organizimi i një dare rrethuese nga Ura e Topojanit, Meja e Kalasë, Qafa e Çerenecit, Kodra e Golovishtit, Ura e Spiles, Vrabiçi, Zupa, Elefca, Spasi, rrethim ky që e detyroi ushtrinë turke që të linte në fushën e luftimeve jo pak, por 12 mijë ushtarë, dhe të tërhiqej nga kishte ardhur. Fusha e betejës së madhe ishte Gjorica, e cila ishte një ranishte e sheshtë, plot me plepa të mëdhenj shekullorë në anë të Drinit. Këtu ishte fronti kryesor që shtrihej nga kodrat e Viçishtit deri tek Ura e Topojanit. Malësorët shumica kishin hypur nëpër plepa dhe ishin maskuar me gjethe e degë. Armët e malësorëve ishin disa pushkë të gjata që qëllonin larg. Turqit kishin disa pushkë të shkurta që quheshin “sulltane”. Popullsia vendase ku zhvilloheshin luftimet ishte tërhequr në malet e Bllacës. Gjatë ditës së parë shtatë herë u mbush plot e përplot Drini e të shtatë herët, të gjithë sa u futën mbetën të vrarë.  Artileria turke goditi me ashpërsi të gjithë zonën, por pa rezultat. E njëjta rezistencë bëhej edhe në qafën e Çerenecit, tek Ura e Spiles e kudo. Sheh Mustafa qëndronte në front me  malësorët, Hazis Dema ishte pranë tij.

Mustafa Sheh Zerqani, komandant i betejës së Drinit, korrik 1844

Bien në fushën e luftimit Mustafa Jakimi në Gjoricë dhe Musa Izvira tek Ura e Spiles.

Populli e ka mishëruar në këngë këtë luftë heroike:

…Cen Leka vjen në kamë/ U thrret shokëve prej matanë/ Unë pale a mun vi/ Po ju bini qenit t’zi

Figura mjaft interesante dhe luftëtarë të sprovuar janë Hazis Dema dhe Kurt Mete Dema nga Homeshi. Djemtë e Mete Demës që luftoi krahas Ali Pashë Tepelenës, janë edhe në ballë të kësaj lufte.

Po pyet Pasha kë kanë të parë ?/ Hazis Dema asht kumanar./ Kush drejton ke instikami ?/ Hazis Dema e Sheh Zerqani.

Mustafa Jakimi nga Shtushaj është një hero i vërtetë që lufton edhe me një këmbë, pasi është i plagosur.

        Mustaf Jakimi mustaqe verdhë/ Ban irish e ze nat’ dardhë/ Qiti malet faqebardhë/ Karafilja e Mustaf Jakimit/ Vret topçijtë e Hajredinit

Salë Markja është një udhëheqës i vërtetë popullor. Sali Aga siç e thëriste populli, me dy kulla, një në Zogje dhe një në Bofmollë të Dibrës së Madhe, ishte bërë simbol.

Oj Gjoricë, qofsh e shkretë/ Luftëtëmadhe ban me mbret/ Gratë e Zogje, gratë e Bllacës / Dilni para Sali Agës

Siç e theksuam edhe në fillim në këtë luftë kanë marrë pjesë të gjithë dibranët. Por organizatorë kanë qenë Sheh Zerqani dhe Hazis Dema.

Sheh Zerqani në kalë të zi / Shembi malet e ra në Dri/ Sheh Mustafa fjalë ka çue/ Hazis Dema me m’nimue

Në ndihmë të Sheh Zerqanit dhe të dibranëve që luftonin në fushën e Gjoricës vjen edhe Llan Kaloshi nga Dibra e Poshtme  së bashku me trimat e tij.

Llan Kaloshi i hipi atit/ S’I trembet pushkës as taksiratit/ Hajredin Pashën e ka xhet belaja/ E  ka xhet belaja si e ka xhet/ Nand Malet e Dibrës janë lidhur me vdekë/ Lidhur me vdekë, lidhë të tanë,

S’nigjojnë Malet me  dhanë nizamë.

Në këtë betejë legjendare ka edhe shembuj të mirëfilltë heroizmi dhe patriotizmi si ai i Ahmet Lokës nga Sopoti I Grykës së Madhe. Në fshatin Sopot të Grykës së Madhe në Dibër bëhe jdasëm. Liman Loka martonte djalin, Ahmet   Loka. Njerëzi tishin mbledhur nga të katër anët për dasëm. Por hasmi shkeli në prag. Turqit nisën drejt Dibrës një ekspeditë të madhe ushtarake me në krye Hajredin Pashën. Nandë Malet e Dibrës bane thirrje për t’a pritë Hajredin Pashën me luftë. Gryka e Madhe si dhe malet e tjera të Dibrës u përfshinë në këtë luftë. Ahmeti e la dasmën dhe nusen e re të sapo ardhur dhe shkoi në luftë. Pas tij, të gjithë dasmorët. Ahmeti nuk u kthye më, mbeti në luftë, në betejën e Fushës së thatë të Gjoricës në korrik të vitit 1844.

“Ç’janë ata që luftojnë në gropa ?/  Can Bajrami e Ahmet Loka/ Or Ahmet ç’e bane Canin/ Kokë për kokë me kapedanin/ Ahmet Loka ka lan’ nam/ U ba dhandër n’istikam.”

Nusja e re e Ahmetit shkoi në luftë së bashku me të shoqin. Komandanti Sheh Mustafa i dha asaj pushkën e tij. Ahmeti mbeti dëshmor në këtë luftë. Nusja e tij, pas betejës, lidhi kokën me shami të zezë dhe qëndroi në shtëpinë e burrit, besnike deri në fund të jetës së saj.

Rizvan Alla dhe Fasli Malja janë dy trima që shquhen për luftë burrërore ballë për ballë me turqit. Ja si thotë kënga:

“Rizvan Alla me sakorre/ Paska bamun njizet vorre/ Rizvan Alla me magore/ I pret turqit me sakore

Kush ja prajshi festen Pashës/ Fasli Malja , plaku i Krajkës“

Cen Leka, nga fshati Zogjaj, Dibër, një nga luftëtarët e rënë në këtë betejë.

Nga vetë k ënga kuptojmë rezultatet e kësaj beteje dhe përgjigjen që i dha populli i Dibrës.

„Hajredin Pasha, mor brek zi / Ty  taborrët të mbetën në Dri/ Hajredin Pasha mor krajshenejk/ Nuk asht Dibra Selanejk/“

Luftimet u bënë edhe trup me trup. Humbjet në njerëz ishin të mëdha. Në këtë betejë u vranë 2500 dibranë. Për mbrojtjen e tokës amtare mbanin thirrjen: “besa-besë”. Kush nuk i q ëndron besës, edhe toka nuk e pranon. Kjo besë nxiti heroizmin masiv, karakterin e virtytet e larta të dashurisë për atdheun. Lufta zhvillohet e ashpër dhe burrërore. Luftëtarët përballen me vdekjen pa llogaritur asgjë. Flamuri (bajraku) qëndron në ballë të luftës.

“Banë besë plak e i ri/ Banë yrysh e ranë n’Dri/ Ranë në Dri me gjithë bajrak, (flamur)/ E mbushën Drinin plot me gjak…”

Beteja vazhdoi 5 ditë. Raportet turke drejt Selanikut shkruajnë për 3000 ushtarë turq të vrarë. Populli në k ëngë thotë për 12 mijë të vrarë turq. Haki Stërmilli, te libri i tij historik në dorëshkrim „Dibra në prag të historisë“,  i ndan  të vrarët e Turqisë në dy pjesë sipas zhvillimit të saj, 3000 në Rekë dhe 9000 në Gjoricë.

Nand mijë vorret kush i bani / Dibra mbarë edhe Zerqani.

Turqit pas kësaj beteje për hakmarrje dogjën mbarë Grykën e Madhe dhe Grykën e Vogël, 30 fshatra.  Ja si thotë kënga që tregon për këtë djegie masive:

“Nga Topojani në qitet/ Asnji shpi nuk paska mbet,“

Luftëtarët, të tërhequr në malet e Bulqizës dhe në Prat, për një muaj nuk arritën të shohin dy krahinat nga tymi i gërmadhave. Peshën më të madhe të Luftës së Drinit dhe sulmet e furishme të turqve i mbajti Gryka e Madhe bashkë me Grykën e Vogël. Udhëheqësit e kësaj lufte Iljas Pashë Qokun, Mustafa Sheh Zerqanin dhe Mustafa Ago Ostrenin i internuan dhe i burgosën në Turqi. Sheh Musta dhe Mustafa Ago Ostreni vdiqën në burgjet e Turqisë. Kjo luftë tregoi unitetin e „Nandë maleve të Dibrës“ dhe rolin  e tyre të madh për mbrojtjen e trojeve amtare.

Kulla e patriotit dhe luftëtarit Salë Markja në fshatin Zogjaj të Dibrës