Protesta, Isa Mustafa: Problemet nuk zgjidhen me ultimatume e afate

462
Sigal

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa po përballet me presione nga opozita, por edhe pozita për shkarkimin e ministrit serb për Kthim dhe Komunitet, Aleksander Jabllanoviç.
 
Duke iu përgjigjur ultimatumit të Vetëvendosjes për protesta të tjera gjatë javës së ardhshme, në një deklaratë për shtyp Mustafa tha se asgjë nuk zgjidhet duke dhënë ultimatume e duke vendosur afate.
 
Ai nuk deklaroi nëse do t’a shkarkojë Jabllanoviçin, por kërkoi bashkëpunim me opozitën për të tejkaluar problemet e vendit.
 
 
Në deklaratën për shtyp Mustafa thekson se është hera e parë në Kuvendin e Kosovës që kanë deputetë nga veriu i vendit dhe sipas tij, është me interes jetik që të krijohen ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet, për të përmbyllur mosmarrëveshjet e mosbesimin ndaj institucioneve Kosovare.
 
 
Mustafa nënvizon se zgjidhjet nuk mund të gjenden përmes ultimatumeve dhe kushtëzimeve por me përkushtimin për t’u ballafaquar me sfida më të mëdha të vendit. “Është me interes të punojmë së bashku pozitë dhe opozitë dhe me minoritetet për të integruar vendin. Ky është interes që na bashkon, jo që na ndan”, ka përmbyllur deklaratën e tij Mustafa.