Vlorë,banorët protestë me arkivol. ‘Na shpronësoni, mos ktheni ’97’

556
Sigal

VLORE – Një arkivol me mbishkrimin “Vlora”. Është ky simboli i protestës që banorët e lagjes “Kushtrimi” në qytetin bregdetar zgjodhën për të kërkuar shpronësim për shtëpitë e tyre që do të shemben nga ndërtimi i rrugës Trans-Ballkanike. Disa prej tyre nuk nguruan te futeshin edhe ne arkivol.
 
Ata janë nisur nga lagjja e tyre në këmbe drejt sheshit “Pavarësia”, ndërsa këtë herë në krah mbanin një arkivol të boshatisur ku mbi të shkruhej Vlora, çka sipas tyre simbolizon heshtjen karshi problemit tyre. Ata kërkojnë që shtëpitë e tyre të cilat janë në proces dhe ende të palegalizuara, të shpronësohen.
 
Protestuesit paqësore i janë drejtuar me thirrje të shumta qeverisë, duke u shprehur se janë banorë prej 50 vitesh të kësaj lagjeje në qytetin e Vlorës. “Shtëpia jonë, jeta jonë”; ‘Mos ktheni ‘97’; “Zoti Kryeministër mos i kthe nënat shamizeza”, janë disa nga thirrjet e banorëve. 

Banorët qëndruan për disa orë në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa më pas u shpërndanë, ku nuk harruan të paralajmëronin se protestat do përshkallëzohen nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. 

Sakaq nuk vonoi edhe reagimi i IMKT-së, ky institucion pohon se do nisë punën për shembjen e disa objekteve në lagjen “Kushtrimi” të qytetit bregdetar në kuadër të projektit të qeverisë.

Para pak ditësh banorët e lagjes “Kushtrim” në Vlorë pushtuan ambientet e bashkisë, kundër vendimit për prishjen e objekteve te tyre në kuadër të rikonstruksionit të rrugës Trans-ballkanike.