“Përplasja e tmerrshme e avionit ukrainas në Iran”, flet Trump: Mund të jetë një gabim

622
Sigal

Mediat në SHBA citojnë burime të agjencive të inteligjencës amerikane, të cilat thonë se avioni i Ukrainës që u rrëzua dy ditë më parë me 176 pasagjerë në bord, mund të jetë goditur gabimisht nga ushtria e Iranit.
Ngjarja ndodhi në të njëjtën ditë kur Irani sulmoi dy baza amerikane në Irak.
Sipas burimeve nga shërbimet amerikane, mundet që avioni civil të jetë ngatërruar nga ushtria iraniane dhe të jetë goditur, raporton CNN. 

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë të enjte përpara mediave amerikane se përplasja vdekjeprurëse e një aeroplani ukrainas mund të ketë qenë një gabim. Ai shtoi se kishte një “ndjesi të tmerrshme për arsyet e tragjedisë”. “Rrëzimi dramatik i avionit ukrainas në Iran mund të ketë qenë një gabim. Kam një parandjenjë të tmerrshme për arsyet e tragjedisë”, tha Trump. Mirëpo, kreu i shtetit amerikan nuk ka ofruar ndonjë provë.

“Dikush mund të ketë bërë një gabim,” u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. Trump tha se ka dyshime mbi përplasjen e avionit të Ukrainës, por pa dhënë detaje.

Avioni Boeing 737 u rrëzua disa orë pasi Irani goditi me raketa bazat që strehojnë forcat e SHBA në Irak. Midis viktimave ishin 82 iranianë, 63 kanadezë, ukrainas, suedezë, gjermanë dhe tre britanikë tha Ministri i Jashtëm i Ukrainës Vadym Prystaiko. Lista e udhëtarëve e vënë në dispozicion nga kompania ajrore tregon se mes të vdekurve kishte pjesëtarë të së njëjtës familje si dhe fëmijë. Shumë pasagjerë ishin nën 35 vjeç. Ndërsa sipas Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit në një deklaratë të botuar nga agjencia Tasnim dhe raportuar nga Tass, avioni ka marr flakë në fluturim. Më pas ai është rrëzuar dhe ka shpërthyer në tokë. Në të njëjtën deklaratë thuhej se dëshmitarët okularë panë që flakët përfshinë avionin në fluturim para se të rrëzohej.