Partitë shqiptare në Maqedoni nuk po nxitojnë të bëhen pjesë e qeverisë së re

474
Sigal

Në dallim nga partitë maqedonase, partitë shqiptare
në Maqedoni nuk po nxitojnë të bëhen pjesë e qeverisë së re.

Ato deklarojnë se nuk do heqin dorë nga kushtet e
tyre që kanë të bëjnë me shtimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë vend.
Partitë nënvizojnë parimet si barazia gjuhësore dhe ekonomike, konsensusi,
reformat dhe sundimi i ligjit si dhe integrimi i vendit në Nato, që duhen
pranuar nga çdo partner i ardhshëm qeveritar maqedonas.

Të dielën ndërkohë, do të mbahet rivotimi në një
qendër në Tearcë pranë Tetovës dhe rezultati pritet të përcaktojë mandatarin
për formimin e qeverisë.

Gara zgjedhore në Maqedoni ende nuk ka përfunduar
dhe rivotimi i së dielës në Tearcë të Tetovës, që mund të përcaktojë se kush do
të marrë mandatin për formimin e qeversë së re, shikohet mbase me po aq interes
sa vetë zgjedhjet e 11 dhjetorit, ndonëse partitë shqiptare nuk presin ndryshim
mandatesh në radhët e tyre nga kjo qendër votimi ku ka shumicë shqiptare.

VMRO DPMNE ka njoftuar bojkotimin e rivotimit dhe
mosnjohjen e rezultateve që do të dalin nga Tearca. Lidhja Social Demokrate
është ajo e cila pret përmbysjen e rezultatit të përgjithshëm në favor të saj
dhe nëse ajo merr një mandat pas rivotimit të së dielës, forcat e dy partive
maqedonase në parlament do të jenë të barabarta, nga 50 deputetë secila.

Ndërsa VMRO ndjehet fituese e zgjedhjeve dhe pret
konfirmimin për të marrë mandatin për formimin e qeverisë, partitë shqiptare,
nga ana tjetër lënë përshtypjen se nuk po nxitojnë për një koalicion qeveritar.