Mosmarrëveshja midis Polonisë dhe BE vazhdon

472
Varshava e hedh poshtë kritikën nga BE, që Polonia nuk i respekton parimet e shtetit juridik. Takimi i nivelit të lartë të Vishegradit do të përcaktojë tani linjën e katërshes për politikën evropiane.

Grindjes midis Komisionit Evropian dhe qeverisë polake për çështjen e shtetit juridik nuk i duket fundi. “Atmosfera është shumë e acaruar”, tha një diplomat në Varshavë që merret me këtë temë. Zhvillimi më i ri janë fjalë të ashpra të politikanëve polakë për Marek Prawda, një përfaqësues të Komisionit në Varshavë.

Prawda ishte më parë përfaqësuesi i Polonisë në Berlin dhe në Bruksel derisa këtë diplomat me përvojë e larguan nga detyra, pas ndryshimit të qeverive në Varshavë. Pak më vonë ai ndryshoi anën: BE e dërgoi atë tani si përfaqësuesin e tij në Varshavë.

Qeveria polake mendon se ka “shpifje”
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Witold Waszczkywoski e ftoi diplomatin për bisedime në ministri dhe e akuzoi se ka dërguar në Bruksel një raport “me shpifje”. Në të thuhet se gjykatësit që protestojnë kundër ndryshimeve në drejtësi përndiqen. Shkruhet edhe se disa gjykatës polakë frikësohen nga doras të panjohur, të cilët u dëmtojnë frenat dhe rrotat e automjeteve. Autoritetet, besohet se thuhet në këtë raport, nuk janë në gjendje që t’i hetojnë dorasit. “Dorasit e panjohur” mbahen mend për keq në Poloni: kështu quheshin në kohën e diktaturës para vitit 1989 bashkëpunëtorët e policisë së fshehtë të drejtuar nga shteti.

Përfaqësia e BE në Varshavë nuk e komenton kritikën për raportin e saj. Këshilli vendor për Drejtësinë (KRS), një organ që përfaqëson të gjithë gjykatësit thotë se ka gjithnjë e më shumë kërcënime të personave të panjohur kundër gjykatësve.

Brukseli kërkon zgjidhje të reja
Në zanafillë të këtij konflikti të ri është grindja që zgjat prej më shumë se një viti për sundimin e së drejtës në Poloni. Brukseli sheh një sërë ndërhyrjesh antiligjore si për shembull në kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe i kërkoi Varshavës për herë të fundit, që deri në mes të shkurtit të pozicionohet për kritikat. Pas kësaj, Varshava dërgoi një përgjigje në Bruksel. Në të ajo me sa duket i hedh poshtë të gjitha kritikat.

Tani Brukseli mund të propozonte zbatimin e nenit 7 të Marrëveshjeve të BE. Ai parashikon që në rast të një “shkeljeje të rëndë dhe të vazhdueshme” të vlerave të sanksionuara në Marrëveshjen e BE, një shteti anëtar mund t’i hiqet edhe e drejta e votës. Por sipas të dhënave të medieve, zëvendësshefi i Komisionit, Frans Timmermans do të ndjekë fillimisht një rrugë tjetër: ai do ta paraqesë temën në fillim të javës së ardhshme para Këshillit Evropian, thuhet. Një politikan i partisë në pushtet në Poloni, PiS e quajti mënyrën e veprimit të Timmermansit një “luftë private ideologjike” të një “të majti” kundër qeverisë së djathtë të Polonisë, për shkak të një gjoja “rreziku për demokracinë në Poloni.”

Takim i nivelit të lartë të Grupit të Vishegradit në Varshavë
Kështu që grindja do të vazhdojë; askush nuk guxon të bëjë një parashikim se sa mund të zgjasë. Konflikti mund të jetë edhe objekt i takimit të kryeministrave dhe shteteve të grupit të Vishegradit. Ata do të mblidhen këtë të enjte në Varshavë. Një temë tjetër do të jetë në këtë kuadër cilësia e ushqimeve. Disa shtete të Grupit të Vishegradit duan të pengojnë që koncernet në Lindje të BE të shesin nën të njëjtat marka produkte me cilësi më të dobët se në Perëndim.
Sigal