Maqedonia e Veriut konsideron lejimin e përdorimit të marijuanës në kafene

251
Sigal

Qeveria në Maqedoninë e Veriut po merr në konsideratë lejimin e përdorimit të marihuanës në kafe dhe vendet turistike në kryeqytetin Shkup dhe në vendet e tjera turistike, si buzë liqenit të Ohrit, tha Kryeministri Zoran Zaev.

 “Ideja është që të lejohet konsumimi i marihuanës në kafene, si në ato ekzistuese dhe ato të reja, dhe në vendet turistike, përfshirë Shkupin, nëse respektojnë disa standarde të ventilimit, provën e origjinës së marihuanës dhe kështu me radhë”, tha Zaev

Ai shtoi se qeveria parashikon një rregullim të rreptë në këtë sferë, duke marrë Amsterdamin në Hollandë si një shembull.

Kryeministri Zaev tha se kjo ishte pjesë e paketës së planifikuar të qeverisë të masave që synojnë stimulimin e ekonomisë, e cila është goditur rëndë nga kriza shëndetësore COVID.

Zaev, i cili në dy vitet e fundit ka premtuar një debat publik mbi këtë çështje, paralajmëroi se qeveria e tij Socialdemokrate nuk ka marrë ende ndonjë vendim përfundimtar dhe këmbëngul se nëse shumica në vend i thotë jo idesë, ai është i gatshëm të tërhiqet nga ky plan.

Maqedonia e Veriut ka lejuar që marihuana për përdorim mjektësor të shitet në farmaci që nga viti 2016, kur qeveria e udhëhequr nga e djathta e VMRO DPMNE ishte në pushtet.

Që nga ajo kohë, prodhuesit e marihuanës legale kanë filluar të punojnë, mes kritikave nga disa OJQ pro-marihuanës se ligji është formuar për të ndaluar sipërmarrësit e vegjël të hyjnë në biznes dhe të lejojnë që vetëm investitorët më të mëdhenj të përfitojnë.

Sidoqoftë, vendi nuk e ka dekriminalizuar plotësisht përdorimin e kanabisit.

Të enjten, Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiç tha se ishte mirë që një debat publik po fillonte tani për dekriminalizimin e plotë të kanabisit.

“Një rregullim i cilësisë në këtë fushë mund të sjellë disa përfitime për vendin, të tilla si rregullimi i tregtisë së marihuanës, frenimin e kriminalitetit dhe natyrisht përfitimet ekonomike, kryesisht në sektorët e turizmit dhe mikpritjes,” tha Mariçiç.

Ndërkohë në rajon edhe Kroacia në fillim të këtij viti hartoi një ligj mbi legalizimin e plotë të kanabisit për qëllime medicinale dhe rekreative. Drafti aktualisht është në fazën e debatit publik.