Prokurorja maqedonase Janeva ndryshon kabinetin, largon dy Prokurorë

460
Këshilli i Prokurorëve Publikë në Maqedoni ka bërë të ditur se prokurorja e posaçme Katica Janeva ka larguar dy prokurorë nga kabineti i saj.
Këshilli i Prokurorëve paralajmëron se një komision treanëtarësh do të hetojë shkaqet e largimit të dy prokurorëve nga detyra.
Dy prokuroret e larguara janë Marija Gjorevska dhe Lejla Kadriu. Ato nuk kanë bërë komente publike mbi vendimin e zonjës Janeva, ndërsa nga zyra e kësaj të fundit kanë sqaruar se “prokuroritë publike prej nga vijnë dy prokuroret ballafaqohen me mungesë kuadri dhe se Speciales i mjaftojnë vetëm 10 prokurorë”.
Ndërkohë, Petar Anevski, kryetar i Këshillit të Prokurorëve u ka tënë mjeteve të informimit se i ka kërkuar prokurores Janeva të sqarojë edhe çështjen se në ç’mënyrë i ka pranuar dhe arkivuar materialet nga Lidhja Social Demokrate më 30 dhjetor, që kanë të bëjnë me skandalin e përgjimeve.
Anevski ka shtuar se Këshilli ka kompetenca të kërkojë nga Janeva informacione. “Ne kërkojmë të dimë se sa lëndë janë pranuar, a është përpiluar procesverbal, sepse kur të duhet të asgjësohen procesverbalet, duhet të ketë një prani të njerëzve të caktuar” është shprehur Anevski.
Ndërkaq, opozita maqedonase, por dhe një pjesë e ekspertëve shikojnë si trysni të pushtetit ndaj prokurores së posame. Nga ana tjetër, Ministria e Rendit, në krye të së cilës është një kuadër i LSD-së, ka shtuar masat e sigurisë përreth ndërtesës së Prokurorisë speciale dhe për vetë anëtarët e saj, pas vlerësimeve se ata janë të kërcënuar.
Kjo prokurori pritet të hapë disa nga çështjet kryesore që burojnë nga skandali i përgjimeve.
Në shumë prej audio-regjistrimeve të publikuara nga opozita dëgjohen zyrtarë të lartë qeveritarë, drejtuesë politikë, përfshirë, tashmë ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe personalitete të tjera të fushave të ndryshme, duke folur për manipulime zgjedhore, në media, biznese, etj.
Por, nuk mendohet se prokuroria e posaçme do të hapë ndonjë prej lëndëve para zgjedhjeve të parakohshme, që janë parashikuar të mbahen më 24 prill.
Sigal