Kriza në Ukrainë, vendi kërkon anëtarësim në NATO

505
Ukraina do të nisë diskutimet me NATO për një plan veprimi për t’u anëtarësuar në aleancë, ndërsa vendi do të ndërmarrë reforma për të arritur standardet e duhura deri në vitin 2020.
Gjatë takimit me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko tha se vullneti i popullit të Ukrainës është të anëtarësohet në aleancë. Ukraina po përballet me revoltën e milicive separatiste të mbështetura nga Rusia në lindje të territorit të saj dhe rikonfirmimi i synimeve veri atlantike të Kievit, nuk ishte një surprizë.
“Që nga ky moment, prioriteti ynë është integrimi euroatlantik në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë me qëllimin final për t’ju bashkuar NATO-s. Vendimet tona të fundit legjislative, tregojnë sa të vendosur jemi në këtë drejtim”, shprehet Petro Poroshenko, president i Ukrainës.
Në vitin 2008, liderët e NATOs ranë dakord që Ukraina do të bëhej në të ardhmen anëtare, por me presidentin pro rus Viktor Janukovic në pushtet, nuk patri përpjekje në këtë kuadër. Por mbështetja për anëtarësim në NATO është rritur tej mase qëkur Rusia aneksoi Krimenë, madje tashmë shihet si një domosdoshmëri. Këtë e theksoi tërthorazi edhe kreu i Aleancës Stoltenberg.
“Është e qartë se armëpushimi nuk po mban dhe ne jemi të shqetësuar nga kërcënimet në rritje ndaj monitoruesve të OSBE-së. Marrëveshja e Minskut mbetet rruga e vetme drejt paqes, por Rusia duhet të tërheqë mijërat e ushtarëve të saj nga Ukraina dhe të mos mbështesë më milicitë”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Këto komente sigurisht që u pritën me kritika nga Moska, e cila pretendon se nuk kërcënon askënd, përkundrazi ndihet e kërcënuar nga zgjerimi i NATO-s në lindje. Anëtarësimi i Ukrainës në NATO është ende shumë vite larg, sidomos me problemet që ka vendi, por kjo s’do të thotë se Moska duhet të “fle mbi dafina”.
Sigal