Kaos në Podgoricë: Krivokapiç shkarkon Abazoviçin, largohet gjysma e qeverisë!

214
Sigal

Kryeqyteti i Malit të Zi ka pasur sot një zhvillim kaotik, si pasojë e nervave të tendosura të grupimit proserb, me numrin dy të qeverisë, shqiptarin Dritan Abazoviç.

Kryeministri filoserb, Zdravko Krivokapiç, ka shkarkuar nga të gjitha detyrat e koordinimit të shërbimeve sekrete, sigurisë dhe negociatat me BE, zv.kryeministrin Abazoviç, si dhe ministrin e Jashtëm Gjorgje Raduloviç.

Po ashtu është larguar edhe ministri i Brendshëm Sergej Sekulloviç nga posti i kreut të komisionit antikorrupsion. Abazoviç, Raduloviç dhe Sekulloviç, janë të vetmit ministra që nuk vijnë nga bota serbe dhe që kanë përkrahjen e SHBA-së dhe BE-së.

Ndërkaq, në protestat antishqiptare për të kundërshtuar rrëzimin e qeverisë aktuale ka mbërritur një person nacionalist serb nga Beogradi, i cili është dhe kreu i grupit të përkrahësve të Crvena Zvezdës, një lob paramilitar shovinist që përdoret si “agjiprop ambulant” jo vetëm në Mal të Zi, por edhe Bosnjë dhe Kosovën e Veriut.

Pas vendimit të kryeministrit Krivokapiç për shkarkimin e Abazoviçit dhe dy ministrave të tjerë nga komisionet më të rëndësishme ndërqeveritare, i gjithë stafi i emëruar në këto zyra, jo sipas kritereve politike, ka dhënë menjëherë dorëheqjen, çka ka shkaktuar një kaos.

Vetë zv.kryeministri Abazoviç, ka mbledhur kryesinë e URA, dhe kanë vendosur që kjo parti politike do të përgjigjet në kohën e duhur me nisma politike. Një nga nismat që kjo forcë politike ka dorëzuar në Parlament,  është edhe ajo e qeverisë së pakicës. Në një deklaratë për mediat, Abazoviç ka theksuar se shkarkimet e ndërmarra nga Krivokapiç tregojnë impotencën e qeverisë për të ecur me hapat e duhura.

“Vendimi më logjik do të ishte shkarkimi im nga qeveria, mua nuk më interesojnë këto largime, ato janë pasqyrë e pafuqisë. Gjithçka me këtë qeveri do të përfundojë më 4 shkurt. Nëse ata mendojnë se ndryshimet kontribuojnë diçka, nuk ka asnjë problem për mua. Nëse do të shkaktojnë trazira në Mal të Zi, do të kenë përgjigjen e menjëhershme në sekondë”, tha Abazoviç, i cili ka sulmuar fort mbi prezencën e ekstremistit serb Predrag Leçiç në protestat e formacioneve politike pro serbe dhe proruse.

Në lidhje me kërkesën e URA për qeverinë e Pakicës, Dritan Abazoviç deklaroi se ata do ta mbrojnë këtë ide në Parlament, e nëse deputetët nuk e pranojnë, le ta rrëzojnë, e shtoi se nuk kishte asgjë kundër zgjedhjeve të parakohshme.

Gazeta malazeze Pobjeda, ndërkaq ka shkruar se Predreag Leçiç, kreu i lëvizjes nacionaliste serbe OTPOR, përveç se ka marrë pjesë në protestë, është vendosur edhe në një zyrë në kabinetin e kryeministrit të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç. Policia Malazeze, ndërkaq ka publikuar një raport ku bën të ditur se nga Beogradi është nisur një sulm digjital ndaj shqiptarëve dhe amerikanëve në rrjete sociale. Këto sulme po sponsorizohen prej grupeve që financohen nga Moska, e policia malazeze ka zbuluar se IP-të e tyre ndodhen në Serbi. Prej disa ditësh në këto frëngji digjitale është sulmuar egërsisht Dritan Abazoviç që cilësohet “I shitur tek të huajt”.

Sipas policisë së Malit të Zi, profile të rreme në facebook e twitter përdorin foto të vjedhura nga profile të tjera nga Mali i Zi, që janë profile normale. Këto profile të rreme ofrojnë mbështetje për Krivokapiçin dhe ministrat e tjerë filoserb, për të dhënë një përshtypje se qeveria e mbetur ka një popullaritet. Siç bën të ditur policia, të vetmit aktorë që janë kursyer nga sulmet e profileve të rreme janë politikanët e partive proserbe.

Ndërkaq, Ambasada e SHBA në Podgoricë ka bërë të ditur se do të mbështesë atë qeveri që ka mbështetje në Parlament dhe që përkrah integrimin euroatlantik të vendit. E pyetur nga ‘Zëri i Amerikës’ nëse Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se, në dritën e protestave të përditshme dhe tensioneve politike dhe etnike në rritje, ambasada bëri të ditur në një deklaratë, se do të “monitorojë nga afër situatën në Mal të Zi, por ajo duhet të përcaktohet paraprakisht nga drejtuesit e saj të zgjedhur përmes dialogut dhe në përputhje me proceset demokratike. Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve politikë të ngrihen mbi politikat e identitetit, të shmangin retorikën nxitëse nacionaliste dhe të punojnë së bashku në interesin publik për të ofruar një rrugë konstruktive dhe produktive përpara për popullin malazez.

Ambasada, në deklaratën e saj, përsëriti gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të “bashkëpunojnë me çdo qeveri të formuar në mënyrë demokratike që siguron përparimin e Malit të Zi në rrugën euro-atlantike, e cila përfshin përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, forcimin e anëtarësimit në NATO dhe mbështetjen e vlerave të përbashkëta”.