Jahjaga takim me liderët e partive para seancës, ende pa zgjidhje

391
Sigal

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka zhvilluar sërish të mërkurën takime me liderët e partive që përfaqësohen në Kuvend, në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje rreth formimit të institucioneve të reja.
 
Takimet ishin të ndara fillimisht me Partinë Demokratike të Kosovës e më pas me katër liderët e koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje.
 
Nga prononcimet e përfaqësuesve të partive politike, u la të kuptohet se nuk është arritur sërish ndonjë zgjidhje para seancës së nesërme, ku për të tretën herë Kuvendi do të provojë të zgjedh kryetarin dhe nënkryetarët e këtij institucioni. 
 
Partia Demokratike e Kosovës, e kryesuar nga lideri i saj Hashim Thaçi ishte e para që u prit në këto takime. Pas konsultave me presidenten, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka folur fare shkurt, duke thënë se PDK ofron zgjidhje kushtetuese dhe i ka ftuar edhe partitë tjera që të fokusohen në zgjidhje të tilla. 
 
Ndërkohë, edhe liderët e partive të koalicionit LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje nuk kanë dhënë asnjë mesazh se mund të lëvizin nga pozicioni fillestar.
 
Lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se gjithçka varet nga deputetët, prandaj edhe ka kërkuar që zgjidhja të kërkohet në Kuvend gjatë  një debati parlamentar.
 
Pjesë e konsultimeve me presidenten këto ditë ishin edhe partitë e komuniteteve pakicë. Përfaqësuesit e tyre kanë deklaruar se do të mbështesin cilindo bllok që arrin të krijoj zgjidhjen për dalje nga kriza.

Kryesuesja e seancës konstituive, deputetja më e vjetër, Flora Brovina ka thirrur vazhdimin e seancës për të enjten më 2 tetor.