KLSH kallëzon në Prokurori administratorin e Albpetrol dhe drejtues të tjerë të kompanisë

591
Sigal

Dëmi ekonomik nga zbritje “të gabuara” në llogaritje është 9.5 milion Euro

Dëmi ekonomik vetëm nga abuzimi me kostot e transportit të naftës është 1,4 milion USD

Dëmi i vërtetë ekonomik do të përcaktohet nga ekspertë të fushës së naftës dhe të organeve hetimore, të cilët do të shqyrtojnë mënyrën e përcaktimit të çmimit të konvertimit nga Albpetrol

 Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të tij të auditimit nr. 528/1 te Prot., datë 28.05.2014, përfundoi auditimin e rradhës në shoqërinë Albpetrol sha, Patos, me objekt “Zbatimi i ligjshmërisë dhe rregullshmërisë së veprimtarisë ekonomiko-financiare”, për periudhën 01.08.2013 – 30.06.2014 të veprimtarisë së kësaj shoqërie.

 Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe rekomandimet e KLSH-së, i janë përcjellë Ministrit të Energjisë dhe Industrisë si dhe Kryetarit të Këshillit Mbikëqyrës me shkresën nr. 528/29, datë 26.09.2014 dhe me shkresën 528/30 më datë 27.09.2014 kompanisë Albpetrol sha, ndërsa me shkresën nr. 528/28, datë 24.09.2014, KLSH i ka dërguar organit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kallëzimin penal ndaj Administratorit dhe disa prej drejtuesve të tjerë të Albpetrol.

 Nga auditimi rezultuan shkelje ligjore, ndër të cilat më kryesoret janë:

 1. Funksionimi si agjent kompanish koncesionare

Albpetrol sha është drejtuar dhe ka funksionuar si një kompani shtetërore tërësisht në dobi të interesave të kompanive koncesionare private dhe interesave të drejtuesve më të lartë të saj, nëpërmjet shmangies nga vendimmarrja të Këshillit të Ministrave, Këshillit Mbikëqyrës, Drejtorisë së Auditit të Brendshëm dhe drejtorive të tjera të Albpetrol, si dhe krijimit e konsolidimit të strukturave paralele drejtuese në brendësi të shoqërisë.

Më konkretisht, Administratori i shoqërisë Albpetrol ka nënshkruar dy Akt-Marrëveshje hidrokarbure me të njëjtën kompani koncensionare, tërësisht në kundërshtim me procedurat e parashikuara dhe në tejkalim të plotë të kompetencave të tij si administrator. Dy Akt-Marrëveshjet e hidrokarbureve të datave 28.02.2014 dhe 04.04.2014, janë nënshkruar si shtesa të marrëveshjeve të mëparshme të hidrokarbureve, të miratuara me VKM në vitin 2007 dhe kishin si qëllim likuidimin e detyrimeve të ndërsjellta që kompania koncesionare dhe Albpetrol sh.a.kishin ndaj njëra tjetrës.

Nënshkrimi dhe zbatimi i këtyre akt-marrëveshjeve nga Administratori i Albpetrol, është kryer në kundërshtim flagrant me përcaktimet e bëra në nenin 1, pika 1/6 të Marrëveshjes bazë të Hidrokarbureve të vitit 2007, ku përcaktohej “Marrëveshje, do të thotë kjo marrëveshje-hidrokarbure së bashku me anekset, si çmund të amendohet herë pas here me rënien dakort të palëve dhe aprovim të Këshillit të Ministrave, për vlerësimin, zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në zonën e kontratës”.

Këto dy akt-marrëveshje, Administratori i shoqërisë jo vetëm nuk ia paraqiti për miratim Këshillit të Ministrave, por as dhe Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë Albpetrol, madje siç rezultoi nga auditimi në lidhje me to nuk kishin dijeni edhe një pjesë e strukturave dhe drejtuesve të kësaj shoqërie. Referuar përmbajtjes së këtyre akt-marrëveshjeve, në to favorizohet haptazi kompania koncensionare së cilës Albpetrol i jep mundësinë që detyrimet e saj për dorëzimin e naftës bruto (të akumuluara ndër vite) t’i shlyente duke paguar një vlerë të caktuar monetare, ndërsa sasinë e naftës që kjo kompani i kishte dhënë tepër Albpetrolit (në një nga puset që ajo kishte marrë me koncesion) ta merrte prej Albpetrolit direkt e në vendburimin e naftës dhe jo në mënyrë të disiplinuar dhe kontrolluar nëpërmjet Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit, Patos.

Në bazë të marrëveshjes bazë të hidrokarbureve (neni 3, pika 3.5.1), kompania koncensionare ka pasur për detyrim që t’i dorëzonte Albpetrolit një sasi të caktuar nafte në natyrë, por në asnjë nen të kësaj marrëveshjeje nuk përcaktohej e drejta e Albpetrolit për t’ia konvertuar këtë detyrim kompanisë koncensionare në vlerë monetare dhe aq më tepër ta caktonte vetë mënyrën e përllogaritjes së vlerës totale të këtij detyrimi.

Për rrjedhojë, me nënshkrimin e këtyre dy akt-marrëveshjeve, Administratori i Albpetrol sh.a, ka marrë përsipër atributet e Këshillit të Ministrave, duke i ndryshuar termat e marrëveshjes bazë të hidrokarbureve, në dobi dhe favorizim të hapur të kompanisë koncensionare.

Dy akt-marrëveshjet e hidrokarbureve të lidhura me kompaninë koncensionare, janë mbajtur të fshehta dhe nuk i kanë kaluar për miratim Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrol sha. Në rast se këto akt-marrëveshje nuk duhet të shqyrtoheshin dhe të miratoheshin paraprakisht nga ky organ kryesor vendimmarrës, atëherë përse mund të shërbejë ky Këshill në drejtimin e kësaj kompanie?

2. Caktimi i çmimit të naftës në mënyrë arbitrare

Procedura e ndjekur nga Administratori i Albpetrol, për konvertimin në vlerë monetare të sasisë së naftës bruto që kompania koncensionare i detyrohej asaj, ndonëse në pamje të parë duket si akt-marrëveshje për shlyerje të detyrimeve, është në vetvete një akt i mirëfilltë shitjeje, ku kompanisë koncensionare i jepet e drejta që në njëfarë mënyre të blejë të gjithë sasinë që ajo i detyrohet Albpetrol sha, pa konkurruar në procedurat normale të ankandit dhe me një çmim për të cilin vetë palët bien dakord ndërmjet tyre. Në rast se kjo sasi nafte do të shitej nëpërmjet procedurave normale të ankandit, vlera monetare që do të përfitonte Albpetroli nga kjo shitje do të ishte shumë më e lartë sesa vlera e përllogaritur nga Administratori në akt-marrëveshjen e nënshkruar prej tij, madje ky çmim nuk i afrohet as çmimit me të cilin kompania koncensionare i ka shitur naftë Albpetrolit në disa raste!

Më konkretisht, në akt-marrëveshjen e datës 28.02.2014, Albpetrol sha, vendos t’i njohë kompanisë koncensionare ekzistencën e detyrimeve të prapambetura në sasinë 51,181.25 ton naftë, prej të cilave në marrëveshje do të përfshihej për konvertim vetëm sasia prej 40,964.78 ton naftë. Bazuar në llogaritjet e bëra nga Albpetrol, duke iu referuar çmimit mesatar të shitjes së naftës (73,96 USD/Barelë) nga kompania koncensionare tek të tretët, detyrimi i kompanisë koncensionare prej 40,964.78 ton naftë do të konvertohej në 15,384,169 USD. Ndonëse Administratori i Albpetrol nuk ka patur asnjë kompetencë ligjore në drejtim të përcaktimit të kësaj vlere monetare, madje as të marrë si referencë mesataren e çmimit të shitjeve të kompanisë koncensionare, favorizimi i kompanisë koncesionare evidentohet haptazi edhe në mënyrën e kryerjes së përllogaritjeve të kësaj vlere nga Albpetrol.

Duke zbritur nga vlera prej 73,96 USD/Barelë, çmimin e Rentës Minerare (10% të vlerës) si dhe kostot e transportit prej 9 USD/Barelë, çmimi mesatar neto i shitjes është 57,564 USD/Barelë. Por, siç rezultoi nga auditimi, me shkresën nr. 1969/1 prot, datë 27.02.2014, Drejtoria e Shitjes dhe e Financës, shprehet “Nisur nga të dhënat e disponueshme nga kontratat e transportit të naftës bruto, kosto e transportit për USD/BBL për “Albpetrol” sha është 3,7 USD/BBL”. Ndryshimi i vlerës së transportit nga 3,7 në 9 USD/Barel, është vendosur me propozim arbitrar të Drejtorit të Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve në Albpetrol sha, në shkresën e tij nr. 1849/1 prot, datë 03.03.2014, drejtuar Administratorit të Albpetrol, 3 ditë pasi është lidhur marrëveshja.

Si rrjedhojë, vetëm si pasojë e kësaj rritje artificiale dhe të paargumentuar të kostove të transportit, kompania koncensionare ka përfituar 1,416,443 USD në dëm të interesave financiare të Albpetrol.

Hetimi i thellë nga një grup ekspertësh të fushës, që do ti bëhet mënyrës së përcaktimit të çmimit të konvertimit nga Albpetrol (data e shitjeve dhe e blerjeve, kuotimi në bursë, konvertimi nga ton në barel, etj) do të vërtetojë edhe vlera të tjera të dëmit real në miliona Euro, të shkaktuar në Buxhetin e Shtetit.

 

3. Shlyerja e detyrimit direkt në burimin e naftës

Përsa i përket marrëveshjes tjetër të datës 04.04.2014, të nënshkruar me po të njëjtën kompani koncensionare, Administratori i Albpetrol, vendos që ta favorizojë kompaninë koncensionare duke e lejuar atë që ta tërhiqte sasinë prej 11,213.6 ton naftë të pretenduar si të dhënë tepër, jo nëpërmjet Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit Patos (QASHNG) por direkt në vendburimin e naftës. Shmangia e QASHNG nga procedurat e lëvrimit, ka sjellë si pasojë mosdeklarimin e sasisë së naftës në magazinat fiskale, pra për të nuk është prerë dokumenti shoqërues administrativ (DSHA), si dhe nuk është deklaruar në sistemin që mbahet në QASHNG, veprime të cilat bien në kundërshtim me Ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe VKM nr. 612, datë 05.09.2012 “Për dispozitat zbatuese të ligjit për akcizat”.

Sikur të mos mjaftonin këto favorizime, në amendimet e propozuara për këtë akt-marrëveshje, Albpetroli merrte përsipër që t’i mundësonte kompanisë koncensionare likuidimin në natyrë, jo vetëm direkt nga vendburimi ku ishin krijuar këto detyrime dhe i cili kishte një naftë të një cilësie jo shumë të lartë, por edhe në tre vendburime të tjera ku nafta ishte e një cilësie më të lartë.

Si rrjedhojë kompanisë koncensionare do t’i krijohej mundësia që borxhin që Albpetrol sh.a. ia kishte asaj në naftë të një cilësie të ulët, ta merte nga Albpetrol në naftë të një cilësie më të lartë. Edhe kjo diferencë mund të përcaktohet nga grupi i ekspertëve të fushës, për të saktësuar dëmin ekonomik që i është shkaktuar Albpetrolit.

 

4. Zbritja e holluesit nga detyrimi për naftën

Përvec sa më sipër, nga auditimi i detyrimeve që kompani të tjera koncensionare kishin ndaj Albpetrol, rezultoi që në rastin e njërës prej këtyre kompanive, ishte zbritur nga nafta e prodhuar sasia e holluesit të përdorur. Si pasojë e këtij veprimi kompania nuk i kishte dorëzuar shoqërisë Albpetrol për vitin 2013 sasinë prej 23,004.35 ton naftë me vlerë 1,007,820,573.50 lekë ose rreth 7.2 milionë euro, ndërsa deri më 30.06.2014 sasinë prej 7,188.70 ton naftë bruto me vlerë 314,936,947.00 lekë ose rreth 2.3 milione euro. Kjo zbritje e holluesit nga Albpetrol është bërë në kundërshtim me pikën 3.5.1,3 të marrëveshjes së datës 19.06.2004 me kompaninë koncesionare, dhe është kryer duke ndikuar në faktorin R, ecuria e të cilit ka lidhje direkt me përfitimet e Shtetit Shqiptar (kur R ≥ 1, fitimi ndahet 50% për kompanine koncesionare dhe 50% për Shtetin Shqiptar).

5. Shkeljet në Qendrën e Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit

Nga auditimi i aktivitetit të Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit (QASHNG) në Patos, u konstatua se kjo qendër përdorte për regjistrimet kontabël programin Microsoft Excel, program i cili lejon mundësinë e kryerjes së ndryshimeve të qëllimshme në veprimet kontabël të periudhave të mëparshme, dhe në bilancin e naftës bruto për vitin 2013 dhe 2014 u konstatua një diferencë në sasinë 5,403.58 ton naftë bruto me vlerë 100,690,309.4 lekë.

Gjithashtu, QASHNG, për blerjet e naftës nga shoqëritë koncensionare, përdor kursin e datës së veprimit të parë dhe jo kursin e ditës, ndërsa për shitjet e naftës përdor kursin e datës së shitjes, veprim ky në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, neni 9, pika 9, Ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, i ndryshuar; Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar; si dhe Ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.

Përsa i përket naftës që QASHNG blen nga qendrat e brendshme, QASHNG aplikon çmimin fiks 18,634 lekë/ton, ndërsa për naftën që merr nga kompanitë koncensionare ajo e blen atë në bazë të çmimit të bursës. Për përcaktimin e vlerës së inventarit të mbetur dhe kostos së inventarit të shitur, QASHNG Patos, shumëzon sasinë e mbetur në fund të periudhës me çmimin e furnizimit të brendshëm 18,634 lek/ton, dhe nuk aplikon metodën FIFO (hyrje e parë dalje e parë) ose mesataren e ponderuar, në kundërshtim me Ligjin nr. 9228, datë 29.04.2004 “Për Kontabilitetin dhe Pasqyrat Financiare”, Neni 9 “Respektimi i standardeve kontabël”, SKK 4 “Inventarët”, pika 15.

Gjithashtu, nga auditimi rezultoi që me faturën nr. 7, datë 13.05.2014, për sasinë 1,093.4 ton avull, një kompani private i ka faturuar shoqërisë “Albpetrol” sh.a. vlerën 9,341,569.75 lekë, për përdorimin e avullit për ngrohjen e naftës në objektin 16/1 pranë Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës Ballsh. Për këtë shërbim nga shoqëria “Albpetrol” sh.a. ose nga QASHNG Patos, nuk është zhvilluar asnjë procedurë prokurimi dhe nuk është lidhur asnjë kontratë.

8. Strukturat paralele që dublojnë Albpetrol Sh.a.

 Përsa i përket ngritjes dhe funksionimit të strukturave paralele në Albpetrol sha, nga auditimi rezultoi që organika e personelit të Drejtorisë së Marrëveshje dhe Hidrokarbure nuk ishte në përpjesëtim me numrin total të punonjësve në administratën e Albpetrol sha. si dhe me nevojën reale të kësaj drejtorie për këtë numër punonjësish. Nga 150 punonjës që është personeli i administratës së Albpetrol, 63 prej tyre i përkasin Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve. Madje, disa punonjës të kësaj drejtorie, në veçanti ata të Sektorit të Supervizimit, janë pa profesionet përkatëse (inxhinier ndërtimi, inxhinier tekstili, inxhinier mekanik) ose janë të padiplomuar. Në strukturën e kësaj drejtorie ishin parashikuar qëllimisht sektorë, të cilët dublojnë veprimtarinë e strukturave të tjera të Albpetrol sha, si sektori ekonomik, sektori juridik, sektori teknik, etj. dhe madje këta sektorë të drejtorisë vazhdojnë ta kryejnë veprimtarinë e tyre, pa u mbështetur në detyra konkrete të përcaktuara në rregulloren e brendshme të Albpetrol. Roli i vërtetë i këtyre strukturave në veprimtarinë e Albpetrol sha, evidentohet qartë në rastin e Akt-Marrëveshjes së datës 28.02.2014, ku nga ana e administratorit të Albpetrol nuk është marrë parasysh propozimi i Drejtorisë së Shitjes dhe asaj të Financës për llogaritjen e kostos së transportit në 3,7 USD/BBL por u rëndua kostoja me 9 USD/BBL, ose edhe në rastin e Akt-Marrëveshjes së datës 04.04.2014, për të cilën mungon aprovimi i Drejtorisë Juridike, Drejtorisë së Shitjeve, Drejtorisë së Financës, Drejtorisë së Programimit dhe njëkohësisht në zbatimin e kësaj akt-marrëveshje është shmangur edhe QASHNG.

Dëshira për të fuqizuar Drejtorinë e Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe për të përqendruar brenda saj të gjithë veprimtarinë e drejtorive dhe sektorëve të tjerë të Albpetrol, ka shkuar deri aty sa me rregullore të brendshme të shoqërisë t’i njihet e drejta kësaj drejtorie që të auditojë kompanitë koncensionare, kompetencë kjo, e cila në bazë të Ligjit nr. 9729, datë 23.04.2007 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, i ndryshuar, i takon vetëm Drejtorisë së Auditit të Brendshëm, pra praktikisht kjo drejtori është përjashtuar nga kjo detyrë ligjore.

Pjesë e këtyre qëllimeve në administrimin e shoqërisë është edhe fakti që midis Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve, Drejtorisë së Prodhimit, të Financës dhe të Programimit, nuk ka patur rakordim përsa i përket llogaritjes së prodhimit paraekzistues (PPE) dhe pjesës (PPA) të “Albpetrol” sh.a., që kompanitë konçensionare i detyrohen Albpetrol. Madje, nga auditimi u konstatua që disa prej këtyre drejtorive nuk ju ishte vënë në dispozicion informacioni dhe dokumentacioni i nevojshëm mbi marrëveshjet dhe liçencë marrëveshjet, ai për llogaritjen e PPE dhe PPA, si dhe raportet mujore dhe 3-mujore.

Shkeljet e mësipërme, të konstatuara nga auditimi i KLSH-së, janë favorizuar së tepërmi nga mënyra se si Albpetroli është strukturuar dhe ka funksionuar gjatë kësaj periudhe, nën drejtimin e Administratorit të kësaj shoqërie, i cili ka mënjanuar drejtori të caktuara të kësaj shoqërie nga kryerja e funksioneve të tyre.

 

7. Problemet e mbartura ndër vite me Sindikatën e Naftës

Gjatë kësaj periudhe, në adresë të KLSH si dhe të institucioneve të tjera të larta të vendit kanë ardhur shumë ankesa nga Sindikata e Nxjerrjes së Naftës Patos, përsa i përket largimeve të padrejta nga puna, problemet në lidhje me përfitimin e pensioneve, etj.

Nga auditimi rezultoi se struktura organizative e Albpetrol sh.a. ka pësuar ndryshime. Numri i punonjësve është rritur me 219 punonjës (nga 1868 në 2087) dhe numri i administratës së Albpetrol është rritur me 21 punonjës (nga 129 në 150), veprime këto të cilat kanë sjellë deri më sot një efekt financiar në buxhetin e shoqërisë prej 84,928,878 lekë. Kjo shtesë e bërë në numrin e punonjësve dhe administratës është e pajustifikuar në raport me rritjen e të ardhurave financiare të shoqërisë dhe është në kundërshtim me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës nr. 5 datë 13.11.2013 “Për miratimin e strukturës së shoqërisë Albpetrol sha, dhe numrit të punonjësve të shoqërisë”, për 1868 punonjës, VKM nr. 106 datë 01.02.2012 “Për trajtimin e punonjësve që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të shoqërisë Albpetrol sha, Patos”, si dhe Udhëzimin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nr. 12 datë 03.09.2013 “Për zbatimin e VKM nr. 106 datë 01.02.2012 “Për trajtimin e punonjësve që dalin të papunë nga procesi i ristrukturimit të shoqërisë Albpetrol sha, Patos””.

Trajtimi i personelit në gjithë këto vite, nga 1997 e deri sot, është kthyer në një problem të mprehtë social. Shumë prej çështjeve të mësipërme kanë qenë objekt edhe i ankesave në Institucionet më të larta të vendit, të bëra nga Sindikata e Nxjerrjes së Naftës Patos, të cilat nga auditimi i KLSH kanë rezultuar si të drejta. Konkretisht, përsa i përket kontratës kolektive të punës të vitit 2009, të lidhur ndërmjet “Albpetrol” sh.a. dhe Grupit të Organizatave Sindikale, nga “Albpetrol” sh.a., nuk është respektuar procedura e parashikuar në Ligjin nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, lidhur me rastet e pushimit kolektiv, pasi nuk ka asnjë korrespondencë që të vërtetojë që procedura është kryer me pjesëmarrjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, gjë e cila ka sjellë si pasojë penalizmin e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. në vlerën 73,535,189 lekë si pasojë e vendimeve të mëvonshme gjyqësore. Në lidhje me këtë çështje dhe problemet e shumta që e shoqërojnë atë, KLSH do t’i propozojë Kuvendit ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për analizimin e veprimtarisë dhe situatës së krijuar ndër vite në shoqërinë Albpetrol sha për këtë problem, në dobi të punonjësve ndër vite të Albpetrol dhe të vetë kompanisë.

Per shkeljet e konstatuara në lidhjen dhe zbatimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve si, edhe ato me fiktivitetin e konstatuar nga KLSH në bilancet vjetore të naftës së QASHNG, Patos KLSH ka depozituar në organin e Prokurorisë, kallëzimin penal me nr. 528/28, datë 24.09.2014 për Administratorin e “Albpetrol” sha dhe Dretorin e Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve dhe disa drejtues të tjerë të kësaj shoqërie, per konsumimin e elementeve për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe “Korrupsionit aktiv/pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.

KLSH ka rekomanduar zgjidhjen e kontratës së punës për 6 drejtues të “Albpetrol” sh.a dhe dhënien e vërejtjes me paralajmërim për zgjidhjen e kontratës për 18 punonjës të kësaj shoqërie.

Theksojmë se ky kallëzim penal vjen në vazhdën e kallëzimit penal nr. 246/17, datë 03.09.2014, që KLSH depozitoi pranë organit të Prokurorisë ndaj administratorit të “Albpetrol” sh.a., me akuzën e “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, parashikuar nga neni 235 i Kodit Penal, pasi gjatë periudhës së kryerjes së këtij auditimi nga KLSH, Administratori i “Albpetrol” sha nuk pranoi të vinte në dispozicion të audituesve të KLSH-së dokumentacionin e kërkuar në lidhje me marrëveshjet e hidrokarbureve, të cilat sipas tij ishin konfidenciale.

Në total, nga auditimi i KLSH ka rezultuar që shuma e të ardhurave të munguara të Albpetrol sha si pasojë e detyrimeve që kompanitë koncensionare kanë ndaj kësaj shoqërie shkon në miliona Euro. Këtu përfshihet edhe detyrimi që një kompani koncensionare ka ndaj Albpetrol si pasojë e moslikuidimit të blerjes së karburantit, në shumën rreth 9,1 milion USD dhe penalite mbi 640 mijë USD, për të cilat deri më datën 07.08.2014 (datë në të cilën ka përfunduar auditimi), Albpetrol dhe Avokatura e Shtetit nuk kanë bërë kërkesë padi për vjeljen e këtij detyrimi.

Gjithashtu, në të ardhurat e munguara përfshihet edhe detyrimi në vlerën 3,424,751,771 lekë që shoqëria “Armo” sh.a. Fier i ka Albpetrolit. Në lidhje me këtë detyrim, deri më datën 07.08.2014, Albpetrol sha nuk kishte bërë kërkesë padi në gjykatë për arkëtimin e detyrimit, por një dite pas dorëzimit të procesverbalit të KLSH nr. 43, datë 07.08.2014, Albpetroli i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me kërkesë padinë nr. 6408, datë 08.08.2014 duke zbatuar një rekomandim të dhënë nga KLSH që më 06.09.2013, të cilin më parë e kishte zbatuar vetëm për interesat dhe jo për Principalin.

Deri më datën 07.08.2014, datë në të cilën ka përfunduar auditimi nga “Albpetrol” SH.A. Patos dhe deri më datën 27.09.2014 që rekomandimet e këtij auditimi janë përcjellë në Albpetrol, nuk është kryer arkëtimi i vlerës 5,374,448,702 lekë (3,424,751,771 lekë detyrim principal dhe 1,949,696,931 penalitet për kamatë vonesa), nga Shoqëria “Albpetrol” SH.A. Patos, por e rëndësishme është që Albpetroli i është drejtuar gjykatës më datë 08.08.2014

Dëmi i shkaktuar si pasojë e veprimeve apo mosveprimeve të deritanishme të Administratorit të shoqërisë “Albpetrol” sh.a.(manipulimi me çmimet, me cilësinë e naftës, etj.) është shumë herë më i madh sesa ai i konstatuar nga KLSH. Institucioni beson se rezultatet e një hetimi të plotë nga Prokuroria, vlerësimet e ekspertëve të fushës së naftës dhe konkluzionet e një grupi të përbashkët auditimi ndërmjet Ministrisë dhe AKBN, që KLSH ka rekomanduar të ngrihet për të audituar jo vetëm gjithë aktivitetin e shoqërisë por edhe kompanitë koncensionare (pa cënuar në asnjë rast në rrugë joligjore të drejtat e këtyre kompanive), do të paraqesin realitetin dhe përmasat e vërteta të këtij dëmi të madh, jo vetëm ekonomik.