Hungaria çon në gjykatë planin e BE-së për migrantë

493
Hungaria ka thënë se ka ngritur ankesë në gjyq kundër planit të Bashkimit Evropian për shpërndarjen e migrantëve në vendet anëtare, në bazë të sistemit me kuota. Një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë ka konfirmuar se rasti është ngritur në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë, raporton AFP. Ministrat e Brendshëm të BE-së kanë miratuar në shtator planin për shpërndarjen e 120,000 migrantëve, pavarësisht kundërshtimeve nga disa vende. Sllovakia ka ngritur ankesë të ngjashme në gjyq të mërkurën.
Gazetat kombëtare në Hungari sot kanë botuar reklama të qeverisë, që sulmojnë planin e BE-së. Njëri nga mesazhet ka qenë: “Kuotat rrisin kërcënimin terrorist”. Rreth 850,000 njerëz, shumica të ikur nga lufta në Siri, kanë hyrë në vendet e Bashkimit Evropian këtë vit. Është kjo kriza më e rëndë e migrantëve në Evropë qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Këtë javë, Turqia dhe Bashkimi Evropian kanë arritur një marrëveshje për të frenuar fluksin e migrantëve që arrijnë në Evropë. Në bazë të marrëveshjes, Turqia do të fitojë 3 miliardë euro dhe koncesione politike, në këmbim të forcimit të kufijve dhe mbajtjes së migrantëve në vend.
Sigal