Testimi i mësuesve, PD: Kundër ligjit, PS: Ata që e rrënuan të heshtin

488
Sigal

TIRANË – Ndërsa ish-ministri i arsimit, Genc Pollo ka akuzuar qeverinë se organizimi i testimit për mësuesit është në shkelje me ligjin. Ka reaguar pas deklaratës së tij, deputeti socialist Besnik Bare i cili u shpreh se ata që e zhytën arsimin në batakun më të errët bëjnë mirë të heshtin.
 
Testi i mësuesve, Pollo: Fyes për arsimtarët, në shkelje me ligjin
Deputeti i Partisë demokratike, Genc Pollo e ka cilësuar shkelje të ligjit testin që organizoi Ministria e Arsimit për vendet vakante në sistemin para universitar.

“Nuk mund dhe nuk duhet të licencohen punonjësit që kanë vite pune në sistem, licensimi vlen për të diplomuarit që punësohen për herë të parë përmes provimit të shtetit.”- ka theksuar ndër të tjera Pollo.
 
Një testim të pabazuar në ligj, por vetëm për të hequr vëmendjen nga skandali i të emëruarve të Ramës e cilëson Pollo provimin e djeshëm.

Bare: Ata që rrënuan Shqipërinë më mirë të mos flasin

Pas deklaratës së deputetit demokrat, Genc Pollo, ka reaguar edhe socialisti Besnik Bare i cili akuzoi qeverinë e kaluar se e la vendin me 1 milion të papunë dhe tashmë krenohen për plagët që i kanë hapur vendit. 

Duke u ndalur te deklarata e bërë më parë nga Pollo, Bare theksoi se si mund të gjejë moral e të flasë ish Ministri i Arsimit i qeverisë Berisha, që e ktheu sistemin arsimor në një treg shitblerje diplomash.


“Nuk skuqen kur flasin për arsimin të cilin e zhytën në batakun më të errët. Gropa që qeveria e PD ka lënë është e madhe. Ka shumë për të bërë. Por të paktën ata që e rrënuan bëjnë mirë të heshtin”- tha deputeti i Partisë Socialiste.


Deklaratë për mediat e deputetit socialist, Besnik Bare
Flasin për punësimin kur e lanë Shqipërinë me 1 milionë të papunë mes të cilëve mijëra e mijëra skllevër në të zezë. Ndërkohë që vetëm në një vit kemi më shumë se 81 mijë vende të reja pune dhe punonjës të rinj të regjistruar. 

Flasin për energjinë kur e lanë sistemin energjitik në prag të kolapsit dhe kompaninë me 1.1 miliardë dollarë borxhe. Ndërkohë që vetëm në një vit është bërë për rimëkëmbjen e sistemit e të Kompanisë çfarë s’është bërë në 20 vjet bashkë. 

Flasin për çdo gjë që rrënuan dhe madje krenohen duke treguar me gisht qeverinë sot për plagët që ata vetë ia hapën vendit. Madje s’u skuqet faqja të flasin edhe për arsimin që e zhytën në batakun më të thellë e më të errët të këtyre njëzet vjetëve. 

Si mund të gjejë moral e të flasë ish Ministri i Arsimit i qeverisë Berisha, që e ktheu sistemin arsimor në një treg shitblerje diplomash që fatmirësisht sot po kthehet në normalitet pas mbylljes së kioskave universitare që vidhnin paratë e shqiptarëve pa pasur as licencë e as pedagoge për të dhënë mësim. 

Gropa që la pas qeveria e Partisë Demokratike gjatë tetë viteve të fundit është e madhe, edhe në arsim. Sigurisht që ka ende shumë për të bërë, por të paktën ata që për tetë vjet e rrënuan arsimin e Shqipërinë, sot është më mirë të heshtin.

Faleminderit!

 
Deklarata e plotë të Genc Pollos për testimin e mësuesve 
Në zakonin e keq të mohimit apo nxirjes së gjithçkaje që është krijuar në Shqipëri para ardhjes së tij në pushtet, në vijim të fyerjeve ndaj mësuesve të cilët, kur ishte shef opozite, i quante analfabetë, të gjithë e padallim, Edi Rama në fjalimin e fundit arriti kulmin e brutalitetit gjuhësor dhe ofendimit të  shkollës shqipe por dha edhe sinjalin se po nis një raprezalje politike-klienteliste  siç ka bërë me nëpunësit civilë.

Partia Demokratike ka një mesazh të thjeshtë për mësueset e mësuesit tanë:
Mbajeni kokën lart për gjithçka keni bërë e po bëni për shkollimin e fëmijëve e të rinjve. Qytetarët ju nderojnë; nxënësit ju duan. Ju keni merituar shumë e meritoni edhe me shumë.
 
Gjatë qeverisjes së PD-së u dyfishuan investimet në arsim, si në paga ashtu edhe në godina shkollore, laboratore, etj. Reforma e shumëanëshme në arsimin parauniversitar ishte themelore dhe ka nevojë për konsolidim. Në interesin më të mirë të shoqërisë.
Ka korrupsion, klientelizëm, abuzime dhe sëmundje të tjera që prekin dhe shoqërojnë sfidat e progresit, përfshirë arsimin. Lufta kunder tyre është bërë e duhet të behët me vendosmëri, në vazhdimësi. Qeveria Rama-Meta ka patur avantazhin se ka trashëguar nga një ligj shumë të mirë për arsimin parauniversitar që është miratuar para dy vitesh në Kuvend me 91% të votave, me konsensus mazhorancë-opozitë.
 
Mirëpo çfarë doli qartë nga fjalimi i kryeministrit e nga faktet publike?
Doli se qeveria e tij nuk ka zbatuar ligjin në fuqi, por ka lejuar përkeqësimin e situatës duke politizuar në ekstrem drejtoritë arsimore rajonale, duke vendosur gjithandej militantë partiakë. Duke i lejuar, nxitur, urdhëruar ata të shkelin këtë ligj e të bëjnë vetë emërime, kuptohet kundrejt favoreve në para e në natyrë; ndërkohë që sipas ligjit kompetenca e emërimit nuk është e ministrit apo drejtorit rajonal por është e komisionit të vlerësimit në shkollën ku krijohet posti vakant.
 
Doli gjithashtu. se për të mbuluar dështimet e bujshmë në fushën e investimeve konkrete në shkolla dhe për shkollën, kryeministri merr si një alkimist i keq disa probleme reale që i ka përkeqësuar shumfish në qeverisjen e tij, dhe çfarë bën? I përzien dhe kërkon t’i japë ngjyrën e këtyre problemeve gjithë sistemit, për të mos thënë gjithë historisë së arsimit, duke fyer, kërcënuar e shantazhuar si kurrëndonjeherë gjithë mësuesit e Shqipërisë.
Në Vlorë, Edi Rama deklaroi se 1/3 e mësuesve janë jashtë profilit, domethënë rreth 11 mijë mësues. Të hënën tha se ishin rreth 1800 jashtë profilit. Së fundmi u shpreh se Shqipëria ka 177 mijë nxënës kur në fakt ka 550 mijë syresh. Luhatjet shifrore nuk i vijnë dhe aq nga kujtesa e dobët apo humori labil por parasëgjithash nga obsesioni i tij për të hequr nga puna “të huajt” e për të vënë aty “të vetët”.
 
Dje ndërmori nje testim të pabazuar në ligj e pa përdorim ligjor vetëm e për të hequr vemendjen nga skandali i të emëruarve të tij; skandal të cilin e cilësoi si majë ajsbergu por refuzoi të merrte përgjegjësi për këtë ajsberg të krijuar e zmadhuar këto 14 muaj nga qeveria e tij.
 
Jam sot këtu për ta denoncuar  formën dhe përmbajtjen e këtij qëndrimi skandaloz, që irriton mësuesit e ndershëm e të përkushtuar, qindra-mijëra prindër e nxenës, të cilët, megjithëse kohërat kanë ndryshuar, vazhdojnë ta kenë të shenjtë figurën e mësuesit.
Jam këtu për të  denoncuar projektin e raprezaljes që ka në mendje ky kryeminsitër me alibitë e lodhura që paraqet çdo javë.
 
Në emër të Partise Demokratike i kërkoj sot Edi Ramës të harrojë eksperimentet e revanshit dhe klientelizmit në arsim. Të respektojë ligjin dhe vetëm ligjin nga germa e parë në germën e fundit.
 
Sepse në kundërshtim me te gjithë normën ligjore në fuqi e praktikën e konsoliduar z.Rama kërkon të fusë në licensim të gjithë arsimtarët, pavarësisht diplomës si mësues që ata zotërojnë, pavarësisht kualifikimit të certifikuar prej shtetit shqiptar, vitet e punës e përvojën që kanë apo edhe pavarësisht liçensës të marrë vitet e fundit përmes Provimit të Shtetit.
Kundër ligjit kjo, pasi është e përcaktuar se kandidati për mësues kalon në një proces konkurimi, në shkollën ku dëshiron të punojë dhe që ka post vakant. Janë mësuesit e prindërit e nxënëseve të asaj shkolle në nje komision vlerésimi të cilët vendosin se cili nga konkurruesit është më i përshtatshëm dhe do të punësohet.
 
Nuk mund dhe nuk duhet të licensohen punonjësit që kanë vite pune në sistem, licensimi vlen për të diplomuarit që punësohen për herë të parë përmes provimit të shtetit.
 
Problemet e arsimit nuk përballohen duke ngritur furtunë nëpër govata, por me ligj. Dhe ligji në fuqi e zgjidh me realizëm e drejtësi edhe problemin e mësuesve pa asimin përkatës.
 
U bëj thirrje gjithë mësuesve, prindërve gjithashtu, të refuzojnë dhe të protestojnë me forcë kundër cdo veprimi të qeverisë që shkel ligjet në fuqi.
 
Ne do të ftojmë mësuesit dhe qytetarët në protesta masive të pandalshme. Derisa arbitrariteti dhe revanshi qeveritar të ndalet.