50 mijë vende pune në Gjermani, ja kush mund të aplikojë

554
Sigal

Mjafton
një zanat për të depërtuar në tregun gjerman të punës. Janë 50 mijë vende të
lira të shpallura nga Gjermania, por jo të gjitha këto kërkesa do të plotësohen
prej aplikantëve shqiptarë.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Artur Micko, sqaron për gazetën të
gjitha procedurat që do duhet të ndiqen prej atyre që janë të interesuar.
Kualifikimi i duhur dhe njohja e një gjuhe të huaj janë dy kriteret bazë që
kërkohen.

Përmes një interviste dhënë për
gazetën, Micko thotë se misioni i SHKP në gjithë këtë proces është thjesht dhe
vetëm informues. Në çdo zyrë pune do të jetë një sportel i posaçëm që do të
shërbejë për të orientuar qytetarët mbi hapat që duhet të ndjekin. Sa i takon
listës së profesioneve që kërkohen, është e larmishme, duke filluar nga
mekanik, agronom, hidraulik dhe deri tek infermierë, mjekë dhe farmacistë.

Kjo kërkesë e shtetit gjerman për
të mbushur boshllëqet e tregut vendës me forcë punëtore të kualifikuar ka
ngjallur interesin e shumë të rinjve, të cilët u janë drejtuar zyrave të punës
për të aplikuar.

Mësohet se vetëm në harkun e më pak
se dy viteve janë larguar nga vendi ynë rreth 800 profesionistë. Pjesa më e
madhe prej tyre janë mjekë dhe infermierë. Dëshira për të lënë vendin nuk është
nxitur vetëm prej kushteve më të mira, por edhe prej pagave më të larta.

Gjermania ka ofruar mundësi punësimi, duke shpallur 50 mijë vende
të lira pune. Cilat janë profesionet më të kërkuara?


Portali zyrtar gjerman “Make it in Germany” http://www.make-it-in-germany. com/
publikon prej shumë kohësh vendet vakante në Gjermani, ashtu sikurse publikojmë
edhe ne në faqen zyrtare të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, vendet vakante
online. Ka profesione të ndryshme që kërkohen, që në shumë raste janë shumë
specifike, si për shembull profesionet që kanë të bëjnë me përpunimin e
metaleve, mekatronikën, profesionet elektrike dhe elektroteknike, TIK, sigurimi
teknik në ndërtesa, mashinist treni, mjekësi dhe kujdesi shëndetësor etj.

Ministri Klosi ka thënë se nuk ka kuota të përcaktuara për vendin
tonë dhe se procesi i aplikimit është edhe konkurrim nga ku fiton më i miri…


Po. Nuk ka kuota të përcaktuara për asnjë vend, d.m.th., as për vendin tonë.
Theksoj edhe një herë se këto vende pune ofrohen për të gjithë të interesuarit,
brenda dhe jashtë BE-së, si dhe më gjerë.

Të mbetemi pak te mënyra e aplikimit, çfarë praktike ndiqet dhe
cilat janë kriteret e përzgjedhjes?


Procesi i aplikimit është i hapur për të gjithë, nuk ka kritere paraprake,
qofshin këto moshore, gjinore etj. E vetmja kërkesë që duhet përmbushur është
kualifikimi i duhur për vendin e punës. Pra në këto kushte mund të aplikojnë të
gjithë ata që plotësojnë kushtet për të përfituar një vend pune, ku natyrisht
kërkohen njohuri të gjuhës së huaj, në të shumtën e rasteve gjermanisht, si dhe
një dëshmi profesionale e njohur në Gjermani.

Në faqen e sipërpërmendur
përshkruhen në mënyrë të detajuar dhe të hollësishme procedurat e aplikimit në
4 gjuhë, përkatësisht në gjermanisht, anglisht, frëngjisht dhe spanjisht.
Sa i takon pozicionit që do të ketë Shërbimi Kombëtar i Punësimit në këtë
proces,më duhet të qartësoj se roli ynë do të jetë thjesht dhe vetëm informues.
Në çdo zyrë pune do të ngrihet një sportel i posaçëm, që do të informojë
qytetarët e interesuar mbi hapat që ndiqen.

Dy ditë më parë, në prezencë të
ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, u hap Qendra Gjermane e
Informimit për Migracion, Arsim profesional dhe Karrierë (DIMAK). DIMAK Albania,
së bashku me stafin e SHKP-së, do të ofrojë në një qendër të vetme informacione
në lidhje me mundësitë dhe rreziqet e migracionit, si dhe këshillime në lidhje
me çështjet që kanë të bëjnë me qasjen në tregun e punës në Shqipëri dhe
Gjermani. Qendra që është hapur tashmë në Tiranë, nuk do të jetë e vetmja. Të
gjitha zyrat tona të punës do të jenë të përgatitura dhe të trajnuara për të
dhënë informacionin e nevojshëm.

A ka afate të përcaktuara, domethënë sa kohë duhet nga intervista
deri në firmosjen e kontratës?


Nuk ka afate të përcaktuara, intervista mund të realizohet shpejt dhe kontrata
mund të firmoset pas përzgjedhjes. Më tej fillon procedura për aplikimin për
vizë, sepse leja e punës duhet të shoqërohet dhe me lejen përkatëse të
qëndrimit në Gjermani, që nënkupton aplikimin për vizë pune në Ambasadën
Gjermane. Të gjitha informacionet në lidhje me aplikimin për vizë për leje
qëndrimi në Gjermani mund të gjenden të përditësuara rregullisht në faqen
zyrtare të Ambasadës Gjermane në Tiranë, edhe në gjuhën shqipe.

Në Shqipëri ka edhe qendra trajnimi profesional të posaçme. Një
certifikatë e lëshuar prej tyre, a është garanci për të fituar vendin e punës?


Besoj e keni fjalën për mundësinë e një praktike profesionale, që është një
procedurë me vete dhe që ndryshon nga aplikimi për një vend pune. Nëse
përfundon me sukses një praktikë profesionale, mund të kesh një pikënisje të
mirë për aplikimin për një vend pune. Garancia e vendit të punës varet nga
aplikimi i suksesshëm dhe përmbushja e kushteve të sipërpërmendura.

Ajo që josh më shumë qytetarët janë edhe pagat e larta që ofrohen.
Keni dijeni ju se sa variojnë pagat për profesionet që përmendët?


Pagat dhe kushtet e punës janë në përputhje me standardet e tregut gjerman të
punës. Nuk mund të thuhen tarifa të sakta. /Panorama/