Prof. Dr. Shezai Rrokaj:Afatet dhe procedurat e shpalljes së fituesve të Doktoraturës në Fakultetin Histori-Filologji

434
Sigal

 INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Histori-Filologjisë, Prof. Dr. Shezai Rrokaj, për aplikimin e Doktoraturës

Edhe një ditë ka mbetur nga afati i aplikimeve për ciklin e tretë të studimeve, Doktoratura. Në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ka një numër kuotash të mjaftueshme, duke qenë se është edhe një nga fakultetet që ka sistemin e doktoraturës në të gjitha degët. Po ashtu ky fakultet ka edhe disa kritere të veçanta për përzgjedhjen e fituesve. Në lidhje me këto ka folur në një intervistë për “Telegraf”, dekani i këtij fakulteti Prof. Dr. Shezai Rrokaj.

 -Zoti Rrokaj, prej disa ditësh janë duke u zhvilluar aplikimet për sistemin e Doktoraturës. Si po ecën kjo fazë në fakultetin tuaj?

-Sistemi i aplikimeve për Doktoraturën ka filluar. Ka qenë një periudhë tre javore që ishte vënë në dispozicion të aplikantëve. Dhe sipas këtij afati, aplikimet duhet të mbylleshin në datën 15 mars, por është nxjerrë një urdhër i ri, i cili ka bërë që aplikimet të zgjasin deri në datën 20 mars, për shkak që të kenë më shumë mundësi ato aplikantë që nuk i plotësuan në kohë dokumentacionet. Nga pikëpamja teknike janë marrë të tëra masat për mënyrën se si do të procedohet. Pika e parë e rëndësishme janë të dhënat që duhet të kenë në dokumentacion dhe në anën tjetër janë rekomandimet që janë dhënë nga profesorët, po ashtu ka të bëjë dhe kërkesa që ka firmosur profesori udhëheqës. Pra, janë dy lloje dokumentesh që janë të rëndësishme dhe që janë duke u bërë gati dhe që duhet t’i paraqesë çdo kandidat për doktorant. Natyrisht, ne si fakultet kemi përcaktuar dhe rregullat e vlerësimit.

 -Si do të bëhet ky vlerësim nga Fakulteti i Histori-Filologjisë, cilat janë të veçantat?

-Në Fakultetin Histori-Filologji, prej tre-katër vitesh procedohet më mënyrë vlerësimi të tillë. Unë po ju them disa nga të veçantat që ka vlerësimi në fakultetin tonë. Mesatarja zë 40 pikë nga 100 të mundshme. Po ashtu fakti që punon në institucione shkencore në universitet edhe kjo zë një numër të caktuar pikësh. Po ashtu edhe fakti që ka një master ka pikët e veta. Po ashtu një tjetër element i rëndësishëm që i jep pikë aplikantit për të fituar Doktoraturën janë edhe botimet që mund të ketë. Pra përpiqemi që çdo aplikanti t’i japim atë që ai meriton dhe përpiqemi që mos t’i humbasim të drejtën për të ndjekur Doktoraturën. Po ashtu janë të pranishme edhe në faqen zyrtare të fakultetit informacionet më të detajuara për këtë fazë.

 -A është i mjaftueshëm numri i kuotave për fakultetin tuaj, si është ai në krahasim me kërkesat?

-Kuotat janë goxha të larta. Ne si fakultet mbahemi ndër fakultetet më të rëndësishme përsa i përket drejtimeve. Për të gjitha degët ne kemi kuota relativisht të mira dhe për herë të parë po shikojmë që ne kemi prurje me të vërtetë shumë të mira. Shpresojmë që studentët që kanë mbaruar ti plotësojnë me të vërtetë kërkesat dhe të ndjekin studimet dhe ne shpresojmë që të përthithim studentët më të mirë. Kuotat që na kanë ardhur janë ato që ne kemi kërkuar. Dhe numri në rritje i kuotave ka ardhur si nevojë që edhe ne si fakultet kemi pasur shumë kërkesa dhe normalisht që studentët që kërkojnë të ndjekin shkollën e Doktoraturës i plotësojnë kërkesat.

 -Nga mbyllja e fazës së aplikimit që është data 20, sa ditë duhen për shpalljen e fituesve?

-Në zbatim të rregullores që ka nxjerrë Këshilli i Ministrave dhe në zbatim të rregullores që ka nxjerrë këshilli i profesorëve, pranë çdo departamenti është miratuar tashmë Komisioni Ad-Hoc, i cili merret me shqyrtimin e dokumentacionit. Ky Komision Ad-Hoc drejtohet nga shefi i departamentit dhe në përbërje të tij janë profesorë që marrin pjesë edhe në këshillin e profesorëve sipas departamenteve që mbulojnë. Ne mendojmë që si fakultet ta mbyllim këtë proces të shqyrtimit të dokumentacionit një javë pas mbylljes së aplikimeve. Afërsisht i bie data 27 mars dhe një javë duhet për kalimin e tyre në sekretarinë e doktoratave dhe pasi i kaloj edhe një herë unë së bashku me zëvendësdekanin që ndjek procedurën për Këshillin e Profesorëve. Mbas një jave pas kalimit në Këshillin e Profesorëve plotësohen tërë vendimet e marra dhe më pas unë si dekan firmos vendimin për të gjithë ato që janë pranuar nga Këshilli i Profesorëve.

 -Fakulteti Histori-Filologji, ka një numër të konsiderueshëm kuotash, a e keni numrin e mjaftueshëm të profesorëve me grada për të udhëhequr doktorantët?

-Për fat të mirë në raport me shumë fakultete të tjera Fakulteti i Histori-Filologjisë për vetë natyrën që ka një ekip akademikësh të një niveli shumë të lartë. Ne kemi mbi 20 profesorë doktorë dhe mbi 17 profesorë të Asociuar. Po ashtu një pjesë e mirë e doktorantëve që kanë mbaruar jashtë shtetit mund të udhëheqin. Pra kemi një ekip të mjaftueshëm, për të respektuar edhe rregulloren e re që ka ardhur nga këshilli i ministrave, ku profesorët e brendshëm duhet të udhëheqin vetëm 5 doktorantë, profesorët e Asociuar dy dhe profesorët e jashtëm një doktorant. Unë besoj që do të zbatojmë këtë kriter dhe në rast se do të shikojmë që do të ketë më shumë doktorantë, ne do i ngarkojmë me më shumë doktorantë profesorët tanë. Kjo do të bëhet në mënyrë që të mos ngelen doktorantë pa udhëheqës.

 -Një problem më vete për fakultetin tuaj ka qenë edhe problemi i mungesës së ambienteve. Çfarë po bëhet në drejtim të kësaj çështjeje?

-Ne kemi siguruar kushtet optimale, jo vetëm për problemin e dritave apo ngrohjes, sepse i kemi të gjitha kushtet për këtë, por ne e kemi zgjatur mësimin deri në orët e vona. Këtu mësimi bëhet deri në orën 7 apo 8 të darkës, por mund të ju them që mësimi bëhet si në të gjitha vendet e botës me turne. Kështu që mungesën e ambienteve e kemi plotësuar me shtrimin e orarit deri në orët e pasdites.

 -Po realisht a do të ketë ndonjë zgjidhje për këtë çështje, për vitin tjetër akademik ndoshta?

-Ju e dini që ne jemi në pritje të çeljes së kampusit të ri. Jemi duke rezervuar të holla nga të ardhurat e studentëve, por natyrisht që kemi bërë kërkesë edhe bashkisë që të japë lejen e ndërtimit, po ashtu i jemi drejtuar edhe qeverisë që të japi fondin e saj. Me tu ndërtuar ky kampus do të marri zgjidhje edhe problemi i ambienteve.

 -Si do të bëhet pagesa e tarifës së ciklit të tretë të Doktoraturës?

-Tarifa e shkollimit për programin e studimit të ciklit të tretë, të doktoratës, që sipas vendimit të Këshillit të Ministrave është në vlerën 216.320 lekë do të paguhet nga studentët e shkollës doktorale, për të cilët programi është trevjeçar, në tri këste:

-Kësti i parë 72,000 lekë,

-Kësti i dytë 72,000 lekë,

-Kësti i tretë 72,320 Lekë,

Këto këste i korrespondojnë çdo viti që është kohëzgjatja e programit.

Ndërsa, për studentët e doktoraturës që e kanë programin 2 vjeçar, e njëjta pagesë, do të ndahet në dy këste të barabarta:

-Kësti i parë 108,160 lekë,

-Kësti i dytë 108,160 lekë, që i korrespondon çdo viti që është kohëzgjatja e programit.

Gjithashtu, janë në fuqi tarifa e aplikimit prej 2,000 lekë për studentët aplikonte dhe tarifa e regjistrimit 5,000 lekë për studentët fitues të programit të doktoratës.

Dokumentet që do të dorëzohen nga aplikanti me firmën e tij dhe të laborantes së departamentit përkatës.

-Curriculum Vitae

-Kërkesë personale

-Kopje e noterizuar e Masterit Shkencor, ose të diplomës së integruar të nivelit të dytë (DIND), ose diplomës sipas sistemit të vjetër apo titullit akademik të barasvlershëm të fituar jashtë vendit dhe të njohur nga organet kompetente.

– Kopje e noterizuar e diplomës SHPU, Master i nivelit të dytë (MND), e shoqëruar me listën e notave.

-Të gjitha dëshmitë që kanë të bëjnë me kurset e kualifikimit, botimet etj

-Kopje të Kartës së Identitetit

– Numër kontakti

-2 rekomandime (nga një profesor, profesor i asociuar ose docent)

-Deklaratë nga udhëheqësi shkencor i cili është dakort për të udhëhequr kandidatin.

-Deklarate vetjake e studentit për përballimin e shpenzimeve të programit të studimeve të doktoratës.

-Të paraqesë një projekt propozim për temën e doktoraturës dhe një platformë të shkurtër të Doktoratës, si dhe udhëheqësin që kandidati mendon se mund ta udhëheqë

– Mandatin bankar të arkëtimit të tarifës së regjistrimit të dokumenteve.