Vrasja e 11- vjeçarit, qytetarët kërkojnë referendum për dënimin me vdekje të pedofilit

545
Sigal

Zbulohen fakte të tjera nga abuzimet e pedofilit, policia numëron dështimin e radhës 

Qytetarët e revoltuar kërkojnë referendum për dënimin me vdekje të monstrës së Laprakës. Një pedofil ka tentuar t’i marrë nderin një shoqërie të tërë, i ndihmuar nga mungesa e profesionalizmit të policisë militante shqiptare, e cila në këtë rast ka treguar se nuk ka asnjë lidhje me profesionin që ushtron. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo vrasje e 11-vjeçarit, e cila na ka rrëzuar të gjithëve përtokë, kryepolici Hysni Burgaj deklaron se, ka shpëtuar nga vrasja një fëmijë tjetër, 10-vjeçar.  Por në fakt, zbulimi është bërë nga punonjësit e gjelbërimit të bashkisë, të cilët shkuan në shtëpinë e mostrës në Laprakë dhe më vonë njoftuan policinë. Se po të ishte për uniformat blu, as që mund të pritej hedhja e ndonjë dyshimi ndaj kriminelit Ardian Prrenjasi. Policia ka njoftuar në rrugë të ndryshme zyrtare dhe jozyrtare se ishte duke mbikëqyrur lëvizjet dhe hyrje – daljet, në shtëpinë e Ardian Prrenjasit, por kjo është një gënjeshtër me bisht. Dhe nëse është e vërtetë, atëherë, del se policia jonë është në gjendje nokdauni. Sepse pikërisht në ditët e “mbikëqyrjes”, pedofili arriti të fusë në kurth, një 10-vjeçar tjetër, nën hundën e gjumashëve të policisë. Në Bibël shkruhet se: “Kush shpëton një jetë njeriu ka shpëtuar një botë të tërë”, ndërsa “ndaj atij që merr një jetë njeriu, më e madhja mëshirë është me qenë i pamëshirshëm”. Por policia jonë, në këto 23 vjet ka qenë e pamëshirshme me qytetarët e ndershëm të këtij vendi dhe ka qenë e mëshirshme, apo e urtë para kriminelëve.  Edhe sa kohë vallë do të vazhdojë kjo lloj policie, t’i bjerë këtij avazi me çifteli, apo fyell?

Zbulimi

Vrasja e Julianit u zbulua vetëm pas rrëmbimit dhe abuzimit që kreu pedofili me një 10-vjeçar, të cilin vetëm fati e shpëtoi nga kthetrat e monstrës. 10-vjeçari A.C është mbajtur peng dhe abuzuar seksualisht për 24 orë në një shtëpi në Laprakë, nga maniaku seksual Ardian Prenjasi. Zbulimi shokues, u bë nga miqtë e Prenjasit, punëtorë në Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit, të cilët kishin “mësyrë” në shtëpinë e këtij të fundit, për shkak se prej dy ditësh ai mungonte në punë dhe nuk dinin asgjë për fatin e tij. Pasi kanë thirrur në emër të tij dhe s’kanë marrë përgjigje, ata kanë hyrë në shtëpi përmes dritareve, ku kanë zbuluar krimin makabër. Por, krimet e Ardian Prenjasit duket se nuk paskan fund. Prokuroria ngre dyshimet se një tjetër fëmijë është bërë pjesë e veprimtarisë kriminale të Prenjasit. Policia ka ngritur të tjera dyshime që lidhen me pedofilin Ardian Prenjasi. Mësohet se 45-vjeçari kujdesej shpesh për djalin e mitur të shoqes së bashkëjetueses së tij, me të cilin dyshohet se ka abuzuar seksualisht. Mësohet se, policia po heton edhe mundësinë që Prrenjasi të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë.

Familjarët e monstrës: Në litar!

Fill pas arrestimit të “monstrës”, 45-vjeçarit Ardian Prenjasi, familjarët e tij i bënë thirrje drejtësisë të japë dënimin maksimal për të. Dy vëllezërit, nënën 75-vjeçare dhe motrën, i gjejmë në shtëpi. Ndërsa kanë mbyllur dyer dhe dritare, ata vetëm qajnë e mallkojnë. Në një prononcim për “GSH”, e ëma, Sanije Prenjasi tha se i biri ishte dënuar në Greqi për pedofili me 4 vjet burg. Edhe atje, akti monstruoz ishte kryer ndaj një fëmije të një çifti emigrantësh shqiptarë. “Që pas kthimit nga ushtria kemi konstatuar devijime. Është dënuar në Greqi për pedofili me 4 vjet burg. Pas kthimit që andej, kujtuam se u rehabilitua, u fejua. Kur ishte në prag të martesës, një rast tjetër ndodhi në Prrenjas. E denoncuan sërish, filloi procesi gjyqësor, por nuk është dënuar”, – tregon e ëma. Edhe vëllezërit e 45-vjeçarit “monstër”, Besnik dhe Fabian Prenjasi pohojnë se ai është denoncuar për pedofili, madje, dyshohet të jenë 4 raste në Prrenjas. “Që atëherë e dëbuam nga shtëpia. Ka ardhur vetëm një herë për një sebep, me këmbënguljen e gjithë fisit. Prej një viti e gjysmë u lidh me një vajzë të mirë dhe menduam se do martoheshin dhe s’do kishte më probleme”, – shprehen ata. Familja kërkon nga drejtësia që ta varë në litar Ardianin.

Në Prenjas 

Qytetarët e Përrenjasit kërkojnë dënimin me vdekje për mostrën Ardian  Prrenjasi. Ku sipas tyre nga ky person ka dhe mjaftë raste të përsëritura  në këtë qytet dhe janë mbyllur  madje rastet janë brenda të afërmeve dhe qytetarëve të mostrës.  Sipas banorëve, Ardian Prrenjasi është një person i rrezikshëm  dhe ata kanë frikë, se ai mund të vijë nesër dhe të marrë fëmijën e tyre, ndaj i luten shtetit që ky person të dënohet me vdekje, ose të varet  para bashkisë së Prrenjasit,  që të gjithë ta shikojnë se mori dënimin e duhur Ndërsa, motra e Ardian Penjasit shprehet, për gazetën “Telegraf”,  se do t’i kërkojë shtetit vetëm 5 minuta takim dhe do ta vras vetë në syrin e të gjithë publikut, vetëm policia të më ofrojë 5 minuta kohë.

Zanafilla e vrasjeve

Historia monstruoze për Ardjan Prrenjasin, nis që në vitet ‘89-‘90 -të.

Në Prrenjas familja e tij, motra dhe vëllezërit janë ngujuar. Ata e njohin profilin e njeriut të tyre dhe i druhen hakmarrjes.

Thuhet se pas lirimit nga Ushtria ka shfaqur dhe shenjat e para.

Denoncohet dhe arrestohet për ngacmim seksual.

Me këtë akuzë kalon shtatë vjet të jetës së tij në burg.

Pasi lirohet, emigron në Greqi ku thuhet se edhe atje ka precedentë.

Kthehet në familje rreth viteve 2000. Por nuk ndalet në sulmin e tij ndaj fëmijëve. Në vitin 2004 arrestohet. U akuzua për ngacmim të nipit 11 vjeçar, djalit të motrës dhe një bashkëmoshatarit të tij. Dy fëmijët u mbajtën në makinë nga manjaku, një natë jashtë shtëpive të tyre. Policia bëri arrestimin e tij, por dy ditë më pas u la i lirë. Familjarët tërhoqën padinë dhe morën një vendim tjetër. E degdisën nga familja dhe i kërkuan të mos shkelte më në Prrenjas. Nga ky moment vrasësi i fëmijëve është futur në vorbullën e metropolit.