Pse nuk ndëshkohet korrupsioni në Universitetin e Durrësit

523
Sigal

Shtohen rastet e denoncimeve nga studentët në redaksi gazetash dhe Prokurori

Jo në pak raste vitet e fundit, korrupsioni në universitete ka qenë objekt i punës së mediave pas denoncimeve nga studentë dhe segmente të tjera të shoqërisë. Por, me gjithë përpjekjet e shumta për ta denoncuar, duket se korrupsioni po del “fitimtar” ndaj denoncimeve publike, në organet e hetimit, duke sfiduar ligjin. Konkretisht, duke u ndalur në Universitetin e Durrësit, muajt e fundit vërehen rritje të fenomenit të korrupsionit, duke e kthyer në diçka normale, si një rit që studenti duhet ta zbatojë, mëson apo nuk mëson, sepse ndryshe ndëshkohet nga pedagogu lëndës. Muajt e fundit rastet e denoncimit të aferave korruptive për të marrë notën kaluese në radhët e studentëve janë shtuar dhe megjithëse nën zë, ato duket se kanë mbërritur në redaksi gazetash dhe zyrat e Prokurorisë. Konkretisht, disa prej Fakulteteve në Universitetin “A.Moisiu” në Durrës, janë kthyer në vatra korrupsioni, ku një pjesë e pedagogëve e kanë kthyer në biznes punën e tyre,  dhe sekserët e tyre e deklarojnë taksative se “nuk ka notë 5 pa dhënë lekët, madje shpesh kërkojnë edhe euro”. Ky fenomen kaq negativ, u  konstatua edhe gjatë sezonit të provimeve, ku studentët  provimet i dhanë duke paguar  sekserët apo direkt pedagogun e lëndës. Korrupsioni periodikisht është ngritur në sistem, pra funksionon një rrjet sekserësh që lidhen me pedagogët, por lidhjet e tyre nuk mungojnë edhe me persona të tjerë. Problemin në fjalë, pra rritjen e shkallës së korrupsionit, dhe denoncimet e studentëve, e dinë mjaft mirë  edhe drejtuesit e Universitetit dhe Prokuroria, e cila ka nisur hetimet e saj, që duhet thënë se kanë qenë jo transparente dhe  sipërfaqësore. Në organin e akuzës janë regjistruar dhjetëra akuza dhe denoncime ndaj pedagogëve, aq sa Prokuroria u detyrua të ngrejë një grup hetimor dhe të nisë përgjimet e celularëve të pedagogëve të akuzuar. Megjithëse, sekret nga hetuesit, mësohet se janë disa pedagogë që akuzohen për afera korruptive, marrje ryshfeti nga studentë, të afërm dhe familjaret e tyre e sjellje harbute ndaj vartësve dhe studenteve. Madje në Prokurori janë depozituar edhe regjistrime të filmuara dhe inçizuara nga viktimat e pedagogeve dhe dekanëve, duke u dhënë paratë në lokale, zyra e ambiente të tjera jashtë universitetit. Korrupsioni në Universitetin e Durrësit është konvertuar në sistem, aq sa thuhet se: “ ka pedagogë që në qoftë se nuk marrin gjobën e çdo provimi, jo vetëm të ngelin, por nuk ke shans ta marrësh provimin edhe në sezonin tjetër”. Situata në Universitetin e  Durrësit mbetet shqetësuese dhe kërkon ndërhyrje urgjente nga strukturat e shtetit, por edhe dënimin nga opinioni  publik. Marrja e pedagogëve të veçantë me afera korruptive, duket se po i prish  përgjithmonë imazhin Universitetit të Durrësit. Hetuesit po gjurmojnë lidhjet e falsifikatoreve me pedagogë  apo edhe zyrtarë të tjerë atje. Universiteti i Durrësit, ka nevojë urgjente për reforma radikale, për largimin e celulës së pedagogeve dhe dekanëve te korruptuar, që po majmen  duke zhvatur studentët dhe duke nxjerrë  breza mediokrish  nga auditorët. Universiteti Durrësit  i këtij qyteti me tradita në fushën e arsimit, e kulturës, meriton  një vëmendje më të madhe nga shteti, por mbetet njëherazi edhe një detyrim i strukturave të shtetit të  diskreditojnë dhe dënojnë zhvatësit e xhepave të studenteve dhe matrapazët e vlerave themelore të institucionit të arsimit të lartë.