Publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti, në një intervistë të tij dhënë disa vite më parë, shprehte keqardhje për një opinion të përhapur gjerësisht tek maqedonasit, sipas të cilit “nuk ka shqiptar që s’blihet, është vetëm çështje çmimi!” Këtë opinion e patën edhe italianët gjatë pushtimit fashist, kur thoshin se “Në Abissini, ndonse ofronim shuma të konsiderueshme, nuk gjenim dot vendas që të spiunonin njëri-tjetrin, kurse në Shqipëri ata i gjenim thuajse falas!”
Por sigurisht, si çdo gjë, edhe kohët ndryshojnë: I shituri i dikurshëm, sot bëhet blerës, pa pyetur edhe për çmimin! Kushedi sa do të ketë kostuar kjo “puthja” në publik e znj. Kos për Edi Ramën, sidomos në një event si ky, kur bëhet fjalë për antarësimin e pritshëm të Shqipërisë në BE, një ëndërr që po ua bën realitet shqiptarëve vetëm PS-ja, trashëgimtarja e partisë të dikurshme të Enver Hoxhës!Thoni çfarë të doni, thellë-thellë ndjehem mirë, kur një bashkëkombasi imi, edhe me paratë e mia (taksat), sot arrin të blerë europjanë të pushtetshëm apo të sjellë nga përtej oqeanit, fëmijët dhe dhëndurët e miliarderit Trump, për të bërë një “dorë paresh” (dollaro) në një vend të vogël dhe të varfër si Shqipëria jonë! Vërtet një arritje historike!
Po jetojmë ditë që brezi im as në ëndërr s’kishte guxuar t’i shihte. Me intuitën e një gjirokastriti elitar këtë të vërtetë e dinte qysh herët, Ismail Kadare, kur vargëzonte plot frymëzim poemen e tij…”Ku të t’i kërkoj rrënjët e tua Parti!…Si një rap madhështor…..etj, etj”Vërtet nuk i gjen dot sa thellë janë përhapur këto rrënjë!




















