Prof. Dr. Sulo Hadëri: “Shtyhet regjistrimi i masterave full- time pas 7 tetorit, të mbarojë dhe procesi i provimit”

585
Sigal

INTERVISTA/ Flet Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Sulo Hadëri, lidhur me regjistrimin e masterave, procedurën e përzgjedhjeve të kandidatëve, sistemi 4-vjeçar dhe tarifa e kërkuar

Ndërsa në fakultetet e tjera kanë filluar regjistrimet në programet e masterit, Fakulteti ekonomik ende nuk e ka nisur këtë proces. Për këtë, shkak është bërë bojkoti mësimor, si reagim i fakultetit ndaj uzurpimit të territoreve përreth tij. Por në reflektim të zhvillimeve pozitive në këtë drejtim, fakulteti Ekonomik vijoi me fillimin e procesit mësimor, momentalisht me zhvillimin e provimeve të vjeshtës. Dhe fill pas mbarimit të tyre do të vijohet me regjistrimet në programin e masterit. “Ndërkohë, duke qenë se një pjesë e mirë e studentëve që janë në sezonin e vjeshtës janë pa u diplomuar, gjithashtu dhe një pjesë e sezonit të korrikut kanë shtyrë diplomat, gjithashtu për në vjeshtë, jemi të detyruar të presim diplomimin e tyre që të mos i përjashtojmë nga aplikimi”, shprehet në një intervistë për “Telegraf”, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Sulo Hadëri. Kështu, sipas Hadërit, është vendosur që regjistrimi i masterave full- time të shtyhet pas javës së parë të mësimit, pasi të mbarojë dhe procesi i provimit të studentëve.

 Sipas udhëzimit të MASH në datën 18 shtator kanë filluar në të gjitha universitetet publike regjistrimet në programin e masterit, procedurë që zgjat deri në 1 tetor. Si po shkon kjo procedurë tek ju?

Së pari, ju falënderoj që i nisët pyetjet me mësimin, me një aktivitet që është thelbi i institucionit tonë, krahas studimit shkencor dhe nuk e nisët me pyetjet që bëhen rëndom këto kohë në lidhje me bojkotin dhe problematikën që kemi pasur neve me territoret përreth, me uzurpimin e tyre, për të cilat janë pasqyruar gjerësisht në media, lidhur me këtë shqetësim kaq të madh që ka Universiteti i Tiranës, në veçanti Fakulteti i Ekonomisë. Kështu në reflektim të zhvillimeve pozitive në këtë drejtim, vendosëm fillimin e procesit mësimor, por ndërkohë, duke qenë në këtë proces shumë aktivitete ne na janë shtyrë në kohë. Sapo kemi filluar procesin e provimeve, të cilat u shtynë për shkak të pedagogëve dhe studentëve për të pezulluar procesin mësimor deri në reagimin e organeve përkatëse shtetërore dhe gjyqësore. Përsa i përket masterave, në bazë të udhëzimit që ju cituat, masterat full-time duhet të mbarojnë regjistrimin në 1 tetor dhe të fillojnë mësimin në 7 tetor, siç e kërkon procedura, në datën që është përcaktuar nga Ministria e Arsimit për fillimin e vitit të ri akademik. Ndërkohë, duke qenë se një pjesë e mirë e studentëve që janë në sezonin e vjeshtës janë pa u diplomuar, gjithashtu dhe një pjesë e sezonit të korrikut kanë shtyrë diplomat, gjithashtu për në vjeshtë, jemi të detyruar të presim diplomimin e tyre që të mos i përjashtojmë nga aplikimi. Pasi dhe në politikat tona si fakultet, një nga kriteret bazike, një nga detyrimet tona bazike për të gjithë ata që mbarojnë fakultetin tonë, është t’u përgjigjemi në të gjithë ciklin e studimeve, të gjithë atyre që dëshirojnë të vazhdojnë në fakultetin tonë.  Ne kemi detyrimin moral ligjor për t’u ofruar këtë shërbim, siç është arsimimi në nivelin e dytë në ciklin master. Aktualisht ne kemi kërkesa të shumta dhe kuota të shumta për t’i pranuar studentët tanë.  Është kjo, arsyeja, që me hapësirat që ne kemi, mund ta riorganizojmë dhe t’i shtyjmë datat e procedurave me miratim të Rektoratit, por edhe të ministrisë. Kështu, ne kemi vendosur që këtë procedurë të regjistrimit të masterave full- time ta shtyjmë pas javës së parë të mësimit, të mbarojë dhe procesi i provimit të studentëve që të jenë pastaj edhe ata të përshtatshëm për të aplikuar.

Pra regjistrimet fillojnë në javën e dytë të tetorit?

Po, regjistrimet fillojnë në javën e dytë të tetorit. Ne do shpallim datat, në varësi të faktit se kur do jemi gati për këtë proces.  Ende nuk kemi ende një datë fikse të fillimit të regjistrimit. Ne mund ta shpallim përpara procesit të diplomimit, por jo para 7 tetorit.

Po përsa i përket procedurës së përzgjedhjes, si bëhet përzgjedhja e kandidatëve?

Ne kemi përcaktuar me udhëzime dhe rregullore procedurat, të cilat në mënyrë të veçantë mund të ndryshojnë dhe nga viti në vit, por në parim, në procedurat e përzgjedhjes së pari, është që ne do të zgjedhim studentët tanë; së dyti, janë studentët që kanë studiuar jashtë që u jepet përparësi, studentët e universitetit publik dhe më pas ata të universiteteve private. Dhe jo rastësisht janë vendosur këto kritere, sepse janë detyrime si institucion publik, ndaj do i përgjigjemi institucioneve publike dhe në detyrime të standardeve dhe cilësisë, derisa ne si fakultet dhe si universitet pretendojmë dhe jemi universiteti më i mirë, ne kërkojmë dhe studentë që kanë një arsim më solid dhe më të përparuar siç janë ato të universiteteve perëndimore, të cilët kërkojnë për një arsye apo tjetër të vazhdojnë studimet këtu. Një kriter tjetër është në bazë të dokumentacionit që synon e vërteton përshtatshmërinë, edhe me programet e studimit. Gjithashtu,  kriter tjetër është përzgjedhja në bazë të mesatares, pra u japim përparësi edhe meritave akademike të studentëve që aplikojnë. Këto janë kriteret tona bazike, pastaj në momentin që ne do të shpallim aplikimin, do ketë edhe kritere më të hollësishme, por baziket këto janë.

Po përsa i përket atyre studentëve që kanë mbaruar sistemin 4-vjeçar. Ligjërisht asgjë nuk i pengon ata të vazhdojnë studimet në master?

Ligji aktual, të gjithë ata studentë që kanë mbaruar studimet në sistemin “e vjetër”, para Bolonjës, ose në atë pjesë të Bolonjës që lejonte 4-vjeçarin, i ka konvertuar në Master Shkencor. Më lejoni që të bëj dy objeksione. E para, unë personalisht dhe një pjesë jo e vogël e profesoratit të Fakultetit Ekonomik, të cilët kanë kohë që, kontribuojnë për këtë fakultet, janë rritur bashkë me fakultetin dhe i kanë dhënë këtë formë që ka sot, kanë opinionin që sistemi 4-vjeçar ishte më i përshtatshmi i Bachelor-it për studentët dhe për tregun e punës, në kushtet specifike të Shqipërisë, por dhe rajonale. Këta studentë nga pikëpamja e njohurisë dhe akomodimit në tregun e punës kanë qenë më të pranueshmit dhe janë më të pranueshmit.  Dhe kalimi në sistemin 3-vjeçar, përveç reagimeve dhe mosakomodimit me tregun e punës solli një presion të madh se nga 4 vjet u bë 5 vjet, pra në vend që të ulej, kostot u rritën. Por gjithsesi, në situatën kur ligji ia njeh, gjë që mund të rregullohej se, kjo ka krijuar shqetësimet e veta, një Bachelor e njeh si Master Shkencor, po kjo kështu ka ngelur dhe në bazë të ligjit, ata janë me Master Shkencor. Nga pikëpamja e ofrimit ose kërkesës për të vazhduar programe të tjera studimi qoftë Master Shkencor, qoftë Master Profesional, ligji as nuk pengon dhe as rregullon gjë. Studentët kanë të drejtë që të aplikojnë në përputhje me kriteret që ata plotësojnë nga pikëpamja e kërkesave bazë ku janë diplomuar, të marrin Masterin Shkencor apo Profesional. Për mua nuk ka sens që ata të aplikojnë në Master Shkencor, por të marrin një Master Profesional për të vazhduar, sidomos, për atë pjesë që janë në tregun e punës, nuk janë as në akademi as në një sektor, ku nevojitet Masteri Shkencor, pasi pjesa dërrmuese e të diplomuarve shkojnë në tregun e punës.

 Po përsa i përket tarifave të masterit?

Tarifat e programeve të studimit në Fakultetin Ekonomik për Masterin Shkencor janë 187 mijë lekë të reja dhe 93,3 60  për Master Profesional.

Janë paksa të kripura për nivelin tonë të jetesës?

Shiko, varet nga këndvështrimi, realisht të mendosh 2 vjet me pagesë 180 mijë lekë një Master Shkencor është diçka mesatare, as e ulët dhe as e lartë.

Shansi i kandidatëve për të fituar Bachelor-in në Ekonomik pas regjistrimit paraprak

 Profesor, t’i rikthehemi vitit të ri akademik. Të gjitha universitetet presin studentët e vitit të ri të Bachelor-it. Ka dy ditë që janë mbyllur aplikimet on-line. Normalisht do të ketë kuota të mbetura. Ndonjë informacion më tepër përsa i përket?

Ka përfunduar faza e parë e regjistrimeve, mbështetur në procedurat që është përcaktuar për regjistrimet dhe hapësirat sipas këtyre procedurave që lejojnë funksionimin e sistemit meritë-preferencë. Realisht, nga informacioni paraprak që kemi- duke pasur parasysh që ka dhe preferenca që janë lënë hapur dhe ky informacion do dalë më vonë- aktualisht, kanë ngelur pa u plotësuar 104 kuota nga rreth 1650 kuota të Bachelor-it, kryesisht janë në degën e Financës 46 kuota, Biznesi 24, Informatika 20 dhe Ekonomiks 14.

Mendoni se do të ketë zhvendosje të konsiderueshme, duke pasur parasysh përvojat e mëparshme?

Nuk mund të them asgjë të sigurt, por një gjë është e vërtetë, se po t’i referohesh statistikave, renditjes dhe numrit të pikëve të fituesit të fundit që kanë kërkuar të studiojnë në Fakultetin e Ekonomik -përjashtojmë biznesin, që pikët minimale janë poshtë 6 –mijëshit-në tre degët e tjera, pikët minimale janë mbi 6 mijë, fillojnë që nga majat më të larta e që përfundojnë me 6800, 6600, pra janë në nivelet më të larta.

Pra, duke llogaritur pikët e fituesit të fundit, i bie që në këtë fakultet do të vijë një kontingjent cilësor?

Pa diskutim dhe unë besoj që sido që të jetë zhvendosja e studentëve, në bazë të kërkesave të studentëve në raundin e dytë, në Fakultetin Ekonomik do të ketë studentë cilësorë.