Kuotat e Shqipërisë për punësim në Gjermani

527

Punësimi
në Gjermani, Kea Decker: Kuotat që ka Shqipëria dhe profesionet e lira

Sigal

 

Gazeta Telegraf/

 

Intervistë me drejtoreshën e Bashkëpunimit
Ndërkombëtar të Qendrës për Ndërmjetësimin Profesional të Jashtëm

 

Zonja
Decker, përhapja e lajmit se Gjermania kërkon 46.000 forca punëtore nga
Shqipëria shkaktoi bujë. Çfarë qëndron konkretisht pas tij?

 

Kea
Decker:
Baza e
këtij lajmi është faqja e internetit “Make it in Germany” – portali zyrtar
disagjuhësh për forca të kualifikuara ndërkombëtare i Ministrisë Federale të
Ekonomisë e Energjisë, Ministrisë Punës e Çështjeve Sociale dhe Agjencisë
Federale të Punësimit. Por shifra e përmendur aty përfshin të gjitha ofertat e
publikuara për punë në portalin “Make it in Germany”, të cilat kanë qenë
kërkesa të regjistruara të sipërmarrjeve gjermane tek Agjencia Federale e
Punësimit. “Make it in Germany” i drejtohet forcave të kualifikuara, apo të
interesuarve për shkollim profesional nga të gjitha vendet, si edhe personave
që hulumtojnë në Gjermani. Kështu njoftimi me shifrën që përmendët ju ka një
keqkuptim: Oferta përqendrohet tek të interesuarit e kualifikuar që kërkojnë
punë, dhe nuk u drejtohet vetëm qytetareve dhe qytetarëve shqiptarë.

 

Pra nuk ka
46.000 vende pune vetëm për qytetarë nga Shqipëria?

 

Ofertat e punësimit në “Make it in Germany”
parimisht janë të hapura për të gjitha kandidatet e kandidatët, si gjermanë
edhe të huaj. E veҫanta është që këto vende pune lidhen me sektorë, ku ka
mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar. Për këto profesione ekziston
fillimisht baza ligjore për forcat e huaja punëtore që kërkojnë akses në tregun
gjerman të punës. Për forcat e kualifikuara ekzistojnë kritere të ndryshme,
varësisht nga vendi origjinë. Kështu pra, vendet e punës të ofruara aty, si nga
ana e kualifikimit ashtu edhe e kritereve të pranimit në tregun gjerman nuk
janë automatikisht të hapura për të gjithë kandidatët.

Por për
cilat profesione bëhet fjalë konkretisht?

 

Në fushën akademike kërkohen forca pune nga
të ashtuquajtura profesionet e shkencave natyrore (MINT), mjekë, inxhinierë,
studiues të shkencave ekzakte apo specialistë të informatikës. Tregu gjerman i
punës ka nevojë për forca të mirëkualifikuara. Por nga ana tjetër për të punuar
si fuqi punëtore e kualifikuar në Gjermani nuk nevojitet patjetër përfundimi i
universitetit. Nga 1 korriku 2013 qytetarët nga vendet jashtë BE kanë mundësi
të fillojnë punë në Gjermani edhe me diplomën e një shkolle profesionale, nëse
profesioni i tyre qëndron në listën e ashtuquajtur “lista pozitive”. Tjetra,
nëse ju keni një ofertë konkrete vendi pune të një punëdhënësi gjerman dhe
diploma juaj profesionale është ekuivalente me një diplomë gjermane.

 

Si duhet
të veprojë dikush për njohjen e diplomës?

 

Duhet theksuar se njohja e diplomës duhet të
aplikohet që në vendin origjinë. Të interesuarit për këtë duhet të informohen
më mirë në faqen e internetit:www.anerkennung-in-deutschland.de.

 

Le të
themi se një i ri shqiptar kërkon punë, kudo edhe në Gjermani. Çfarë hapash
duhet të ndjekë ai që ta gjejë një vend pune fillimisht?

 

Punëkërkuesit kanë mundësinë që në faqen
online “Make it in Germany” të verifikojnë së pari vetë nëse i plotësojnë
kushtet e kërkuara. Krahas kualifikimeve të caktuara, këtu luajnë rol edhe
diplomat profesionale e njohuritë e gjuhëve të huaja. Por kriteret variojnë në
varësi të vendit të punës, kjo duhet parë konkretisht. Krahas kësaj nga 28
tetori 2015 në bazë të ligjit për rregullimin e punësimit (§26 Paragrafi. 2)
ekziston edhe mundësia e punësimit pa kualifikim të caktuar profesional, por
kjo është me afat të kufizuar e për punë që ndodhen jashtë „listës pozitive”, e
për sa kohë që plotësohen kriteret e caktuara.

 

Ka
institucione në vend, pra në Kosovë e Shqipëri që informojnë personat e
interesuar?

 

Qendra për Ndërmjetësimin Profesional me
Jashtë (ZAV) në bashkëpunim me GIZ, Shoqatën për Bashkëpunimin Ndërkombëtar
ndodhet në dialog të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse për punësimin në
Shqipëri e Kosovë, ato informojnë e këshillojnë për alternativat e migracionit
legal në Gjermani, kushtet e caktuara dhe procedurën. Kështu për shembull, më 6
tetor është planifikuar një aktivitet informimi e rekrutimi që ZAV bashkë me
GIZ kryejnë në Tiranë për qytetaret e qytetarët e interesuar të emigrojnë për
punë.