AFATI I FUNDIT PËR CIKLIN E DYTË TË STUDIMEVE MASTER

541
Sigal

Gazeta Telegraf/

Universiteti i
Tiranës ka përcaktuar se fillimi i vitit akademik për studentët e ciklit të
dytë të bëhet në datën 24 tetor, ndërsa për ciklin e parë të studimeve “Bachelor”
do të ndiqet udhëzimi i Ministrisë së Arsimit, ku përcaktohet se dita e
fillimit të vitit të ri akademik është data 20 tetor 2016. Afatet e aplikimit
të studentëve janë publikuar nga rektorati i UT-së, por edhe nga 6 fakultetet e
këtij universiteti. Sipas ligjit të ri të arsimit të lartë, në nenin 9 të këtij
ligji përcaktohet se ministria nxjerr udhëzime vetëm për ciklin e parë të
studimeve, pasi aplikimin kandidatët e bëjnë në 
Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Universiteti i Tiranës ka miratuar se
aplikimi në master do vijojë deri në datën 20 tetor. “Universiteti i Tiranës
njofton të gjithë të interesuarit se periudha e aplikimit për regjistrimet në
ciklin e dytë të studimeve master fillon nga data 10 tetor deri më datë 20
tetor 2016. Pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë
master profesional dhe master i shkencave për vitin akademik 2016-2017 do të
realizohen sipas kuotave respektive të deklaruara nga Universiteti i Tiranës.
Ky proces do të kryhet në bazë të përzgjedhjes së bërë nga njësitë bazë në
përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi si dhe me vendimin nr. 22,
datë 26.09.2016, të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës”, thuhet në
vendimin e senatit të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë që, për kandidatët që
aplikojnë në programet e studimit të ciklit të dytë master i shkencave, përveç
kritereve të përcaktuara më sipër, kandidatët duhet të kenë njohje të një prej
pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht,
italisht, spanjisht, në nivelin B1, sipas Vendimit të Senatit Akademik të UT Nr.
18, datë 13.07.2016. Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet sipas rendit
zbritës të notës mesatare të ponderuar.