Ushtarakët dhe Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë

779

Detyrimi
kushtetues për respektimin e hierarkisë të burimit të së drejtës për pension të
parakohshëm

Sigal

Në bazë të nenit 145 të Kushtetutës, gjyqtarët i nënshtrohen Kushtetutës
dhe ligjeve, duke respektuar hierarkinë e burimeve të së drejtës

 Kadri MUKA

Gazeta Telegraf/


Më datë 2 shkurt 2016 në Gjykatën e Lartë, me numër regjistrimi 7, është
regjistruar kërkesa e Kolegjit Administrativ për unifikimin e praktikës
gjyqësore për çështjen me palë ndërgjyqësore Përparim Zano dhe Drejtoria
Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Durrës, me objekt: “Anulim vendimi për caktim
pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi”. Seanca gjyqësore për shytimin
e saj në Kolegjet e Bashkuara e caktuar për në datë 26. 09. 2016 ora 10. 00 është
shtyrë për një datë tjetër. Kolegji Administrativ me këtë kërkesë, çështjen ia
ka kaluar Kolegjeve të Bashkuara. Tashmë është detyra, detyrimi dhe
përgjegjësia e këtij institucioni më të lartë të pushtetit gjyqësor që, në
zbatim të nenit 145 të Kushtetutës të respektojnë hierarkinë e burimit të së
drejtës së pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të ushtarakut dhe, t’i
japin fund procesit të parregullt ligjor lidhur të realizuar nga gjykatat e të
gjitha shkallëve veçanërisht me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 10142/2009 dhe aktit
normativ nr. 5/2010 të Këshillit të Ministrave të miratuar me ligjin nr. 10367/2010,
dhe sidomos pas vendimit nr. 2/2013 të Gjykatës Kushtetuese. Për hir të së
vërtetës, pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi i ushtarakut të Forcave
të Armatosura, është një e drejtë që nuk ka lindur me ligj të sigurimit
shoqëror suplementar të ushtarakëve. Ai nuk ka lindur me ligjin Nr. 8087 të 13 marsit
1996, nenin 11 të ndryshuar me ligjin nr/8521 datë 30. 07. 1999, nenin 6, as me
ligjin nr. 9418 të 20 majit 2005, nenin 14 ndryshuar me ligjin nr. 9481, datë
13. 02. 2006, nenin 13, 14 dhe as ligjin nr. 10142 të 15 majit 2009, nenin 13 e
14 të ndryshuar me aktin normativë nr. 5, datë 10. 11. 2010, nenin 3, të
miratuar nga ligji nr. 10367, datë 23. 12. 2010. E drejta për pensioni të parakohshëm
për vjetërsi shërbimi, ushtarakut i ka lindur më 3 korrik 1991 me statusin e
ushtarakut (ligjin Nr. 7496 date 3. 7. l991, neni 16), dhe në zbatim të nenit
52 pika 2 e Kushtetutës i cili thotë: “Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të
pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën
e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj. ”, i është garantuar me statusin e
ushtarakut (ligjin nr. 9210, datë 23. 03. 2004 nenin 35). Ky ligj në këtë nen
“E drejta për pension të parakohshëm”, në pikën 1 përcakton: “Oficerët, nënoficerët
dhe ushtarët me pagesë/profesionistë, me vjetërsi shërbimi në Forcat e
Armatosura 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, gëzojnë të drejtën e
pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50 për qind të pagës
mujore deri në plotësimin e kushteve për përfitimin e pensionit të pleqërisë. Për
çdo vit tjetër shërbimi mbi kufirin e mësipërm ushtarakut i jepet një shtesë
pensioni në masën 2 për qind të pagës mujore”. Pra, do apo s’do ekzekutivi, do
apo s’do ligjvënësi, duan apo s’duan gjykatat e të tria shkallëve dhe pjesëtarët
e tyre, pika 2 e nenit 52 e Kushtetutës dhe neni 16 i statusit të ushtarakut të
3 korrikut 1991 si dhe neni 35 pika 1 e statusit të ushtarakut të 23 marsit
2004, përbëjnë bazën e burimit të së drejtës së pensionit të parakohshëm për
vjetërsi shërbimi të ushtarakut.

 

Kushtetuta mbi gjithçka

 

Sipas këtij të fundit (pika 1 e nenit 35) rezulton se:

         
E para: Ushtaraku
mashkull që plotëson 15 vjet vjetërsi shërbimi dhe ushtarakja femër për 12 vjet,
gëzon të drejtën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

         
E dyta: Për 15 vjet
vjetërsi mashkulli dhe 12 vjet femra gëzon të drejtën e përfitimit të pensionit
të parakohshëm për vjetërsi shërbimi në masën 50% të pagës mujore.

         
E treta: Për çdo
vit mbi 15 vjet mashkulli dhe 12 vjet femra masa e pensionit shtohet me 2% të
pagës mujore.

         
E katërta: Masa 50%
e pagës mujore për 12 vjet femra dhe 15 vjet mashkulli duke i shtuar 2% për çdo
vit mbi 12 e 15 vjet gëzohet deri në plotësimin e kushteve për pension pleqërie.

Këto përbëjnë bazën dhe kufirin e së drejtës së ushtarakëve për pension të
parakohshëm për vjetërsi shërbimi kur ndërpret karrierën ushtarake nga nxjerrja
në rezervë a lirim dhe për shkak të kësaj u mohon vazhdimin e ushtrimit të mëtejshëm
të profesionit, i lë në papunësi të detyruar dhe pa mjete të tjera jetesë. Cenimi
qoftë edhe i njërit prej këtyre kushte nga ligji i sigurimit shoqëror
suplementar, duke ndryshuar, zvogëluar, kufizuar dhe shfuqizuar atë, nuk
respekton por dënon rëndë hierarkinë e burimit të kësaj të drejte. Nuk respekton
por cenon rëndë hierarkinë e burimit të së drejtës për pension të parakohshëm
për vjetërsi shërbimi të ushtarakut të caktuar nga një ligj organik siç është
statusi i ushtarakut nga ligji i sigurimit shoqëror suplementar, ligji nr. 10142/2009
dhe akti normative nr. 5/2010, neni 3 i të cilit ndryshoi nenin 14 të këtij
ligji, që në kuadër të rendit kushtetues është ligj i zakonshëm ose i thjeshtë.
Neni 35, pika 1 e statusit  të ushtarakut,
është nen i
një ligji, pjesë përbërëse e listës shteruese të ligjeve që parashikohen në
shkronjën “e” të nenit 81, pika 2, të Kushtetutës, për miratimin e të cilit
nevojiten tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 14 i ligjit nr. 10142, datë 15. 05. 2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të
Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të
Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së
Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të
Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë””, i ndryshuar nga neni 3 i
aktit normative nr. 5, datë 10. 11. 2010 të miratuar me ligjin nr. 10367, datë
23. 12. 2010, është dispozitë e një ligji
që sipas nenit 78 të Kushtetutës miratohet me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së
të gjithë anëtarëve të

kuvendit. Si i tillë ky nen i këtij ligji në hierarkinë e rendit juridik, sikurse
shprehet Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj, ndër të cilët është edhe
vendimi
nr. 19, datë 03. 05. 2007, nr. 5 datë 05. 02. 2014 etj. ,
duke u shprehur: “
Referimi i drejtpërdrejtë nga Kushtetuta i mënyrës së miratimit të ligjeve
organike u jep atyre fuqi të veçantë juridike në krahasim me aktet e zakonshme
të ligjvënësit. Për këtë arsye, në hierarkinë e akteve, ato renditen pas
Kushtetutës dhe para ligjeve të zakonshme të Kuvendit (
shih vendimet nr. 19, datë 03. 05. 2007; nr. 9, datë 23. 03. 2010; nr. 23, datë
08. 06. 2011, të Gjykatës Kushtetuese). ”, nuk ka asnjë të drejtë të prekë
nenin 35 pika 1 të statusit të ushtarakut. Kjo për faktin se sikurse thuhet në
vendimin nr. 7 datë 16. 02. 2015 të Gjykatës Kushtetuese, “Nga pikëpamja e
burimeve të së drejtës, ligjet organike ose të cilësuara qëndrojnë më lart se
ligjet e zakonshme. Nga kjo pikëpamje, ligjet e zakonshme nuk mund të trajtojnë
çështje që janë parashikuar të trajtohen nga kodet apo ligjet organike”.

Rregullimet ligjore

Meqenëse ligji nr. 10142, datë 15. 05. 2009 i sigurimit shoqëror suplementar,
është ligji zakonshëm dhe neni 14 i tij është në e për zbatim të nenit 35 të
statusit të ushtarakut dhe ky status është ligj organik, nuk gëzon dhe nuk ka
të drejtën të ndryshojë apo zvogëloj, masën e pensionit të parakohshëm për
vjetërsi shërbimi përcaktuar nga ky nen i statusit të ushtarakut. Ishte për
këtë arsye që Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 33, datë 24. 06. 2010, pasi
konkludoi se: “Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për
vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e
ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë
veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik”, shfuqizoi
antikushtetues pikën 2 të nenit 14 të ligjit nr. 10142, datë 15. 05. 2009. Këtë
të drejtë nuk e ka as akti normative nr. 5, datë 10. 11. 2010, akt i cili masën
e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi përcaktuar në masën 50% të
pagës mujore për 15 vjet vjetërsi mashkulli dhe 12 vjet vjetërsi femra, deri në
plotësimin e kushteve për pension pleqërie dhe 2% të pagës mujore për çdo vit
tjetër shërbimi mbi 12 e 15 vjet, me nenin 3 e zvogëlojë në 1. 5 të pagës
mesatare neto referuese të gjithë viteve të shërbimit. Neni 31 i ligjit nr. 10142,
datë 15. 05. 2009, shënon kryegafën dhe aventurizmin më të pa imagjinuar. Ai
edhe pse është dispozitë e një ligji të zakonshëm shfuqizon një dispozitë të
ligjit organik, konkretisht pikën 1 dhe 2 të nenit 35 të statusit të ushtarakut.
Respektimin e hierarkisë së burimit të së drejtës të pensionit të parakohshëm
për vjetërsi shërbimi, Kolegjeve të Bashkuara dhe gjithë gjykatave dhe pjesëtarëve
të tyre ua detyron Kushtetuta në nenin 145. Pika 2 e këtij neni të ligjit
themeltar të shtetit, u ka njohur të drejtën e moszbatimit të ligjeve kur ato
janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Atë
ja detyron vendimi Nr. 6 datë 17. 02. 2012, i cili thotë: “Në bazë të nenit 145
të Kushtetutës, gjyqtarët i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve, duke
respektuar hierarkinë e burimeve të së drejtës”. Ja detyron edhe vendimi nr. 2,
datë 18. 02. 2013 i Gjykatës Kushtetuese, i cili në pikën 25 thotë:”… është e
pritshme që ndërhyrja e ligjvënësit në çdo rast të bëhet duke iu përmbajtur
kufijve të Kushtetutës. ”. Kufiri i Kushtetutës për pensionin e parakohshëm
është respektimi dhe zbatimi i nenit 35 pika 1 e statusit të ushtarakut, i cili
është në e për zbatim të pikës 2 të nenit 52 të Kushtetutës që përbënë edhe
hierarkinë e burimit të së kësaj të drejte. Marrja e një vendimi që prek atë që
përcakton kjo pikë e këtij neni të statusit dhe që përligj zvogëlimin e masës së
pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të përcaktuar nga neni 35 pika 1
e ligjit organik, statusit të ushtarakut, nuk mund të përligjet me interesat e
rëndësishme publike. Një vendim i tillë është plotësisht në mos respektim të
hierarkisë së burimit të kësaj të drejte dhe në kundërshtim me vendimin nr. 33/2010
të Gjykatës Kushtetuese, vendim i cili pasi shprehet se zvogëlimi i masës
maksimale e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk është i përligjur
as për interesa të rëndësishme publike, shfuqizoj si antikushtetues pikën 2 të
nenit 14 të ligjit nr. 10142/2009. Atë nuk e lejon edhe vendimi nr. 2, datë 18.
02. 2013 i Gjykatës Kushtetuese, kur për këtë çështje detyron të shihen
vendimet nr. 33/2010 dhe nr. 9/2007 të Gjykatës Kushtetuese, por edhe kur shprehet
se ekzekutivit dhe ligjvënësit i njeh të drejtën të bëjë ndryshime për interesa
publike vetëm për sigurimet shoqërore suplementare dhe jo sigurimet shoqërore
bazë ku bënë pjesë pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

 

Kolegjet e Bashkuara  dhe detyrimi
kushtetues

 

Çdo qëndrim i kundërt me këto i vendos dhe i nxjerr Kolegjet e Bashkuara
jashtë misionit, detyrës dhe detyrimit kushtetues për dy arsye.

                     
E para: Sepse një
vendim, i cili vendos nenin 14 të ligjit të sigurimit shoqëror suplementar nr. 10142/2009
të ndryshuar me nenin 3 të aktit normative nr. 5/2010, mbi nenin 35 pika 1 e
ligjit organik, statusit të ushtarakut dhe për shkak të kësaj e zvogëlon masën
e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi nga 50% të pagës mujore për 12
e 15 vjet dhe 2% të kësaj page për çdo vit mbi 12 e 15 vjet në 1. 5% të pagës
mesatare neto referuese, nuk respekton hierarkinë e burimit të kësaj të drejte.

                     
E dyta: Një vendim që vendos
dispozitën e ligjit të zakonshëm (ligjit nr. 10142/2009, nenin 14 të ndryshuar
me nenin 3 të aktit normativ nr. 5/2010 mbi dispozitën e ligjit organik, jo vetëm
cenon hierarkinë e burimit të kësaj të drejte, por edhe vjen në kundërshtim me
pikën 1 të nenit 42 të Kushtetutës që sanksionon se; të drejtat e njohura me
Kushtetutë dhe me ligj nuk mund të cenohen pa një proces të rregullt ligjor. Proces
i rregullt ligjor është pikërisht ai proces i cili respekton rendin kushtetutës
dhe hierarkinë e burimit të së drejtës. Sipas Gjykatës Kushtetuese. Për të mos
bërë këtë gabim Kolegjeve të Bashkuara por edhe gjithë gjykatave e gjyqtarëve u
vjen në ndihmë Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 5 datë 05. 02. 2014. Sipas
tij “ nxjerrja
nga Këshilli i Ministrave
i aktit normativ me fuqinë e ligjit, që rregullon çështje të rezervës së
Kuvendit, dhe mos
respektimi nga ky i fundit i procedurës së parashikuar
nga neni 81, pika 2, shkronja “e” dhe neni 83, pika 3, të Kushtetutës, vjen në
kundërshtim me
parimin e ndarjes dhe
balancimit midis pushteteve, në kuptim të nenit 7 të Kushtetutës, si një nga
parimet bazë të shtetit të së drejtës, ku e drejta përbën
bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”.

 

I takon pikërisht këtyre kolegjeve që të ngrihen në lartësinë e misionit që
i ka ngarkuar Kushtetuta dhe të demonstrojnë dinjitet, integritet dhe autoritet
profesional. Të japin e vendosin drejtësi mbi padrejtësinë dhe të mos prodhojnë
drejtësi për dhunuesit e shtetit të së drejtës edhe pse ata e kanë emrin
ekzekutiv apo ligjvënës. Ky akt të jetë pikënisje e reformimit në kuadër të
reformës në drejtësi e të 15 anëtarëve të këtyre Kolegjeve dhe jo pikënisje e
delegjitimimit të tyre si anëtarë të Gjykatës së Lartë të Republikës së
Shqipërisë. Ta përdorin këtë rast si shansin e reflektimit e korrigjimit të vetes,
por edhe të gjithë pushtetit gjyqësor, por edhe shansin e kthesës së madhe të
triumfit të së drejtës mbi padrejtësinë, ku ligj të mos jetë edhe më tej një rrjetë
e madhe merimange, ku kalon “bualli” dhe ngelet “milingona”.