Politikanët dhe presidentët e klubeve që do të merren në pyetje

519
Sigal

Gazeta Telegraf/

Ministria e Drejtësisë çon në Prokurori raportin e
UEFA-s për trukimin e ndeshjeve

Dezdemona Porja

 “Skandali i trukimeve”, Ministria e Drejtësisë çon në Prokurori raportin e UEFA-s.
Ministria e Drejtësisë ka çuar në Prokurori Raportin e UEFA-s për çështjen e
trukimeve të Kampionatit Shqiptar, pikërisht të skuadrës së Skënderbeut që
është përmendur për 53 ndeshje të trukuara ndër vite, si brenda, po ashtu edhe
jashtë kufijve të Shqipërisë. Siç është bërë me dije edhe më parë, njoftohet se
raporti i UEFA-s do të hetohet nga gjyqtarët shqiptarë, të cilët do të marrin
vendimin dhe masat për klubin bardhekuq. Por, para së gjithash, mësohen emrat e
zyrtarëve që do të pyeten për këtë çështje. Ish-ministri i Financave, Ridvan
Bode, ish-presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo dhe presidenti aktual i skuadrës
korçare, Ardjan Takaj, do të dëshmojnë para trupës gjykuese në një tjetër datë,
ku do të vërtetohet kjo çështje që ka prekur sportin në Shqipëri dhe po
diskutohet prej ditësh. Raporti i skandalit të trukimit të ndeshjeve të Skënderbeut
nga miqësoret, Kupa e Shqipërisë, kampionati, Champions League dhe Europa
League
ka tronditur futbollin shqiptar, por jo vetëm, pasi niveli i
besueshmërisë së sportdashësve te sporti më popullor ka rënë ndjeshëm duke u
konceptuar gjithçka si teatër. Raporti i publikuar nga UEFA përmend emrin e
ish-ministrit Bode si të dyshuar në përfshirjen e trukimit të ndeshjeve nga ana
e KS “Skënderbeu”, që çoi në pezullimin për 1 vit të skuadrës korçare nga
kompeticionet evropiane.

Implikimet e qeveritarëve

Sipas raportit, Ridvan
Bode dyshohet, se falë fuqisë së tij politike, ka influencuar në rezultatet e
disa ndeshjeve të kampionatit shqiptar në favor të Skënderbeut. Lidhjet mes
Bodes dhe donatorit kryesor të një klubi tjetër Shkumbini, janë vendosur në bazë
të anëtarësisë së tyre të mëparshme në Parlament, Dashnor Sula, nën siglën e së
njëjtës parti. Dy ndeshje të luajtura nga KS “Skënderbeu” përballë këtij klubi
u cilësuan si të dyshuara. Bode dyshohet se ka ndikuar edhe në rezultatin e
ndeshjeve të luajtura nga “Skënderbeu” ndaj “Dinamos” së Tiranës. Përpos tij në
raport përmenden emrat e Agim Zeqos dhe Ardian Takajt, i pari nisi historinë e
Skënderbeut në futbollin shqiptar në dekadën e fundit, ndërsa i dyti e vazhdoi
duke e dërguar në grupet e Europa League. Raporti përpos drejtuesve ka zbritur
edhe në fushë, pasi në faqet e tij lakohen edhe emrat e ish-kapitenit Bledi
Shkëmbi që u largua nga futbolli, portierit Orges Shehi dhe disa lojtarëve. Në
raport bëhet edhe interpretimi i një miqësie në “Facebook”, si provë e një
rrjeti sekret të manipulimit të ndeshjeve. Raporti thekson lidhjet e mundshme
të Presidentit të KS Skënderbeu, Takaj me
Fatjon Gravën, Ilir Doklen, Renis Cergën, por edhe
Ilir Vrenozin që ndjek disa seanca trajnimi dhe ndeshjet, i punësuar në një
kompanie bastesh. Por pika më e fortë ku duket se mbështetet UEFA është lidhja
me kompanitë e basteve të të akuzuarve. “Eurobest sh.a.”, “Star Bet”,
“Top-Bast”, “SBObet”, “Baste Live”, “Super Bast”, janë emrat e kompanive që përmenden
në këtë material si të përfshirë në trukimin e ndeshjeve.