Në vend të një replike për shkrimin “Temat e Diplomave në Reformat Universitare”
Para disa ditësh më bie të lexoj një artikull të një Profesori me titull “Temat e Diplomave në Reformat Universitare”. Të them të drejtën, mbeta i shtangur. Po të mos e kisha lexuar vetë, nuk do e kisha besuar. Midis të tjerash, autori, as shumë dhe as pak, konstaton dhe konkludon: – “Përgatitja e tezës së diplomës duket pra, si një luks, ose së paku, si një proces i tepërt. Një shkas, për të na gënjyer të gjithëve. Edhe studentët që “i shkruajnë”. Edhe udhëheqësit që i “udhëheqin”. Edhe oponentët që “i lexojnë”. Edhe komisionet që “i vlerësojnë”. Edhe zyrtarët e politikëbërësit që i parashikojnë. Por, nga ana tjetër, është një ngarkesë e panevojshme e procesit akademik”. Shkurt, kësaj i thonë: -Arsimi i lartë po shkon keq. Përse të mos i japim dhe një “përdaf” tjetër të ligjërojmë mangësitë, që ekzistojnë në hartimin dhe vlerësimin e temave të diplomës dhe së bashku me ujin e ndotur të banjës të hedhim dhe foshnjën. Për gjykimin tim, përgatitja e detyrave të kursit, apo hartimi i Temës së Diplomës në nivel Univeristar , pa bërë fjalë për atë master, ose doktoraturë, është një nga elementët më të dobishëm dhe më frytdhënës, si për studentët ashtu dhe vetë rolin e shkollës në shoqëri. Detyrat e kursit, që kam kryer në lëndë të ndryshme apo temën e diplomës universitare “Mbi rendimentin (produktivitetin) e punës në ekonominë shqiptare” të mbrojtur në vitin 1976, i kam ende shumë të freskëta dhe njëkohësisht ngacmuese dhe stimuluese, për të gjykuar mbi dukuritë ekonomike aktuale. Në atë kohë, ne studentët universitarë e mbronim diplomën pas kryerjes së praktikës së punës-ose stazhit 1- vjeçar. Më pas diplomoheshim. Pra harmonizimin e teorisë me praktikën ne studentet e shihnin jo vetëm në bankat e shkollës, por dhe në ndërmarrje, ku ballafaqoheshim me problemet reale që duheshin zgjidhur. Vetë të mësuarit e koncepteve zhvillohej në kontekstin e zbatimit. Shkenca jonë nuk është qëllim në vetvete, për një titull apo thjesht memoriale, por para së gjithash konceptuale… Mbrojta e një teme diplome shihej vetëm si kurorëzim dhe materializim i teorisë së përvetësuar. Zgjedhja në procesin e diplomimit, midis dhënies së provimeve, apo nëpërmjet hartimit mbrojtjes të një teme diplome, ishte opsionale dhe kryesisht për studentët që kishin një nivel të caktuar të notës. Ndërsa autori në shkrimin e tij tërheq vëmendjen se: Pra, pjesa dërmuese e universiteteve amerikane dhe joamerikane, nuk e kërkojnë përgatitjen e tezës së diplomës”. Ndërkaq, në atë kohë mungonin librat, manualet mbi atë se si shkruhet një temë diploma apo studim shkencor, të cilat sot janë jo të pakta. Por, ndonëse ato nuk mungojnë sot në librari dhe biblioteka, nuk mund të mos vijë keq se ato njihen dhe përdoren shumë pak, jo vetëm nga student të dobët, por dhe shumë syresh shumë të mirë. Para disa kohësh isha në Peshkopi dhe, megjithëse e kisha kohën e kufizuar, nuk mund të lija pa parë universitetin. Godina ishte vërtet e mirë. Kur pyeta studentët se ku ishte libraria, më thonë se nuk kishte librari universitare, se nuk kishin libra, por mbanin shënime nga leksionet…Nuk mund të mos largohesha i pezmatuar, duke kujtuar një uorkshop mbi strategjinë e zhvillimit të arsimit aty nga viti 2000. Pyetjes, se cilët janë aksionet prioritare për zhvillimin e arsimit, shumë pjesëmarrës i përgjigjën rritja e shpenzimeve të arsimit nga 3% në 6 % Lektori ndërhyri, ndoshta i shihni edhe njëherë përparësitë, duke mbajtur parasysh rolin e pedagogut dhe studentit…Megjithatë, ndërtesa e Universitet në Peshkopi kishte duartrokitjet e tregtarëve të pakicës, për faktin se, llixhat dhe shtimi i studentëve me 10 % të popullsisë konsideroheshin faktori kryesor i gjallërimit të qytetit… Ndonëse në atë kohë nuk nënshkruanim ndonjë kod etike, siç u rekomandohet sot studentëve, (të paktën kështu ka ndodhur me studentët, që kam asistuar për hartimin e një teme diploma universitare, apo duke ju referuar praktikave të Coursera), të gjithë ne studentët orientoheshim dhe kontrolloheshim që të përshkruanin referimet përkatëse të literaturës, ndërsa plagjiatura konsiderohej herezi. Personalisht, shkrimin e një detyre kursi apo teme diplome i vlerësoj si një ndër barrierat më të mira për të shmangur mësimdhënien mekanike tekstuale, si të pedagogëve ashtu dhe të studentëve dhe realizimin e duhur të tyre, si një nga hallkat kryesore për përmirësimin e arsimit të lartë. Argumentet janë të shumta, por unë po ndalem vetëm në diçka që kam trajtuar në temën time të diplomës. Duke u ndalur në lidhjen midis produktivitet të punës dhe kostos për njësi të produktit, jap mendimin tim për një nga problemet e asaj kohe-që ndesha në praktikë kultivimi i misrit sipas metodës me kubik. Aty ku bëja praktikën unë, përdorej masivisht praktika e mbjelljes së misrit me kubik. Ndërkohë, në NB-në e Vurgut, praktikohej gjerësisht shtrirja e mekanizimit- sipas modelit amerikan që ishte rekomanduar nga një publikim i mrekullueshëm dy vëllimsh për kultivimin e misrit disa vjet me parë (aty nga viti 1972-1973, ku shpenzimet mateshin jo me ditë pune por me orë pune). Në këtë të fundit, jo vetëm prodhim për ha ishte më i lartë, por edhe kostoja e prodhimit të misrit ishte shumë më e ulët, mbi dy herë më e ulët, se sa aty ku praktikohej kultivimi me kubikë. Ndërkohë dola me gjykim dhe sugjerimin se herët a vonë dhe në Shqipëri praktika e Vurgut do të bëhej dhe duhej të bëhej masive. Pavarësisht aspektit politik ideologjik, që nuk janë objekt i këtij shkrimi, në aspektin ekonomik, pedagogjik përfitimet e të shkruarit të diplomës ishin të pashlyera dhe vendimtare në formimin tim si ekonomist. Në se autori nuk bindet për sa më sipër si ekspert i njohur i çështjeve sociale do ta ftoja të lexonte dhe vlerësonte punimin e një diploma mbi problematikën dhe rrugëzgjidhjen në fushë e pensioneve, të kryer nga një student i një Universiteti private nivel “Bachelor”. Midis të tjerash, kish evidentuar se mosha e pensionit ne reformën e parë të vitit 1947, ishte vendosur 65 vjeç. Më tej, kishte konkluduar mbi përgjegjësinë e organeve shtetërore apo politikbërjes kur ndërmerren reformat ë tilla. Le të krahasojë gjetjet e kësaj teme diploma universitare me ato të studentëve të niveleve më të larta, për master apo doktoraturë, dhe nuk mund të mos shohë se sa të pasakta dhe të gabuara janë konkluzionet dhe rekomandimet e tij. Gjithsesi, jam i mendimit se institucionet shtetërore, duhet t’u kërkojnë universiteteve shqiptare, gjetjet e tyre nga trajtesa për sigurimet shoqërore e sidomos të pensioneve. Pra gjykimi im është se krejt ndryshe nga ajo që sugjeron autori i artikullit “Temat e Diplomave në Reformat Universitare”, Për mendimin tim, ato duhet të marrin vendin që i takon, dhe të bëhen mjeti më i saktë e më i mire për të vlerësuar jo vetëm njohuritë, por sidomos aftësitë për t’i aplikuar këto apo ato njohuri nesër në jetë, duke mos bërë asnjë tolerim ndaj plagjiaturës dhe kopjimit të tyre. Për këtë të fundit mjafton të bisedosh me një student që ka mbaruar studimet në Britaninë e Madhe dhe të tregon se çfarë bëhet atje dhe se sa lehtësisht mund të realizohet ajo në Shqipëri, si në universitet publike, ashtu dhe private, si për studentët ashtu dhe doktorantët. Përsa i përket çështjes se zgjedhja e shkrimit të temës se diplomës do të jetë opsionale, siç ka që dikur edhe në vendin tonë dhe siç është në SHBA apo e detyrueshme për të gjithë, jam për këtë të fundit, duke përjashtuar pa hezitim dhe sa më shpejt praktikat e gabuara që konstaton artikullshkruesi. Në se ka çështje administrative (ngarkesë mësimore) apo monetare-pagese për to, në çdo rast metoda e Adhamudhit ndaj shkrimit të temave të diplomës është një opsion i papranueshëm. Përkundrejt këtij qëndrimi, mendoj se përmirësimi rrënjësor i punës për hartimin e vlerësimin e diplomave është premisa më e mirë për të ndryshuar e përmirësuar vetë procesin e mësimdhënies e sidomos cilësinë e tij në universitet tona në të gjitha nivelet, “Bachelor”, Master, Doktoraturë, për të vendosur një raport të drejtë midis titujve –gradave dhe aftësive reale të poseduesve të tyre, por edhe sidomos edhe për t’i dhënë një shtysë ekonomisë sonë e për ta nxjerrë nga ngërçi që ka hyrë. Sidomos në fushën e shkencat ekonomike e ato të aplikuara ajo është rruga më e mirë për të kaluar nga analiza, diagnoza parashikime.