Alma LAMA/ Pa skenare apokaliptike

531
Sigal

Dy ishin momentet më të rëndësishme të ngjarjes së këtyre ditëve, kërkesa për shkatërrim të armëve kimike në Shqipëri si dhe protesta qytetare që shënoi apogjenë e saj, të munguar prej shumë vitesh. Që në fillim e them se jam kundër shpjegimit të situatës me skenarë apokaliptikë, siç nuk munguan përgjatë javës së tensionuar që lamë pas, sepse kjo, thjeshtë, është shumë larg realitetit.

Prandaj dhe e kam pak të vështirë të kuptoj të gjithë ata që u munduan dhe po mundohen të justifikojnë sjelljen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Për ta qartësuar këtë pikë, të gjithëve do t’iu shtoja një pyetje: Cila do të kishte qenë përgjigja juaj, nëse në këtë mes nuk do të ishte Amerika? Unë për vete nuk kam asnjë dyshim se cila do të ishte. Për të gjitha arsyet e mundshme: janë të dëmshme; të rrezikshme; nuk i kemi ndonjë borxh Sirisë; ato do të na kthenin në një kosh plehrash; do të hapej rruga edhe për operacione të tjera përveç 1300 tonëshit të agjentëve kimike dhe prekursorëve + 1200 tonëshit të municioneve të pambushura të Sirisë;  nuk jemi shquar ndonjëherë për standarde të larta, as në operacionet më të thjeshta;  nuk e kemi luksin e sipërfaqeve të mëdha të pabanuara; e kështu me radhë.

Pyetja pra u pastrua dhe erdhi e reduktua në: A duhet t’i thuhej “JO” SHBA-së, partnerit tonë më të rëndësishëm në botë? Frikë, dëshpërim, pasiguri reflektoi shumëkush në këtë dilemë të vështirë, ku zgjedhja u duk se ishte mes JO-së ndaj armëve kimike, dhe JO-së ndaj SHBA-së. Dhe problemi, për mendimin tim, fillonte pikërisht këtu, tek interpretimi apo perceptimi bardhë e zi i këtij realiteti, dileme apo zgjedhjeje.

Personalisht e kam mbështetur JO-në ndaj armëve kimike, që prej momentit të parë që u publikua në disa media ndërkombëtare, me bindjen e thellë se kjo nuk ka si të jetë një JO ndaj SHBA-së. Nuk është JO ndaj SHBA-së, pasi miqësia apo partneriteti ynë me këtë shtet nuk kalon përmes Sirisë, as helmeve të saj të blera nga Rusia, e as nuk mund të jetë kushtëzues e përjashtues. Partneriteti është i mbështetur në parime dhe interesa më të mëdha dhe kjo na është dëshmuar gjithë këto vite.

SHBA-ja është përfshirë në zgjidhjen e krizës siriane, por pas kundërshtimit të Rusisë dhe pas paqartësive të mëdha ne terren brenda Sirisë, ku organizatat terroriste kanë marrë primatin në luftën ndaj regjimit të Assadit, shkatërrimi i armëve kimike u gjet si rruga dalëse. Por padyshim që asgjësimi është një objektiv prej kohësh i fuqisë numër një në botë, SHBA-së. Nga ana tjetër, shkatërrimi i armëve kimike është interes i çdo shteti demokratik, që aspiron për paqe dhe siguri.

Kundërshtimi nga ana e Shqipërisë nuk do të thotë se Shqipëria nuk dëshiron të japë kontribut në paqen e sigurinë ndërkombëtare, e as që nuk dëshiron t’i gjendet në krah SHBA-së. Kundërshtimi i saj lidhet me kapacitetet e saj. Zgjidhja duhet të gjendet diku tjetër.

Nga ana tjetër, Shqipëria nuk është ndonjë lojtar i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, dhe as PO-ja nuk do ta bënte të tillë. Përkundrazi, do të kryente një shërbim me rreziqe të mëdha për veten. Fakti se asnjë vend shumë më i përparuar në aspektin teknologjik nuk pranoi të marrë përsipër një barrë kaq të madhe, flet qartë.

Për mendimin tim, ka dhe një komponent të rëndësishëm në këtë mes. Siria është nga ato vende që nuk ka shfaqur asnjë lloj ndjeshmërie ndaj shqiptarëve, as atëherë kur ata digjeshin e vriteshin, në fund të shekullit të XX, nga regjimi i Millosheviçit, dhe as më pas kur nuk lëvizi as gishtin më të vogël përsa i përket pavarësisë së Kosovës. Siria është partner i ngushtë i Rusisë dhe kjo madje po e siguron vazhdimësinë e regjimit të Assadit që nuk i kurseu as armët e shkatërrimit në masë kundër popullit të vet. Prandaj, sado të vështirë ta ketë pasur Kryeministri i Shqipërisë, z.Edi Rama marrjen e vendimit, duke i menduar të gjitha këto, por natyrshëm edhe karrigen e tij, ai bëri atë që duhet.

Çështja e dytë, pa të cilën kurrsesi nuk mund të kuptohet vendimi i Kryeministrit shqiptar është protesta. E organizuar në mënyrë spontane, nëpërmjet rrjeteve sociale, këtij fenomeni të ri që asnjë qeveri s’mund ta ndalë më, shqiptarët u bënë bashkë, pasi nervi i tyre ishte prekur fort. Të gjithë e kuptuan se nuk ishte kjo një çështje, thjesht, ambientalistësh…

Kishte kohë që protestat popullore manipuloheshin nga partitë politike, por këtë herë qytetarët e lirë të këtij vendi nuk pranuan mbivendosje të politikës mbi kërkesat e tyre. Padyshim, Kryeministri Rama, nëpërmjet vendimit të tij, lexoi vetëm vullnetin e protestuesve, njohu dashje pa dashje triumfin e tyre.

Protesta qytetare shënon një kthesë shumë të rëndësishme që unë do ta quaja “Pranvera Shqiptare”. Protestuesit ia dolën të imponojnë zërin e tyre; ata vetëqeverisën këtë herë. Kjo është një fitore e madhe pas vitesh të tëra të dëshpërimit dhe mungesës së vetëbesimit. Vetëm para pak ditësh, t’i propozoje dikujt protestat si mjet për të ngritur zërin kundër padrejtësive institucionale, do të merrje përgjigjen e tipit  “çfarë pastaj?” apo “kush na dëgjon ne?” .

Tani qytetarët shqiptarë, pas aktivizimit që u përmbyll me fitoren e tyre, janë më të vetëdijshëm se kurrë, se vullneti i tyre nuk mund të anashkalohet e as tjetërsohet. Tani ata të gjithë, duhet të protestojnë për njëmijë problemet e tjera,  kundër korrupsionit, gjendjes së rëndë ekonomike, papunësisë, pushtimet të tregut nga prodhimet e huaja, duke paralizuar kështu prodhuesit vendor, mungesës së sigurisë, dhunës së shfrenuar ndaj grave, etj. Sepse protesta e tyre është presion mbi institucionet,  presion i cili kur mungon, pason keqqeverisja.

Ata që dolën në Bulevardin e Tiranës duhet ta kenë që qartë se politikanët nuk janë mirë vetvetiu, ata bëhen të mirë e qeverisin në mënyrë të përgjegjshme, vetëm nëse janë nën lupën e qytetarëve.

Ata që dolën në Bulevard dhe gjithë të tjerët që i mbështetën janë përgjegjës për drejtimin që merr e ardhmja e Shqipërisë po aq sa politikanët që i drejtojnë. Sepse siç ka thënë ish-presidenti amerikan Abraham Linkohln: “Ju nuk mund t’i shpëtoni përgjegjësisë  të së nesërmes, duke e shmangur atë sot”.

(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)