Naim Mecalla: Konfiskimi i të ardhurave kriminale

441

Si do të veprohet me palët e treta që kanë të drejta pasurore në lidhje me të ardhurat kriminale

Mjeti më i rëndësishëm ligjor për privimin e autorëve të veprave penale nga përfitimet e paligjshme është konfiskimi i produkteve të krimit. Konfiskimi i pasurisë, si rrjedhojë e lidhjes së saj me një veprimtari kriminale, nuk është një koncept i ri. Zanafilla e dispozitave të sotme ligjore të konfiskimit mund të zbulohet në qytetërimet e hershme, në nevojën e qartë të individëve për t’u hakmarrë. Që nga viti 1970, kur dispozitat e para ligjore të konfiskimit penal në historinë e SHBA-së u miratuan në Kongres, është forcuar gjithnjë e më tepër bindja, se për t’i bërë ballë sfidës që paraqesin ndaj shtetit grupet kriminale, duhet tw çrrënjoset struktura organizative e tyre. Në vitin 1984 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u miratua Ligji i Përgjithshëm mbi Kontrollin e Krimeve, ku u forcuan dispozitat ligjore të konfiskimit, “… si një mjet i agjencive të zbatimit të ligjit në luftë kundër dy krimeve më të rënda që ballafaqohet vendi, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”. Pas kësaj, Kongresi miratoi Ligjin mbi Kontrollin e Pastrimit të Parave në vitin 1986 (LKPP), i cili përmban autorizime të gjëra për kapjen dhe konfiskimin e të ardhurave nga krime të ndryshme federale, si pjesë e veprimtarisë kriminale të pastrimit të parave.

Ndërkohë, në doktrinën e të drejtës penale ekzistojnë disa koncepte dhe lloje të ndryshme të konfiskimit. Nga ky këndvështrim, një ndër ndryshimet e para ka të bëjë me dallimet midis konfiskimit të produkteve të krimit “fructa sceleris” nga shumë koncepte tradicionale të konfiskimit, që kanë të bëjnë me mjetet e krimit “sceleris instrumentum” ose me objektin e krimit “objectum sceleris”. Ndërsa shumica e sistemeve të drejtësisë penale kanë përshtatur format më tradicionale të konfiskimit, të njohur shpesh si konfiskim të mjeteve të krimit (instrumentum sceleris) apo subjekt i krimit (objectum sceleris), por nuk kanë ofruar konfiskimin e të ardhurave nga krimi (producta / fructa sceleris). Ky boshllëk në ligj shpesh kishte pasoja në rrjedhën e procedurës penale kundër trafikut të drogës, p.sh.: Belgjika, ku konfiskimi i të ardhurave nga krimi jepej vetëm në lidhje me veprat penale të drogës, kjo përgjegjësi nuk shtrihet në vepra të tjera. Në ato vende ku legjislacioni e kushtëzon konfiskimin e produkteve të krimit vetëm për krimet kundër drogës (p.sh. Zvicra dhe Holanda), ka rezultuar një praktikë jo efektive në konfiskimin e të ardhurave nga krimi. Gjithashtu, vlen të theksohet që konfiskimi i produkteve të krimit, pavarësisht se shpesh herë konsiderohet si një masë civile, në thelb ka karakter ndëshkues. Konkretisht, konfiskimi i pasurisë vlerësohet si një ndër masat më efikase ligjore, e cila bën të mundur privimin e autorëve të veprës penale nga përfitimet kriminale.

Parashikimi i konfiskimit në legjislacionin shqiptar si mjet për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe të pastrimit të parave nëpërmjet konfiskimit të pasurive që burojnë drejtpërdrejtë apo tërthorazi nga aktiviteti kriminal bazohet në ligjin Anti-Mafia. Ky model konfiskimi paraqitet si një kombinim i praktikës Amerikane dhe i disa vendeve të Evropës duke huazuar elementë të këtyre sistemeve dhe atyre të parashikuara në Konventën Ndërkombëtare të OKB-së kundër Krimit të Organizuar. Pikërisht bazuar në faktin që modeli ynë është i huazuar dhe përbën një kombinim të disa modeleve, del e nevojshme që për analizimin dhe trajtimin e plotë të këtij objekti studimi të bëhet një studim krahasues me modelet e disa legjislacioneve të huaja, si atë të ShBA-së, Holandës, Belgjikës, Zvicrës, etj.

E përbashkëta e gjithë këtyre modeleve konsiston në debatet e vazhdueshme ligjore dhe filozofike mbi çështjet më të ndjeshme, si: barra e provës, të drejtat e palëve të treta përfituese të pasurisë kriminale, shtrirja ose e jo e konfiskimit edhe tek trashëgimtarët, veprimi i kësaj mase ndaj personave të tretë pas tjetërsimit apo kalimit në emër të tyre të sendeve objekt konfiskimi, natyrën e procesit të konfiskimit etj.  Po ashtu, në rastin e RSH, një çështje që paraqet rëndësi për studim ka të bëje me raportin midis kuadrit ligjor mbi konfiskimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, posaçërisht respektimi i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të  Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, sidomos respektimi i parimit të prezumimit e pafajësisë, të drejtës për një proces të rregullt ligjor, të sigurisë juridike etj.

Konceptet e përgjithshme për konfiskimit

Në sistemet e drejtësisë penale tradicionalisht janë të njohura konfiskimet e pasurive si rezultat i lidhjes së tyre me një vepër penale. Konfiskimi mund të përcaktohet si një vendim zyrtar përmes të cilit të drejtat e pronësisë mund të hiqen si pasojë e një vepre penale. Neni 1 (pika f) e Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Drogës, Vjenë 1988, e përkufizon konfiskimin, si: “… një gjobë atje ku është e zbatueshme dhe nënkupton marrjen e përhershme të pasurisë me vendim të gjykatës ose të një autoriteti tjetër kompetent”. Ndërsa, Neni 1 (pika d) i Konventës Evropiane të Pastrimit së Produkteve të Krimit, Strasburg, 08.XI.1990, e përcakton konfiskimin “… si një dënim ose një masë të urdhëruar nga një gjykatë pas procedurës gjyqësore në lidhje me një ose disa vepra penale, dënim ose masë që përfundon me privimin e përhershëm të pasurisë”. Ndërkohë, në Nenin 36 (pika 1) të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, parashikohet, se “… konfiskimi jepet detyrimisht nga gjykata dhe ka të bëjë me marrjen dhe kalimin në favor të shtetit të mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale”. Duhet theksuar, që Konventa e Vjenës lejon çdo organ kompetent të autorizuar të nxjerrë urdhër konfiskimi, ndërsa Konventa e Këshillit të Evropës e kufizon këtë të drejtë vetëm për gjykatat. Pra, Konventa Evropiane përjashton konfiskimet administrative të urdhëruara nga autoritetet administrative, nga autoritetet doganore apo ato tatimore. E njëjta gjë parashikohet edhe në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon shprehimisht, se “konfiskimi jepet detyrimisht vetëm nga gjykata …”. Nga kjo pikëpamje, mund të arrijmë në përfundimin që sistemi i zgjedhur nga Republika e Shqipërisë ofron më shumë garanci për respektimin e të drejtave të personave të prekur nga konfiskimi.

Llojet e konfiskimit

Duke u bazuar në kriterin e lidhjes ndërmjet pronës në rrezik, konfiskimit dhe akteve kriminale, konfiskimi paraqitet në tri forma:

-Konfiskimi i instrumenteve të krimit “instrumentum sceleris”, i cili ka të bëjë me mjetet që janë përdorur në kryerjen e krimit, p.sh.: thikë e përdorur për një vrasje; skafi i përdorur për trafikun e drogës; makina, etj.

-Konfiskimi i objektit material të krimit “objectum sceleris”, i cili ka të bëjë me objektin e sjelljes kriminale, p.sh.: një pasaportë e falsifikuar; një kartëmonedhë e falsifikuar, etj.

-Konfiskimi i pasurive që burojnë nga aktiviteti kriminal, nganjëherë i njohur edhe si “fructa sceleris ose sceleris productum”. Ky lloj konfiskimi, cilësohet edhe si konfiskim parandalues, pasi nëpërmjet marrjes së kësaj mase, goditet mundësia e përdorimit të forcës së parasë për vazhduar aktivitetin kriminal apo për t’i mbijetuar goditjes së autoriteteve kundër aktivitetit kriminal dhe personave të përfshirë.

Gjithashtu, sipas kriterit të qëllimit të zbatimit të konfiskimit disa sisteme ligjore i klasifikojnë llojet e ndryshme të konfiskimit në konfiskim parandalues dhe ndëshkues. Kështu, ligji holandez bën dallimin midis konfiskimit të mjeteve të krimit, i cili konsiderohet se përbën një sanksion penal dhe konfiskimit të produkteve të krimit, i cili shihet vetëm si një masë parandaluese. Sisteme të tjera ligjore i klasifikojnë konfiskimet: në penale që shërbejnë për qëllime ndëshkuese e shtypëse dhe konfiskime të cilat kanë një qëllim parandalues. Ky dallim është i njohur në sistemin ligjor të Luksemburgut dhe atë Zviceran. Ndërsa, në rastin e RSH, sipas Nenit 30 (pika 2) të Kodit Penal, konfiskimi është një dënim penal, i cili ka qëllim ndëshkues dhe parandalues. Sipas Kodit Penal të RSH, konfiskimi i mjeteve të kryerjes së veprës penale dhe produkteve të veprës penale, mund të jepet si dënim plotësues ndaj personave që kanë kryer krime ose kundërvajtje penale. Gjithashtu, një konfiskim penal mund të ketë edhe funksion riparues, si në rastin kur prona e konfiskuar përdoret për të kompensuar viktimat e veprave  penale.

Konfiskimi i sendit objekt i veprës penale

Konfiskimi i pasurisë së lidhur me veprën penale është një sanksion i rëndësishëm penal që konsiston në transferimin e titullit të pronësisë. Momenti i kalimit të pronësisë zakonisht përkon me momentin kur vendimi për konfiskimin merr formën e prerë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përmbahen doktrinës sipas së cilës, transferimi i titullit të pronësisë duhet të ndodhë në momentin e kryerjes së veprës penale. Vendimi gjyqësor që urdhëron konfiskimin ka vetëm fuqi deklarative. Kjo doktrinë është fiksuar në vitin 1984 me anë të Aktit Gjithëpërfshirës të Konfiskimit dhe tani është e zbatueshme pothuajse në çdo konfiskim në Shtetet e Bashkuara. Sipas këtij përfundimi ligjor, shteti konsiderohet, se është pronari i pasurisë të lidhur me veprën penale që nga momenti kur është kryer vepra. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e ka kushtëzuar fuqinë prapavepruese mbi titullin e pronësisë si të vetëzbatueshme.

Në përputhje me doktrinën amerikane në Nenin 3 (pika 4) të ligjit shqiptar “antimafia” parashikohet, se konfiskimi i pasurisë kriminale zbatohet edhe për pasuritë e personave të krijuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kusht që pasuritë të jenë vënë gjatë përfshirjes së tyre në veprimtarinë kriminale. Por, derisa organet gjyqësore të kenë marrë një vendim për konfiskimin e objektit të veprës penale, dikush tjetër mund të zotërojë pronën dhe në këtë rast ai ka të drejtë të kërkojë pafajësinë. Konventa e Vjenës dhe Konventa e Këshillit të Evropës e Pastrimit të Parave edhe pse përmbajnë kushte lidhur me të drejtat e palës së tretë përfituese, shtetet anëtarë të FATF në sistemet e tyre ligjore lejojnë konfiskimin e të ardhurave kriminale nga palët e treta. Fusha e zbatimit të konfiskimit së pasurive kriminale, objekt të veprës penale, kur shtrihet në të ardhurat nga krimi krijon një numër problemesh nganjëherë të pakapërcyeshme. Një pengesë e rëndësishme e konfiskimit të objektit të veprës penale, veçanërisht në lidhje me të ardhurat nga krimi, është fakti që pasuria, objekt konfiskimi në kohën e dhënies së vendimit gjyqësor, është konsumuar ose nuk mund të gjurmohet dhe kështu i shpëton konfiskimit. Nga ana tjetër, konfiskimi mund të sjellë pasoja në thelb të padrejta për palët e treta përfituese, pasi të drejtat e tyre mund të cenohen për shkak të zbatimit “verbërisht” të konfiskimit të objektit të veprës penale. Konfiskimi i të ardhurave nga vepra penale e zhvesh personin që ka kryer veprën penale nga çdo e drejtë pasurore që mund të krijohen nga këto të ardhura. Kjo është logjike dhe e drejtë, ai nuk mund të ketë asnjë të drejtë në lidhje me pasurinë e fituar nga vepra penale. Ky përfundim nuk mund të zgjerohet.

Por, si do të veprohet me palët e treta që kanë të drejta pasurore në lidhje me të ardhurat kriminale?

Në ato sisteme ku konfiskimi i objektit ekziston në lidhje me konfiskimin e të ardhurave nga krimi, nuk i kushtohet asnjë vëmendje të drejtave të personave të tretë, pasi është vendosur që prona përbën të ardhurat nga krimi, prandaj ajo shpesh mund të konfiskohet, pavarësisht nga pronësia në kohën e konfiskimit. Në mënyrë tipike, kjo linjë e arsyetimit është e vlefshme si në fazën e gjykimit, ashtu dhe në fazën e zbatimit të konfiskimit. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë përcakton, se në qoftë se palët e treta nuk kanë qenë në gjendje për të mbrojtur të drejtat e tyre gjatë fazës së gjykimit, ligji duhet të lejojë që ata të mbrojnë të drejtat e tyre pas ekzekutimit të konfiskimit. Të drejtat e palëve të treta përfituese mund të garantohen vetëm nëpërmjet procedurave të veçanta të kërkuara nga vetë palët e treta, në fazën e gjykimit apo në fazën e zbatimit të vendimit të konfiskimit. Në përputhje me këto standarde, legjislacioni ynë në ligjin “antimafia” përcakton, se “… kur gjatë shqyrtimit gjyqësor del, se pasuritë e sekuestruara u përkasin personave të tretë, gjykata kryesisht me vendim të arsyetuar, i thërret ata për të ndërhyrë në proces. Personi i tretë, brenda afatit që i caktohet nga gjykata, ka të drejtë të paraqesë në seancë pretendimet e veta, si dhe të kërkojë marrjen e të dhënave të tjera të nevojshme”.

 Në disa sisteme ligjore konfiskimi i objektit nuk është i lidhur me konfiskimin e të ardhurave nga krimi. Kështu legjislacioni zviceran parashikon, se pasuria e përbërë nga të ardhurat e krimit nuk mund të konfiskohet, në qoftë se një palë e tretë e ka fituar pasurinë sipas ligjeve në fuqi (Neni 59 (1) i Kodit të Zvicrës). Një kërkesë e ngjashme ekziston edhe në ligjin hollandez (Neni 33 (2) i Kodit Penal hollandez). Në respektim të konfiskimit të objektit dhe produktit të krimit, ligji belg ka vendosur, se nuk është e mundur të konfiskohen produktet e veprës penale të cilat janë përfituar nga palët e treta. Legjislacioni shqiptar e kushtëzon konfiskimin e pasurisë kriminale të palëve të treta, në qoftë se ata e kanë fituar me veprime juridike fiktive ose stimuluese. Në këto raste gjykata konstaton pavlefshmërinë e këtyre veprimeve juridike dhe pasuria konsiderohet se i përket autorit të veprës penale. Sipas këtij ligji ekziston prezumimi, se edhe në këto raste kemi të bëjmë me pasuri të fituara në mënyrë të paligjshme nga personi i dyshuar. Në këtë mënyrë rrjedh, formësohet edhe prezumimi, se pasuri të cilat formalisht janë në emër të personave të tjerë, në fakt janë në zotërimin direkt apo të tërthortë të personit të dyshuar për kryerjen e krimeve të përcaktuara në Nenin 3 (pika 1) të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009. Në rastin kur rezulton, se personi i dyshuar zotëron një numër pasurish, konfiskimi i pasurisë nuk vendoset “verbërisht” mbi të gjitha pasuritë e tij, por çmohet dhe vendoset për secilën prej tyre dhe vetëm për ato pasuri që nga hetimi dhe gjykimi rezulton, se nuk u justifikohet origjina, prejardhja e ligjshme. Kjo për shkak se nuk mund të përjashtohet mundësia, që një person i dyshuar sipas ligjit të disponojë edhe pasuri të fituara në mënyrë të ligjshme. Këto rregullime të konceptit të objektit të konfiskimit nuk i japin zgjidhje të kënaqshme problemeve të ndryshme, pasi ata shpesh e bëjnë konfiskimin e produktit të veprës penale të pamundur. Në disa raste nuk do të mund të privojnë përfituesin e të ardhurave kriminale, kur ai ka arritur t’i dërgojë ato jashtë shtetit në “offshore”, ose kur të ardhurat nga krimi nuk janë më në posedim të tij. Përfundimisht, konfiskimi gjithmonë do të jetë i pamundur kur produktet e krimit janë në pronësi të personave juridikë në ato sisteme të drejtësisë penale që nuk e njohin përgjegjësinë penale të personave juridike.