Dr. Shk. Inxh. Dhimitraq TRAJANI/ S’ka reformë të suksesshme, pa ridimensionimin e kurrikulave dhe përmbajtjes së teksteve mësim

587
Sigal

   Dihet se shkencat e natyrës kanë qenë gjithmonë pika referimi dhe hulumtimi për zhvillimin e shumë shkencave të ndryshme, sidomos për ato inxhinierike dhe produktet e tyre në strukturat elektronike, mekanike, fluide etj., aq sa tani s’ka as më voglin mëdyshje se strukturat e sotme inxhinierike, të çdo pajisje teknike dhe teknologjie moderne; aparatura skanimi dhe analizave mjekësore, tepër të sofistikuara; linja moderne të prodhimit industrial, në bazë të përsosjes të të gjitha mjeteve dhe infrastrukturës të rrjetit të transportit, komunikimit njerëzor, deri te observatorët më të fuqishëm të studimeve hapësinore ndërplanetare dhe mjetet e realizimit të tyre, dhe për të ardhur në jetën tonë të përditshme, janë zbatime dhe përsiatje të dukurive ose fenomeneve: fizike, kimike, termodinamike, mekanike etj., aq edhe konstruime dhe zbatime elektrike dhe elektronike. Të gjitha arritjeve dhe zbulimeve shkencore, u është treguar dhe përvijuar progresi “duke lexuar faqet” e Shkencave të Natyrës.

   Në këtë shkrim, sigurisht jo në vlerat e një analize të plotë, aq sa do mundja ta realizoja atë, por edhe e pa mundur në hapësirat e një shkrimi, do t’i referohem disa mangësive që kam konstatuar në përmbajtjen e disa teksteve të shkencave të natyrës që zhvillohen në Shkollat e Mesme, por edhe në fakultetet me profil inxhinierik në universitetet tona, në drejtim të lidhjes ose fushave të zbatimit të tyre në strukturat inxhinierike, por edhe në lëndët teknike.

   Në një tekst të Analizës Matematike për Fakultetin e Inxhinierisë, në elementët e studimit të funksioneve në përgjithësi dhe funksioneve trigonometrikë, nuk jepen shembuj për llogaritjen e elementeve të valëve, që do t’i quaja “gjuha dhe shprehjet” e sinjaleve të komunikimit në një qark elektronik, të emetuar nga sensorë ndryshëm,  në një strukturë inxhinierike shumë funksionale. Nuk gjendet në ndonjë shembull në një tekst të Analizës Matematikore, zbatimi, për konkretizimin e vijës që përshkruhet nga një pikë e rrethit në rrotullim pa rrëshqitje mbi një drejtëz, e njohur me emrin cikloidë dhe astroidës e dhënë me ekuacione parametrike, në ndërtimin dhe funksionimin e strukturës ose nyjes të transmetimit të momenteve rrotulluese dhe lëvizjes në sistemin kinematik dhe dinamik të ingranazhit “diellor”, ingranazheve “planetarë” dhe ingranazhit të dhëmbëzuar, që është një nga komponentët në transmesinet automatike të automjeteve, për të cilat nuk gjen materiale të shkruara me informacione të plota në tekstet tona mësimore.

Duke vazhduar të shfaq disa mendime për shpjegimet në lëndën e Matematikës, duke patur gjithmonë parasysh karakterin universal të saj, si shkencë, por për rastin konkret të adaptimit të atyre njohurive në shkollat me profil inxhinierik, nuk mundet të mos sugjerohen gjetje, që do të rritnin shkallën e përvetësimit të tyre nga nxënësit dhe studentët, por që do të ndikonin edhe në krijimin e hapësirave për nxitjen e mendimit krijues dhe të elementeve studimore shkencore.

   Transmetimi i njohurive mbi vetitë e funksioneve të vazhduar dhe limitit të funksioneve monotone, do të kishin hapësira konkretizuese në diagramat që shprehin vartësitë ndërmjet parametrave: presionit, shpejtësisë, volumit etj., në shumë zgjidhje të problemeve inxhinierike. Zbatime të integralit të caktuar, do të ishte një lidhje e suksesshme e matematikës me shkencën inxhinierike të motorëve, në përgjithësi në llogaritjen e parametrave të gazeve në sistemet e mbyllur, ku integrohen edhe motorët me djegie të brendshme. Si përfundim, problemet matematikë që ju referova, janë vetëm pak nga ato që kanë studiuar dhe përkufizuar në mënyrë shkencore, matematicienët e shquar: A.Muavri, P.Ferma, M.Role, Lopital, Teilor, L Eiler, Kartezi, Bernuli, më të shumtit e tyre edhe filozofë që i përkasin Kombit Francez, dhe për kuriozitet, ja vlen të përmenden idetë filozofike dhe formulimet matematikore të tyre, që mundet të sillet edhe si një fakt historik për vendin tonë, janë studiuar edhe në Akademinë e Re të Voskopojës, sidomos të Rene Dekartit (Kartezi) dhe idetë dualiste të tij. Së fundi nuk mundet të mos përmendet Zh.Langrazh, matematicien edhe inxhinier. Studimet matematikore dhe përfundimet e këtyre korifejve të mendimit njerëzor, janë dhe do të mbeten pika referimi të matematizimit të shkencave inxhinierike dhe teknologjive në përgjithësi, ashtu si edhe të fizikantëve të shquar të shekullit të XIX-të: Faradeit, Hercit, Lencit, Bekerelit, Rongenit, Daltonit, Voltës, Maksvellit, Amperit e shumë të tjerëve. Por problemi sot shtrohet sa autorët e teksteve i njohin dhe i integrojnë shkencërisht zbulimet e tyre në tekstet që përgatitin.

   Mangësi të theksuara vihen re në tekstet mësimore të lëndëve të Fizikës dhe Kimisë, për shkollat e larta, të mesme dhe ato profesionale. Njihet prej shumë kohësh dukuria e piezokristaleve si gjysmëpërcjellës i zbatuar në sensorët e presionit MAP. Por në asnjë tekst mësimor, nuk shpjegohet ai si një nga elementet elektronikë në qarkun që monitoron nëpërmjet moduleve elektronike presionet në një motor me djegie të brendshme, për të krijuar raportet racionale në vartësi të masës të ajrit që thithet dhe sasisë të lëndës djegëse që injektohet, për ekonomizimin e saj dhe minimizimin e emisioneve toksike që emetohen!

    Vështirë se mundet të gjesh të shkruar në ndonjë tekst kimie, sado pak, për një pajisje elektro-kimike të quajtur sensori i oksigjenit (O2) i cili zbërthen atomin e oksigjenit në ngarkesa pozitive dhe negative, duke u kthyer në një burim tensioni për prodhimin e sinjalit për modulin elektronik të drejtimit!

     Përvoja e udhëheqjes të një studimi dy vjeçar, në kuadrin e projekteve të Qendrës Rajonale të Mbrojtjes të Mjedisit, për Evropën Qendrore dhe Lindore – REC Budapest, financuar nga BE, i pari në këtë fushë, që u implementua në gjashtë qytete kryesore të vendit tonë:“Mbi Ndotjen Urbane nga Emisionet Toksike të Emetuara nga Automjetet”, më dha mundësi të njihem me vlera me të vërtetë alarmante të HC, CO, NOx (NO dhe NO2), Pb, VOCs (Volatile Organics Compounds-avuj të lëndëve djegëse), SOx, CO2, TSP (Suspend Particle-blozë) PM5 dhe PM10 mikron etj. të matura. Por deri tani nuk kemi lexuar në asnjë tekst Kimie t’i trajtojë këto emisione, jo thjesht si komponime kimike, por si gaze helmuese që përbëjnë atë re toksike gjigande që mbulon Tiranën gjatë 24 orëve; që shkaktojnë infeksione në rrugët respiratore, deri kancer në mushkri; që dëmtojnë rëndë sistemin kardiovaskular; shkaktojnë kancer në gjak dhe në lëkurë; frenojnë zhvillimin intelektual dhe deformojnë krijesën që gjatë periudhës të shtatzënisë! Dhe dy fakte me të vërtetë tronditëse, si është deklaruar nga një studiues në një kongres botëror: monoksidi i karbonit (CO), absorbohet nga hemoglobina e gjakut (rruazat e kuqe), 200 herë më shumë se oksigjeni i pastër! Emisionet toksike kanë efekte të njëjta me ato të rrezatimeve bërthamore!

   Përvoja si mësimdhënës në një institucion mësimor, ku jepen njohuri mbi strukturat inxhinierike të automjeteve moderne dhe promovohen aparaturat e versioneve më të reja të diagnostikimit (skanerave) të sistemeve të tyre, në një auditor me nxënës që kanë përfunduar shkollat e mesme dhe me programe alternative edhe me inxhinierë të rinj dhe punonjës të rrjetit të autoserviseve, por edhe si udhëheqës i disa temave të diplomave të studentëve të Universitetit Politeknik të dy nivelet, kam konstatuar se ka një diferencë që vjen gjithmonë duke u rritur ndërmjet konstruksioneve të automjeteve dhe infrastrukturës teknike që operohet në to, që ndryshojnë në periudha kohore të shkurtra dhe nivelit të njohurive relativisht të prapambetura të teknikëve që punojnë në autoservise dhe kontigjenteve që vijnë nga auditoret e shkollave të mesme dhe të larta. Shkaqet: niveli disi i prapambetur i teksteve mësimore, mungesës të lehtësisë didaktike ose ajo është gjithmonë e vonuar në pasqyrimin e informacionit të ri mbi strukturat e sistemeve dhe nyjeve në linja teknologjike të ndryshme, por edhe në automjete, që monitorohen tërësisht nga qarqe elektronike. Dhe së dyti, nga mangësi në formimin shkencor të një numri jo të vogël të mësuesve të shkencave inxhinierike dhe të natyrës, që e treguan edhe rezultatet në provimin e Matematikës të maturës të këtij viti dhe askush nuk duhet të mendojë, se ai nivel prapambetje nuk do të jetë edhe në lëndët e tjera. Vështirë se mundet të dëgjosh nga mediat promovimin e ndonjë teksti mësimor, përpos librit artistik!

   Në përfundim, do të shfaqja mendimin, se disa shkurtime në tekstet bazë të shkencave të natyrës, që zhvillohen në Degët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës apo të Mësuesisë, nuk mundet të adaptohen shkencërisht pa referenca dhe konkretizime nga shkencat në degët, ku ato zhvillohen. Nuk mendoj se kompromentohet përmbajtja e disa teksteve të Analizës Matematikore, kur në kopertinë ato cilësojnë “Për Fakultetet e Inxhinierisë”, por nuk mundet të mos mendosh ndryshe kur në parathënie autorët falënderojnë vetëm kolegët e departamenteve të tyre, për ndihmën e dhënë në përgatitjen e teksteve, se ata nuk kanë marrë mendime dhe sugjerime nga inxhinierët e degëve për të cilat ato tekste janë “përshtatur”, që shfaqen deri diku në shembujt që solla më parë.

   Prioritet parësor i reformës duhet të jetë kualifikimi dhe testimi sistematik i mësuesve dhe pedagogëve! Pedagogët e Shkencave të Natyrës, përpara se të hyjnë në auditoret e Fakulteteve Inxhinierike, duhet të kenë disa njohuri për shkencat inxhinierike, “të bëhen pak inxhinierë”. Nuk do të kemi arsimim të përgjithshëm, inxhinerik dhe professional, të përafruar me standartet e BE, pa “skanuar” dhe kaluar në filtra shkencore: tekstet, nivelin e stafit mësimdhënës dhe infrastrukturën didaktike mësimore!