Udhëzimi i MAS, lë Tiranën pa libra shkollorë

642
Sigal

Zbardhet udhëzimi “Për zgjedhjen dhe shitjen e teksteve shkollore për vitin shkollor 2014-2015”

Nxënësit e Tiranës rrezikojnë të ngelen pa libra këtë vit shkollor. Shkak është udhëzimi për Altertekst 2014-2015 i firmosur nga ministrja Nikolla, e cila urdhëron që “teksti, i cili ka autor mësuesin apo drejtuesin e njësisë vendore arsimore nuk mund të përzgjidhet në qarkun ku është i punësuar autori”. Ndërsa pothuaj të gjithë autorët e teksteve shkollore jetojnë dhe punojnë në Tiranë. Në udhëzim përcaktohet data 15 prill 2014 si përfundim i procesit të përzgjedhjes së teksteve të jetë, ndërsa procesi i porosisë së teksteve në shtëpitë botuese duhet të përfundojë deri në datën 20 prill 2014. Shkollat që kanë nxënës të pakicave kombëtare, si dhe ato të arsimit profesional e artistik i dërgojnë porositë e tyre për tekstet shkollore me një alternativë në shtëpinë botuese shtetërore “BOTEM” duke u mbështetur saktësisht në numrin e nxënësve, brenda muajit prill 2014. Gjithashtu, në këtë udhëzim ministrja Nikolla urdhëron që shitja e librave shkollorë të bëhet nga 20 gushti deri në 15 shtator 2014.

 Udhëzimi i plotë

I. KATALOGU I TEKSTEVE SHKOLLORE

a. Katalogu përgatitet brenda datës l5 mars2014.

b. për vitin shkollor 2014-2015 institucionet shkollore të arsimit parauniversitar do të punojnë me tekstet e katalogut të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

c. Katalogu i teksteve shkollore është një nga dokumentet kryesore për zhvillimin e aktivitetit të përzgjedhjes së teksteve nga mësuesit.

d. Katalogu përmban tekstet alternative për çdo klasë, shtëpinë botuese/distributorin, autorin/autorët dhe çmimin e indeksuar të blerjes së tekstit nga nxënësit.

e. Katalogu shpallet në faqen zyrtare elektronike të MAS.

II. PËRZGJEDHJA E TEKSTEVE

1. Përzgjedhja e teksteve bëhet nga mësuesit ne bazë shkolle.

Mësuesit kanë për detyrë:

a) Të njohin Katalogun e MAS për tekstet shkollore 2014-2015.

b) Të njoftojnë dhe të ftojnë nxënësit dhe prindërit në një mbledhje të veçantë për të dhënë mendime dhe propozime për tekstet.

2. Në përzgjedhjen e tekstit mësuesit të bazohen:- te cilësia e tekstit; – te pritshmëria e rezultateve qe do të ketë mësuesi i lëndës/klasës dhe nxënësi për tekstin, të cilin do të përzgjedhin; – te interesi i nxënësit për të ardhmen, për të vazhduar më tej ciklet e shkollimit; – te lëvizja demografike e nxënësve.

3. Këshilli i mësuesve, i njoftuar nga drejtori i shkollës, zgjedh Komisionin e Administrimit (KA) të procesit.

4. KA përbëhet nga tre mësues: Kryetari, sekretari dhe një anëtar.

5. Detyrat e Komisioni të Administrimit janë:

a) KA te japë udhëzimet për përgatitjen e propozimeve të cilat do të paraqiten në mbledhjen zgjedhore.

b) Të shpallë publikisht datën, orën, vendin dhe rendin e ditës së mbledhjes zgjedhore të teksteve, në një hapësirë dyjavore.

c) Të drejtojë mbledhjen e mësuesve për përzgjedhjen e teksteve.

6. Çdo mësues vjen në mbledhjen zgjedhore të teksteve me propozimet e tij, të cilat duhet të jenë të harmonizuara në bazë shkolle.

7. Në shkollat ku ka dy a me shumë mësues për një lëndë dhe dy a më shumë klasa paralele, mësuesit t’i unifikojnë propozimet duke u mbledhur në bazë klasash ose komisionesh lëndore ose grup lëndësh. Propozimet duhet të jenë konsensuale. Në rast mosdakortësie, të bëhet votim i thjeshtë dhe i hapur.

8. KA administron propozimet e mësuesve dhe/ose grupmësuesve dhe harton procesverbalin përmbledhës. Procesverbali të mbahet në tri kopje origjinale dhe të nënshkruhet nga të gjithë mësuesit.

9. Mbledhja e këshillit të mësuesve për përzgjedhjen e teksteve të bëhet e hapur. Në këtë mbledhje ftohet të marrë pjesë bordi i prindërve. Media është e lirë të marrë pjesë.

l0. Një kopje e procesverbalit përmbledhës afishohet në shkollë, një kopje me shkresë përcjellëse nga drejtori i shkollës i dërgohet DAR/ZA-së, një kopje mbahet në arkivin e shkollës dhe ruhet për dy vjet.

11. Mësuesi, në javën e fundit të vitit shkollor, pajis çdo nxënës me listën e teksteve që do të blejë për vitin e ardhshëm shkollor dhe çmimet e tyre.

12. Në çdo DAR/ZA ngrihet Grupi i Koordinimit (GK) me tre punonjës, në përbërjen e të cilit njeri detyrimisht duhet të jetë specialist i IT. Në DAR Grupi kryesohet nga përgjegjësi i Sektorit të Kurrikulës dhe Cilësisë, ndërsa në ZA nga përgjegjësi i Sektorit të Kualifikimit dhe Cilësisë.

Grupi ka për detyrë:

a. Të marrë nga shkollat të gjitha procesverbalet përmbledhëse;

b. Të hartojë tabelën përmbledhëse të porosisë së teksteve në shkallë DAR/ZA-je dhe për procedim të mëtejshëm pranë shtëpive botuese përkatëse;

c. DAR/ZA të dërgojë në MAS të dhënat për tekstet sipas formularit të përgatitur nga kjo e fundit.

13. Data e përfundimit të procesit të përzgjedhjes së teksteve të jetë 15 prill 2014.

14. Procesi i porosisë së teksteve në shtëpitë botuese duhet të përfundojë deri ne datën 20 prill 2014.

15. Shkollat që kanë nxënës të pakicave kombëtare, si dhe ato të arsimit profesional e artistik i dërgojnë porositë e tyre për tekstet shkollore me një alternativë në shtëpinë botuese shtetërore “BOTEM”, duke u mbështetur saktësisht në numrin e nxënësve, brenda muajit prill 2014.

III. KONFLIKTI I INTERESIT

1. Çdo punonjësi të MAS dhe të gjithë institucioneve të varësisë u ndalohet ndikimi në procesin e përzgjedhjes.

2. Teksti, i cili ka autor mësuesin apo drejtuesin e njësisë vendore arsimore nuk mund të përzgjidhet në qarkun ku është i punësuar autori.

3. Kur punonjësi ose personi ka konflikt interesi, konflikti zgjidhet në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi.

IV. SHTËPITË BOTUESE

1. MAS nënshkruan me Shtëpitë botuese kontrata me afat njëvjeçar.

2. Shtëpia botuese jep të dhënat e mëposhtme:

a) Ndryshimin e adresës, numrit të telefonit, adresës postare elektronike;

b) Të dorëzojë të dhënat e mësipërme për shpërndarësin në secilën DAR/ZA dhe në MAS;

3. Shtëpia botuese merr përsipër dhe mban përgjegjësi për:

a) Marrëdhëniet e saj me autorët e teksteve;

b) Plotësimin e sasisë dhe cilësisë të porosive të shkollave për tekste;

c) Bashkëpunimin vetëm me shpërndarës që plotësojnë të gjithë kushtet ligjore;

d) Shpërndarjen dhe shitjen e teksteve në shkolla.

4. Tekstet e dërguara nga Shtëpitë botuese inventarizohen në bibliotekën e shkollës, për t’u përdorur për vitet e ardhshme.

5. Shtëpia botuese është e detyruar që, në kopertinën e çdo kopjeje të tekstit, të shënojë çmimin, të vendosë barkodin dhe pullën me hologramën e certifikimit nga MAS, përpara nxjerrjes së tij në  shitje.

6. Shtëpia botuese është e detyruar të furnizojë shkollën, që ka bërë porosinë pranë saj, Brenda afateve me të gjithë sasinë e librave të kërkuara. Në rast se ky furnizim nuk bëhet, shkolla mund të pezullojë shitjen e këtij titulli dhe pas 10 ditësh ta zëvendësojë me alternativën e dytë, e kështu me radhë.

V. SHPERNDARJA DHE SHITJA E TEKSTEVE SHKOLLORE

a) Shitja e teksteve shkollore të bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara nga 20 gushti deri në 15 shtator 2014:

b)Gjatë kësaj periudhe, shkollat u vënë në dispozicion falas subjekteve të licencuara, një ose dy mjedise të sigurta për shitjen e teksteve;

c)ISHA, DAR/ZA-të, drejtuesit e shkollave monitorojnë shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore;

d)ndalohet shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjës arsimorë, me përjashtim të teksteve të pakicave kombëtare, ku shpërndarja dhe shitja e tekstit shkollor mund të bëhet nga punonjës arsimorë të ngarkuar nga DAR/ZA dhe drejtoritë e këtyre shkollave pa pagesë:

e)botuesit apo distributorët që nuk zbatojnë rregullin e mësipërm do të ballafaqohen me masa ndëshkuese vitin e ardhshëm shkollor;

f)shitja me detyrim ose me mashtrim e librave që nuk kanë hologramën e MAS-it është kategorikisht e ndaluar.

g)DAR/ZA-të gjatë dy javëve para fillimit të vitit të ri shkollor dhe dy javë pas tij të raportojnë në MAS çdo ditë, në mënyrë të vazhdueshme për shpërndarjen dhe blerjen e teksteve;

h)ISHA pas monitorimi të procesit i raporton me shkrim ministrit të Arsimit dhe Sportit.

i) subjekteve të licencuar për shitje të teksteve shkollore nuk u lejohet të shesin në shkollë asnjë tekst shkollor që nuk i përket katalogut të teksteve shkollore të vitit shkollor 2014-2015.

Opinion/ Udhëzimi dhe Altertekst

 Ministria e Arsimit dhe e Sportit duhet të zgjidhë urgjentisht ngërçin e krijuar për shkak të këtij udhëzimi. Nxënësit e Tiranës nuk mund të rrezikojnë që të ngelin pa librat e tyre për këtë vit shkollor. Në kapitullin 3 të Udhëzimit, ministrja e Arsimit e ka thënë qartë se për shkak të konfliktit të interesit “Teksti, i cili ka autor mësuesin apo drejtuesin e njësisë vendore arsimore nuk mund të përzgjidhet në qarkun ku është i punësuar autori”. Ndërkohë që shumica e autorëve të tekstit punojnë dhe jetojnë në fushën e arsimit në Tiranë. Ministrja e Arsimit Nikolla ndoshta e ka harruar këtë fakt, madje më shumë akoma, ka harruar tekstet e veta të cilat janë pjesë e Altertekst 2014-2015, si dhe të punonjësve të dikasterit që ajo drejton, përndryshe nuk do ta kishte firmosur këtë udhëzim. Ndërkohë që ky udhëzim ka shqetësuar dhe shtëpitë botuese. Nga burimet tona bëhet e ditur që për këtë problem shtëpitë botuese kanë bërë një mbledhje urgjente, ku kanë diskutuar se çdo bëhet me Tiranën, pasi të gjithë autorët e tyre janë nga ky qytet. Edhe ata janë të paqartë dhe nuk dinë si të veprojnë, ndërkohë që Tirana përbën dhe tregun më të madh të shitjeve të librit shkollor. Por ajo çka është më shqetësuese është ndikimi dhe presioni që do të kenë mësuesit e shkollave në Tiranë në përzgjedhjen e Altertekst-it, pasi nuk do shumë mend që ngërçi i krijuar nga Udhëzimi do të ndreqet me një tjetër udhëzim apo korrigjim të këtij varianti që disponon gazeta “Telegraf”. Edhe pse ministrja e parashikon këtë në udhëzim, kur thotë që: “Çdo punonjësi të MAS dhe të gjithë institucioneve të varësisë u ndalohet ndikimi në procesin e përzgjedhjes” dhe se “kur punonjësi ose personi ka konflikt interesi, konflikti zgjidhet në bazë të legjislacionit përkatës në fuqi”. Gjithsesi, gazeta “Telegraf” do të ndjekë hap pas hapi procesin e Altertekst në ndihmë të zbardhjes deri në fund të së vërtetës.