Përplasen dy automjete, plagosen rëndë 6 ushtarakë e 4 familjarë

677
Sigal

Shkodër/Disa të plagosur dërgohen në Tiranë. Mimi Kodheli vizitë në spital

Një aksident i rëndë me pasojë dhjetë të plagosur është regjistruar ditën e djeshme në Shkodër, ndërkohë, mendohet që shkak i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia dhe manovrimi i gabuar i një ushtaraku, drejtues i një prej automjeteve të përfshira në aksident. Burime zyrtare thonë se aksidenti erdhi si pasojë e përplasjes së dy automjeteve në aksin Mjedë-Kryebushat në Shkodër. Sipas policisë së Shkodrës, mes të plagosurve ndodhet një 15-vjeçar, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën, si dhe 6 ushtarakë, edhe këta të fundit në gjendje të rëndë.

AKSIDENTI
Mësohet se, aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur ‘Ura e Stajkës’. Shkak i aksidentit mësohet të ketë qenë humbja e kontrollit e mjetit tip ‘Benz’ me të cilin 6 ushtarakët po udhëtonin për në punë në repartin e Vaut të Dejës. Nga lagështira makina e ushtarakëve ka rrëshqitur duke goditur makinën tip ‘Ford’ që drejtohej nga Sokol Hasmegaj, i cili po udhëtonte së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ndërkaq, të plagosurit janë vizituar nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila ka parë nga afër gjendjen e të plagosurve në spitalin rajonal të Shkodrës. Ndërkohë, policia e Shkodrës ka tentuar të fshehë ngjarjen, deri në momentin kur ka kryer vizitën e saj ministrja Kodheli. Sipas të dhënave nga spitali rajonal i Shkodrës 5 prej ushtarakëve janë dërguar në spitalin e traumës në Tiranë, bashkë me tre anëtarë të familjes Hasmegaj që udhëtonte në mjetin tjetër. Në Shkodër ndodhen vetëm ushtaraku Sevahir Mataj 26 vjeç dhe Blerina Hasmegaj 37 vjeç.
TË AKSIDENTUARIT DHE EHTIMET
Burimet zyrtare japin dhe emrat e të plagosurve në aksident. Ata janë: Gentjan Rrahmani 25 vjeç ushtarak, Sevahir Mataj 26 vjeç, ushtarak (në spitalin e Shkodrës), Genci Loka 26 vjeç ushtarak, Edmond Xhupa 34 vjeç ushtarak, Pashk Makjoshi 33 vjeç ushtarak dhe Sytki Zaganjori 59 vjeç ushtarak. Ndërsa të plagosurit që ndodheshin në mjetin “Ford”
janë: Sokol Hasmegaj, 45 vjeç, Blerina Hasmegaj 37 vjeç-në spitalin Shkodër, Suad Hasmegaj 18 vjeç dhe S. H., 15 vjeç. Dje në mesditë, është bërë shoqërimi i drejtuesit të automjetit të ushtrisë dhe po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Terror me kallash afër shkollës, ndalohet autori
DURRËS- Rreth orës 07:40 të ditës së djeshme, në afërsi të Shkollës 9-vjeçare “Vasil Ziu” Durrës janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Shërbimet më të afërta të terrenit, punonjës të Policisë Rrugore janë afruar në mënyrë të menjëhershme drejt vendit, ku janë dërguar krismat dhe ndërkohë situata i është përcjellë Sallës Operative me qëllim marrjen e masave për shërbime shtesë në funksion të menaxhimit të situatës. Me t’u afruar pranë vendit të ngjarjes këto shërbime kanë mbledhur të dhënat e para nga të cilat ka rezultuar se një i ri ka qëlluar dy herë me breshëri në ajër me një armë zjarri automatik model 56; armë kjo, e cila është konstatuar e braktisur në tokë nga autori. Ndërkohë që, janë marrë masa për sigurimin e armës së zjarrit dhe provave të tjera në vendin e ngjarjes, shërbime të përforcuara policie kanë kryer rrethimin e pallatit drejt së cilit autori i ngjarjes ishte larguar për t’iu shmangur Policisë. Në saj të veprimeve profesionale e shumë  të shpejta policore nga këto shërbime është bërë e mundur kapja e personit të dyshuar si autor i ngjarjes në fjalë, i cili aktualisht po merret në pyetje në polici për të zbardhur  rrethanat dhe motivet që e kanë çuar drejt kësaj ngjarje.

Shpërthim tritoli një banese në ndërtim

LIBRAZHD- Një sasi lëndë plasëse i është vendosur një banese në ndërtim në fshatin Rrajcë në Librazhd. Nga shpërthimi i lëndës plasëse nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme të lehta materiale. Dyshohet se lënda eksplozive artizanale e vendosur nga persona të paidentifikuar të ketë qenë në sasi të vogël, gjë që fatmirësisht ka bërë që dëmet të mos jenë të mëdha. Shkak i vendosjes së lëndës plasëse dyshohet të jetë një konflikt pronësie. Banesa i përket shtetasit 39-vjeçarit T.A, 39 vjeç, banues në Rrajcë në Librazhd. Ekspertët po punojnë për shkaqet e vendosjes së lëndës eksplozive, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Trafiku i armëve katër në pranga

VLORA- Katër të rinj nga Vlora janë arrestuar ditën e djeshme pasi akuzohen për trafikim të armëve dhe municionit të mbetur në tentativë. Mësohet se, nga strukturat e policisë së Fierit janë arrestuar Arjan Komini, 32 vjeç; Kreshnik Durmishi, 28 vjeç; Armando Malaj, 38 vjeç; dhe Mezin Ademi, 24 vjeç, të katërt nga Vlora. Këta shtetas, dyshohet se kanë bashkëpunuar për trafikimin e 2 armëve automatike dhe 5 krehrave me fishekë. Ndërkaq, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për procedim penal. Dyshohet se, këto armë mund të kishin si destinacion shtetet fqinje.

Shfaqet fenomeni “Falkone”, atentat këshilltarit të Gjykatës së Lartë

TIRANE- Tentohet të vritet një këshilltar i Gjykatës së Lartë, përkatësisht Alban Dokushi. Tashmë, krimi, ashtu si dikur në Itali, kur goditi Xhovani Falkonen, edhe në Shqipëri tenton të godasë kreun e  drejtësisë në vend, përkatësisht Gjykatën e Lartë.  Mësohet se 35-vjeçari ishte duke lëvizur me automjetin e tij tip “Citroen”, në orët e mëngjesit të ditës së hënë në zonën e ish- Bllokut në Tiranë, kur makina është goditur nga një plumb që dyshohet të jetë pistoletë. Fatmirësisht plumbi nuk ka goditur Dokushin, po as ndonjë kalimtar të rastit aty pranë. Sipas policisë, për ngjarjen është ngritur një grup i zgjeruar hetimi, ku bëjnë pjesë oficerët e krimeve të Komisariatit nr. 2 të Policisë së Policisë së Tiranës, Oficerë të hetimit të krimeve ndaj jetës dhe shëndetit si edhe oficerë të antiterrorit, për shkak të funksionit që kryente Dokushi. Burimet thanë se, ende nuk ka një pistë konkrete për hetimin e ngjarjes, ndërsa nuk kanë pohuar po as mohuar atë për shkak të detyrës. Dokushi, ishte këshilltar ligjor i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj. Deri në orët e vona të ditës së djeshme, zyrtarisht nuk është dhënë asnjë komunikim lidhur me atentatorin e mundshëm dhe motivet e kësaj vrasje në tentativë.