Afrim Krasniqi: Për dënimin e zyrtarëve dhe politikanëve ka vetëm një rrugë, deklarim i të ardhurave

448
Sigal

INTERVISTA/ Flet për gazetën “Telegraf”, Politologu, Afrim Krasniqi

Korrupsioni, varfëria, marrja e statusit në qershor, gjuha denigruese e përdorur në Parlament, si dhe deklarimi i pasurive të pushtetarëve dhe dënimi i tyre, kanë qenë në fokus të intervistës së dhënë për gazetën “Telegraf”, nga  një nga njerëzit më konstant të politikës shqiptare, Politologu Afrim Krasniqi. Student i dhjetorit dhe ish-këshilltar i Presidentit, në intervistën e mëposhtme, zbardh detaje mbi situatën më të fundit për sa i përket politikës dhe gjendjes aktuale të vendit. 

Z.Krasniqi, sot flitet shumë për një korrupsion tejet të pabesueshëm të shumë zyrtarëve të Qeverisë së mëparshme, por ende askush nuk dënohet. Çfarë impakti japin në popull, akuzat dhe mos dënimi?

– Nuk besoj se, është çështje impakti dhe as korrupsioni të djeshëm të PD, LSI apo partnerëve të koalicionit, por është çështje se çfarë sistemi politik po krijojmë dhe çfarë kulture politike po kultivojmë. Demokratët erdhën në pushtet më 2005 me sloganin e antikorrupsionit dhe nuk arritën të dërgojnë para drejtësisë asnjë zyrtar të qeverisë së majtë. Në dy rastet një pjesë e pushtetit mbeti në pushtet, gjë që vështirësoi nismat antikorrupsion për shkak të nevojës për aleatë e vota parlamentare. E njëjta situatë është edhe tani, pas rotacionit politik. Arsyet janë të njëjta: mungon vullneti politik, mundon kultura e ndryshimit, mungon përgjegjshmëria dhe detyrimi moral e politik që palët kanë ndaj qytetarëve votues. Në dy rastet palët u interesuan më shumë të ndryshojnë njerëzit që drejtonin sistemin sesa të ndryshojnë vetë sistemin. Dhe duke mos ndryshuar sistemin rrezikojmë që sistemi i djeshëm korruptiv të ndryshojë ngjyrë partiake, duke mbetur i tillë, si kërcënim për demokracinë dhe shtetin. Ky është thelbi i dështimit. Pasojat? Rënia e besimit të qytetarëve tek institucionet, tek partitë, tek demokracia funksionale, tek shpresa se gjërat mund edhe të ndryshojnë.

 Cila është rruga më e drejtë e dënimit të korrupsionit të ish-qeveritarëve dhe zyrtarëve?

– Për zyrtarët dhe politikanët e djeshëm e të sotëm ka gjithnjë vetëm një rrugë të shkurtër: deklarim të të ardhurave financiare, deklarim të burimeve të financimit të pronave, bizneseve dhe aseteve që kanë në mënyrë legale e ilegale dhe nëse nuk justifikohen me burime të ligjshme, sekuestro të tyre. Mjafton kaq. Në Rumani, Bullgari, Kroaci etj, kjo masë shënoi ndryshime radikale në politikë, dënime të shumta të politikanëve abuzues, kurse tek ne, pa këtë model, me lojë dhe akuza fjalësh pa nisma juridike, – sistemi na kthehet në boomerang dhe më të korruptuarit janë kandidatë të përhershëm për postet më të larta të shtetit, deri tek ambicia e tyre për kreun e shtetit.

 Puna aktuale e qeverisë, a ka krijuar premisa për marrjen e statusit në qershor?

– Qeveria nuk ka bërë asgjë që mund të penalizojë, por ka bërë pak që të mund të na ndihmojë. Ndaj vendimi i qershorit nuk do varet nga bilanci i qeverisë, por gjeopolitika, sidomos pas ngjarjeve në Ukrainë, si dhe nga nevoja e dhënies së një shansi politik për Shqipërinë. Nëse vendi do gjykohej formalisht vetëm mbi arritjet e shkruara, ne nuk do arrinim statusin as sot, as në qershor dhe as në dhjetorin e ardhshëm. I vetmi zhvillim pozitiv mbetet shenjat e një dialogu politik midis maxhorancës dhe opozitës, diçka me rëndësi formale, ende pa përmbajtje, por përjashtim dhe lajm në traditën e munguar të dialogut politik në Shqipëri.

Si do ta komentonit sjelljen e Berishës në Parlament, me hapësira kohe thuajse të pakufizuara dhe me fjalor jo të përshtatshëm?

– Nuk ka nevojë për koment. As ai, as sfidanti i tij në qeveri, as ndonjë politikan tjetër që ka drejtuar apo drejton vendin nuk mund të flasë dhe të sillet në mënyrë të papërgjegjshme dhe fyese për këdo që i dëgjon. Por ky zhvillim ka një të mirë: u dëshmon qytetarëve se, kush i ka udhëhequr në dy dekada dhe sesa fiktivë janë piedestalet militante që janë krijuar në partitë kryesore politike.

 Sot flitet shumë për rrogat e larta të Guvernatorit të Bankës dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, a janë të kontrolluara dhe të miratuara këto rroga, dhe në fakt a janë të justifikueshme ato?

– Është çështje sistemi, vetë ligji mundëson abuzime me asetet publike, siç janë shpenzimet e luksit në institucionet që kanë status autonom e publik. Ndodh në Bankë, ndodh në TVSH, ndodh në KESH (CEZ), ANTA, INSIG e në shumë ente të tjera shtetërore apo publike, ku hierarkia e shpenzimeve dhe rrogave ka lejuar krijimin e një oligarkie shtetërore. Në parim, askush në shtet nuk mund të ketë rrogë më të lartë sesa kreu i shtetit dhe sipas piramidës, askush nuk mund ta zhvendosë veten mbi të tjerët. Në realitet ndodh ndryshe dhe kjo do të duhej një prej atyre pikave të debatit politik dhe reformimit të sistemit qeverisës dhe administrative, gjë që fatkeqësisht nuk ndodh edhe për shkak se, palët politike duan t’i përdorin me rotacion këto institucione për veten e tyre, familjarët, miqtë dhe besnikët politikë.