Vangjush Saro: Kapadainjtë e Tiranës

720
Sigal

Analizë nga Vangjush Saro:

Kapadainjtë e Tiranës ! Kështu thuhej kur u çlirua Shqipëria, se “do të hanim me lugë floriri”. Por pastaj… ua hoqëm nga duart edhe lugën e drunjtë. Kështu thuhej kur Shqipëria vuante “epokën e talloneve” dhe qytetarët i vinim në rresht për 1 litër qumësht apo për 5 litra vajguri. Kështu thuhej kur lyheshin fasadat dhe bregdeti u mbushën me kulla. Kështu u tha edhe për inceneratorët, për portet dhe qendrat  turistike, por ato akuzojnë ashpër qeveritë socialiste. Le ta bëjmë punën, por pa lëshuar më parë qentë e propagandës. Kjo supergënjeshtër ka filluar herët e s’dihet kur do të mbarojë

 

Po u ribëkërka Piramida, do u shndërrokërka “në qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale në Ballkan.” Lajmi është i mbarë. Le ta bëjnë, mirë do të ishte, se ajo ndërtesë u katandis si mos më keq. Por sfondi është rozë, buçitës; pra, le të mos fillohet me shkallën sipërore: “Më e madhja, më e bukura, më e lumtura…” Përdorimi i shkallës sipërore të acaron, shkon përkitazi me një mijë e një gënjeshtra të tjera: Për sukseset e paqena në shëndetësi e arsim; (shifrat nuk ndjekin fjalët); Për minimumin jetik; (dëgjoni ç’thonë pensionistët e shkretë dhe të papunët); Për sigurinë e jetës; (nuk e vlen të rikthehemi në disa ngjarje lebetitëse dhe për të cilat na e paskeshin fajin “individët”, qeverisja s’mban as edhe një qime); Për ikjen e shqiptarëve nga sytë këmbët, (sa për arsye vetjake, aq edhe pse vendi nuk premton). Kjo është thjesht një histori me gënjeshtra. Le ta bëjmë punën, por pa lëshuar më parë qentë e propagandës. Kjo supergënjeshtër ka filluar herët e s’dihet kur do të mbarojë. Është në natyrën tonë të mburremi, të rrahim gjoksin, të kërkojmë të jemi të parët në gjithçka, kapadainj të lindur, që koha nuk na e ktheu dot modestinë dhe normalitetin asnjëherë. Kërkoj ndjesë që nuk shkoj dot më thellë në histori, njëherësh edhe që kthehem prapa në histori, por kjo është traga, brenga; kështu thuhej kur u çlirua Shqipëria fill pas Luftës së Dytë Botërore dhe tash “do të hanim me lugë floriri”, e të tjera. Por pastaj… ua hoqëm nga duart fshatarëve edhe lugën e drunjtë. Qytetarët i vinim në rresht që në pikë të mëngjesit për 1 litër qumësht dhe pastaj gjithë ditën për pesë litra vajguri. Por propaganda vuu (!) se ne jemi komikë të mëdhenj, pikërisht, sepse jemi kapadainj. Kështu thuhej kur Shqipëria vuante “epokën e talloneve”… (Mbaj mend, nga mesi i viteve ‘80, punoja në Kinostudio dhe ende s’e kisha marrë familjen, punë strehimi, kur dikush atje në lagje, një kryetar a nën/kryetar ala Lej Fen, më hoqi tallonin. Me siguri, ai tani militon në radhët e “demokratëve” më të flaktë.) Kështu thuhej kur vendi kishte marrë tatëpjetën në të gjitha llojet e drejtimeve, por ndërkaq i blatohej “çmimi për ushqimin” çka nuk ishte thjesht qesharake, ishte e ulët. Kështu thuhej kur lyheshin fasadat e kryeqytetit dhe ndërkohë në mënyrën më të paskrupullt, duke shkelur me këmbë të gjitha parimet e Urbanistikës. Qytetet dhe bregdeti u mbushën me kulla dhe ndërtime të tjera, që ua morën frymën dhe lirinë njerëzve. Kështu u tha edhe për inceneratorët, për portet dhe qendrat e rëndësishme turistike, por ato akuzojnë ashpër qeveritë socialiste. Kështu u tha kur në sheshin pas kryeministrisë u montuan disa kutiçka (vetë kryebashkiaku ashtu i quajti) dhe u fol se aty do të bëhej nami, do të argëtoheshin fëmijët e rinia: demagogji dhe asgjë tjetër, në mungesë të territorit të lirë, të hapësirave të lira, që ata vetë, bashkë me ndërtuesit e panginjur, i kanë zaptuar në mënyrë kriminale dhe i kanë kthyer – jo “në identitet”, siç kishte premtuar z. kryeministër në fillimet e karrierës së tij politike – në një mishmash, që vetëm për qytetarët nuk është. Pra, sidoqoftë, na u ndërtokërka “qendra më e madhe e teknologjisë digjitale në Ballkan.” Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Qendra më e madhe digjitale në Ballkan. Nuk do të çuditesha po të thuhej në Evropë, ndoshta dhe më tej. Prodho sa më shumë… fjalë, shit sa më shumë mburrje, bëj sa më shumë premtime, diçka do të mbetet, sado që tash gënjeshtrat janë bërë piramidë. Ani, ajo le të ribëhet dhe botën le të çudisë, do të gëzohesha, por druaj se po vëmë gjithnjë në plan të parë…, një plan për të shpëtuar veten dhe mosarritjet. Kjo palo demagogji është aq e njohur, është aq e vjetër, është përvoja jonë dëshpëruese, është ajo çka s’kuptojmë, sëmundja jonë e trashëguar që një Zot e di kur do të shërohet.