Mimoza Pano (Tasi), ‘juridiksja e natës’ që mbaroi me 5-a, zgjidhet në kundërshtim me ligjin e Vettingut në tribunën e KPA

272
Sigal

Ëngjëll Musai
Drejtor i Gazetës “Telegraf”

Në numrin e djeshëm Gazeta Telegraf, botoi një investigim mbi emërimin e ish-studentes të Filozofisë dhe mësueses së Marksizëm-Leninizmit Mimoza Pano (Tasi) si anëtare e KPA, një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit, të barazvlefshme me atë të Gjykatës Kushtetuese, falë edhe një ligji “Sorosian” të veçantë në të gjithë botën dhe që po eksperimentohet qëllimisht në Shqipëri. Mimoza Pano (Tasi), pas studimeve dhe punësimit si mësuese e Filozofisë Marksiste-Leniniste në kohën e diktaturës, ka ndjekur pas rrëzimit të komunizmit edhe fakultetin juridik me korespondencë (nate). Po si e gjeti shtegun predikuesja e Marksizëm-Leninizmit, nga shkollat, në edukatore kopshti deri tek anëtare e Vettingut në KPA, pasi mbaroi juridikun ‘natën’ me 5-a?! Për t’i dhënë përgjigje kësaj marrëzie, Telegraf. Al pati paralajmëruar se në vijim do të japim të tjera fakte tronditëse për zgjedhjen e Mimoza Pano (Tase) si anëtare e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), kriteret, mesataren e juridikut me korespendencë në kohën e universiteteve kioska, por edhe të anëtarëve të tjerë të KPA dhe KPK, për shkeljet flagrante, emërimin dhe karrierën e tyre, të cilat janë objekt i hetimit nga SPAK. Dhe sot po publikojmë faktet të cilat përbëjnë një shkelje të hapur nga Mimoza Pano (Tasi), por edhe nga Komisioni Parlamentar Ad-Hoc i kryesuar nga Vasilika Hysi (PS), të cilët më 14 qershor 2017 zgjodhën shtatë anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA) dhe dy zëvendësues, ku njëra prej tyre është Mimoza Pano (Tasi), e cila tashmë ka zënë vendin e ish-anëtarit, Luan Daci i shkarkuar dhe nën hetim, për të njëjtat arsye dhe fakte që do të publikojmë më poshtë për Mimoza Pano (Tasi).

“Mimoza Pano (Tasi): Nuk ka qenë në nivele drejtuese për periudhën e kërkuar taksativisht nga ligji, pasi ka qenë thjesht sekretare komisioni, më pas këshilltare komisioni në Kuvend. Pra, nuk ka qenë në nivel drejtues, siç e kërkon ligji dhe aq më tepër për një periudhë jo më pak se 15 vjet.”

Shkolla e “natës’ dhe mesatarja mjerane, janë pasqyra e Reformës në Drejtësi !

E zgjedhura nga Kuvendi si anëtare zëvendësuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Mimoza Tasi (Pano) ka filluar detyrën të martën më 1 shkurt 2022, pas vakancës së krijuar si pasojë e shkarkimit të Luan Dacit për falsifikim. Ajo ka studiuar në vitet 1986- 1990 pranë Fakultetit të Shkencave Politike Tiranë, në degën e Filozofisë Marksiste- Leniniste me mesatare 8.9. Gjatë viteve 1994 – 2000, ka kryer studimet në Universitetin e Tiranës, në degën Drejtësi me korespondencë me mesatare 6.9.

Çudia e parë:

Në foton më poshtë gjendet lista e notave e të zgjedhurës në KPA Mimoza Tasi (Pano), me mesatare 6.9. Ligji i Vettingut parashikon që përmbushja e kritereve për t’u emëruar anëtar i organeve të Vettingut vlerësohet duke marrë në konsideratë edhe notën mesatare jo më pak se 8.

Pikërisht në Nenin 7, të Ligjit për Vettingun, kur flitet për kriteret  e përzgjedhjes së anëtarëve në organet përgjegjëse thuhet në mënyrë taksative se Anëtar i Komisionit dhe Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar, që plotëson kërkesat e përgjithshme si më poshtë: Pika 3 /d: Përmbushja e kritereve të mësipërme vlerësohet bazuar në një notë mesatare jo më pak se 8, në studimet brenda vendit, ose ka përfunduar studimet universitare jashtë vendit. Kriteri i notës mund të ishte në fakt fakultativ, por lista e mëposhtme do të shkurajonte këdo që do mendonte mos ta merrte në konsideratë që një anëtare e KPA, që është në nivelin e Gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese me mesatare 6.9, për më tëpër me shkollë nate, me korespondencë, të vlerësojë nivelin dhe profesionalizmin e një magjistrati me mesatare mbi 8.5. Pasi ky është kriteri për të studiuar në magjistraturë. Të tre këta gjyqtarë janë anëtarë të KPA, një institucion që vendos për fatin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të tjerë. Këta anëtarë që kanë një formim me mesatare shumë të ulët sot vendosin për fatin e kolegëve të tyre, të cilët mund të ketë kualifikime shumë herë më të larta. Këto janë rezultatet e drejtësisë së re, që po kërkohet të vendoset në Shqipëri me Reformën në Drejtësi. Kjo është arsyeja që të rinjtë shqiptarë që kanë përfunduar studimet në këto 20-25 vitet e fundit si në Shqipëri edhe jashtë vendit , dekurajohen, diskriminohen dhe ikin nga vendi, sepse meritokracia zëvendësohet, nëse do të përmendnim në kuptimin simbolik, fjalën magjike të ikonës së letrave shqipe po edhe të politikës Dritëro Agolli, nga “shkërdhatokracia”

“Zgjedhja e Anëtares së KPA bazohet në një notë mesatare jo më pak se 8. Kriteri i notës mund të ishte në fakt fakultativ, por lista e mëposhtme do të shkurajonte këdo që do mendonte mos ta merrte në konsideratë që një anëtare e KPA, që është në nivelin e Gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese dhe e ka mesataren 6.9 edhe pse ligji e kërkon jo më pak se 8 ( tetë). Për më tëpër me shkollë nate, me korespondencë, të vlerësojë nivelin dhe profesionalizmin e një magjistrati me mesatare mbi 8.5?!”

Çudia e dytë:

Anëtarja e KPA, Mimoza Pano (Tasi) deklaron se: “Kam punuar si Sekretare e Komisionit për Çështje Kushtetuese dhe Ligjore, Këshilltare Juriste, Këshilltare në Shërbimin e Monitorimit të Institucioneve të Pavarura si dhe së fundmi Drejtor Shërbimi i Seancës Plenare në Kuvend.

Për të mësuar më shumë shikoni deklaratën e saj në KPA, por duhen hetuar edhe dokumentat që ka paraqitur gjatë aplikimit.

Por çfarë thuhet  në Ligjin për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë?

Në Kreun 2 organet përgjegjëse dhe mënyra e krijimit, në nenin 7 pika 2, për kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve në organet përgjegjëse, kandidati, përveç kërkesave të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni, duhet të plotësojë kërkesat e posaçme, si më poshtë:

  1. a) të ketë eksperiencë pune prej jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues ose në një aktivitet të njohur në fushën e së drejtës administrative ose sfera të tjera të së drejtës;
  2. b) të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale, etike dhe integritetin moral, nëse i është nënshtruar vlerësimit.

Lind pyetja, a i plotëson këto kërkesa të ligjit gjyqtarja Mimoza Pano (Tasi) ?

Zonja në fjalë nuk ka qenë në nivele drejtuese për periudhën e kërkuar taksativisht nga ligji, pasi ka qenë thjesht sekretare komisioni, më pas këshilltare komisioni në Kuvend. Pra, nuk ka qenë në nivel drejtues siç e kërkon ligji dhe aq më tepër për një periudhë jo më pak se 15 vjetë. Ky është abuzimi i dytë , me të cilën SPAK duhet të nisë hetimet, por edhe nëse nuk i nis për momentin, ashtu sikurse kemi theksuar në denoncimin e ditës së djeshme në gazetën ‘Telegraf’, këtë denoncim do ta bëjmë ne si redaksi. Sigurisht në një moment të caktuar kur SPAK dhe organet e hetimit të jenë në lartësinë e misionit të tyre dhe jashtë shantazhimit nga politika aktuale e zyrtarëve të “Rilindjes” dhe nënpunësve të qeverisë, që ndjekin me laps në dorë për çdo gjyqtar e prokuror, nëse duhet të kalojë, apo të skualifikohet! Në këto pozita janë edhe disa anëtarë të tjerë të organeve të reja të Vettingut që kanë kaluar, edhe pse kanë në kurriz një mal me kusure dhe gjynahe në misonin e tyre dhe që frekuentojnë zyrat e Vettingut në ditë pune, apo të lokaleve e restoranteve në ditë festash e ditëlindjesh. Këto dekumenta dhe qindra prova të tjera për individë që kanë kaluar, por edhe për ata që janë skualifikuar padrejtësisht do t’u vihen në dispozicion edhe zyrtarëve të Brukselit, Inspektoriatit të Përgjithshëm të DASH, medias europiane dhe asaj amerikane si simbol i drejtësisë, por edhe si detyrim ndaj taksapaguesve perëndimorë që kanë harxhuar deri më sot, rreth 200 milion USD për Reformën e dështuar të Drejtësisë në Shqipëri.

“Kjo Reformë nuk kishte qëllimin e vërtetë të reformonte Drejtësinë, por ta kapte drejtësinë duke e vënë në diktatin e politikës së Rilindjes, që ajo t’i shërbente qëllimeve ogurzeza të saj për grabitjen e pasurisë nëpërmjet tenderave, PPP-ve, koncesioneve, inceneratorëve, investitorëve strategjikë, hashashizimin e vendit, kthimin e Shqipërisë në qëndrën e trafikimit ndërkombëtar të drogave të forta nga Lindja drejt Perëndimit, nga Amerika Latine në Portin e Durrësit dhe pastaj drejt BE-së, vjedhjes së votave nëpërmjet “Patronazhistëve” grabitjes së të dhënave personale, atyre bankare, patentave, Regjistrit të Gjëndjes Civile, të dhënave të tatimeve, zhdukjes së regjistrave në hipoteka dhe falimentimin e të gjitha të dhënave të shqiptarëve me e-albanian e AKSHI-t.”

Duhet marrë në konsideratë edhe një çudi të 3-të ?!

Në Kreun 2 “Organet Përgjegjëse” dhe mënyra e krijimit, në nenin 7 pika 1/f, thuhet se: “ Nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish- Sigurimi i Shtetit para vitit 1990 dhe nuk ka qenë bashkëpunëtor, informant ose agjent i ndonjë shërbimi sekret.

A ka njeri në Shqipëri që i njeh krimet e komunizmit dhe ka dëgjuar dhe lexuar për masakrat e ish-Sigurimit të Shtetit, dhe të besoje se të merrje të drejtën e studimit për degën e Filozofisë Marksiste-Leniniste, nuk ishe i favorizuar?! Po kush të çonte në këtë degë pa miratimin e strukturave të partisë, këshillave dhe vlerësimin e Degës së Punëve të Brendëshme si organ i Diktaturës së Proletariatit?! Këtë çështje e denoncuam dje dhe do vazhdojmë ta bëjmë publike nëpërmjet deputetëve të ndryshëm si në Parlamentin Europian , ashtu edhe në Kongresin Amerikan, i cili ka nxjerrë një rezolutë të veçantë ku kërkon dënimin e Krimeve të Komunizmit, ndërkohë që në Shqipëri me taksat e popujve të BE dhe SHBA, emërohen në organet më të larta të drejtësisë, mësues të Marksizëm-Leninizmit.

Qëllimi i Reformës në Drejtësi ishte për krijimin e një Gjyqësori të Pavarur

Kur u ideua dhe u miratua Amendamenti për një Gjyqësor të Pavarur dhe të Drejtë, qëllimi kryesor ishte që respektoheshin standardet e ndershmërisë, integritetit dhe profesionalizmit të trupës së re gjyqësore (gjyqtarë dhe prokurorë). Dhe nëse politika vërtetë do të ishte e interesuar për miratimin e këtij ligji, duhej të ulej këmbëkryq së bashku me faktorin e paanshëm dhe të specializuar ndërkombëtar dhe sidomos Venecian, dhe të përcaktonin rregulla të qarta, ku askush të mos  ishte dominant, dhe ligji të jetë i barabartë për të gjithë.

Koha tregoi se Komisioni i Venecias, një pjesë e anëtarëve të Komisionit parlamentar Ad-Hoc, ekspertët e pavarur të së drejtës dhe qytetarët shqiptarë kishin të drejtë kur shprehën mosbesim ndaj kësaj Reforme dhe sidomos mënyrës së përzgjedhjes të personave, të cilët do të zbatonin këtë reformë. Kjo Reformë nuk kishte qëllimin e vërtetë të reformonte Drejtësinë, por ta kapte drejtësinë duke e vënë në diktatin e politikës së Rilindjes, që ajo t’i shërbente qëllimeve ogurzeza të saj për grabitjen e pasurisë nëpërmjet tenderave, PPP-ve, koncesioneve, inceneratorëve, investitorëve strategjikë, hashashizimin e vendit, kthimin e Shqipërisë në qëndrën e trafikimit ndërkombëtar të drogave të forta nga Lindja drejt Perëndimit, nga Amerika Latine në Portin e Durrësit dhe pastaj drejt BE-së, vjedhjes së votave nëpërmjet “Patronazhistëve” grabitjes së të dhënave personale, atyre bankare, patentave, Regjistrit të Gjëndjes Civile, të dhënave të tatimeve, zhdukjes së regjistrave në hipoteka dhe falimentimin e të gjitha të dhënave të shqiptarëve me e-albanian e AKSHI-t. Dhe në fund, askush të mos ndëshkohej, apo të dënohej nga zyrtari më i fundit deri tek koka që drejton administratën dhe qeverinë. Ndoshta-ndoshta mund të bëhej ndonjë “kokë turku” sa për të justifikuar babëzinë dhe shpartallimin e shtetit. Faktet tregojnë se shteti ka kapitulluar, pushtetarëve tanë çdo gjë që ua sheh syri dhe që prodhojnë miliona me një fjalë goje, e gllabërojnë dhe askush nuk ka guximin t’i thërrasë nën hetim, pale t’i gjykojë. Kjo kuptohet se sistemi i ri gjyqësor, ai i hetimit dhe procedimit penal, ka në përbërje militantët, njerëzit me të shkuar të errët, falsifikatorë të dosjeve dhe me mesatare jashtë kriterit. Dhe këta persona i zgjodhi KPK dhe KPA, ku pjesa dërrmuese e tyre është po kaq e indoktrinuar politikisht dhe e kriminalizuar në të shkuarën e largët dhe të tashmen gjatë ushtrimit të “misionit”.

“Parimet e Venecias, janë parimet që duhet të zbatohen dhe që janë të pazëvendësueshme , qoftë nga retorikat e politikës ashtu edhe nga ineresat klanore të diplomatëve të caktuar. Ndaj duhet të jetë e qartë për këdo se politika aktuale e “Rilindjes” nuk është e interesuar për ligje cilësore, por thjesht për interesa të hakmarjes personale dhe primitive brënda vendit dhe për të marrë meritat në arenën ndërkombëtare”

Po cilat janë parimet e komisionit të Venecias?

Po ua përmendim shkurtimisht, sepse Venecia nuk është me askënd, dhe se Venecia është me Shtetin e së Drejtës. Ka disa parime, por katër janë më kryesoret në veprimtarinë e Komisionit të Venecias:

1-Parimet kryesore kushtetuese.

2- Parimet e akteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

3- Parimi i ushtrimit të një pushteti gjyqësor të pavarur nga politika dhe organet e tjera.

4-Dhënia e drejtësisë së vërtetë nga ana e pushtetit gjyqësor.

Ja pra këto janë parimet që duhet të zbatohen dhe që janë të pazëvendësueshme, qoftë nga retorikat e politikës ashtu edhe nga interesat klanore të diplomatëve të caktuar. Ndaj duhet të jetë e qartë për këdo se politika aktuale e “Rilindjes” nuk është e interesuar për ligje cilësore, por thjesht për interesa të hakmarrjes personale dhe primitive brënda vendit dhe për të marrë meritat në arenën ndërkombëtare. Nëse duam vërtetë të jemi të sinqertë le të analizojmë se kush ishte i interesuar kur ndryshoi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë brënda natës dhe cilat ishin arsyet e vërteta? Tashmë dihen aktorët e ndryshimit të kushtetutës dhe në krye të saj qëndronë vetë Edi Rama me qëllim final që të monopolizonte pushtetin në një dorë të vetme duke goditur aleatët dhe demokracinë pluraliste. Ja kështu nisin analizat të nderuar politikanë dhe pak të nderuar ambasadorë.