Prof. Lush Susaj: Shkëputja e bujqësisë nga UMK-ja, vepër kriminale

825
Sigal

Ligjet klienteliste që po shkatërrojnë punësimin dhe prodhimin bujqësor

Shkëputja e bujqësisë nga Universiteti Bujqësor,  vepër kriminale e politikës 

Projekt ligj i gabuar dhe me pasoja të rënda për prodhimin vendas  

(Prof. Dr. Lush SUSAJ)

Shkëputja e bujqësisë nga Universiteti Bujqësor,  vepër kriminale e politikës

Këto ditë, jashtë çdo diskutimi me prodhuesit dhe jashtë çdo lloj ekspertize të mirëfilltë shkencore, është përgatitur për në parlament një projektligj mbi vreshtarinë dhe verën, për të cilin thuhet: “Ligji përafron pjesërisht rregulloren e BE-së, nr. 1308/2013, të Parlamentit Europian dhe Këshillit “Për krijimin e një organizimi të përbashkët të tregjeve të produkteve bujqësore dhe shfuqizimin e Rregulloreve të Këshillit (KEE) Nr. 922/72, (KEE) Nr 234/79, (KE) Nr. 1037/2001 dhe (EC) Nr 1234/2007” Prodhimi bujqësor në përgjithësi, dhe vreshtaria në veçanti, janë veprimtari prodhuese që duhen bazuar e zhvilluar mbi bazën e ligjeve bashkëkohore e integruese me tregjet rajonale dhe botërore të punës, prodhimit, cilësisë dhe teknologjisë. Bujqësia shqiptare në përgjithësi dhe vreshtaria dhe enologjia në veçanti, janë fushat dhe sektorët më të abuzuar e më të vjedhur në investime, kjo e realizuar përmes ligjeve idiote dhe klienteliste që po shkatërrojnë prodhimin dhe mundësinë e rritjes së eksporteve të produkteve dhe nënprodukteve tona bujqësore. Projektligji i mësipërm, njëlloj sikurse edhe ligjet, strategjitë dhe rregulloret e tjera të hartuara e të miratuara në këto 25 vite,  është i keq dhe i hartuar e miratuar në mënyrë konspirative, duke mënjanuar në mënyrë të qëllimshme specialistët dhe ekspertizën më të mirë të departamenteve të Universitetit Bujqësor. Për shkak të këtyre gafave dhe gabimeve trashanike në drejtim të përkthimit dhe të përshtatjes së terminologjisë, kërkova një sqarim shtesë nga ana e drejtorisë së strategjive të Ministrisë së Bujqësisë për të ditur më shumë mbi emrin e personave dhe ekspertëve që kanë bërë përkthimin, me gjysmë edhe përshtatjen me ligjet e vendeve të rajonit dhe të vendeve të BE. Në përgjigjen e marrë me datën 15 Korrik 2020, mësova faktin që, njëlloj sikurse edhe për ligjet dhe ekspertizat e tjera klienteliste, vetëm sa është keqpërdorur emri dhe logoja e Universitetit Bujqësor, pasi kjo ekspertizë nuk është adresuar dhe nuk është kryer nga profesorët, as nga specialistët e fushës. Nga përgjigja e marrë mësova se kjo ekspertizë, është kryer nga një pedagog i fakultetit të ekonomikut, për të cilin mendoj se nuk ka përvojën dhe as njohuritë e duhura shkencore mbi ekosistemet, as mbi teknologjinë dhe as mbi terminologjinë e praktikave dhe emërtimit të produkteve dhe nënprodukteve të vreshtarisë dhe enologjisë intensive, as organike, as biodinamike dhe as të integruar e tradicionale. Kolegu ynë i nderuar mund të jetë shumë i mirë në fushën dhe profesionin e tij të ekonomistit, apo të veterinerit, etj, ndërsa është askushi dhe asgjëja në fushat e teknologjisë dhe të administrimit të vreshtave, ekosistemeve vitikole dhe nënprodukteve të rrushit. Tradita, përvoja botërore, morali intelektual dhe rregulli e kërkon që ligjet, rregulloret, strategjitë, teknologjitë dhe të gjitha problemet e tjera të bujqësisë, duhet të adresohen tek departamentet, grupet kërkimore shkencore dhe titullarët e mirëfilltë të sektorëve dhe fushave përkatëse. Nga shkelja e këtij rregulli të përbotshëm, janë prodhuar dhe po prodhohen studime, strategji dhe draft ligje që kundërmojnë injorancë, korrupsion, klientelizëm dhe shkatërrim të burimeve të punësimit, prodhimit dhe rritjes së mirëqenies sonë kombëtare.

E gjithë kjo praktikë shkatërruese e korruptive, duket se është realizuar përmes goditjes dhe shkëputjes së qëllimshme e në mënyrë mafioze të hallkave të bashkëpunimit tradicional që ka ekzistuar e që duhet të ekzistojë midis Universitetit Bujqësor, që është truri dhe zemra e bujqësisë shqiptare.

Projekt ligj i gabuar dhe me pasoja të rënda për prodhimin vendas  

Në të gjitha rastet, praktikat klienteliste dhe korruptive, janë mbuluar dhe po mbulohen me demagogjinë dhe fjalimet e njohura sofiste, mbi të ashtuquajturin bashkëpunim me Universitetin Bujqësor, por që ka qenë inekzistent në këta 25 -vite. Bashkëpunimi real e i dobishëm nuk ka ekzistuar për shkak se ligjet, studimet, strategjitë, projektet, teknologjitë, terminologjitë, rajonizimin, certifikimin, tipicitetin, cilësinë, e të tjera çështje dhe dukuri që lidhen me vreshtarinë dhe enologjinë, mund të bëhen mirë, vetëm kur ato adresohen tek grupet kërkimore shkencore dhe profesorët që mbulojnë mësimin dhe kërkimin shkencor të këtyre fushave specifike. Një pedagog i ekonomisë, veterinarisë, apo i pyjeve, etj, pavarësisht se mund të përdorë shumë mirë logon apo postin drejtues që ka në Universitetin Bujqësor, kurrë nuk mund të veprojë e as të bëhet ekspert i të gjitha fushave dhe ligjeve. Egoizmi i tepruar, vetëm sa e shkatërron imazhin e “doktor gjilpërave” dhe atë lidhjen funksionale që duhet të ekzistojë midis institucioneve jetike të bujqësisë shqiptare, UBT dhe Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas kësaj praktike degraduese, i bie që ekspertizën, protokollet, ligjet dhe rregulloret e shëndetësisë dhe sallave të operacioneve të kardiologjisë, etj, të bëhen nga ne agronomët, ose nga topografët, ose nga ushtarakët, etj. Kjo praktikë duhet të marrë fund sa më parë.

Projektligji i paraqitur për diskutim është plot me gafa dhe mospërputhje në emërtime dhe në terminologji. Të tilla janë emërtimet “forcë alkoolike”  apo “fuqi alkoolike”, përkundrejt termit të njohur shqiptar dhe ndërkombëtar që është “grada alkoolike”. Nëse forca apo fuqia lidhet me forcën tërheqëse, shtytëse, goditëse, etj, dhe shprehet me njësinë “kuaj fuqi”, tek vera dhe pijet e tjera alkoolike, përdoret termi “gradë alkoolike”, e që tregon përmbajtjen e alkoolit në verë apo në nënproduktet e tjera. Në këtë projektligj, në asnjë pikë të tij nuk përmendet asgjë në lidhje me produktet tipike e me siguri të lartë ushqimore, të cilat kanë për bazë dijen, teknologjitë dhe protokollet specifike të implementuara nga agronomët e inspektoratit bujqësor, që sipas këtij projektligji nuk kanë asnjë rol në teknologji, as në dokumentacion, as në kontroll, as në certifikim, as në sortiment, as në rajonizim, as në tipicitet. Për pasojë, ky projektligj  i shërben vetëm importit, monopoleve mbi tregjet e pijeve dhe vdekjes së ngadaltë të prodhimit vendas, përmes rritjes së mëtejshme të pengesave artificiale dhe thellimit të pabarazisë së prodhuesve shqiptarë me prodhuesit e vendeve të rajonit dhe të botës. Në këtë projekt ligj nuk flitet asgjë për mbi 30 milionë litër verë në vit të importuara, e që qëllimisht lihen të lira për ta deformuar tregun, traditën dhe shijen e konsumatorit. Kujtoj faktin që, krahasuar me vitin 2007, importi i verës në Shqipëri është rritur me mbi 52%, ndërsa në Kosovë ka ndodhur e kundërta, është rritur eksporti i verës me mbi 65%. Sipas këtij projekt ligji, vëna e importit që vjen nga bujqësitë e subvencionuara e të mekanizuara në shkallën më të lartë, është dhe do të vazhdojë të jetë e favorizuar, duke e lenë jashtë detyrimeve ligjore dhe jashtë analizave dhe kontrollit për cilësinë.

Projektligji, tregjet dhe detyrimet e papërfunduara ndaj prodhuesve vendas

I gjithë halli duket që është tek shtimi i pengesave, pabarazisë dhe artificave që dobësojnë prodhuesit vendas të keqfinancuar,  të lënë pa kredi dhe pa subvencione, pa mbështetje teknike e teknologjike, e për fatin e keq edhe të ngarkuar me një taksë (akcizë) të lartë e të pa argumentuar. Në këtë projektligj flitet edhe për tipicitet dhe karakteristika që burojnë nga faktorë të tillë sikurse janë kloni, ekosistemi, nënshartesa dhe historia-tradita. Kjo ndodh në kohën kur të gjithë e dimë shumë mirë faktin që, Shqipëria është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit dhe në botë që nuk ka asnjë klon. (nga këtu bie poshtë e gjithë demagogjia mbi tipicitetin, markat konkurruese, agroturizmin, etj). Nuk ka as rajonizimin (makrorajonizimin as mikrorajonizmin) e kultivarëve dhe as të nënshartesave. Shqipëria nuk ka as përmirësimin e popullatave autoktone të hardhisë dhe as kultivarët e saj tradicionalë mbi të cilët mund të fillojë të ngrihet tradita e prodhimit dhe suksesit në fushën e enologjisë. Kujtoj faktin që të gjitha vendet e rajonit dhe ato të BE-së, problemet që kanë patur me rajonizimin, me klonet dhe me kultivarët autoktonë, i kanë adresuar dhe zgjidhur përmes universiteteve të tyre, e jo me anë të shoqatave të drejtuara nga militantët partiakë. Edhe Shqipëria ka shumë dosje fiktive në të cilat janë varrosur vjedhjet e fondeve të dhëna në vite me radhë për rajonizimin, për përmirësimin gjenetik, për prodhimin dhe certifikimin e fidanëve të kultivarëve autoktonë që nuk u bë kurrë, etj. Korrupsioni dhe hajdutëria në fushën e bujqësisë na ka sjellë deri në këtë situatë, ku Shqipërisë i mungon edhe ajo më elementarja, i mungon kadastra funksionale e vreshtave. Kujtoj faktin që edhe për kadastrën e vreshtave që përmendet aq shumë në këtë projekt ligj (Kosova e bëri që në vitin 2008), në Shqipëri janë shpërdoruar mbi 500000 euro, por që nuk u bë kurrë, sepse u mënjanua qëllimisht departamenti dhe specialistët e vreshtarisë e për pasojë u prodhua një tjetër dosje fiktive që trashet çdo vit nga pluhuri në raftet e ministrisë. Profesorët e vreshtarisë së UBT-së punuan dhe kontribuuan në kadastrën e Kosovës e cila është funksionale që nga viti 2008, ndërsa u mënjanuan qëllimisht nga të korruptuarit dhe injorantët e qeverisë së Tiranës. Nga mungesa reale e kadastrës, në këto 20 vite është krijuar precedenti i njohur i financimit dhe preventivave fiktivë të njëpasnjëshëm mbi të njëjtën parcelë, e ku qëllimisht nuk përmendet asnjëherë numri i parcelës, as sipërfaqja, as kultivari, as nënshartesa e asgjë tjetër e saktë. Akoma më të gabuara e të papranueshme janë përcaktimet e tilla ku thuhet se: “Në ministri krijohet dhe funksionon komisioni i verës”, e që sipas nenit 17, pika 2, “Anëtarët e komisionit, përfshirë dhe kryetarin emërohen e lirohen me urdhër të ministrit të Bujqësisë”.  Kujtoj faktin që në të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit dhe të BE, anëtarët e komisionit dhe kryetari propozohen dhe zgjidhen nga vetë prodhuesit e verës. Ndërsa në Shqipëri, përmes autoritarizmit dhe emërimeve politike nga lartë, synohet monopolizimi i tregut dhe përfitimeve të paligjshme nga importi dhe manipulimet e njohura të produkteve të sjella rifuxho. E njëjta logjikë e gabuar dhe qëllimisht e ngatërruar është përdorur edhe tek neni 6, në paragrafët që flitet për lëshimin e certifikatës së cilësisë,  e cila, duket që është projektuar si një tjetër gjobë apo taksë tjetër shtesë mbi prodhuesit. Në këtë nen (neni 6) thuhet: “Institucioni përgjegjës për lëshimin e certifikatës së origjinës së produkteve të sektorit të verës, të destinuara për eksport, është Dhoma e Tregtisë”. Në këtë mënyrë, ajo certifikatë cilësie që për mendimin tim duhet të lëshohet nga ana e institucioneve shkencore që programojnë dhe monitorojnë teknologjinë, sortimentin, ekosistemin dhe gjithë filierën e prodhimit dhe marketingut nga bima deri në gotën e konsumatorit, programohet që të lëshohet nga njerëz dhe institucione që nuk kanë asnjë lidhje me teknologjinë, as me ekosistemet, as me traditat, as me sortimentin, as me analizat sensoriale, teknologjike, etj. Në këtë mënyrë, përsëri shohim që tentohet që të anashkalohen institucionet kërkimore shkencore dhe ekspertët më të mirë të fushave përkatëse. Kujtoj faktin që në Kaliforni, madje edhe në vendet rreth nesh sikurse janë Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, këto punë i kryen universiteti, përmes departamentit të Vreshtarisë dhe grupit kërkimor shkencor të vreshtarisë dhe enologjisë. Madje edhe në Kosovë, këtë punë e kryen Divizioni i Vreshtarisë dhe Verës që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë. Ndërsa në Shqipëri veprohet me ngut e në konspiracion të thellë, për të miratuar një ligj të keq e pa asnjë konsulencë me vreshtarët , as prodhuesit e verës. 

Koha dhe dështimet e njohura të këtyre viteve dhe dekadave janë të mjaftueshme për të kuptuar se zgjidhjet e të gjitha problemeve të bujqësisë shqiptare, mund të marrin rrugën e duhur përmes bashkëpunimit të ngushtë me Universitetin Bujqësor të Tiranës, i cili ka ekspertët, personalitetet dhe kapacitete më të mira shkencore e laboratorike.