Halli i naftetarëve dhe grave të tyre të ngujuara në grevën e urisë, është halli i çdo shqiptari që ka jetuar e preferon të jetojë me punë të ndershme në Shqipëri
-Grevë për pagën e skllavit, pagën reale nuk e njohëm kurrë
-Greva si dëshmi e pasojave të korrupsionit dhe vjedhjes së pasurisë kombëtare
Për gratë e naftetarëve dhe ngrefosjen e qeveritarëve
-Pushtetarët e këtyre viteve nuk e shohin as imagjinojnë dot atë që kanë bërë e shkaktuar, duke e sjellë varfërinë
Prof. Dr. Lush SUSAJ
Greva e grave të naftëtarëve të vjedhur e varfëruar deri në palcë, hyri në ditën e 17-të të qëndresës dhe reagimit ndaj korrupsionit, abuzivizmit dhe hajdutërisë së pashembullt në sektorin më të rendësishëm të ekonomisë sonë kombëtare. Kjo grevë do të mbahet mend shumë gjatë për faktin që, si asnjëherë tjetër, punën e pambaruar e të katranosur të disa burrave të vetëshpallur politikanë e shtetarë, duket që do të zgjidhin gratë e sakrificës hqiptare.
Pushtetarët e këtyre viteve nuk e shohin as imagjinojnë dot atë që kanë bërë e shkaktuar, duke e sjellë varfërinë deri në atë pikë, sa në familjet e naftëtarëve dhe shumicës së shqiptarëve, ka kohë që mungon puna edhe kafshata e bukës për fëmijët.
Greva si dëshmi e pasojave të korrupsionit dhe vjedhjes së pasurisë kombëtare
Greva e grave të naftëtarëve është dëshmia më e freskët e asaj mënyrës se si është manipuluar e vjedhur e pasuria jonë kombëtare. Është pamja më e qartë e pasojave të korrupsionit dhe hajdutërisë së këtyre 25 -viteve në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe në të gjitha degët e tjera të ekonomisë. Korrupsioni, hajdutëria dhe egoizmi pa fre e pa kufi i sundimtarëve të korruptuar ka goditur e varfëruar njerëzit më të ndershëm, sikurse janë specialistët dhe punëtorët e sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë. Ka varfëruar ata që meritojnë e që duhet të ishin shembulli i mirëqenies dhe stabilitetit tonë ekonomik, shoqëror e demografik. Pushtetarët e këtyre viteve nuk e shohin as imagjinojnë dot atë që kanë bërë e shkaktuar, duke e sjellë varfërinë deri në atë pikë, sa në familjet e naftëtarëve dhe shumicës së shqiptarëve, ka kohë që mungon puna edhe kafshata e bukës për fëmijët. Në këto kushte, edhe gazetarët dhe kamerat e televizioneve që vizitojnë grevistet e kanë shumë të vështirë të komunikojnë me gratë dhe familjarët e tyre të stresuar e të dhunuar me mosdhënien e pagës për punën e kryer. Është e vështirë të zhvillohet një bisedë normale për shkak se mospërfillja, mungesa e gjatë e reagimit shtetëror dhe ngrefosja e pushtetarëve, i ka zhytur në stres, pasiguri, dëshpërim, e padrejtësisht edhe në një ndjenje të thellë turpi për varfërinë dhe mjerimin që ka pllakosur vatrat dhe familjet e tyre. Është e vështirë kur shikon se si gratë dhe burrat që kanë punuar gjithë jetën në sektorin më fitimprurës të ekonomisë në vend që të flasin e të gëzohen për begatinë dhe frutet e punës së tyre, shpërthejnë në lotë e ofshama nga varfëria dhe ndjenja e turpit para fëmijëve të tyre të vegjël që paradoksalisht kanë lindur në njërin nga vendet më të pasura të kësaj bote, e po rritën me mungesën e kafshatës së bukës, të librave, të lodrave, të mos flasim për pushime, as për shkolla e as për udhëtime si bashkëmoshatarët e tyre në rajon dhe Europë. Ky paradoks i thellë po ndodh në vitin 2020. Ngjarjet po zhvillohen në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës që sot kushton 160-170 lekë/litri..
Greva e grave të naftëtarëve është dëshmia më e freskët e asaj mënyrës se si është manipuluar e vjedhur e pasuria jonë kombëtare. Është pamja më e qartë e pasojave të korrupsionit dhe hajdutërisë së këtyre 25- viteve në sektorin e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe në të gjitha degët e tjera të ekonomisë.
Grevë për pagën e skllavit, pagën reale nuk e njohëm kurrë
Greva e urisë nuk po zhvillohet për rritje pagash, aq më pak për pagën reale që nuk e njohëm kurrë. Nuk po bëhet grevë për paga 5000-6000 euro/muaj, as për sigurime pensionesh 1500-2000 euro/muaj, as për status e shërbime shëndetësore falas. Gratë e naftëtarëve po vetëflijohen për paga minimale të papaguara, madje janë paga të fituara me vendim gjyqësor të cilin shteti ka për detyrë ta ekzekutojë pa asnjë vonesë. Pa asnjë dobi e arsye, drejtuesit e shtetit dhe institucioneve, ne vënd të rrugës së debatit dhe bisedimeve për zgjidhjen e problemit, duket që po rendin pas kapardisjes dhe ngrefosjes fodulle, duke i fajësuar gratë dhe naftëtarët e Ballshit, në vend që të shohin përgjegjësinë shtetërore për këtë problem. Do të ishte mirë që politikanët dhe pushtetarët e sotëm të Shqipërisë ta provonin qoftë edhe një javë ditë se çfarë do të thotë të mos paguhesh për muaj me radhë për punën që ke kryer. Pushtetarët tanë të korruptuar, janë aq të tejngopur sa nuk e imagjinojnë dot se çfarë do të thotë të mos kesh bukë, as ushqime për prindërit e moshuar e për fëmijët e vegjël. Ndërsa për rininë as që bëhët fjalë, pasi është dëbuar me kohë në kampet e azilit të vendeve të BE-së. Duket sikur pushtetarët tanë, kënaqen dhe harlisen me vuajtjet, me dhimbjet dhe me lotët që derdhin gratë dhe familjet mallakastriote, për më të voglën, lot dhe grevë për kafshatën e bukës. Dr. Liane Leedom, në librin e saj me titull “Sadim and ëarped empathy in sociopaths”, ka shruar se: “Sadizmi është dëshira për t’i shkaktuar tjetrit dhimbje… Qëllimi final i tyre është kthimi i tjetrit në asgjë, dhe kur e arrijnë këtë, sadistët kënaqën me madhështinë e tyre… Në politikë, tipa të tillë gjatë rrugës për në majën e pushtetit, hiqen sikur janë reformistë dhe premtojnë shumë”. Ky arsyetim duket që e shpjegon edhe mosreagimin dhe kapardisjen fyese e dhunuese të pushtetarëve tanë, për të cilët Ismail Kadare (Paris, 1999), argumentonte duke shkruar se: “në vend që të ulin kokën e të qeversin me ligje, kapardisën, harrojnë përse janë zgjedhur e janë ulur mbi ato karrige”.
Korrupsioni, hajdutëria dhe egoizmi pa fre e pa kufi i sundimtarëve të korruptuar ka goditur e varfëruar njerëzit më të ndershëm, sikurse janë specialistët dhe punëtorët e sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë. Ka varfëruar ata që meritojnë e që duhet të ishin shembulli i mirëqenies dhe stabilitetit tonë ekonomik, shoqëror e demografik.
- Sadistët nuk kanë ndërgjegje
Dihet botërisht fakti që sadistët nuk kanë ndërgjegje, nuk kanë fare empati. Të korruptuarit dhe sundimtarët sadistë, nuk e njohin fare njeriun, as njerëzillëkun, nuk e njohin dhe nuk ju bëhët fare vonë për Mallakastrën, as për mallakastriotët, për Shqipërinë, as për shqiptarët. Ata nuk e mendojnë kurrë uzinën dhe industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, si një sektor dhe objekt nga varet puna dhe jeta e banorëve të Ballshit dhe më gjërë. Përkundrazi, duket që i konsiderojnë si objekte që duhen grabitur, abuzuar e shfrytëzuar në shërbim të pasurimit të një grushti njerëzish me strukturë, mendësi dhe model hajdutëror të mirëorganizuar. Dhunimi që ju bëhet punëtorëve duke mos ju paguar pagat për punën e kryer, si dhe ngrefosja dhe turpërimi që ju bëhët naftëtarëve dhe puntorëve të mbarë Shqipërisë, duke i varfëruar dhe lënë pa punë dhe pa mundësinë minimale të blerjes së kafshatës së gojës, është ajo që i ka shtyrë naftetarët dhe familjet e tyre drejt greves së urisë. Sjellja e deritanishme shtetërore ndaj hallit të tyre, është një sinjal i frikshëm që tregon se në Shqipëri, administrata dhe drejtësia ose nuk ekzistojnë fare, ose kanë degraduar deri në inkurajimin e padrejtësisë dhe të dhunës sadiste e poshtëruese mbi puntorët, mbi gratë dhe mbi fëmijet që po rritën me dëshirën për të ikur sa më parë nga Ballshi dhe Shqipëria e tyre. Në një vështrim të thjeshtë filozofik dhe psikoanalitik të fenomenit të mosreagimit, herë-herë të ngrefosjes dhe përgjithësisht të heshtjes së pashembullt të institucioneve shtetërore, duket sikur presin që të vdesin ndonjëra nga gratë e naftëtarëve. Teoria mbi sadizmin dhe poshtërimin, shpjegon se si njeriu i dhunuar duhet të vdesë ngadalë e me dhimbje, në mënyrë që dhunuesi sadist ta ndjejë sa më shumë e sa më gjatë kënaqësinë e dhunës, poshtrimit dhe triumfit ndaj viktimave, që duket sikur janë naftëtarët dhe gratë e tyre të vjedhura e të dhunuara deri në pagën e skllavit dhe në kafshatën bukës. Filozofja Hannah Arendt, argumentonte se: “Sjelljet sadiste e poshtëruese janë vepra banale që kryhen nga njerëz dhe qeverisje banale”. Mungesa e gjatë e një reagimi ligjor dhe institucional ndaj kërkesave të drejta të naftëtarëve dhe familjarëve të tyre, duket si banalitet i qeverisjeve banale.
Halli i naftëtarëve dhe grave të tyre të ngujuara në grevën e urisë, është halli i çdo shqiptari që ka jetuar e preferon të jetojë me punë të ndershme në Shqipëri. Qëndresa dhe sakrifica e grave mallakastriote, na bën që të reagojmë e të shpresojmë për një Shqipëri ndryshe nga ajo që është sot. Na bën të ndihemi krenarë e shumë borxhli ndaj atyre nënave që sot po luftojnë për të drejtën e tyre elementare, pagesën për punën e kryer. Greva e grave të naftëtarëve duhet të bëhet mësim dhe kushtrim për të reaguar e për të mos lejuar më kurrë që gratë që lindin e që duhet të edukojnë fëmijë e qytetarë të mirë, të dhunohen e të detyrohen të ndërmarrin grevë urie nga mungesa e kafshatës së bukës.