Prof. Dr. Alqi Naqellari: Superkapitalizmi dhe ekonomia sociale e tregut

759
Sigal

Bota sot karakterizohet nga globalizmi, dhe me çfarë shihet ai do të vazhdojë të zhvillohet dhe diferencohet më tej në drejtim të shteteve “të kontrollit” sesa të shteteve “të disiplinës”. Gjithsesi viti 2021 dhe zhvillimet në “Pranverën Amerikane” do përcaktojnë ecurinë e politikës dhe ekonomisë botërore. Kapitalizmi i sotëm në kushtet e globalizimit është përcaktuar si “Superkapitalizëm”. Lenini në kohën e vet, fazën më të lartë të kapitalizmit ku sundon eksportimi i kapitalit e ka përcaktuar si  “Imperializm”. Ndaj sistemit ekonomik ku jetojmë, bazuar edhe në fenomenet  më të fundit, social-ekonomike që kanë ndodhur, para shoqërisë kanë lindur një sërë pyetjesh që kërkojnë përgjigje. Nga përgjigja e tyre besoj se do mvaret edhe ecuria e mëtejëshme e shoqërisë së sotme dhe e vet Superkapitalizmit. Rendisim dy prej tyre:

-Superkapitalizmi i sotëm ka sjellë mirëqënie më të lartë se kapitalizmi klasik, ka sjellë më shumë rritje të mirëqënies së popujve, më shumë demokraci, më shumë barazi?

-Eksportimi ekonomisë tregut është shoqëruar me më shumë demokraci, është shoqëruar me zhvillim të gjithanëshëm dhe proporcional të zonave dhe vendeve të ndryshme të botës?

Këtyre pyetjeve mund tu përgjigjemi pjesërisht duke marrë si shembull dy vende me Ekonomi jo të Koordinuar, SHBA- Britani e Madhe dhe një vend me Ekonomi të Koordinuar Suedinë. Cili prej këtyre sistemeve ekonomike është më i favorshëm për popullin, është më demokratik dhe që duhet të mbisundojë në botë?

Cilin sistem ekonomik duhet të mbështesë Shqipëria, sistemin e koordinuar Sudez apo të pakoordinuar Amerikan?

Cilët janë tre Modelet ideale të teorisë ekonomike sipas Smithit, Marksit dhe Kejnsit?
1. Kapitalizmi pastër. Në këtë sistem Shteti duhet të qëndrojë jashtë proceseve ekonomike, puna është forca shtytëse dhe nuk duhet penguar. Ekonomia duhet të jetë “laissez faire”, (doktrina e lënies së aktivitetit ekonomik forcave të tregut pa ndërhyrje të qeverisë. A. Smith). Mbështetës të ekonomisë klasike të Smithit kanë qënë Kryeministrja Margaret Thacher e Anglisë, Presidenti Ronald Regan i SHBA-ve etj.

  1. 2. Antikapitalizmi. Sistemi ekonomik kapitalist që bazohet në pronën private mbi mjetet e prodhimit duhet shfuqizuar dhe ndërtuar sistemi me pronë shoqërore mbi mjetet e prodhimit (K.Marks). Sado human dhe social të jetë kapitalizmi, në themel të tij ka shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Për kapitalizmin – John Keneth Galbraith ka thënë “Në kapitalizëm njeriu shfrytëzon njeriun. Në komunizëm është thjesht e kundërta”.(EDS 2020; 27). Mbështetës të tij Kina, Koreja V, Kuba etj.
  2. Kapitalizmi menaxhuar. Pronë private mbi mjetet e prodhimit por shteti me anën e menaxhimit me qëllim të rritjes së kërkesës ndërhyn në treg, në ekonomi. Prona garantohet por me detyrime ndaj shoqërisë.Keynes.(EDS 2020;34). Sistem që zbatohet në shumë vende të botës.
  3. Superkapitalizmi. Përcaktohet sistemi kapitalist në kushtet e globalizmit. Personat e shquar që kanë pretenduar ekzistencën e superkapitalizmit përfshijnë diktatorin Fashist Italian Benito Mussolini dhe ish Sekretarin e Punës të Shteteve të Bashkuara, Robert Reich në presidencën e Bill Clinton-it. Robert Reich në librin e tij” Superkapitalizmi: Beteja për demokraci në epokën e biznesit të madh” e cilëson si “Superkapitalizëm”. Reich thekson se “në superkapitalizmin e ekonomisë së globalizuar, është shënuar sërish rritje e pabarazive në të ardhura. Të drejtat e punonjësve dhe standardet shoqërore janë vënë në rrezik dhe përgjegjësia sociale e biznesit po ulet”(EDS 2020:51).

Sot në “Superkapitalizëm” dallojmë dy organizime ekonomike, Ekonominë e Koordinuar dhe jo të Koordinuar. Për të krahasuar Sistemin Jo të Koordinuar të SHBA-Britani e Madhe me Sistemin e Koordinuar të Suedisë për të parë se cili prej tyre është më shumë demokratik dhe me më shumë interes për popullin do interpretojmë 4 tregues. Këtë do ta bëjmë duke u mbështetur në librin “Ekonomia dhe Demokracia Sociale”.

  1. Sistemi Financiar, financimi nëpërmjet tregut financiar, bankave dhe bursave.
  2. Marrëdhëniet e punësimit, afatshkurtëra apo afatgjata.
  3. Sistemi arsimit dhe formimit, i përgjithëshëm apo i specializuar.
  4. Marrëdhëniet midis ndërmarrjeve, të integruara apo jo të integruara.

Sistemi Amerikan. SHBA kanë një ekonomi të pa koordinuar tregu, një treg liberal dhe neoliberal ku shprehet skepticizmi i rolit pozitiv të ndërhyrjes së shtetit në ekonomi. Sistemi amerikan është i drejtuar nga tregu, nga konsumizmi, veçimin e oligarkëve dhe pasurimi i tyre në kuriz të të drejtave themelore shoqërore (Gjilpin 2001,150). Financimet e kompanive në SHBA vijnë kryesisht nga tregu financiar dhe bursa dhe jo nga bankat tregëtare. Ka rëndësi pasi i kanë bilancet e tyre transparente. Strategjia e tyre është maksimizimi i madhësisë së dividentit. Maksimizimi madhësisë së dividentit quhet PVA(Parimi i Vlerës së Aksionit). Firmat synojnë të maksimizojnë fitimin në një periudhë kohe sa më të shkurtër. Organizatat e kapitalit ndjejnë pak përgjegjësi shoqërore. Mbrojtja e punësimit nuk është e zhvilluar me ligj, ose është pak e zhvilluar në SHBA. Sindikatat dhe shoqatat e punëdhënsve janë të dobëta dhe pa mbështetje ombrellë. Faktorët që kanë ndikuar në rolin e dobët të sindikatave janë; politikat antisindikaliste të ndërmarrjeve dhe politika e qeverisë kundër sindikatave. Punësimi është afatshkurtër dhe i pa sigurtë me paga në nivel ndërmarrje. Kontratat Kolektive të punës thuajse nuk njihen. Shembulli i luftës së qeverisë kundër sindikatave e ka dhënë Presidenti Ronald Regan për vendosjen e ndalimit përgjithmonë të punësimit në shërbimin civil të kontrollorëve të trafikut ajror që hynin në grevë (Reich 2008;108fv). Tregu arsimor priret të sigurojë një kualifikim të përgjithëshëm, përgjithësisht për sektorin e shërbimeve me paga të ulta, që të kenë mundësi për të gjetur punë. Punonjësit e kanë punën të pa sigurtë, sepse sipërmarrësit zbatojnë parimin “punëso dhe pusho” sipas situatës ekonomike. Qeveria financon pak në fushën e shkencës civile, ajo financon në fushën ushtarake që më vonë aplikohen edhe për interesa civile.Marrëdhëniet midis kompanive duket se nuk janë miqësore, ato konkurojnë me ashpërsi midis tyre, me më shumë forcë sesa në ekonomitë e koordinuara si në rastin e ekonomive Suedeze dhe Gjermane. (Hinchmann 2006;350). Firmat integrohen me njëra tjetrën në shkallë minimale, as bankat dhe as firmat e tjera nuk marrin pjesë në këshillat mbikqyrëse të tyre. Shteti ndërhyn në treg vetëm për të ndaluar krijimin e karteleve dhe fiksimin e çmimeve, sepse mbizotëron “liria ekonomike”, “laissez faire”. Disa nga treguesit makroekonomikë të SHBA-së për vitin 2008.  Indeksi varfërisë 15.2% ku 0 = varfëri maksimale dhe 100 varfëri maksimale. Norma e punëzënies 70.9%, PBB për frymë 38000 euro, borxhi kombëtar 70.7%, norma e papunësisë 5.8%, shkalla e pjesëmarrjes në sindikata 11.6%(raporti në moshë pune të organizuar në sindikata). Fitimet nga mirëqënia shpërndahen në mënyrë të pabarabartë. Në 1950 pagat e drejtorëve ishin 25 herë më të mëdha se të punëtorëve në 2008 kanë qënë 350 fish(Reich 2008;144). Ka infrastrukturë të varfër në krahasim me vendet e tjera. Disa tregues makroekonomik për vitin 2019. Rritja e PBB-së 2.3%, norma e papunësisë 3.7%, bilanci fiskal /PBB-së -4.6%, borxhi publik 108% ndaj PBB-së, norma e inflacionit 2.3%. SHBA ekonomi liberale tregu me ekonomi jo të koordinuar ka numrin më të madh të miliarderëve sot në botë me 614. Vetëm 15 prej tyre zotërojnë 1133.9 miliardë dollarë. Vendet e ekonomive të koordinuara europiane kanë pak ose aspak. Gjermania ka vetëm 30 miliarderë në top liste me nga 4.4 mld deri në 36.1 mld. Suedia ka vetëm 10 në toplistë me nga 5.2 mld deri në 42.5 mld. Këto të dhëna tregojnë për shpërndarjen e pabarabartë të pasurisë, për diferencimin e tejskajshëm klasor, ku nga njera anë qindra miliona njerëz vuajnë për bukën e gojës dhe miliona vdesin nga uria , në krahun tjetër një grup njerëzish zotërojnë pasuri sa PBB-të e disa shteteve të mëdha të mara së bashku.

Britania e Madhe, ekonomi liberale tregu e pa koordinuar, e ngjashme më shumë me ekonominë e SHBA-ve sesa me ekonomitë e Evropës kontinentale. Financimi i kompanive realizohet më së shumti nga tregu financiar dhe bursës. Synimi kompanive është masimizimi fitimit. Fitimi është kushti kryesor për të përfituar kapital, ndryshe nga sa është psh në Gjermani. 80% e pronarëve të kompanive të BM janë “investues financiarë dhe privatë” që kanë për synim maksimizimin e fitimit. Karakteristikë e synimeve të kompanive angleze është “synimi” drejt asaj që arrihet shpejt. Në kapitalizmin Britanik përbën avantazh shkalla e lartë e punësimit dhe norma e ulët e papunësisë. Dizavantazh në krahasim me SHBA-të dhe Gjermaninë është rendimenti i ulët i punës dhe dhe orjentimi drejt fitimit afatshkurtër. Sindikatat britanike janë në nivel të dobët në krahasim me nivelin e tyre në shkallë botërore. Kjo sepse sindikatat angleze u copëtuan, në 90 kishte mbi 300 sindikata. Ato nuk janë në lartësinë e duhur sepse nuk janë të zhvilluara sipas degëve por mbi bazën e profesioneve e para,  dhe e dyta, kompanitë nuk e kanë të detyruar për ti krijuar ato, “këshillat e punës”. E treta të drejtat e sindikatave u rrudhën sistematikisht nga Qeveria konservatore e Margaret Thatcher-it. Shkalla e pjesëmarrjes në sindikatë është  30% nga 11.6% që ishte në SHBA. Anglia ka vendosur pagën minimale në 1999. Kompanitë janë organizuar në mënyrë më hierarkike sesa ekonomitë e kordinuara. Mbizotëron roli drejtorit dhe ndarja konvencionale dhe rigoroze e punës, ndryshe nga bashkëvendimarrja dhe punë në ekip që sundojnë në Gjermani. Arsimi synohet i përgjithëshëm, për më shumë punësimi sepse; Së pari, ngaqë njerëzit qëndrojnë pak në një punë nuk kërkojnë të specializohen në një arsim të caktuar, së dyti, ka elasticitet të madh të tregjeve. Edhe punonjësit e kualifikuar punësohen shpejt dhe pushohen shpejt. Nuk kanë interes firmat të kualifikojnë punonjësit pasi ata qëndrojnë në një periudhë të shkurtër në firmë. Mungesa e kualifikimit sjell rendiment të ulët të punës, për pasojë ekonomitë liberale drejtohen te produktet e thjeshta për tu prodhuar me metoda standarte prodhimi. Integrimi i kompanive midis tyre është i rrallë. Projektet e përbashkëta midis kompanive janë të rralla. Bashkëpumin kompanitë kanë me shtetin. Transferimi teknologjisë bëhet nëpërmjet shkëmbimit të personelit tekniko shkencor, nga institutet shkencore te kompanitë private dhe anasjelltas. Qeveritë britanike mund të ndërmarrin operacione strukturore të thella, kjo sepse i mundëson sistemi politik i tyre. Indeksi varfërisë në 2008 ka qënë 14.6% nga 15.2% që e ka SHBA-ja. Shkalla e organizimit në sindikata 28% nga 11.6% në SHBA. Në 2019 rritja ekonomike 1.4%, norma e papunësisë në korik 2020 ishte 3.9%, borxhi publik në 2019 ishte 85.4% e PBB-së, norma e inflacionit 1.2% në 2020 etj.

Sistemi Suedez. Suedia ka një ekonomi ideale, sociale të koordinuar të tregut. Sistemin ekonomik të tyre Suedezët e bazojnë në Modelin e “Reihn Meidner”. “Ekonomia suedeze karakterizohet nga fakti që punëdhënësit dhe punëmarrësit bashkëpunojnë intensivisht për caktimin dhe pagave; të dyja palët dhe tregu i punës janë përfshirë në ofrimin publik të formimit profesional dhe financimi kompanive përfshin një kombinim të bankave të brendshme, të pronësisë së kryqëzuar në ndërmarrje dhe rrjeteve të informacioni të biznesit, për sigurimin e kapitalit të kompanisë”. Sistemi me “Punësim të plotë” është në pajtim me “politikën e pagave të bazuar në solidaritet”, pa presione inflacioniste. Synohet kalimi nga një sektor në një sektor tjetër më efektiv duke siguruar rritje të pagave. Suedia synon mbi bazën e “politikës së pagave solidare”, “për punë të barabartë të japi pagë të barabartë” duke u bazuar në rendimentin mesatar të punës, e para dhe e dyta të uli ngushtimet midis llojeve të ndryshme të punës. Kusht është negocimi pagave në nivel Qëndror dhe jo në nivele të ulta. Punëdhënësit dhe punëmarrësit bashkëpunojnë midis tyre ngushtësisht për përcaktimin e pagave. Objektivi i Politikës Ekonomike Suedeze nuk është të ruajë vendet ekzistuese të punës, por tu jepet mundësia njerëzve të rritin punën produktive duke u bërë më konkurues në tregun ndërkombëtar. Modeli RM rekomandon politika të repta ndaj kufizimit të Kërkesës Agregate dhe Deficitit Buxhetor. Në këtë mënyrë kompanitë me rendiment të ulët të punës vendosen në pozita mbrojtëse në raport me kompanitë e tjera me rendiment të lartë. Sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve kanë një nivel të lartë organizimi jo si në SHBA dhe në Britaninë e Madhe. Partneriteti i fortë punëdhënës e punëmarrës është një nga arsyet më të forta të suksesit të marrëveshjeve midis palëve. Kompanitë kanë pronësi të kryqëzuar. Ka bashkëpunim të madh midis kompanive, ka rrjete të fuqishme informacioni për bizneset, për transferimin e teknologjisë, për sigurimin e kapitalit etj.

Sistemi i financimit të kompanive në Suedi bazohet në financimin e brendshëm prej bankave. Pronësia e kryqëzuar e aksioneve është e përhapur në kompanitë Suedeze. Parashikimi afatgjatë është karakteristikë kyçe e ekonomisë suedeze. Ky lloj financimi i ngjan financimit Gjerman të “Rinit”. Sistemi arsimor bazohet në formimin profesional specifik, ka 14 programe veç rrugës akademike për përgatitje. Të gjithë studentët angazhohen vullnetarisht. Ka kombinime të kualifikimeve dhe kualifikimi profesional plotësohet edhe me kualifikim të përgjithëshëm. Në Suedi kombinohet sistemi përgjithëshëm me sistemin professional për gjithë popullsinë. Mësohet përgjatë gjithë jetës që personi është i punësuar. Indeksi varfërisë në 2009 ka qënë 6% nga 14.6% në Britaninë e Madhe dhe 15.2% në SHBA. Norma e organizimit të Sindikatave 70.8% nga 28% në Britaninë e Madhe dhe 11.6% në SHBA. Koeficienti GINI 25%, norma e papunësisë 6.2%, borxhi publik 38% të PBB-së, të ardhurat për frymë 30800 euro.Disa tregues për 2019, rritja ekonomike 1.3%, të ardhura për frymë 50339 $, inflacioni 0.8% në 2020 dhe 1.6% në 2019, koeficienti Gini 27,6, indeksi zhvillimit njerëzor 0.937, papunësia 9% në 2020, borxhi publik 35.1% të PBB-së në 2019, klasifikimi AAA, bilaci buxhetor pozitiv me +0.5% ndaj PBB-së për 2019 etj. Më lartë dhamë dy modele ekonomike, ekonomi të koordinuara të përfaqësuara nga ekonomia Suedeze dhe ekonomi jo të koordinuara të përfaqësuara ng ekonomitë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Të dhënat tregojnë se Ekonomitë e Koordinuara, me ndërhyrjen e shtetit në ekonomi janë më efikase në shërbim të qytetarit sesa ekonomitë liberale të tregut siç është Ekonomia Amerikane.Ekonomitë liberale të tregut synojnë maksimizimin e fitimit, në to është e vështirë kombinimi i demokracisë me kapitalin, kështu kapitalizmi demokratik i tyre ka vështirësi për tu rezlizuar sepse këto dy koncepte e përjashtojnë njëra tjetrën. Po Shqipëria në cilin grup bënë pjesë? Shqipëria nuk bën pjesë në asnjë prej grupeve që përmendëm, ekonomia shqiptare pas viteve 90, kaloj nga njëri ekstrem në ekstremin tjetër,  u kthye nga shteti i diktaturës së proletariatit në një shtet me sistem feudo-kleptoetatist.