Prof. Dr. Lush Susaj/ Për izolimin dhe varfërinë nuk ka faj BE-ja dhe as SHBA-ja , por qeveria e korruptuar e Tiranës

633
Sigal

Për izolimin dhe varfërinë nuk ka faj BE-ja as SHBA-ja

Turpin e ka qeverisja injorante dhe e korruptuar

Politika shqiptare po eksporton në Kosovë shembullin e keq dhe antiligjin

  • Turpin e ka qeverisja injorante dhe e korruptuar

Faik Konica (1901), shkruante: “Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë”. Ndërsa politikanët tanë të pangopur në krime e korrupsion, në kuadrin e sjelljes së tyre sofiste e hipokrite, kanë kaluar çdo kufi në gafa dhe në broçkulla, të cilat nuk mund t’i besojë më askush dhe asnjëherë. Nxitjen për këtë reagim në lidhje me situatën politike, ekonomike e shoqërore në të cilën ndodhet  Shqipëria dhe Kosova, e mora nga retorika dhe të pavërtetat  që janë hedhur e po hidhen për drejtësinë, menjëherë pas publikimit të akuzave të gjykatës speciale dhe dështimit të takimit të nivelit të lartë në Uashington. Ndër të gjitha ato të pavërteta që janë thënë e dëgjuar gjatë këtyre ditëve, nuk mund të harrohet ajo që deklaroi me të madhe kryeministri ynë në konferencën e përbashkët për shtyp, të datës datës 3 Korrik 2020, ku ndër të tjera tha: “Turp për BE-në që mban peng një popull”. Politikanët tanë, për të gjitha paudhësitë dhe sjelljet e tyre parapolitike, për injorancën, korrupsionin, kriminalitetin, varfërinë, etj, duket që zgjedhin rrugën më të shkurtër, atë të fajësimit  të BE-së dhe SHBA-së. Kjo na kujton diktatorin Enver Hoxha dhe shpurën e tij antishqiptare, të cilët fajësonin të tjerët duke propaganduar rrezikun që gjasme na vinte nga Europa kapitaliste, apo nga imperializmi Amerikan apo nga revizionizmi Sovjetik. Kjo ngutje apo mungesë totale e racionalitetit, diplomacisë dhe njohurive mbi historinë dhe politikën lokale dhe rajonale, me kujton një shprehje të njohur të ish presidentit të SHBA-së,  Linkoln, sipas të cilës: “Më jep afat gjashtë orë për të prerë një pemë dhe unë do t’i kaloj katër të parat duke mprehur sëpatën”. Politikanët tanë e kanë marrë punën me turravrap, pa e mprehur kurrë sopatën e drejtësisë dhe as shikimin politik e shtetëror të mendjes dhe analizës. Duket që njerëzit që jetojnë në Shqipëri, në Kosovë, në Ballkan, në BE dhe në SHBA, i marrin për budallenj e për të verbër, pasi mendojnë se nuk i ka parë dhe nuk i ka dëgjuar askush bëmat dhe punët e tyre antiligjore e antishtetërore. Harrojnë  se Shqipëria dhe Kosova  janë vende të hapura, e që historikisht  kanë qenë dhe do të mbetën  pjesë substanciale e Europës  dhe besnike të rrugës dhe politikës zhvillimore Euro-Atlantike. Këtë model të panjohur të justifikimit dhe të turravrapit demagogjik e mashtrues, e kemi parë dhe mund ta shohim sa herë që bëhën inagurime, ku në të cilat ministrat dhe drejtorët shihen që raportojnë duke ecur, e mezi duke u mbushur me frymë. Është një sjellje që na kujton atë sjelljen e dikurshme  të djemëve  të zbritur nga mali, të cilët vepronin dhe raportonin duke ecur me turravrap e yryshllëk, pa protokoll, pa ligje, pa analiza politike, pa tavolina, pa dosje, etj, e që siç e dimë të gjithë, sollën dhimbje, prapambetje, varfëri dhe tragjedi të mëdha. Shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, etj, e kanë vuajtur dhe po e vuajnë shumë rëndë izolimin, varfërinë, korrupsionin dhe kriminalitetin. Por këto vuajtje nuk janë shkaktuar nga BE-ja as nga SHBA-ja, por nga dyfytyrësia dhe sjellja antishtetërore, antishqiptare, antieuropiane dhe antiamerikane e klasës sonë politike. Në këtë përpjekje hipokrite të politikës për të fajësuar të tjerët, shqiptarët i janë mirnjohës përjetë BE-së dhe SHBA-së, që u janë gjendur në krah të së drejtës, duke e mbrojtur dhe definuar këtë të drejtë me dy shtete demokratike e ndërkombëtarisht të njohura. Prezenca dhe ndihma e BE-së dhe SHBA-së, janë garancia më e madhe e për të mos lejuar kthimin pas dhe degradimin e hapësirës sonë kombëtare në skllavëri, pasiguri dhe kriminalitet.

  • Politika shqiptare po eksporton në Kosovë shembullin e keq dhe antiligjin

Nuk ka shembull më të keq se sa fajësimin dhe gjuhën e ashpër e të papërmbajtur kundër institucioneve ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë ndaj zyrtarëve të lartë të BE-së dhe SHBA-së që mbulojnë dhe ndihmojnë Kosovën në këtë rrugë të paqes dhe të normalizimit të domosdoshëm të marrëdhënieve me fqinjët dhe me bashkësinë ndërkombëtare. Politika shqiptare, në vend të retorikës, përçarjes, mbështetjes apo fajësimit të njëanshëm të drejtuesve të lartë të politikës dhe institucioneve të drejtësisë, duhet të punojë me përgjegjshmëri e të eksportojë ligjshmëri, diplomaci, pa anësi, shembull të mirë administrimi dhe mbështje të gjithanshme shtetërore.

Në vend të fajësimit të panevojshëm të BE-së dhe SHBA-së, politika e Tiranës duhet të bëhët njëzëri e gjithmonë në mbështetje të drejtësisë ndërkombëtare dhe të institucioneve të Kosovës, në mënyrë që Kosova  të qëndrojë e fortë dhe e pa lëkundur në rrugën e shtetformimit dhe të angazhimit politik e diplomatik për ndëshkimin e krimit, korrupsionit dhe terrorizmit. Të fajësosh të tjetrët e të bësh demagogji dhe retorikë  patriotike, është dëmi mëi madh që mund ti bëhët Kosovës dhe çështjes shqiptare në rajon. Ish drejtuesit e UÇK, kanë detyrimin minimal që të besojnë në drejtësinë ndërkombëtare, e të shkojnë para institucioneve të sajë për të dëshmuar dhe pritur me qetësi e maturi gjykimin e tyre të drejtë.Në këtë rrugë, ata janë më të interesuarit për drejtësinë, dhe siq thotë populli duhet të lahën sa më shpejtë me të. Drejtësia ndërkombëtare dhe çështja shqiptare dhe Kosovare në veçanti, nuk ndihmohet duke e shmangur drejtësinë, as duke e vonuar funksionimin e gjykatave, as duke shantazhuar dëshmitarët, as duke prodhuar akuza dhe kriza, dhe as duke u rrokullisur mbi kolltuqe dhe poste politike të pamerituara. Ata që e duan me zemër Kosovën dhe Shqipërinë, duhet të punojnë e të nxitin drejtësinë, paqen dhe bashkëpunimin. Përvoja e LANÇ-it në Shqipëri dhe Kosovë ka treguar se, nga mungesa e drejtësisë mbi krimet e luftës, janë vrarë e burgosur të gjithë drejtuesit e vërtetë të luftës, dhe më pas, në vitet 1945-1990, janë vrarë dhe burgosur edhe të gjithë intelektualët me bindje dhe me formim të lartë europian dhe amerikan. Këto krime monstruoze ndaj shqiptarëve nuk u gjykuan kurrë, madje as në këto 30 vite që sollën një rrënim të mëtejshëm të imazhit tonë politik e shtetërore në rajon.Siç dihet, e gjith kjo ndodhi për shkak të izolimit komunist, të dëbimit të institucioneve ndërkombëtare nga diktatura, dhe të sigurimit të një pushteti dhe vdekje të rehatshme për diktatorët dhe klikat e tyre. Propaganda apo nxitja e politikës  kosovare për të dalë kundër drejtësisë, goditje për Kosovën dhe dhuratë e madhe për interesat serbe në rajon. Kosova e ka fituar me dinjitet betejen me pushtuesit, ndërsa do të qëndrojëe palekundur në krah të BE dhe SHBA, që ta fitojë edhe betejën me të keqijat e brendshme si kriminalitetin, korrupsionin, varfërinë, përçarjen, copëtimin territorial dhe degradimin e administratës në militantizëm partiak, nepotik e krahinor. Kosova dhe Shqipëria kan burra e politikanëtë shquar, të cilët e dinë që pa ndihmën e BE dhe SHBA, shqiptarët do të shqyenin njëri tjetrin, e më pas do të përtypeshin lehtë e shpejtë nga ata që nxisin ndarjen dhe mungesën e bashkëpunimit dhe tëkohezionit politik e shoqëror midis shqiptarëve në rajon. Është koha që të kuptojmë faktin se, pas deklarimeve se gjoja po nxihet dhe damkoset lufta e Kosovës, fshihet hileja për të mënjanuar e penguar drejtësinë, një sjellje hipokrite që e dëmton Kosovën dhe betejen e sajë për përparim ekonomik, shoqëror e politik. Nuk është thirrur në gjykatë lufta çlirimtare as populli liridashës i Kosovës. Në  asnjë vend nuk përmendet dhe as që mund të damkoset lufta. Përkundrazi kërkohet drejtësi për viktimat e luftës dhe të pasluftës, drejtësi që do ta lartësojë edhe më shumë sakrificën dhe lavdinë e djemve dhe vajzave të Kosovës që ranë për liri e shtet ligjor. Këtë duan dhe kërkojnë edhe ish ushtarët e gjallë e të rënë të UÇK-së. Këtë duan edhe mijëra fëmijë të vrarë në krahët e prindërve të tyre, edhe mijëra gra e vajza të përdhunuara, edhe qindra e mijëra të dëbuar e të torturuar, etj. Drejtësia dhe zhvillimi demoktratik i Kosovës nuk mund të pengohen duke sulmuar e fajësuar me pa të drejtë BE-në dhe SHBA-në,  as duke u shtirur e propaganduar  sikur BE-ja dhe SHBA-ja po duan të  arrestojnë komandantët dhe të  nxijnë luftën. E gjithë kjo është një qasje e gabuar që synon të shtojë zërat dhe përpjekjet ogurzeza për abrogimin e ligjit të Gjykatës Speciale, e që do ta bënte Kosovën të pabesueshme e mosmirënjohëse  ndaj  partnerëve strategjikë e miqve të saj. Unë besoj se Kosova nuk do të mund të futet kurrë në këtë spirale dhe grackë të rrezikshme antishqiptare. Përkundrazi Thaçi, Veseli dhe të gjithë të akuzuarit e tjerë, njëlloj si më parë Haradinaj, etj, do të dinë t’ia shlyejnë borxhin Kosovës dhe gjakut e sakrificave të dhëna për liri e demokraci. Kam bindjen time të thellë që edhe ish ushtarët e UÇK-së, në protestën e paralajmëriuar me 9 Korrik në Prishtinë, do të jenë në krah të drejtësisë dhe të partnerëve strategjikë të Kosovës (BE dhe SHBA), për të mos lejuar asnjë incident, për të cilët janë të interesuar vetëm ata që nuk e duan Kosovës as çështjen shqiptare. Shqipëria dhe Kosova i janë mirnjohës BE-së dhe SHBA-së, sepse falë ndihmës së tyre, do të arrijë që të funksionojë drejtësia ndaj krimit dhe korrupsionit. Në këtë mënyrë do të hiqet edhe izolimi i shkaktuar nga bajraktarët dhe bejlerët e politikës me metoda e mendësi të vjetër otomane.

 

(një postim nga Rexhep Krasniqi-Zvicër)