Prof. Alqi Naqellari: Maltusi, ky prift dhe gjeni i mallkuar

845
Sigal

Shumë njerëz sot në botë e lidhin Covid-19 me teori konspirative, që duan të thonë se ky virus u krijua dhe u hodh nga njeriu, nga grupe që drejtohen prej masonëve për të çfarosur një pjesë  të popullsisë botërore, sepse popullsia  botërore është rritur shumë dhe nuk mund të përballohet  dot me prodhimin e saj. Nëpërmjet kësaj pandemie, sipas tyre, synohet të eleminohen  mosha e tretë, e cila është joproduktive në mënyrë që popullsia e botës të mbahet 1 miliardë  njerëz. Në këto teori përmendet shpesh emri Maltusit, si krijues i teorisë së rritjes me progresion gjeometrik të popullsisë dhe me progresion arithmetik të ushqimit. Ky ligj është shprehur  në librin “Një Ese mbi Parimin e Popullsisë”.  Pikërisht për këtë ligj, sipas tyre, ai justifikonte  çfarosjen e popullsisë  nëpërmjet luftrave, sëmundjeve dhe veseve të tjera. Kështu, kudo ku flitet për ulje të numrit të popullsisë, patjetër do jetë emri i priftit Maltus, i shoqëruar me mallkime  ndaj tij. Po përse e mallkojnë dhe e fyejnë kaq shumë këtë prift të zakonshëm anglez, a nuk ka pasur edhe shkencëtarë të tjerë, para dhe pas tij, që kanë shkruar dhe nxjerrë teori shumë më ekstreme  se teoria e Maltusit, deri në sterilizimin e gjinisë mashkullore?

Çfarë ka thënë ai që është nga më të përgojuarit dhe nga më të lexuarit në botë?

Gjithçka që mblidhet rreth tij, është vetëm një shprehje e lidhur me forcën superiore të njeriut për t’u shumwzuar, e paraqitur në librin e tij “Një Ese mbi Parimin e Popullsisë”,  në krahasim me sigurimin e ushqimeve. Konkretisht: Pasi Maltusi thekson dy postulate, i pari, ushqimi është i nevojshëm për ekzistencën e njeriut dhe i dyti, pasioni midis sekseve është i nevojshëm dhe do të mbetet pothuajse në gjendjen aktuale. Këto janë dy ligje të natyrës që nuk do të pushojnë së ekzistuari, pa një veprim të menjëherëshëm të pushtetit të Qenies, e cila do të jetë e para që do të rregullojë sistemin e universit, dhe që në dobi të krijesave të saj, kryen akoma, sipas ligjeve të caktuara, të gjitha veprimet e saj të ndryshme”.  Në këtë mënyrë, njeriu do konsumojë dhe shumohet derisa natyra, Qenia  do t’ja lejojë këtë lloj ekzistence. Dhe më tej: “Forca superiore e popullsisë nuk mund të kontrollohet  pa prodhuar mjerim ose vese dhe tepëria e këtyre dy përbërësve të hidhur në kupën e jetës njerëzore, si dhe vazhdimësia e shkaqeve fizike që duket se i kanë prodhuar ato, mbartin një dëshmi bindëse”,  më tej , “Fuqia e popullsisë  është më e madhe se fuqia e tokës për të prodhuar ushqim për njeriun, kështuqë vdekja e parakohëshme në një formë ose tjetrën, shfaqen në racën njerëzore. Veset e njerëzimit janë ndihmësit aktivë dhe fuqiplotë  të shpopullimit”.

Dy citimet e fundit janë citimet më të famshme në Esenë e tij. Nëse nuk do kishte thënë dy citimet e fundit emri dhe Eseja e Maltusit,  nuk do ishin përmendur kurrë. Ai do kishte mbetur si një ekonomist i zakonshëm në hije, krah Millit, Jevonsit, Seit e të tjerëve

 Si e vlerësojnë studiuesit e perëndimit, përfaqësues të sistemit kapitalist të tregut? 

Traktati i tij mbi popullsinë,  është nga librat më të lexuar në botë, krahas “Biblës”, “Pasurisë Kombeve” të Adam Smithit, “Kapitalit” të Karl Marksit, “Teorisë Përgjithëshme” të Jon M. Keynsit. Ja si e vlerëson në 2016, një kërkues shkencor i njohur dhe historian amerikan, themelues i “Shoqërisë  sw  Skeptikëve”,  Michael Brant Shermer: “Nëse nga idetë e shpallura në historinë e shkencës do të më duhej të identifikoja, në të mira dhe të këqija, në top 10 do të ishte traktati i 1798,  “ Ese mbi Parimin e Popullsisë”. Eseja frymëzoi pozitivisht  Charles Darwin dhe Alfred Russel Wallace për të përpunuar mekanikën e seleksionimit  natyror. Teoria Maltusiane  ndikoi negativisht, që politikëbërësit të përqafojnë Darvinizmin Social dhe Eugjenikën, duke rezultuar në masa drakoniane për të kufizuar madhësinë e familjes së popullsisë së veçantë, përfshirë sterilizimet e detyruara. Nuk po përmend Ligjet e Mbretëreshës së Anglisë për të varfërit dhe qëndrimin e Hitlerit. Fogt në vitet ‘60 në “Rruga e Shpëtimit” shkruan se në tokë mund të jetojnë 500-900 milionë njerëz, Kuku thekson se rritja e popullsisë përbën një kërcënim të tmerrshëm për ekzistencën e njerëzimit. Vite më vonë, Francis Galton evokoi për martesë midis individëve më të aftë, (“Çfarë natyra bën verbërisht, ngadalë dhe pa mëshirë njeriu mund të bëjë me siguri, shpejt dhe dashamirësi”),  ndjekur nga një numër i socialistëve të shquar si Sidney dhe Beatrice Webb, George Bernard Shaw, Havelock Ellis dhe HG Wells, i cili mbrojti hapur eugjenikën, si një mjet të inxhinierisë sociale. Ethja eugjenike përfshiu Amerikën në fillim të shekullit të ‘20-të, duke kulmuar me çështjen e Gjykatës Supreme, “Buck kundër Bell”, në të cilën gjyqtarët legalizuan sterilizimin e qytetarëve “të padëshirueshëm”. Paul Ehrlich në 1968, me librin “The Population Bomb”, shpalli se “beteja për të ushqyer tërë njerëzimin ka mbaruar”. Në një konferencë të vitit 2013, në Universitetin e Vermont, Ehrlich vlerësoi shanset tona për të shmangur kolapsin civilizues në vetëm 10 përqind, etj, etj. Pavarësisht me sa nota ekstremizmi dhe antinjerëzore flasin autorë të ndryshëm, askush prej tyre nuk është përfolur më shumë se Maltusi.

            Si e vlerësojnë përkrahësit e sistemit socialist dhe të teorisë marksiste?

Nuk e kam kuptuar deri vonë pse Maltusi është mallkuar, mallkohet dhe do të mallkohet si prift, kur ai nuk ka pasur ndonjë kontribut të shquar në fushën e fesë, si autor librash, përkthyes etj, por ka qenë i shquar në fushën e sociologjisë dhe veçanërisht në atë të ekonomisë politike. Kontributin e tij në këto fusha askush nuk e zë në gojë, askush nuk flet për të dhe ti japw  vendin e merituar në plejadën e ekonomistëve  klasikë. Është pikërisht Maltusi ndër të parët që ka përcaktuar konceptin e kërkesës dhe ofertës, këmbimet,  lidhjen e tyre me çmimin, ligjin e produktit marxhinal rënës, etj. Këtë pak njerëz e dine, sepse në shqip nuk është përkthyer “Parimet e Ekonomisë Politike”, një nga veprat më të arira të klasikëve, që e ka vendosr Maltusin në panteonin e pavdekësisë së kontributit të mendimit ekonomik botëror.  Ndër të tjera në të thuhet:“…kërkesa  për çdo lloj malli mund të përcaktohet të jetë, dëshira e personave për t’i blerë ato, kombinuar me mjetet e përgjithshme të blerjes; dhe oferta, sasia e mallrave për shitje, të kombinuara me dëshirën për t’i shitur ato”. Këto koncepte i përdorim edhe sot në tekstet e mikroekonomisë,  -pa i ditur që një pjesë e tyre është përcaktuar nga Maltusi, nga Marksi, nga këta njerëz sa të vlerësuar aq dhe të mallkuar, për teoritë e tyre revolucionare dhe të pavdekshme.

Vendet e lindjes që përkrahnin marksizmin, si ateistë që ishin, e kanë  nëmur dhe mallkuar Maltusin si prift dhe nuk i kanë zënë në gojë asnjëherë  meritat dhe kontributin e tij në fushën e shkencave ekonomike. Ai është sharë e fyer që nga Marksi, Stalini, Titoja dhe deri te Enver Hoxha. Në këtë material do shikojmë shkakun e vërtetë pse e kritikojnë Maltusin. Shkaku i vërtetë sipas marksistëve nuk është se ai nxorri teorinë e forcës së shtimit të popullatës mbi ushqimin dhe kërkoi vendosje të ekuilibrit, por sepse ai nuk theksoi se shtimi i popullsisë si rezervë e punës do ishte një nga faktorët e përmbysjes së sistemit kapitalist. Sipas marksistëve mospohimi këtij fakti ishte përulje e tij në shërbim të kapitalistëve. Pra socialistët nuk e shikojnë teorinë në aspektin sociologjik,  por në aspektin e përmbysjes së sistemit, dhe për pasojë të pronës private dhe vendosjes së pronës shoqërore. Në këtë pjesë do të analizojmë vetëm Marksin, i cili e quan si “sipërfaqësor”, “një plagjiaturë profesioniste”, “agjentin e aristokracisë së tokës”, “një avokat të paguar” dhe “armikun kryesor të popullit”, ndërsa Shelley e quan, “eunuk”, “tiran”, etj, etj.

Kur Marksi shpjegon “ligjin universal të bujqësisë”, (ligji i produktit marxhinal rënës) thekson se kwtw ligj  në 1815, e bëri të vetin Maltusi, përgjithësisht mjeshtër i plagjatit, (tërë teoria e tij e popullsisë, nuk është tjetër veçse një plagjat i paturpshëm).  Më tej mbi analizën që Maltusi i bën zgjatjes së kohës së punës Marksi thekson: “Interesat konservatore që u shërbente Maltusi nuk e lejonin të shikonte se  zgjatja e ditës së punës do ta bënte të tepërt një pjesë të klasës punëtore  u përgjigjej shumë më mirë interesave të klasave sunduese, përpara të cilave Maltusi  përulej me një zell të vërtetë prej prifti, që kjo “superpopullsi” të shpjegohej me ligjin e amëshuar të natyrës, e jo me ligjet natyrore, thjesht historike të prodhimit kapitalist”.

“Nëqoftëse Lexuesi do të më përmendi Maltusin, Vepra e të cilit “Essay on Population” doli më 1789, unë do t’i kujtoj se kjo vepër në formën e saj të pare, nuk është veçse një plagjat i përciptë prej shkollari, me stil deklamativ prej prifti nga veprat e Defoit, swr Xhejms Stjuartit, Taunsendit, Franklinit, Uollwsit etj, dhe nuk ka asnjë tezë të vetën. Buja e madhe që bëri ky pamflet shpjegohet vetëm me interesa partie. Revolucioni francez gjeti në mbretërinë britanike mbrojtës të flaktë: “parimi popullsisë”, i cili u përpunua dalëngadalë në shekullin e XVIII, dhe u shpall pastaj me bujë në mes të një krize të madhe sociale, si kundërhelm i sigurtë për teorinë e Kondorsesë dhe të tjerëve, u prit me ngazëllim nga oligarkia angleze, e cila pa në të një mjet të mirë për çrënjosjen e çdo aspirate për një përparim të mëtejshëm të njerëzimit. Maltusi, shumë i çuditur nga suksesi që pati, iu vu punës për të mbushur skemën e vjetër me materiale të hartuara në mënyrë të përciptë dhe për t’i shtuar materiale të reja, të cilat, çështë e vërteta, Maltusi nuk i zbuloi por vetëm se i përvetësoi” “Me përjashtim të murgut Venecian Ortes, autor origjinal dhe i zgjuar, shumica e predikuesve të  “parimit të popullsisë” ,  janë priftërinj protestantë. Të tillë janë Brykneri me veprën e tij “Theorie du Systeme animal”. Lejden, 1767, ku është përmbledhur gjithë teoria e sotme e popullsisë dhe idetë e së cilës i dhanw konflikt  tw përkohshëm mbi këtë temë  midis Kenesë, Mirabos, pastaj priftit Uollws, priftit Tausend, prifti Maltus, dhe nxënësi tij stërprift T.Çallmers,  pa folur pastaj për priftrinjtë e rëndomtë kalemxhinj të këtij lloji”.

Këtu flitet me përçmim ndaj grupit të priftërinjve duke përfshirë edhe vlerësime të  Adam Smithit. Është kjo arsyeja që sa herë përmendet Maltusi,  para tij vendoset fjala prift dhe jo fjala ekonomist, fushë në të cilën ai shkëlqeu dhe u vendos në krahun e më të mirëve të kohës.

Në fakt Marksi, në vend që ta ofendojë dhe ta ulw,  i ka dhënë vlera të dukshme, sepse ai bën debate ekonomike të mirëfillta dhe vlerëson Maltusin, pikërisht për përcaktimin e kohës së punës, kostos, ekuilibrit, ligjit të produktit marxhinal rënës, etj. Këto arritje askush nuk di që janë produkt i një mendje ndrituri i një shkencëtari si Maltusi, që për fat të keq ne kemi dëgjuar vetëm fjalën prift dheqë pak veta e dinë se ishte një nga ekonomistët më brilantë të shekullit tëXVIII në krah të Millit, Ricardos, Jevonsit, etj, etj.

Konkluzionet e analizave të Maltusit nuk qëndrojnë në shoqërinë e sotme, ku ritmet e rritjes së popullsisë, për shkak të zhvillimit dhe industrializimit janë më të ulta se ritmet e rritjes së ushqimit dhe të mirave materiale në përgjithësi.

Nuk është e vërtetë që popullsia e botës është bërë e papërballueshme me të mira materiale, me ushqime për të provokuar një Covid-19 popullsivrasës. Asnjë nga qeveritë e vendeve të  botës nuk e ka shprehur një qëndrim të tillë. Nëse do kishte vende që do kishin qëllime  të tilla do ishte Kina, India dhe përgjithësisht  vendet e Lindjes së Largët që kanë 65-70% të popullsisë së botës, jo më të diskutosh për ushqimin e popollsisë  Europiane apo të Amerikës. Maltusi përmend Kinën dhe Industanin për popullsinë dhe ritmin e shpejtë të rritjes së saj. Të dhënat e mëvonëshme i rrëzojnë shifrat e Maltusit për rritjen me progresion gjeometrik të popullsisë dhe aritmetik të ushqimit. Konkretisht nëse marrim të dhënat për Kinën për  vitet 1995-2018 kemi këtë gjendje:

Popullsia dhe PBB e Kinës

  1955 1995 2000 2005 2010 2015 2018
Popullsia, ml 608,655 1,204,855 1,262,645 1,303,720 1,337,825 1,374,620 1,395,380
PBB,mld 35.01 734.5 1,211.35 2,286.69 66,551.90 11,063.07 13,891.88

Të dhënat tregojnë se: Në 17 vite një rritje e PBB-së  me 10 herë, ndërsa popullsia është rritur vetëm afro 11 %. Kina dhe vende të tjera të Azisë udhëhiqen nga ligji themelor i socializmit, nga parimet e socializmit  të tregut dhe socializmi Fabian, duke synuar plotësimin e kërkesave gjithnjë e në rritje të masave punonjëse, nëprmjet rritjes ekonomike, rritjes së rendimentit të punës, përmirësimeve teknologjike…. etj. Synimi i Kinës sot nuk është ulja e papunësisë, sepse është në normë natyrore, por ngushtimi dallimeve në mirëqënien e njerëzve midis provincave të ndryshme, synim ky që është edhe në shumë vende të tjera të zhvilluara të ekonomisë së tregut.

Në këtë mënyrë hamëndësitë e grupeve të ndryshme të teorive konspirative se Covid-19  u hodh për të ulur numrin e popullsisë botërore nuk qwndrojnë.

            Cilat janë disa nga kontributet e Maltusit në mendimin social?

  1. Sistemi i pronës private është etikisht i drejtë, nga i cili rrjedh se-
  2. Nevoja nuk krijon një të drejtë të pakualifikuar; dhe-
  3. Drejtësia nuk kërkon një shpërndarje të barabartë të mallrave; gjithashtu-
  4. Ai pranoi mundësinë e “përmirësimit gradual dhe përparimtar në shoqërinë njerëzore”.
  5. Maltus në mënyrë implicite bën një dallim të rëndësishëm midis bamirësisë dhe filantropisë.
  6. Predikon besimin te Zoti, është për lirinë ekonomike, por jo për “laissez faire”, etj

Ka shkruar:

1798: Një ese mbi parimin e popullsisë,

1803: Një ese mbi parimin e popullsisë;Botimi i dytë dhe shumë i zgjeruar:

1806, 1807, 1816 dhe 1826: botimet 3–6, me ndryshime relativisht të vogla nga botimi i dytë.

1823: Malthus kontribuoi me një artikull mbi Popullsinë në shtojcën e Enciklopedisë Britannike.

1800: Çmimi aktual i lartë i provizioneve

1814: Vëzhgime mbi efektet e Ligjeve të Misrit

1820: Parimet e ekonomisë politike, etj.

Krahas tyre ka shkruar me dhjetra artikuj në organet e kohës.

Fundin e librit Maltusi e mbyll me paragrafin e mëposhtëm:”Shpresa buron përjetësisht në gjoksin e njeriut, ” Njeriu nuk është i arrirë, por gjithmonë është i bekuar “. Jeta është një pavarësi e bekuar e një gjendjeje të ardhëshme.

E keqja ekziston në botë, jo për të krijuar dëshpërim, por veprimtari. Ne nuk jemi këmbëngulës ta nënështrojmë atë, por të ushtrojmë veten për ta shmangur atë. Nuk është vetëm interesi, por edhe detyra e çdo individi, të bëjë përpjekjet e tij maksimale për të hequr të keqen nga vetvetja; dhe nga një rreth më i madh që ai mund të ndikojë; sa më me zgjuarsi t’i drejtojë ai përpjekjet e tij dhe sa më të suksesëshme të jenë këto përpjekje, aq më shumë ai do të mund të përmirësojë dhe lartësojë mendjen e tij dhe aq më të plotë e bën ai  shfaqjen e përmbushjes së vullnetit të  Krijuesit të tij”.

A mundet një njeri që ka shkruar këtë paragraf të kërkojw dhe stimulojë luftrat dhe sëmundjet për zhdukjen dhe pakwsimin e popullsisë së botës?  Një meritë të veçantë në sjelljen e dy veprave në gjuhën shqipe, ka përkthyesi Alfered Cako, që i ka bërë edhe një vlerësim shumë origjinal dhe të merituar këtij kolosi të mendimit  socio-ekonomik  botëror.