Prof. Alqi Naqellari : BE sipas Hygoit, Leninit dhe Çurçillit

450
Sigal

Viktor Hygo mbi “Shtetet e Bashkuara të Europës”

Mendimet dhe projekte për krijimin e “Shteteve të Bashkuara të Europës” alias Bashkimi Europian, janë të hershme. Viktor Hygo(Victor Hugo) ka folur për Shtetet e Bashkuara të Europës që në vitin 1849 në Kongresin Ndërkombëtar të Paqes në Paris. “Do të vijë një ditë kur ju, – Franca, Rusia, Italia, Anglia, Gjermania – të gjithë ju, kombet e kontinentit do të bashkoheni, pa humbur cilësitë tuaja të dallueshme dhe individualitetin tuaj të lavdishëm, në një unitet të ngushtë dhe më të lartë për të formuar një vëllazëri europiane, ashtu si…”. “Një ditë do të vijë kur ne do të shohim ato dy grupe të mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtetet e Bashkuara të Evropës, duke shtrirë duart përtej detit, duke shkëmbyer produktet e tyre, artet e tyre, veprat e tyre gjeniale … për  të sjellë atë ditë nuk do të duhen 400 vjet të tjera, sepse ne po jetojmë në një epokë që lëviz shpejt”. “Do të vijë një ditë kur fushat e vetme të betejës do të jenë hapja e tregjeve për tregti dhe mendjet për idetë. Do të vijë një ditë kur plumbat dhe bombat do të zëvendësohen me vota, nga votimi universal i popujve, nga arbitrimi i nderuar i një senati të madh sovran i cili do të jetë për Europën, çfarë Parlamenti është për Anglinë, çfarë është kjo dietë për Gjermaninë, çfarë Asambleja Legjislative është në Francë”. Hygo e shikon Rusinë si pjesë të SHBE-së.

Lenini mbi “Shtetet e Bashkuara të Europës”.

Lenini (Владимир Ильич Ленин), ka shkruar për këtë parrullë që në vitin 1915, në Nr.44 të gazetës “Social -Demokrati”. Ishte koha kur nuk ishte bërë revolucioni tetorit dhe Lenini një pjesë të kohës e kalonte në Perëndim. Ai njihte mirë dhe kishte informacione mbi zhvillimin ekonomik të Anglisë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rusisë.

Ndër të tjera thekson se “Parulla e “Shteteve të Bashkuara të Europës” nuk duhet parë vetëm në aspektin politik, por edhe në aspektin ekonomik. Aspektit ekonomik, Lenini i kushtonte një rëndësi të veçantë. Por theksonte se “krijimi i SHBE-së nuk mund të ndodhë pa përmbysjen e monarkive  gjermane, austriake dhe ruse”. Nuk ka të sharë si parullë politike, por mbetet për t’u zgjidhur kuptimi ekonomik i kësaj parrulle. Lenini e konceptonte krijimin e SHBE-së, si një marrëveshje shtetesh ku ishte përmbysur monarkia, ku kishte fituar sistemi socialist.

Krijimin e SHBE-ve në kushtet aktuale të kohës, nga pikëpamja e eksportimit të kapitalit, dhe e ndarjes së botës midis fuqive të mëdha, ai e shikonte si “të pamundur” ose “tejet reaksionare”. “Kapitali është bërë internacional dhe monopolist. Bota është ndarë midis një grushti të fuqive të mëdha, d.m.th midis një grushti shtetesh, që janë treguar më të zotë për të grabitur dhe për të shtypur kombet e tjera”. Por SHBE-ja,  nuk mund të krijohet prej këtyre shteteve, sepse ato nuk mund të heqin dorë nga shfrytëzimi i kolonive të tyre. Mos harroni që në këtë kohë Gjermania, Franca  dhe Anglia kishin investuar jashtë vendeve të tyre 70 miliardë rubla kapital. Të treja, plus Rusinë, kishin një popullsi 250-300 ml banorë, kishin koloni me një popullsi prej 494.5 milionë banorë me një sipërfaqe prej 64 milionë km2.

“Në këtë mënyrë,- thekson Lenini- “SHBE në kushtet e kapitalizmit nuk janë gjë tjetër veçse një marrëveshje për të ndarë kolonitë”, dhe kjo realizohet vetëm “nëpërmjet forcës”. “Në kushtet e kapitalizmit është e pamundur që zhvillimi ekonomik i ekonomive dhe shteteve të ndryshme të jetë i barabartë”. Marëveshje të përkohëshme mund të realizohen midis vendeve dhe midis shteteve, “ nga kjo anë, ka mundësi të krijohen edhe Shtetet e Bashkuara të Evropës, si një marrëveshje e kapitalistëve europianë. Amerika dhe Japonia kanë marrë një zhvillim të madh ndërsa Evropa ka ngecur në vend.

“Të krijosh Shtetet e Bashkuara të Evropës mbi bazën e sotme ekonomike, d.m.th në kushtet e kapitalizmit, do të thotë të organizosh reaksionin për ta penguar Amerikën që të zhvillohet më shpejt”. Koha, kur çështja e demokracisë dhe çështja e socializmit ishin të lidhura vetëm me Europën, ka kaluar dhe s’kthehet më”… Pabarazia e zhvillimit ekonomik dhe politik është ligj absolut i kapitalizmit”. Edhe Lenini e shikon Rusinë si pjesë të SHBE-së, por mundësinë e krijimit të saj e shikon jo afat gjatë.

Çurçilli (Ŵinston Churchill) mbi Shtetet e Bashkuara të Evropës.

Ëinston Çurçilli në 19 shtator 1946 në në Universitetin e Cyrihut, mbajti një fjalim, ku ai mbrojti një ide: ‘Shtetet e Bashkuara të Evropës’. Kishte përfunduar Lufta e II Botërore, kur Gjermania dhe blloku i saj qenë mundur, kur Franca, Gjermania dhe vendet e tjera kishin dalë nga lufta me shkatërime të mëdha  dhe me një ekonomi tepër të dobët. Ishte koha kur Europa kishte nevojë për ndihmë ekonomike, kishte nevojë për bashkim. Pikërisht në këtë kohë Çurçilli mbajti një fjalim historik për të ardhmen e Europës.

Për rindërtimin e Europës Çurçilli mendonte se, “kishte një ilaç nëse do të miratohej përgjithësisht dhe spontanisht nga shumica e njerëzve në shumë vende, do të transformonte si një mrekulli të gjithë skenën dhe për disa vjet do të bënte të gjithë Europën, ose pjesën më të madhe prej tij, po aq e lirë dhe e lumtur sa është Zvicra sot. Cili ishte ky ilaç? Ishte për të krijuar strukturën Europiane,…nën të cilën ajo mund të banojë në paqe, siguri dhe liri. Ne duhet të ndërtojmë njëlloj Shtetet e Bashkuara të Europës.” Shembuj për organizime të tilla ka dhe përmend Britaninë, Komonuelthin.

Problem shikon dëshirën për bashkëpunim midis Gjermanisë dhe Francës, si dy vende të fuqishme ekonomike, por armike me njëra- tjetrën. Ai shikon mundësinë e dënimit të Gjermanisë si vend nxitës i dy luftrave botërore, “Gjermania duhet të privohet nga fuqia për të riarmatosur dhe për të bërë një luftë tjetër aggressive”.A munden popujt e Evropës të ngrihen në lartësitë e shpirtit dhe të instiktit dhe shpirtit të njeriut?

“Hapi i parë në rikrijimin e familjes europiane duhet të jetë një partneritet midis Francës dhe Gjermanisë. Në këtë mënyrë vetëm Franca mund të rimarrë udhëheqjen morale dhe kulturore të Europës. Nuk mund të ketë ringjallje të Europës, pa një Francë të madhe shpirtërisht dhe një Gjermani të madhe shpirtërisht. Struktura e Shteteve të Bashkuara të Europës do të jetë e tillë që ta bëjë forcën materiale të një Shteti të vetëm më pak të rëndësishëm. Kombet e vogla do të llogariten po aq të mëdhenj dhe do të fitojnë nderin e tyre me një kontribut për çështjen e përbashkët. Shtetet antike dhe principatat e Gjermanisë, të bashkuara lirisht për lehtësi të ndërsjellë në një sistem federal, mund të zinin vendet e tyre individuale midis Shteteve të Bashkuara të Europës”.

Çurçilli vlerëson SHBE-të në krah të Kombeve të Bashkuara. “Qëllimi ynë i vazhdueshëm duhet të jetë ndërtimi dhe fortifikimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në dhe brenda këtij koncepti botëror, ne duhet të rikrijojmë familjen europiane në një strukturë rajonale të quajtur, mund të jenë Shtetet e Bashkuara të Europës dhe hapi i parë praktik do të jetë formimi i një Këshilli të Evropës’. Në mbyllje të fjalimit të tij ai thekson: “Lëreni Europën të lindë!”

          

 Robert Shuman(Robert Schuman), Ministri i Jashtëm i Francës, Deklarata e  9 majit 1950.

 Viti 1950 njihet si viti kur u hodh hapi i parë në atë që e quajmë sot Bashkimi Europian (Union European). Schuman kishte lindur në perandorinë gjermane me gjuhë amtare atë të Luksemburgut. Ai jetoi, studioi dhe punoi në Luksemburg, Bon, Mynih, Berlin, Strasburg dhe Metz. Kur Alsazas-Lorena pas Luftës së Parë Botërore 1919 nga Gjermania i kaloi Francës, Schuman mori nënshtetësinë franceze. Në Francë ai filloi karrierën politike. Megjithëse ai gjatë gjithë jetës e foli frëngjishten me theks, pak pas Luftës së Dytë Botërore ai u bë kryeministër i Francës dhe më vonë ministër i jashtëm. Si i tillë ai ndërmori një iniciativë, që e ka ndryshuar Europën deri sot e kësaj dite. “Ajo(Franca), propozon që gjithë prodhimi franko-gjerman i qymyrit dhe çelikut t’i nënshtrohet një Autoriteti të Lartë të përbashkët në kuadrin e një organizate të hapur për pjesëmarrje nga të gjithë vendet e tjera të Europës. Bashkimi i prodhimeve të qymyrit dhe çelikut duhet të mundësojë hedhjen e menjëhershme të themeleve të përbashkëta për zhvillim ekonomik si hapi i parë për një federatë europiane dhe kjo do të ndryshojë fatin e atyre rajoneve të cilat i janë dedikuar për shumë kohë prodhimit të municioneve të luftës dhe në fund kanë rënë viktima të produkteve të veta”.

Me propozimin për një Montan-union me qarkullimin pa doganë të mallrave ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, që duhej të ishte e hapur edhe për vende të tjera, Schuman donte të ankoronte bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe lidhje të forta ndërmjet dy vendeve, dikur të armiqësuara. Schuman u bë presidenti i parë i Parlamentit Europian. Te kancelari Konrad Adenauer, ai gjeti një partner në anën gjermane, i cili ndiqte të njëjtat qëllime. “Hekuri dhe çeliku kanë luajtur një rol fatal në dekadat dhe shekujt e fundit në luftërat e popujve europianë kundër njëri-tjetrit, sepse të gjitha armët ishin prej hekuri dhe çeliku.Tani hekuri dhe çeliku duhet t’i bashkojnë popujt europianë në një terren të përbashkët të veprimit dhe mendimit.”

Adenauer pati thënë më vonë, se Schuman që në vitin 1950, kishte qenë një vizionar i madh europian: “Ai pa më tej, nga sa shihja unë, kur propozoi Montan-union. Mos mendoni se ai e ka propozuar Montan-union për arsye ekonomike! Ajo ishte një çështje e rëndësishme politike.”

Këta mendimtarë, udhëheqës shtetesh, personalitete të botës perëndimore kanë parashikuar krijimin e BE-së në interes të popujve të saj. Interesant është fakti që Hugo dhe Lenini kanë përfshirë në SHBE edhe Rusinë si pjesë e saj, ndërsa Çurçilli dhe Shumani e kanë parë në aspektin e zbutjes së luftës midis Francës dhe Gjermanisë, si dy vende me kontradita antagoniste të përherëshme, që pretendojnë për territore. Në plan të parë kanë nxjerrë argumentin ekonomik, i cili do pasohej me pasoja social-politike në interes të 6 shteteve që propozohej të ishin në marrëveshje. Idetë e tyre janë iluministe, në interes të popujve, kundra luftrave. Ato janë të lidhura me periudhat të cilave ju përkasin.

Sot nuk janë më SHBE-të që ata propozuan dhe ëndëruan, sot objektivat dhe synimi i BE-së ka ndryshime të mëdha. Këto ndryshime të mëdha lindin kontradita antagoniste të cilat mund të zgjidhen vetëm me ndryshime thelbësore të sistemit ose me shpërbërje të tij.