Bashkim Koçi: Nevruz Shtylla, shkencëtari i racave të bagëtive

991
Sigal

Njeriu kur e ka dëshirën të ecë përpara, kur ka pasion të arsimohet e të kulturohet, të bëjë punë të mira, me besimin se do të ngjitet deri atje ku ka hedhur piketat për të arritur, asgjë nuk mund ta ndalë. Kjo çka thashë gjen vend të thuhet teksa njihesh me jetën dhe karrierën e gjatë në fushën e shkencës të zooteknisë të Prof. Nevruz Shtyllës, njërit ndër njerëzit e shquar të kësaj dege të bujqësisë shqiptare.

E mirë apo e keqe, si do që të ndodhë, ardhja në jetë e njeriut, vendlindja e tij, është diçka e rastësishme. Ashtu si do të ndodhte edhe me Nevruz Shtyllën. Ai u lind më 22 Mars të vitit 1933 në fshatin Shtyllë të Korçës nga i cili ka trashëguar edhe mbiemrin. Shtylla është fshat shumë i vogël, me pak shtëpi e me pak banorë, shumica e të cilëve janë shpërndarë nëpër Shqipëri në periudha të ndryshme. Falë pasionit e vullnetit për t’u arsimuar nga Shtylla kanë dalë njerëz të ditur, patriotë e pushtetarë të zotë, madje edhe luftëtarë që lanë emër të ndritur në luftën Nacionalçlirimtare. Njëri nga xhaxhallarët e Nevruzit është Medar Shtylla, njëri nga studentët e parë të Liceut francez të Korçës, e që në viet ’30 u laurua shkëlqyshëm në fakultetin e Veterinarisë në Tuluzë të Francës. Eshtë fakt i njohur që Medar Shtylla është themeluesi shkencor i shërbimit zooteknik e veterinar në Shqipëri. Gjatë viteve të Luftës NÇ ishte ndër drejtuesit kryesorë e, ndërkohë, ishte antar i Shtabit të Përgjithshëm. Ishte po Medar Shtylla ai që pas çlirimit të vendit do të kryente detyra shumë të rëndësishme si ministër i Ekonomisë Kombëtare, ministër i Shëndetësisë e deri kryetar i Kuvendit Popullor. Eshtë vendi të themi se nga ky fshat, “sa një pëllëmbë”, kanë bërë emër edhe personalitete të tjerë të shquar si Behar Shtylla, Dr. i Shkencave agrare Selam Shtylla i arsimuar në Peruxhia, e deri në ditët e sotme ku spikasin emrat e Ylli, Valter, Zamir, Arben e Rezarta Shtyllës. Ja midis këtyre emrave të zëshëm gjen vendin e tij të merituar edhe Prof. Nevruz Shtylla.

Ishte veprim “prej të marri” ajo që Nevruz Shtylla nisi të realizonte, nëpërmjet kryqëzimit midis rracave të deleve, për të krijuar një mutacion apo rracë krejt ndryshe nga individët që u morën për eksperimentim, duke krijuar kështu rracën me tregues të lartë në prodhimin e qumështit, leshit dhe mishit e që mori emrin “Delja e Vrinës”.

Që kur ishte i vogël Nevruz Shtylla ia solli fati të kishte si bashkëudhëtarë rreziqet, peripeci e andralla që në një farë mënyrë iu bënë pjesë e jetës. Ai vërtet lindi në fshatin Shtyllë, por për shkaqe ekonomike familja kishte zbritur në Lubonjë të Korçës kur ai ishte vetëm katër vjeç. U vendosën aty në toka të blerë vite të shkuara, rreth vitit 1918 nga gjyshi. Pra në një farë mënyre Lubonja u bë vendlindja e tij e dytë. Vitet e fëminisë do t’i përjetonte me ngjarje luftrash, me partizanë, ballistë e gjermanë, të cilat, tashmë që ai e kujton me nostalgji, thotë se kanë lënë gjurmë të jashtëzakonëshme e që ndikuan në formimin e tij si njeri. Aty në Lubonjë mbaroi katër klasët e shkollën fillore, ndërsa uniken (7-vjeçaren), meqë aty në fshat nuk kishte një të tillë, e filloi në qytetin e Korçës dhe dy vitet e fundit i bëri në një fshat në kufi me Lubonjën, në Qafzez, ku i duhej të bënte dy orë rrugë vajtje e ardhje.

Një çast për njeriun, ca më shumë kur është në moshë të re, një “po” apo një “jo” mund t’i ndryshojë gjithë drejtimin e jetës. Nevruz Shtylla pasi mbaroi 7-vjeçaren jetonte me ëndrrën të bëhej atlet, pasi në garat që ishin zhvilluar në shkollë ishte prezantuar me tregues shumë të lartë. Kishte dëshirë, gjithashtu, të vishej me rroba ‘begsi’, pra të vijonte shkollën ushtarake për t’u përgatitur si oficer. Nga brenda e ngacmonte edhe një dëshirë tjetër, ajo e të studjuarit për letërsi, gjë që i shfaqej sa herë që recitonte poezitë e Lame Kodrës në shtëpi, sa herë që vinin miq si Gjin Marku, Mestan Ujaniku, Riza Kodheli apo Ramiz Aranitasi. Por këto dëshira nuk qe e thënë të realizoheshin. Fati i tij qënkej publikuar në faqen e fundit të një reviste të kohës, ku trajtoheshin probleme të bujqësisë, ku shkruhej: “Teknikumi bujqësor Kamëz jep bursa për agonomë, zooteknikë dhe ndihmës inxhinirë pyjesh.” Me mendje vendosi të shkonte, po ku, në cilën degë? Krraba e tërhoqi nga zooteknia sepse në një moment kujtoi për çka i kish folur xhaxhai, Medar Shtylla, gjatë kohës kur ishte drejtor i Institutit të Blegtorisë nëXhafzotaj.

Janë sa mbresëlënëse, po aq dhe drithëruese kur njihesh me sakrificat që bëri ai brez për t’u arsimuar e që një ndër ta të ishte edhe Nevruz Shtylla. Dikush nga brezat e sotëm nuk mund të imagjinojë këtë fakt që po sjell për lexuesin me pak rrjeshta. Ai vërtetë ka të bëjë me një gjë fare  “të parëndësishme”, por në thelb tregon e i bën “skanerin” një epoke të tërë për vuajtjet që janë dashur për të përgatitur e shkolluar specialistët e munguar, të çfarëdo fushe të ekonomisë, në vitet e para të pasçlirimit. Që të mund të fillonte shkollën normalisht nxënësit i duhej të siguronte, edhe pse ishte me bursë shteti,të githa ato çka i duhej për veshmbathje, duke përfshirë xhaketën, pantallonat, të brendëshmet dhe, natyrisht, edhe këpucët. Me shtrëngesa e me të keq prindërit e tij arritën t’i siguronin të gjitha këto çka duhej për një konviktor, por mbeti ajo më e rëndësishmja, baulja, (valixhe), ku do të vendoseshin të gjitha “rraqet” e nevojshme gjatë udhëtimit. Lekë nuk kishin. Ç’të bënin, si mund të zgjidhej ky problem? Na nxorri nëna nga ky siklet, tregon Nevruz Shtylla, tani pas 70 vjetësh. Ajo kishte mbajtur diku mënjanë ca mjaltë dhe ditën që do të nisesha për në Tiranë, më porositi të shkoja në pazarin e Korçës, të shisja mjaltin dhe me ato para të blija baulen. Ashtu bëra. Shita mjaltin dhe bleva baulen. Mbaj mend që ishte prej dërrase, me ngjyrë të kuqe. Dhe ajo baule e blerë me mjaltë më shërbeu plot 8 vjet, deri sa mbarova Institutin e Lartë Bujqësor.

Nevruz Shtylla ishte formuar qysh i vogël me idenë që të gjitha punët t’i bënte me zemër. Dhe “me zemër” do të thoshte që të ndiqte rregullisht mësimet, të përgatitej për të asimiluar në themel anën teorike të profesionit dhe të ndiqte me sy e vesh praktikat mësimore, të cilat të gjitha së bashku, do të krijonin tek ai mendimin se do të ishte i zoti të përballej me jetën, atje ku duhej fjala dhe mendimi i zooteknikut. Dhe nga i gjithë ky investim ai e mbylli shkollën me rezultate shumë të mira. Sigurisht, që në këtë formim të tij ndikuan pedagogët të cilët shumica vinin nga shkolla përëndimore si Franca, Austria e Gjermania. Por, ashtu si ndodh me të gjithë kur diplomohen në një specialitet të caktuar, edhe zooteknikun e ri e mundonte një këshillë e profesorit të tij erudit Vasfi Samimi, i cili i paskësh thënë: “Është e thjeshtë të ulesh, të dëgjosh dhe të mësosh leksionet  që unë u jap, por mos harroni se është e vështirë që ti të veprosh, për t’i zbatuar aty ku duhet e si duhet.”

Fati i njeriut, në një farë mënyre, vjen ose ikën në vartësi nga mendimi që ai ka për vetveten. Pra nuk do të thotë se je fatkeq nëse përballesh me një punë që nuk të pëlqen, që nuk është në përputhje me formimin tënd shpirtërtor e profesional. Ashtu si ndodhi edhe me Nevruz Shtyllën. Ai kur mbaroi teknikumin për zooteknik u emërua me detyrën e brigadierit në sektorin e derrave, i cili ndodhej në fashatin Koritë, në rrëzë të Malit të Thatë, rreth 30 kilometra larg qytetit të Korçës ,e që do të thoshte po kaq larg nga shtëpia ku ai jetonte. Në këto kushte u gjend përpara dilemës: të qëndronte aty për të drejtuar sektorin, apo të braktiste punën? I edukuar nga dy prindër qëndrestarë, të cilët u kishin rezistuar halleve, punëve të shumta e të vështira, zooteknikut të porsadiplomuar i thirri një zë i brendshëm për të qëndruar aty, në sektorin e derrave, madje të mblidhte forcat për të transformuar gjendjen, për t’u marrë vesh edhe nga punëtorët, të cilët mereshin prej vitesh me mbarshtimin e tyre, se aty kish ardhur t’i drejtonte një djalë i shkolluar, një zooteknik, e që këtë emërtim ata e dëgjonin për herë të parë.

Jeta shpesh sjell të papritura dhe ato mund të jenë edhe të mrekullueshme, që hapin derën për t’u njohur me diçka të re, të cilën ti e ke patur ëndërr. Ashtu si kjo ëndërr u bë realitet për “rritësin e derrave”, Nevruz Shtyllën. Atij shumë shpejt, vetëm pas një viti punë, i doli e drejta për të vazhduar Institutin e Lartë Bujqësor në Fakultetin e Zooteknisë. Kur erdhi në fakultet iu duk se shkolla e lartë kishte shkëlqim krejt tjetër. Pedagogët që shpjegonin leksionet apo që jepnin mësime praktike, flisnin me gjuhë tjetër, me përgjegjësi ndryshe nga ata të shkollës së mesme, me një nivel shkencor që të diktonte të ishe shumë i vëmendshëm për ta asimiluar. Duhet të kujtojmë se në krye të këtij ekipi mësimdhënësish drejtonte një personalitet i lartë për kohën, siç ishte Pirro Dodbiba.

Nevruz Shtylla ishte nga ata që nuk iu fsheh kurrë disiplinës si student, as në ato që konsiderohen “çapkënllëqe studentësh”. Përkundrazi, ai orientohej nga dëshira që kur të dilte në jetë të merrte përsipër të realizonte praktika të reja, shkencore, të bëhej dikushi.

Studimet e larta i përfundoi në vitin 1959 dhe po atë vit, mori emërimin për të punuar si zooteknik i lartë në një nga fermat më të mëdha blegtorale, siç ishte ajo Vrinës, në Konispol. Urdhëri i emërimit mbante firmën e ministrit të Bujqësisë të atyre viteve, të Maqo Çomos. Nuk e priti me shumë dëshirë për shkak të largësisë të vendit të punë, por urdhëri ishte urdhër, e ca më shumë që e jepte Ministri i Bujqësisë. Mendjen ia çoroditi fakti se ai e dëgjonte për herë të parë emrin e kësaj ferme, të Vrinës. Madje i ati, i bredhur e njohës i mirë i krahinave të Shqipërisë, dyshoi se ndoshta ishte bërë ndonjë gabim e që për Rinas të ishte shkruar pa dashje Vrinë. Dilema u sqarua aty, për fare pak minuta, nga disa blegtorë të ndodhur në pazarin e Korçës, të cilët jo vetëm u treguan të gatshëm të shpjegonin se  ku binte Vrina, por i orientuan të mësonin se ku nisej autobusi, apo mjete të tjera transporti për në Gjirokastër e më pas në Delvinë, Sarandë e deri nëVrinë. Nevruz Shtylla e mban mend edhe sot itirenarin e lëvizjes të atyre ditëve për t’u paraqitur në detyrë sa më parë. Udhëtimin e nisi nga Korça, hipur në një autobus të tipit  “Skoda”, i sapo ardhur nga Çekosllavakia. Ashtu me të keq, për shkak të rrugës që ishte me plot kthesa e gropa, “stacionet” e Qafës së Qarrit, Ersekës, Sharrat e Gërmenjit, Leskovikun dhe për të qëndruar vonë në mbrëmje te “Sheshi i Çerçizit” në Gjirokastër. Ditën tjetër udhëtimi drejt Vrinës iu duk më i vështirë. Vetëm me ndërhyrjen e Komitetit Ekzekutiv u mundësua të sigurohej një biletë me “Korierën” të mbuluar me një mushama të grisur, copë-copë, e cila kishte për destinacion Delvinën, e pastaj si stacion të fundit qyetin e Sarandës. Mbërritja në Sarandë nuk do të thoshte se kishin mbaruar mundimet për të arritur në Vrinë.  Në hotel “Butrinti”, një godinë vjetërsirë me dërrasa të kalbura, nuk kishte vend që të mund të kaloja natën, kujton Nevruz Shtylla. Falë sportelistit, një burrë plak, i cili hapi sytë kur lexoi në pasaportë mbiemrin Shtylla, e që doli të ish mik i Tahir Shtyllës, njeriut të familjes tonë, sepse kishin punuar bashkë në vitet ’30 në ambasadën tonë në Athinë. Ai i siguroi jo vetëm vend, por e sistemoi edhe në dhomën më të mirë. Të nesërmen bëheshin katër ditë që kish dalë nga shtëpia dhe ende nuk po arrinte në vendin e punës. Edhe dita e katërt u gdhi dhe filloi me peripeci të tjera. Sepse për të vajtur në Vrinë kishte dy rrugë: njëra tokësore, 60 km larg, dhe e dyta kalonte nga deti, me varkë e që kalonte në ngushticën e Korfuzit për të qëndruar në Butrint. Vështirësia qëndronte tek marrja e lejes së qarkullimit, dokument i domosdoshëm për zonat kufitare e që ishte shumë e vështirë për ta marë shpejtë. Por Nevruz Shtyllës edhe aty i doli miku. Komandat i kufirit ishte gjeneral  Haki Starja, ish- komandant i batalionit “ Hakmarrja” dhe që ishte shok e mik i familjes Shtylla. Nevruzi sapo e kishte parë e kishte njohur. Ai gjatë kohës në luftë kish hyrë e dalë në shtëpinë e tij, ndaj pa droje i kishte dhënë të njohur. Haki Starja kish hapur sytë dhe jo vetëm që ja dha lejen e qarkullimit në çast, por e kishte qerasur edhe me një birrë. Ditën tjetër, që në mëngjes, varka që komandohej nga baba Gaqi i çoi në Butrint, e që nga aty bëri dy km rrugë për të mbritur në Vrinë.

Tashmë Nevruz Shtylla nuk do të shërbente si dikur kur mbaroi teknikumin për zooteknik, në një sektor ku mbarështoheshin derrat, por në një fermë blegtorale me më shumë se 50 mijë krerë dele. Shtrirja e kufijve të punës nuk ishte më brenda mureve të një stalle, por në pafundësi, nga Konispoli, Vrina e Ksamili në muajt e verës, e deri në Dhëmbel, Çatista, Gramoz, Qafa e Kazanit, Rrungajë e Qafa e Martës në periudhën e muajve të verës. Ashtu si barinjtë, edhe Nevruz Shtylla, filloi të bënte jetë nomadësh, dimrit në vendet e ulta, e gjatë verës të ngjitej majë maleve. Dhe lëvizjet shoqëroheshin me shumë punë të vështira e të komplikuara, që kishin të bënin me të ushqyerit, me mbarështimin rracor dhe deri tek trajtimet e diferencuara për delet e për qingjat e porsalindur.

Si në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore, edhe në atë të zooteknisë, shkenca është e vetmja dritë që të ndihmon të shikosh larg drejtë zhvillimit, rritjen e cilësisë dhe të prodhimt blegtoral. Edhe Nevruz Shtylla nuk mund të mbetej peg i punëve rutinë, të organizimit të gjërave të vogla, dytësore, por t’ju përkushtohej studimeve për të sjellë praktika të reja në mbarshtimin e kafshëve të imta. E si mund të qëndronin “të fjetur” ndaj mësimeve dhe për çka kishin studiuar për katër vjet në Institut? Si për fillim, ai vendosi të organizonte punën për përmirësimin integral të deles së vendit me anë të kryqëzimit me desh të rracave të tjera, me lesh gjysëm  të hollë siç ishte “Cigaja ruse” dhe “Degestani malor”. Ishte mendimi dhe presioni i specialistve të ndërmarrjes blegtorale që të importoheshin deshët e rracës dhe të çeleshin mbi 20 stacione të insiminimit artificial në malet e Gramozit, të Vithkuqit, në Rungajë të Shtyllës e deri sa u përhap si praktikë në të gjithë vendin. Meritën për këtë praktikë të mirëfilltë shkencore e ka zootekniku Nevruz Shtylla, sepse ai ishte kryezootekniku  i ndërmarrjes  blegtorale  të Vrinës që e filloi dhe e hodhi këtë hap për herë të parë.

Një specialist i ditur e i guximshëm nuk ka frikë t’i futet punës,  ku fillimisht nuk duket asnjë dritëz në fund të tunelit. Ai e bën këtë, sepse modestisht e di kush është dhe se e ka forcën e mendimit dhe të intelektit për të ndërmarë lëvizje që bëhen për herë të parë. Një gjë të tillë bëri Nevruz Shtylla. Ishte veprim “prej të marri” ajo që ai nisi të realizonte, nëpërmjet kryqëzimit midis rracave të deleve, për të krijuar një mutacion apo rracë krejt ndryshe nga individët që u morën për eksperimentim, duke krijuar kështu rracën me tregues të lartë në prodhimin e qumështit, leshit dhe mishit e që mori emrin “Delja e Vrinës”. Mbas shumë debatesh në institucionet shkencorë dhe me specialistët më të mirë të vendit u rekumandua që kjo praktikë të zbatohej në të gjithë vendin në përputhje me kushtet specifike të çdo ekonomie.

Të jesh drejtues i zoti duhet të arrish që të frymëzosh të tjerët për ta dashur punën, që ata të guxojnë dhe të rrezikojnë për atë që synojnë të arrijnë. Nevruz Shtylla për më shumë se 6 vjet që punoi në ndërmarrjen blegtorale të Vrinës, i shfaqi të gjitha këto cilësi të vyera të specialistit të ditur e ambicioz. Edhe për këto virtyte, atij në vitin 1965, iu caktua detyra goxha e rëndësishme, ajo e drejtorit të Institutit të përmirësimit rracor në rrethin e Korçës. Sapo mori detyrën, si kërkues e njeri që rendëte pas shkencës, menjëherë u fokusua për të sjellë ndryshimin. Për një periudhë farë të shkurtër u mundësua që ajo qendër e përmirësimit rracor të bëhej shembull për të gjithë Shqipërinë. Falë këtij “presioni” moral, pra i punës që bëhej në Korçë dhe kontributit plot kurajo të Nevruz Shtyllës, u ngritën 60 stacione të insiminimit artificial për lopë, dhen e dhi, të cilat shpërndanin material biologjik për të gjithë vendin.

Shkenca, sidomos në sektorë shumë të vështirë si ai i blegtorisë, gjen vështirësi për t’u zbatuar. Personazhi ynë grumbulloi përvojë të madhë në punët që mbuloi në terren, aty ku rriteshin bagëtitë, ndaj ishte i aftë të sillte mundësi nëse diku vështirësia bëhej mur i pakalueshëm. Falë këtyre aftësive ai në vitin 1972, u ngarkua me detyrën e specialistit të përmirësimit rracor të bagëtive të imta pranë Ministrisë së Bujqësisë. Po atë vit, sapo u ngrit Instituti i Kërkimeve Zooteknike, Nevruz Shtylla u ngarkua me detyrën tjetër, atë të shefit të sektorit për punën shkencore të bagëtive të imta. Gajtë punës 20 vjeçare në Institut realizoi me dhjetra punime shkencore, të cilës janë referuar e publikuar brenda e jashtë vendit. Ndërkohë, është ndër specialistët që numërohen me gishtat e dorës  që ka dhënë leksione në disa simpoziume,  si në Hollandë, Greqi e Gjermani. Është po kjo periudhë kur aftësia që kish si specialist klasi, u dërgua në Gjermaninë Federale për të importuar 5300 krerë lopë e më pas në Hollandë, për 300 krerë desh rrace për nevojat e vendit.

Nevruz Shtylla nuk e shpërdoroi asnjëherë kohën si studiues e si specialist. Në këtë kuptim ai, si shumë punonjës të tjerë të shkencës, bëri përpjekje që përvojën në vite ta përcjellë nëpërmjet librave. Sot studentë e studjues të zooteknisë mund të shfletojnë libra të shkruar nga ai si “Shtimi i prodhimit të mishit nga dhentë”, “Bazat shkencore të prodhimit të mishit”, etj. Edhe për librat, por edhe për shumë punë të tjera shkencore, Nevruz Shtylla, krahas titujve “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe “Doktor i Shkencave”, në vitin 1991 iu dha titulli i lartë Profesor. Ai është nderuar edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me disa medalje për punë të shquar në sektorin e blegtorisë, si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri”. Pa asnjë mëndyshje ai radhitet dhe qëndron në krah të personaliteteve shkencorë të bujqësisë si Mentor Përmeti, Vasfi Samimi, Hysen Laçej, Ahmet Osja, Teki Tartari, Sotir Pasko, Faik Bajraktari e shumë të tjerë. Si veprimtar i shquar shoqëror, Nevruz Shtylla është edhe “Nderi i shoqatës së Vakëfeve”,  e cila përfshin fshatin e tij të lindjes, Shtyllën.