Kriza politike dhe ajo financiare, rrezik për destabilitet kombëtar/ Analizë nga Prof. Arben Malaj/ Vendi ka nevojë për opozitë efikase dhe jo për opozitë në emër të opozitës. Rrezikohemi që situata e përkeqësuar të ushqejë një krizë shumë dimensionale dhe të rëndë për fatet e atdheut. Reformat në gjyqësor, e drejta e punës, cenimi i lirisë, si dhe sektorët e biznesit, turizmit, arsimit,shëndetësisë, energjisë, ujit, etj., ndihen më të kërcënuar se kurrë

735
Sigal

Që nesër të mos jemi përsëri shumë vonë

 

Që ngërçi politik të mos ushqejë një krizë të re

 

Prof Dr. Arben Malaj, ish-ministër

“Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”- eshë testament patriotik i rilindësit kombëtar Sami Frashëri, 1850 – 1904, dhe ka shtuar se “Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes”.

Aktualisht vendi ynë ndodhet nën një ngërç politik që ushqehet nga cenimi i lirisë në konceptin e saj më të gjerë. Rotacionet e njëjta politike po “amnistojnë” përgjegjësit e krizave dhe ushqejnë kulturën politike të mos ndryshimeve thelbësore. Rrezikohemi që situata e përkeqësuar të ushqejë një krizë shumë dimensionale më të rëndë. Tranzicionit ynë i vështirë 1991-2019 po i ngjan gjithnjë e më shumë legjendës së Rozafës, ku atë që ndërtojmë me shumë mund ditën e vetëshkatërrojmë në errësirën e dështimeve të përsëritura.

Shqetësimi kryesor mbetet që të mos bëhen hapa pas në demokraci dhe prosperitet, pasi përfituesit realë do të jenë populistët, nacionalistët, euroskeptikët, radikalët deri tek ekstremistët. Kostot e rënda të dështimeve do t’i paguajnë pensionistët, shtresat që përfitojnë mbrojtje sociale si edhe taksapaguesit e vegjël dhe të mesëm. Ky nuk është një risk hipotetik, ky nuk është një risk i nxjerrë nga arshivat e studimeve akademike, ky nuk është një rrezik që pritet të ndodhë, por një realitet aktual në zhvillimet politike në disa vende jo vetëm evropiane, një rrezik që mund të përhapet në shumë vende, sidomos aty ku politikat për kohezion dhe solidaritet social kanë dështuar. Ky rrezik pritet të testohet në zgjedhjet e Parlamentit Evropian 2019, ku mund të ndikohet mbi fatin e Evropës së Bashkuar. Sa herë që ne kemi kaluar situata të zgjatura të efekteve negative të ngërçeve dhe krizave shumë-dimensionale jemi vetë-penguar dhe kemi mbetur ndër të fundit, lidhur me të ardhurat e disponueshme për frymë, si edhe në indekset ndërkombëtare të lirisë ekonomike, perceptimit për korrupsionin, aftësisë konkurruese etj.

 

  • Në vitin 1991 u shkatërrua një pjesë kritike e infrastrukturës institucionale dhe fizike, duke e bërë më të vështirë ringritjen tonë.
  • Në vitet 1990,1991,1992 rritja ekonomike ka qenë respektivitsht,
  • -10%, -28 % dhe -7% e PBB-së. Të ardhurat për frymë kanë rënë respektivisht – 21.5%, – 39.6% dhe 36.3% ose në total 97.4%
  • Në vitin 1997 kriza e piramidave solli kaos deri në konflikt civil, rritja ekonomike e vendit zbriti në minus 10% e PBB-së.
  • Në vitet 2009 -2013 rritja ekonomike nga mesatarja 6%, në 1% e PBB-së. Në 2019 po paralajmërohemi se do të kemi rënie të rritjes ekonomike, çka mund të cenojë kohezionin social dhe rrit rreziqet mbi stabilitetin e financave publike,

Pas çdo ngërçi apo krize politike ne jemi bërë më të varfër. Janë dashur dekada qe të arrinim nivelet e para krizës dhe në disa raste më përpara ka ardhur një krizë e re, se sa ne të kemi tejkaluar krizën e vjetër.

 

A po e prek ngërçi politik të ardhmen tonë?

E para dhe mbi të gjitha, duke vrarë besimin tek e ardhmja, në qoftë se ky ngërç politik nuk zgjidhet përpara se të mbërrijë një krizë e re, fluksi i të rinjve që duan të lenë vendin do të rritet. Individët dhe biznesi do të ndjehen gjithnjë e më të pasigurt. Pritshmëritë e përkeqësuara do të dëmtojnë rëndë të kapitalin human dhe social.

Rënia e lindjeve, rritja e flukseve emigratore, ku përfshihen pjesa më e mirë arsimuar dhe më aktive, mund ta plakë me shpejtësi popullsinë tonë, shpejt mund të përballemi me kostot e rënda të deficiteve të mëdha demografike si mungesë të fuqisë së kualifikuar dhe të re punëtore, deficite të larta të skemave të pensioneve dhe të kujdesit social, presione të larta për deficite buxhetore dhe borxhe publike, të cila janë kërcënuese për stabilitetin e financave publike.

Impakti i ngërçit politik mund t`i përkeqësojë ritmet dhe cilësinë e rritjes ekonomike, ku veç faktorëve të brendshëm përfshihen edhe faktorë të jashtëm, që sipas FMN dhe BB mund të ulin ritmet e rritjes ekonomike, e cila sjell efekte sociale negative, sepse ul punësimin, rrit papunësinë dhe varfërinë. Ulja e aktivitetit ekonomik përkeqëson treguesit e deficitit dhe borxhit. Kjo ndodh sepse gjatë rënieve ekonomike, mblidhen më pak të ardhura, kërkohen më shumë shpenzime sociale, rritet deficiti buxhetor dhe borxhi publik. Siç ndodhi në Greqi, Spanjë dhe Portugali masat korrektuese të deficiteve dhe borxheve të larta do të imponojnë shkurtime të ndjeshme në krahun e shpenzimeve si dhe rritje të taksave. Rreziqet e një krize buxhetore rriten sa herë që ekonomia performon dobët. Eksperiencat e qeverisjeve të dobëta edhe/ose të dështuara të Evropës Jugore, janë një mënyrë efektive e të mësuarit nga dështimet. Kostot e rënda të rikthimit në normalitet të stabilitetit të financave publike, ku kërkohet/imponohet rritje e të ardhurave, shkurtim i shpenzimeve, ulje e deficiteve primare dhe ulje e borxhit publik, do të rëndojnë, dhe jo për një kohë të shkurtër, mbi përfituesit nga politikat dhe fondet sociale dhe taksapaguesit shqiptarë.

Ngërçi aktual politik e ka rritur pasigurinë. Dy shembuj janë të mjaftueshëm për të kuptuar

sesa të rënda janë kostot:

E para, operatorët turistikë flasin për anulim të prenotimeve.

E dyta, ngërçi politik ka rritur pasigurinë publike. Mungesa e rendit publik ka ushqyer rritjen e kriminalitetit çka sjell efekte negative në koston e parasë në ekonomi. Ngërçi politik i vendit po dëmton edhe thithjen e investimeve të huaja, pasi:

Së pari, ulen hyrjet/prurjet e reja;

Së dyti, bizneset e reja dhe ata ekzistues hezitojnë, reduktojnë apo spostojnë planet e tyre të investimeve.

Rënia e investimeve të huaja direkt, veç impaktit negativ në bilancin e llogarive konkrete si rënie e hyrjes së valutave, ka efekte negative në ngadalësimin dhe /ose vonimin e ristrukturimit të ekonomisë tonë drejt sektorëve me produktive e konkurrues.

Ngërçi politik po pengon, deformon dhe vonon kryerjen e reformave të rëndësishme strukturore, duke filluar me reformimin e gjyqësorit, të drejtat e pronës, ambienti i biznesit, entet rregullatorë e mbikëqyrëse, reformat sektoriale në arsim, shëndetësia, ambienti, energjia,uji, etj.

Që të mos vazhdojmë të paguajnë padrejtësisht kostot e ngërçeve dhe krizave politike duhet të përkushtohemi për të dalë nga ky cikël riprodhues i krizave, duke kuruar nëpërmjet reformave, rrënjët e infektuara të demokracisë shqiptare.