Analizë nga Prof. Dr. Lush Susaj / Zgjedhjet e 25 prillit dhe tradita e sjelljes së gabuar ndaj elitës progresiste

463
Sigal

Analizë nga Prof. Dr. Lush Susaj / Zgjedhjet e 25 prillit dhe tradita e sjelljes së gabuar ndaj elitës progresiste. Europa e zhgënjyer nga korrupsioni dhe hipokrizia e sundimtarëve të Tiranës. Tradita e mënjanimit, vrasja e intelektualëve dhe pse Shqipëria nuk e meriton këtë lloj kapje, mpirje , dyzimi dhe absurditeti.

/Gazeta TELEGRAF

Si po ndiqet tradita e mënjanimit dhe vrasjes së intelektualëve dhe elitave

Tradita e mënjanimit dhe vrasjes së intelektualëve dhe elitave

Përpjekjet për të identifikuar dhe njohur sa më mirë bazën reale të prapambetjes, të varfërisë, të përçarjes dhe të konfliktualitetit, gjithnjë me sjellin tek disa të vërteta historike, të cilat burojnë nga periudhat e gjata e të njëpasnjëshme të sundimit bizantin, otoman dhe komunist të Shqipërisë. Duke lexuar e dëgjuar për ngjarjet historike të viteve 1385-1912, e deri në ditët e sotme të vitit 2021, rezulton se pushtimi Osman, njëlloj sikurse edhe pushtimi i mëparshëm bizantin, ka qenë fatkeqësi e madhe për kombin dhe popullin tonë. Kjo për shkak se për 527 vite me radhë (1385-1912), në të gjithë hapësirën e Ilirisë, është vrarë dhe është dëbuar elita dhe aristokracia me mendësi dhe sjellje europiane, dhe boshllëku është mbushur me bejlerë, pashallarë dhe sundimtarë të dhunshëm, të korruptuar e të mbushur me urrejtje ndaj popujve dhe vlerave historike e kulturore të Europës. Pushtuesit osmanë ndaluan me ligj dhe me dënime të llahtarshme shkollën shqipe dhe shkrimin e gjuhës amëtare. Si në asnjë vend tjetër të rajonit dhe botës, për më shumë se 16-17 breza me radhë, në vend të dijes, unitetit dhe bashkëpunimit, u kultivuan dhe u lartësuan injoranca, përçarja, grykësia, egoizmi dhe konfliktualiteti. Në vend të punës, ndërtimit të vlerave dhe krijimtarisë, u kultivuan pushtimet, dembelizmi, hajnia, ligësia dhe grabitja e dhunshme e punës dhe pronës së tjetrit. Në vend të sjelljeve dhe profesioneve të mira e të dobishme, u krijuan modelet më të shëmtuara e më të urryera të sjelljeve prej mercenari, servili, spiuni, mashtruesi, sadisti, hajduti, mercenari dhe vrasësi me pagesë. Karakteristikë e përbashkët e të gjitha pushtimeve dhe qeverisjeve antishqiptare dhe antieuropiane, ka qënë dhe mbetët dhuna, persekutimi dhe dëbimi i vazhdueshëm i intelektualëve dhe elitave europiane, përkundrejt stimulimit dhe promovimit të elitave me sjellje dhe mendësi orientale. Shqiptarët nuk mund ta harrojnë kurrë ngjarjen e vonë të datës 9 Gushtit 1830, në të cilën pushteti osman vrau 1000 intelektualë shqiptarë në Manastir. Këta të vrarë dhe shumë të tjerë të arrestuar, ishin elita më e mirë e kohës. Vrasja e kësaj elite e shtyu edhe për 100 vite të tjera krijimin e elitës shtetëformuese, duke bërë që fqinjët tanë, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria, Greqia, etj, arritën që ta fitojnë para nesh pavarsinë dhe të krijojnë kështu shtetin, administratën dhe ushtrinë e tyre.

“Europa e zhgënjyer nga korrupsioni dhe hipokrizia e sundimtarëve të Tiranës”

Në këto kushte të pabarabarta, këto shtete arritën që të organizohen e të zgjerohen pa asnjë pengesë mbi territoret e shqiptarëve të mbetur pa shtet dhe pa elitën e tyre europiane e shtetformuese. Historia e shkruar na mëson se të tilla vrasje dhe masakra mbi aristokracinë dhe elitën europiane të shqiptarëve kanë ndodhur në vitet 1468-1502. Të tilla vrasje, dëbime dhe mënjanime të qëllimshme e të organizuara të aristokracisë dhe elitës shqiptare ka patur edhe në vitet 1878-1912. E njëjta sjellje ndaj elitës së mirfilltë europiane është përsëritur edhe në vitet 1925-1928 dhe përgjatë viteve 1939-1948. Për fatin tonë të keq, i njëjti fenomen është përseritur (tashmë në një formë më të kamufluar) edhe gjatë viteve 1988-1994, kohë kur komunistët e vetëshpallur antikomunistë, në mënyrë të programuar e të qëllimshme ja dolën që të menjanonin dhe të dëbonin përmes hyrjes nëpër ambasada dhe eksodit me anije elitën dhe disidencën e mirfilltë europiane e antikomuniste. Edhe ky menjanim dhe dëbim i njohur i intelektualëve dhe elitës antikomuniste ka patur për qëllim mosndëshkueshmërinë dhe trashëgiminë e privilegjeve dhe të strukturave të kamufluara të krimit dhe të korrupsionit komunist dhe regjimeve të mëparshme antishqiptare e antipopullore. Nga një analizë e thjeshtë, gjithkush mund të kuptojë faktin që në asnjë rast nuk kemi votuar, nuk kemi zgjedhur dhe nuk jemi qeverisur nga intelektualët dhe as nga elitat me mendësi e me sjellje progresiste, përkundrejtë realitetit të zgjedhjeve pa zgjidhje, e të qeverisjeve të njëpasnjëshme nepotike, krahinore e të korruptuara, të cilat kanë shkatërruar më të keqen të mundshme unitetin, ekonominë dhe imazhin e vendit. Është koha që të kuptojmë rendësinë jetike të këtyre zgjedhjeve për proceset e integrimit euroatlantik, dhe domosdoshmërinë për të bashkuar votat dhe vullnetët tona të mira për të arritur zgjidhjen politike që i duhet Shqipërisë dhe çdo shqiptari. Është koha që në krye të administrimit të punëve dhe të fateve tona të besojmë e të votojmë intelektualët më të mirë, njerëzit me sjellje, me formim dhe me mendësi të provuar europiane. Është koha për të përbuzur kastën e vjetër politike dhe të gjithë servilët dhe bashkëpuntorët e saj. Është momenti historik për të kujtuar, vlerësuar e ndëshkuar gjithë të ligat që kjo kastë orientale i ka bërë popullit dhe shtetit shqiptar. Unë besoj në zgjuarsinë dhe në fitoren e votës së shqiptarëve mbi të keqën.

Europa e zhgënjyer nga korrupsioni dhe hipokrizia e sundimtarëve të Tiranës

Edhe historia e këtyre 109 viteve (1912-2021), nuk është asgjë më tepër se sa vazhdimësia e traditës së shëmtuar të menjanimit, dëbimit dhe vrasjes së intelektualëve dhe elitës europiane të krijuar në Paris, Romë, Bruksel, Londër etj, nga njëra anë, dhe lartësimit të elitave të formuara në Stamboll, në Kajro, në Beograd, në Moskë etj, nga ana tjetër. Duket që nga këtu ka buruar dhe vazhdon që të burojë e keqja dhe prapambetja jonë politike, ekonomike e shtetërore. Mënjanimi dhe shkatërrimi i vazhdueshëm i elitave progresiste, gjithnjë është shoqëruar e do të shoqërohet nga një degradim dhe përkeqësim i vazhdueshëm I ekonomisë, i mirëqënies, i kulturës dhe gjithësjelljes së përditshme të njerëzve ndaj natyrës, shoqërisë dhe mendimit njerëzor. Sami Frashëri (1899), në analizën e tij ka shkruar se: “Shqiptarët janë robër të poshtëruar e t`unjurë, të shkelur e të çpërnderë – turpëruar”. Trashëgimia dhe modeli otoman i vrasjeve, dëbimeve, torturave dhe sjelljes ndaj elitave dhe intelektualëve të mirëfilltë e bëri komunizmin shqiptar regjimin më të egër e më të pashëmbullt në historinë e njerëzimit. Dihet nga të gjithë që komunizmi shqiptar nuk ka patur asgjë europiane, asgjë njerëzore dhe asnjë ngjashmëri me komunizmin e zbatuar në vendet e ish BS, as në Poloni, as në Hungari, as në Çeki, etj. Komunizmi shqiptarë është një produkt miks i komunizmit serb dhe shqipfolësve të njohur bizantino-otomanë.

“Shqipëria nuk e meriton kurrë këtë lloj kapje, mpirje, dyzimi e absurditeti.”

Historia na mëson se si deri në vitin 1912, ligjet dhe të gjitha institucionet ndërtoheshin dhe funksiononin në shërbim të sulltanatit të sulltanit. Ky model ka vazhduar edhe në vitet 1912-1939, kohë kur  ligjet, ndërhyrjet dhe ndryshimet politike e shtetërore në Shqipëri, bëheshin përsëri në shërbim të interesave të një mbreti me oborr dhe me administrate të korruptuar, të dhunshme dhe të urryer nga shumica e shqiptarëve. Edhe pas vitit 1939, pavarësisht nga propaganda dhe demagogjia shtetërore, përsëri u ndërtuan institucione fiktive dhe ligje e struktura vetëm në funksion të interesit të ngushtë të diktatorit komunist, që jetoi dhe sundoi edhe më keq se perandorët dhe sulltanët e mëparshëm bizantino-otomanë. Si për ironi të fatit, në të njëjtën mënyrë është vepruar edhe pas vitit 1990, periudhë kur komunistët e vetëshpallur antikomunistë, prodhuan një administratë dhe një pafundësi ligjesh vetëm për të sunduar e për të përvetësuar pronat, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve. Nga ky këndvështrim, edhe këto 109 vite (1912-2021), mendoj se përbëjnë një tjetër periudhë historike të ngarkuar e të nxirë nga sulltanë, nga bejlerë dhe nga diktatorë orientalë. Shqipëria, përmes votës së lirë, duhet të fokusohet tek zgjidhja dhe mbyllja sa më parë e kësaj periudhë vetëdiskredituese e vetëshkatërruese për popullin dhe ekonominë e vendit. Pabesia dhe sjellja hipokrite ndaj intelektualëve dhe botës akademike, ka sjellë një situate irrituese e turpëruese ku institucionet dhe funksionarët e shtetit Shqiptar, duke filluar nga parlamentarët, tek ministrat, e deri tek zyrtarët e fundit të njësive vendore, janë njerëzit me nivelin më të ulët moral e profesional. Shqipëria nuk e meriton kurrë këtë lloj kapje, mpirje, dyzimi e absurditeti. Shqipëria duhet të shkëputet sa më parë nga kjo lloj sjellje politike dhe vetëmbytje në kënetën e njohur të ligësisë, të injorancës dhe të trashëgimisë mesjetare. Shqiptarëve nuk ju shkon kurrë që të identifikohen e as të pranojnë që të mbulohen më gjatë me lëkurën e zezë të otomanëve dhe as me lëkurën e kuqe të komunizmit. Neootomanizmi dhe neokomunizmi vetëm sa e pickojnë, e helmojnë dhe e paralizojnë Shqipërinë si gjarpëri bretkosën. Europa duket e lodhur dhe thellësisht e zhgënjyer nga korrupsioni, nga kriminaliteti dhe nga hipokrizia e sundimtarëve të njëpasnjëshëm të politikës sëTiranës. Europa kërkon që shqiptarët të mësojnë, të punojnë, të votojnë e të qëndrojnë të bashkuar e të vendosur në rrugën Euro Atlantike të zhvillimit të vendit dhe të shtetit të tyre. E shkuara, e tashmja, e ardhmja dhe identiteti historik, gjeografik, rracor dhe kulturor i Shqipërisë dhe shqiptarëve është Europa dhe asnjë realitet tjetër jashtë saj.